Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 27

Një mbret i lig qeveris Egjiptin

Një mbret i lig qeveris Egjiptin

KËTA burra po i detyrojnë njerëzit të punojnë. Shiko atë burrin që po godet një punëtor me kamxhik! Punëtorët janë të familjes së Jakobit dhe quhen izraelitë. Kurse njerëzit që po i detyrojnë të punojnë janë egjiptianë. Izraelitët janë bërë skllevër të egjiptianëve. Si ndodhi kjo?

Për shumë vjet familja e madhe e Jakobit jetoi në paqe në Egjipt. Jozefi, që ishte njeriu më i rëndësishëm i Egjiptit pas faraonit, u kujdes për ta. Por pastaj Jozefi vdiq. Edhe faraoni vdiq dhe në Egjipt u bë mbret një faraon i ri, që nuk i pëlqente izraelitët.

Kështu, ky faraon i lig i bëri izraelitët skllevër. Për të mbikëqyrur izraelitët, ai ngarkoi njerëz të ashpër dhe mizorë. Ata i detyronin izraelitët të punonin shumë që të ndërtonin qytete për faraonin. Po megjithatë izraelitët vazhdonin të rriteshin në numër. Pas njëfarë kohe, egjiptianët filluan të kishin frikë se mos izraelitët bëheshin të shumtë në numër dhe tepër të fortë.

E di se ç’bëri faraoni? Foli me gratë që ndihmonin nënat izraelite kur lindnin fëmijët dhe u tha: ‘Çdo fëmijë mashkull që lind, duhet ta vritni.’ Por këto ishin gra të mira dhe nuk i vritnin fëmijët.

Prandaj faraoni i dha këtë urdhër të gjithë popullit të tij: ‘Merrni fëmijët meshkuj që u kanë lindur izraelitëve dhe vritini. Vetëm foshnjat që janë vajza lërini të jetojnë.’ A nuk ishte ky një urdhër i tmerrshëm? Le të shohim se si shpëtoi një foshnjë që ishte djalë.