Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI 1

«Ja, ky është Perëndia ynë»

«Ja, ky është Perëndia ynë»

1, 2. (a) Çfarë pyetjesh do të doje t’i bëje Perëndisë? (b) Për çfarë e pyeti Moisiu Perëndinë?

A E PËRFYTYRON dot të bësh një bisedë me Perëndinë? Vetëm ta mendosh një gjë të tillë të bën të drithërohesh: Sovrani i universit po flet me ty! Në fillim ngurron, por pastaj bën si bën dhe arrin t’i përgjigjesh. Ai të dëgjon, të përgjigjet e madje të bën të ndihesh i lirë ta pyesësh për çfarë të duash. Ç’pyetje do t’i bëje?

2 Shumë kohë më parë, një njeri u gjend pikërisht në këtë situatë. Atë e quanin Moisi. Mirëpo, pyetja që ai zgjodhi t’i bënte Perëndisë mund të të habitë. Nuk e pyeti për veten, për të ardhmen e tij e as për gjendjen e mjeruar të njerëzimit. Pyeti për emrin e Perëndisë. Ndoshta kjo të duket e çuditshme, pasi Moisiu tashmë e dinte emrin personal të Perëndisë. Prandaj, pyetja e tij duhet të ketë pasur një domethënie më të thellë. Në fakt, ishte pyetja më domethënëse që mund të kishte bërë Moisiu. Përgjigjja është me rëndësi për të gjithë ne, pasi mund të na ndihmojë që të bëjmë një hap të domosdoshëm për t’iu afruar Perëndisë. Në ç’mënyrë? Le ta shqyrtojmë këtë bisedë të veçantë.

3, 4. Cilat ngjarje ndodhën para se Moisiu të bisedonte me Perëndinë dhe cili ishte thelbi i asaj bisede?

3 Moisiu ishte 80 vjeç. Kishte dyzet vjet që ishte arratisur nga populli i tij, Izraeli, i cili ishte skllav në Egjipt. Një ditë, kur po kulloste kopetë e vjehrrit të tij, pa një dukuri të çuditshme. Një kaçube kishte marrë flakë, por nuk po konsumohej. Vazhdonte të digjej, duke ndriçuar si një far në shpatin e malit. Moisiu u afrua për ta parë më mirë. Sa duhet të jetë shtangur kur një zë i foli nga mesi i zjarrit! Me anë të një zëdhënësi engjëllor, Perëndia dhe Moisiu biseduan gjerë e gjatë. E siç mund ta dish, atje Perëndia i tha Moisiut, i cili ndihej ende i pasigurt, që të  linte jetën e tij të qetë dhe të kthehej në Egjipt për të çliruar nga skllavëria izraelitët.Dalja 3:1-12.

4 Në atë pikë Moisiu mund t’i kishte bërë Perëndisë çfarëdo pyetjeje. Por, vër re se ç’pyetje zgjodhi të bënte: «Ta zëmë se tani vajta te bijtë e Izraelit dhe u them atyre: ‘Perëndia i paraardhësve tuaj më ka dërguar te ju’ dhe ata më thonë: ‘Cili është emri i tij?’, çfarë duhet t’u them?»Dalja 3:13.

5, 6. (a) Cilën të vërtetë të thjeshtë e jetësore na mëson pyetja e Moisiut? (b) Ç’gjë e ulët është bërë me emrin personal të Perëndisë? (c) Përse është kaq domethënëse që Perëndia i ka zbuluar emrin e tij njerëzimit?

5 Kjo pyetje na mëson para së gjithash se Perëndia ka një emër. Nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë të vërtetë të thjeshtë. Megjithatë shumë veta e bëjnë. Emri personal i Perëndisë është hequr nga shumë përkthime të Biblës dhe është zëvendësuar me tituj të tillë si «Zot» dhe «Perëndi». Kjo është një nga gjërat më të trishtueshme dhe më të ulëta që janë bërë në emër të fesë. Në fund të fundit, në qoftë se dëshiron të njohësh më mirë dikë, a nuk e pyet si e ka emrin? E njëjta gjë është kur duam të njohim Perëndinë. Ai nuk është një qenie pa emër, e largët, që nuk e njohim a nuk e kuptojmë dot. Ndonëse i padukshëm, ai është një person dhe ka një emër: Jehova.

6 Për më tepër, kur Perëndia zbulon emrin e tij personal, duhet të presim diçka madhështore dhe drithëruese. Ai po na fton që ta njohim. Dëshiron që të bëjmë zgjedhjen më të mirë në jetë: t’i afrohemi atij. Por Jehovai nuk është mjaftuar vetëm duke na treguar emrin e tij. Na ka mësuar edhe si është personi që përfaqëson ky emër.

Domethënia e emrit të Perëndisë

7. (a) Cila mendohet se është domethënia e emrit personal të Perëndisë? (b) Çfarë donte të dinte në të vërtetë Moisiu kur e pyeti Perëndinë për emrin e Tij?

7 Jehovai e zgjodhi vetë emrin e tij, një emër i pasur në domethënie. Emri «Jehova» mendohet se do të thotë «Ai shkakton  të bëhet». Ai është i pashoq në mbarë universin, sepse ka sjellë në ekzistencë çdo gjë dhe bën që të gjitha qëllimet e tij të plotësohen. Ky është një mendim që të ngjall frikë plot nderim. Por a ka ndonjë aspekt tjetër domethënia e emrit të Perëndisë? Me sa duket Moisiu donte të dinte më shumë. Puna është se ai e dinte se Jehovai është Krijuesi dhe e dinte emrin e Perëndisë. Emri hyjnor nuk ishte diçka e re. Njerëzit kishin shekuj që e përdornin. Në të vërtetë, duke pyetur për emrin e Perëndisë, Moisiu po pyeste për personin që përfaqësonte emri. Me fjalë të tjera ai po thoshte: ‘Çfarë mund t’i them për ty popullit tënd, Izraelit, që të kenë besim te ti, që t’i bindë se do t’i çlirosh vërtet?’

8, 9. (a) Si iu përgjigj Jehovai pyetjes së Moisiut dhe pse është e pasaktë mënyra se si përkthehet shpesh përgjigjja e Tij? (b) Cila është domethënia e shprehjes «unë do të bëhem çdo gjë që do të bëhem»?

8 Duke iu përgjigjur, Jehovai zbuloi një anë goxha prekëse të personalitetit të vet, e cila lidhet me domethënien e emrit të tij. Ai i tha Moisiut: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dalja 3:14) Në shumë përkthime të Biblës, kjo pjesë përkthehet: «Unë jam ai që jam.» Por, përkthime të kujdesshme tregojnë se Perëndia nuk po ripohonte thjesht ekzistencën e tij. Përkundrazi, Jehovai po i mësonte Moisiut, e kështu të gjithëve ne, se ‘do të bëhej’, ose do të vendoste të bëhej, çfarëdo gjëje që të nevojitej për të plotësuar premtimet e Tij. Versioni i Xh. B. Rotherhamit e përkthen me të drejtë këtë varg: «Unë Do të Bëhem çfarëdo gjëje që më pëlqen.» Një autoritet në fushën e hebraishtes biblike e shpjegon kështu këtë frazë: «Cilado qoftë situata ose nevoja . . . , Perëndia ‘do të bëhet’ zgjidhja për të.»

9 Çfarë nënkuptonte kjo për izraelitët? Pavarësisht se çfarë pengese gjendej para tyre apo sa e vështirë ishte situata ku mund të gjendeshin, Jehovai do të bëhej çdo gjë që nevojitej për t’i çliruar nga skllavëria dhe për t’i futur në Tokën e Premtuar. Sigurisht, ky emër do t’u ngjallte siguri te  Perëndia. E njëjta gjë mund të thuhet për ne sot. (Psalmi 9:10) Pse?

10, 11. Në ç’mënyrë emri i Jehovait na bën të mendojmë për të si për Atin më të mirë e të gjithanshëm që mund të imagjinohet? Ilustroje.

10 Le ta ilustrojmë. Prindërit e dinë se kur kujdesen për fëmijët e tyre duhet të jenë të gjithanshëm dhe të aftë për t’u përshtatur. Vetëm brenda një dite prindit mund t’i duhet të bëhet infermier, kuzhinier, mësues, disiplinues, gjykatës e shumë e shumë të tjera. Shumë prindër ndihen të dërrmuar nga shumëllojshmëria e roleve që pritet të përmbushin. Vërejnë besimin absolut që kanë tek ata fëmijët, të cilët nuk dyshojnë kurrë se babi ose mami do t’ua heqin dhembjen, do t’i shuajnë të gjitha grindjet, do t’i rregullojnë lodrat e prishura dhe do t’i përgjigjen secilës nga pyetjet e pafundme që lindin në mendjet e tyre. Disa prindër nuk ndihen në lartësinë e duhur dhe nganjëherë shkurajohen për shkak të kufizimeve që kanë. Ndihen tmerrësisht të paaftë për të përmbushur shumë nga këto role.

11 Edhe Jehovai është një prind i dashur. Mirëpo, brenda kufijve të normave të tij të përsosura, s’ka asgjë që ai nuk mund të bëhet për t’u kujdesur për fëmijët e tij tokësorë në mënyrën më të mirë që është e mundur. Prandaj emri i tij, Jehova, na bën që të mendojmë për të si për Atin më të mirë që mund të imagjinohet. (Jakovit 1:17) Moisiu dhe gjithë izraelitët e tjerë besnikë shpejt e provuan vetë se Jehovai është besnik ndaj emrit të tij. Vështruan të mahnitur kur ai u bë për ta një Komandant Ushtarak i pathyeshëm, Pronar i gjithë elementeve të natyrës, Ligjvënës, Gjykatës dhe Arkitekt i pashoq. Gjithashtu, u bë Ai që siguroi ujë e ushqim, Ai që ruajti veshjet e sandalet e tyre që të mos konsumoheshin. Ai u bë të gjitha këto, e madje shumë më tepër se kaq.

12. Si ndryshonte pikëpamja që kishte faraoni për Jehovain nga pikëpamja që kishte Moisiu?

12 Pra, Perëndia e ka bërë të njohur emrin e vet, ka zbuluar  gjëra prekëse për personin që përfaqëson ky emër, e madje ka treguar se ajo që thotë për veten është e vërtetë. S’ka asnjë dyshim se Perëndia dëshiron që ta njohim. Çfarë do të bëjmë ne? Moisiu donte ta njihte Perëndinë. Kjo dëshirë e fortë përcaktoi drejtimin që mori jeta e tij dhe e afroi shumë me Atin e tij qiellor. (Numrat 12:6-8; Hebrenjve 11:27) Mjerisht, pak nga bashkëkohësit e Moisiut kishin të njëjtën dëshirë. Kur Moisiu i përmendi emrin e Jehovait faraonit, ky monark fodull egjiptian ia ktheu: «Kush është Jehovai?!» (Dalja 5:2) Faraoni s’donte të dinte më shumë për Jehovain. Përkundrazi, me cinizëm as që e mori parasysh Perëndinë e Izraelit, duke e konsideruar të parëndësishëm a të papërfillshëm. Kjo pikëpamje është shumë e zakonshme sot. Ajo ua zë sytë njerëzve që të mos kuptojnë një nga të vërtetat më të rëndësishme: Jehovai është Zotëria Sovran.

Zotëria Sovran Jehova

13, 14. (a) Pse Jehovait i janë dhënë shumë tituj në Bibël dhe cilët janë disa prej tyre? (Shih kutinë « Disa nga titujt e Jehovait».) (b) Përse Jehovai është i vetmi që e meriton të quhet «Zotëria Sovran»?

13 Jehovai është kaq i gjithanshëm dhe i aftë për t’u përshtatur, saqë me të drejtë ka një shumëllojshmëri titujsh në Shkrime. Këta tituj nuk dalin mbi emrin e tij, por na mësojnë më shumë rreth asaj që paraqet ky emër. Për shembull, ai quhet ‘Zotëria Sovran Jehova’. (2 Samuelit 7:22) Ky titull i lartë, i cili gjendet qindra herë në Bibël, na tregon pozitën që ka Jehovai. Vetëm ai ka të drejtën të jetë Sundimtari i gjithë universit. Të shqyrtojmë përse.

14 Duke qenë Krijuesi, Jehovai është i pashoq. Te Zbulesa 4:11 thuhet: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Këto fjalë madhështore nuk mund të zbatohen për asnjë qenie tjetër. Çdo gjë në univers ia detyron ekzistencën Jehovait.  Pa dyshim, Jehovai është i denjë për nderimin, fuqinë dhe lavdinë që i përkasin me të drejtë Zotërisë Sovran dhe Krijuesit të gjithçkaje.

15. Pse Jehovai quhet «Mbret i përjetësisë»?

15 Një titull tjetër që i përket vetëm Jehovait është «Mbret i përjetësisë». (1 Timoteut 1:17; Zbulesa 15:3) Çfarë do të thotë kjo? Mendja jonë e kufizuar e ka të vështirë ta kuptojë, por Jehovai është i përjetshëm si për sa i përket së kaluarës, ashtu edhe së ardhmes. Te Psalmi 90:2 thuhet: «Jetë e mot ti je Perëndi.» Pra Jehovai nuk ka pasur kurrë fillim, pasi ka ekzistuar gjithnjë. Me të drejtë quhet «i Lashti i Ditëve», pasi ka ekzistuar për një përjetësi të tërë para se të vinte në ekzistencë ndokush ose ndonjë gjë tjetër. (Danieli 7:9, 13, 22) Kush mund ta vërë në dyshim me plot gojën të drejtën e tij për të qenë Zotëria Sovran?

16, 17. (a) Pse nuk mund ta shohim Jehovain dhe pse kjo gjë nuk duhet të na habitë? (b) Në cilin kuptim Jehovai është më real se çdo gjë që mund ta shohim ose ta prekim?

16 Mirëpo ka disa që e vënë në dyshim këtë të drejtë, siç bëri faraoni. Pjesërisht problemi është se njerëzit e papërsosur i japin shumë rëndësi asaj që mund të shohin me sytë e tyre. Ne nuk mund ta shohim Zotërinë Sovran. Ai është qenie frymore, i padukshëm për sytë njerëzorë. (Gjoni 4:24) Përveç kësaj, do të ishte fatale për një njeri prej mishi e prej gjaku të qëndronte tamam para Perëndisë Jehova. Ai vetë i tha Moisiut: «Asnjë njeri nuk mund të më shohë e të jetojë.»Dalja 33:20; Gjoni 1:18.

17 Kjo nuk duhet të na habitë. Moisiu pa vetëm një pjesë të lavdisë së Jehovait, me sa duket nëpërmjet një përfaqësuesi engjëllor. Por, cila qe pasoja? Për disa kohë pas kësaj, fytyra e Moisiut «lëshonte rreze». Izraelitët kishin frikë edhe ta shikonin drejt në fytyrë. (Dalja 33:21-23; 34:5-7, 29, 30) Kështu që është e sigurt se asnjë njeri nuk mund të shohë vetë Zotërinë Sovran me tërë lavdinë e tij! A do të thotë kjo se ai është  më pak real se gjërat që mund t’i shohim e t’i prekim? Jo, ne e pranojmë pa problem realitetin e shumë gjërave që nuk mund t’i shohim, si për shembull: erën, valët e radios dhe mendimet. Për më tepër, Jehovai është i përhershëm, nuk ndikohet nga koha që kalon e madje edhe kur kalojnë miliarda e miliarda vite! Në këtë kuptim, ai është shumë më real se çdo gjë që mund ta prekim ose ta shohim, sepse materia i nënshtrohet plakjes dhe kalbjes. (Mateu 6:19) Por, a duhet ta mendojmë atë thjesht si një forcë abstrakte ose si një Shkak të Parë të papërcaktuar? Le të shohim.

Perëndi me personalitet

18. Cili vegim iu dha Ezekielit dhe çfarë simbolizojnë katër fytyrat e ‘krijesave të gjalla’ pranë Jehovait?

18 Ndonëse nuk mund ta shohim Perëndinë, në Bibël ka pjesë drithëruese që na lejojnë të krijojmë një ide se çfarë ndodh në qiell. Një shembull është kapitulli i parë i Ezekielit. Këtij iu dha një vegim i organizatës qiellore të Jehovait, të cilën e pa si një karrocë gjigante qiellore. Veçanërisht mbresëlënës është përshkrimi që i bëhet krijesave të fuqishme qiellore që ishin rreth e qark Jehovait. (Ezekieli 1:4-10) Këto «krijesa të gjalla» qëndrojnë shumë afër Jehovait dhe pamja e tyre na tregon diçka të rëndësishme për Perëndinë të cilit i shërbejnë. Secila prej tyre ka katër fytyra: fytyrën e një demi, të një luani, të një shqiponje dhe të një njeriu. Me sa duket këto simbolizojnë katër cilësitë më të spikatshme të personalitetit të Jehovait.Zbulesa 4:6-8, 10.

19. Cilën cilësi paraqet: (a) fytyra e demit? (b) fytyra e luanit? (c) fytyra e shqiponjës? (d) fytyra e njeriut?

19 Në Bibël demi shpesh paraqet fuqinë, dhe kjo është me vend pasi është një kafshë tepër e fortë. Nga ana tjetër, luani shpesh paraqet drejtësinë, pasi drejtësia e vërtetë kërkon guxim, një cilësi për të cilën luanët shquhen. Shqiponjat janë shumë të njohura se kanë sy të mprehtë, duke parë edhe objekte shumë të vogla me kilometra larg. Prandaj fytyra  e shqiponjës paraqet më së miri mençurinë largpamëse të Perëndisë. Po fytyra e njeriut? Njeriu, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, është i vetmi që mund të pasqyrojë cilësinë mbizotëruese të Perëndisë: dashurinë. (Zanafilla 1:26) Këto veçori të personalitetit të Jehovait—fuqia, drejtësia, mençuria dhe dashuria—theksohen kaq shpesh në Shkrime, saqë mund të quhen cilësitë kryesore të Perëndisë.

20. A duhet të shqetësohemi se mos personaliteti i Jehovait ka ndryshuar dhe përse përgjigjesh kështu?

20 A duhet të shqetësohemi se mos Perëndia ka ndryshuar në mijëra vitet që nga koha kur u përshkrua në Bibël? Jo, personaliteti i Perëndisë nuk ndryshon. Ai na thotë: «Unë jam Jehovai, s’kam ndryshuar.» (Malakia 3:6) Nga mënyra se si reagon ndaj çdo situate, Jehovai tregon se është një Atë ideal e jo një person që ndryshon mendjen si t’i vijë. Ai shfaq ato veçori të personalitetit të tij që janë më të përshtatshme. Nga të katër cilësitë, ajo që mbizotëron është dashuria. Kjo cilësi përshkon çdo gjë që bën Perëndia. Fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë ai i ushtron në mënyrë të dashur. Në të vërtetë, Bibla thotë diçka të jashtëzakonshme  për Perëndinë dhe për këtë cilësi. Ajo thotë: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Vër re se nuk thotë që Perëndia ka dashuri ose që Perëndia është i dashur. Thotë se Perëndia është dashuri. Dashuria, që përbën vetë natyrën e tij, e motivon në çdo gjë që bën.

«Ja, ky është Perëndia ynë»

21. Si do të ndihemi ndërsa i njohim më mirë cilësitë e Jehovait?

21 A ke parë ndonjëherë një fëmijë të vogël që u tregon me gisht babanë e vet shokëve të tij dhe thotë me gëzim e krenari të çiltër: «Ky është babi im!» Adhuruesit e Perëndisë kanë çdo arsye për t’u ndier po ashtu për Jehovain. Bibla parathotë një kohë kur njerëzit besnikë do të thonë plot krenari: «Ja, ky është Perëndia ynë.» (Isaia 25:8, 9) Sa më shumë të të thellohet kuptueshmëria për cilësitë e Jehovait, aq më shumë do të ndihesh se ke Atin më të mirë që mund të imagjinohet.

22, 23. Si e përshkruan Bibla Atin tonë qiellor dhe si e dimë se ai dëshiron që ne t’i afrohemi?

22 Ky Atë nuk është i ftohtë e i paafrueshëm, pavarësisht nga ajo që thonë disa fanatikë fetarë e disa filozofë. Vështirë se do të ndiheshim të tërhequr drejt një Perëndie të ftohtë dhe Bibla nuk e përshkruan në këtë mënyrë Atin tonë qiellor. Përkundrazi e quan ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Ai ka edhe ndjenja të forta, edhe të buta. Ai ‘hidhërohet në zemër’ kur krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar shkelin udhëzimet që u ka siguruar për mirëqenien e tyre. (Zanafilla 6:6; Psalmi 78:41) Por, kur veprojmë me mençuri sipas Fjalës së tij, ‘ia gëzojmë zemrën’.Proverbat 27:11.

23 Ati ynë dëshiron që t’i qëndrojmë afër. Fjala e tij na inkurajon që ‘ta kërkojmë me të prekur dhe ta gjejmë vërtet, ndonëse, faktikisht, ai nuk është larg nga secili prej nesh’. (Veprat 17:27) Por, si është e mundur që njerëzit t’i afrohen Zotërisë Sovran të universit?