Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TREGIMI 20

Dina hyn në telashe

Dina hyn në telashe

E SHIKON kë po shkon të takojë Dina? Po shkon të takojë disa vajza që jetojnë në vendin e Kanaanit. A do të ishte i kënaqur babai i saj, Jakobi, po ta merrte vesh? Për të na ndihmuar që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, le të kujtojmë çfarë mendonin Abrahami dhe Isaku për gratë e Kanaanit.

A donte Abrahami që djali i tij, Isaku, të martohej me një vajzë nga Kanaani? Jo, nuk donte. Po Isaku dhe Rebeka, a donin që djali i tyre, Jakobi, të martohej me një vajzë kananite? Jo, nuk donin. A e di pse?

Sepse këta njerëz në Kanaan adhuronin perëndi të rreme. Nuk ishin njerëz të mirë për t’i pasur si burra ose si gra dhe me ta nuk duhej të bëheshe shok i ngushtë. Prandaj mund të jemi të sigurt se Jakobi nuk do të ishte i kënaqur që vajza e tij të bëhej shoqe me këto vajza kananite.

Dhe me të vërtetë Dina hyri në telashe. A e dallon në figurë burrin kananit që po shikon Dinën? E quajnë Sikem. Një ditë, kur Dina erdhi për vizitë, Sikemi e mori Dinën dhe e detyroi të flinin bashkë si burrë e grua. Kjo ishte e gabuar, sepse vetëm ata që janë të martuar me njëri-tjetrin mund të flenë bashkë si burrë e grua. Kjo gjë e keqe që bëri Sikemi me Dinën, çoi në një telash edhe më të madh.

Kur vëllezërit e Dinës morën vesh çfarë kishte ndodhur, u zemëruan shumë. Dy prej tyre, Simeoni dhe Levi, ishin kaq të zemëruar, sa morën shpatat, shkuan në qytet dhe i zunë në befasi burrat atje. Ata dhe vëllezërit e tyre vranë Sikemin dhe të gjithë burrat e tjerë. Jakobi u zemërua me djemtë e tij që bënë këtë gjë të keqe.

Si filluan gjithë këto telashe? Filluan sepse Dina u bë shoqe me disa që nuk u bindeshin ligjeve të Perëndisë. Ne nuk duam të bëhemi shokë me njerëz të tillë, apo jo?