Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 42

Një gomar flet

Një gomar flet

KE DËGJUAR ndonjëherë që një gomar të flasë? ‘Jo,—do të thuash ti.—Kafshët nuk flasin.’ Por Bibla tregon për një gomar që foli. Le të shohim se si ndodhi kjo.

Izraelitët janë pothuajse gati për të hyrë në tokën e Kanaanit. Balaku, mbreti i Moabit, ka frikë nga izraelitët. Prandaj dërgon të thërrasin një njeri të shkathët, me emrin Balaam, që të vijë të mallkojë izraelitët. Balaku i premton Balaamit se do t’i japë shumë para. Prandaj, Balaami hipën në gomarin e tij dhe niset për të takuar Balakun.

Jehovai nuk do që Balaami ta mallkojë popullin e Tij. Prandaj dërgon një engjëll me një shpatë të gjatë që të qëndrojë në rrugë, për ta ndalur Balaamin. Balaami nuk mund ta shohë engjëllin, por gomari e shikon. Kështu, gomari përpiqet që të largohet nga engjëlli dhe, në fund, shtrihet në rrugë. Balaami është shumë i zemëruar dhe e rreh gomarin me shkop.

Atëherë Jehovai bën që gomari të flasë dhe Balaami ta dëgjojë. ‘Çfarë të kam bërë, që po më rreh?’—pyet gomari.

—Më ke bërë të dukem si budalla,—thotë Balaami.—Po të kisha një shpatë, do të të kisha vrarë!

—Të kam trajtuar kështu më parë?—pyet gomari.

—Jo,—përgjigjet Balaami.

Atëherë Jehovai lejon që Balaami të shohë engjëllin me shpatë, duke qëndruar në rrugë. Engjëlli i thotë: ‘Pse e ke rrahur gomarin? Unë kam ardhur të të pengoj rrugën, sepse ti nuk duhet të shkosh të mallkosh Izraelin. Po të mos ishte shmangur gomari prej meje, ty do të kisha vrarë, por gomarit tënd s’do t’i bëja gjë.’

Balaami thotë: ‘Kam mëkatuar. Nuk e dija se po qëndroje në rrugë.’ Engjëlli e lë Balaamin të ikë dhe ky shkon të takojë Balakun. Balaami përpiqet ta mallkojë Izraelin, por, në vend të kësaj, Jehovai bën që ai ta bekojë tri herë Izraelin.