Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI 15

Cila është feja e vërtetë?

Cila është feja e vërtetë?

1. Kush është i vetmi që mund të na tregojë mënyrën e duhur për ta adhuruar Perëndinë?

SHUMICA e feve thonë se u mësojnë njerëzve të vërtetën rreth Perëndisë. Por kjo është e pamundur, përderisa fe të ndryshme mësojnë gjëra krejt të ndryshme në lidhje me Perëndinë dhe mënyrën si duhet adhuruar ai. Atëherë, nga ta dimë cila është mënyra e duhur për ta adhuruar Perëndinë? I vetmi që mund të na e tregojë është Jehovai.

2. Si mund ta kuptosh se cila është mënyra e duhur për ta adhuruar Perëndinë?

2 Jehovai na ka dhënë Biblën që të kuptojmë cila është mënyra e duhur për ta adhuruar. Prandaj, studioje Biblën, dhe Jehovai do të të ndihmojë t’i zbatosh mësimet e saj, sepse ai interesohet thellë për ty.—Isaia 48:17.

3. Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?

3 Disa thonë se Perëndia i pranon të gjitha fetë, por Jezui tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim.» Pra, nuk mjafton vetëm të mësojmë cili është vullneti i Perëndisë, por duhet edhe të veprojmë sipas tij. Kjo ka shumë rëndësi, sepse Jezui i krahasoi njerëzit që nuk i binden Perëndisë me kriminelët, pra me ata që bëjnë «vepra të paligjshme».—Mateu 7:21-23.

4. Për çfarë i paralajmëroi Jezui ata që duan të bëjnë vullnetin e Perëndisë?

4 Jezui na paralajmëroi se, nëse duam të bëjmë vullnetin  e Perëndisë, do të hasim vështirësi. Ai tha: «Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo. Por e ngushtë është porta dhe e vogël rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:13, 14) Rruga e ngushtë, pra mënyra e duhur për ta adhuruar Perëndinë, të çon në jetë të përhershme. Kurse rruga e gjerë, pra mënyra e gabuar për ta adhuruar Perëndinë, të çon në vdekje. Por Jehovai nuk dëshiron vdekjen e askujt, ndaj u jep të gjithëve mundësinë për të mësuar rreth tij.—2 Pjetrit 3:9.

SI TA GJEJMË FENË E VËRTETË?

5. Si mund t’i dallosh ata që e adhurojnë Perëndinë në mënyrën e duhur?

5 Jezui tha se është e mundur t’i dallojmë njerëzit që e adhurojnë Perëndinë në mënyrën e duhur. Këtë mund ta arrijmë duke shqyrtuar se çfarë besojnë dhe çfarë bëjnë. Ai tha: «Do t’i njihni ata nga frytet e tyre.» Më pas shtoi: «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë.» (Mateu 7:16, 17) Kjo nuk do të thotë se ata që adhurojnë Perëndinë janë të përsosur. Megjithatë përpiqen gjithmonë të bëjnë atë që është e drejtë. Tani do të shohim se çfarë do të na ndihmojë t’i dallojmë ata që e adhurojnë Perëndinë në mënyrën e duhur.

6, 7. Pse feja e vërtetë i bazon mësimet e saj në Bibël? Çfarë mësojmë nga shembulli i Jezuit?

6 Mësimet tona duhet të bazohen në Bibël. Bibla thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të korrigjuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur  për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 3:16, 17) Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve: «Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 2:13) Feja e vërtetë i bazon mësimet e saj vetëm te Fjala e Perëndisë, Bibla. Nuk mbështetet tek idetë dhe traditat njerëzore, apo te diçka tjetër.

7 Çdo mësim i Jezuit bazohej te Fjala e Perëndisë. (Lexo Gjonin 17:17.) Ai citonte shpesh nga Shkrimet. (Mateu 4:4, 7, 10) Shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë ndjekin shembullin e Jezuit dhe e bazojnë në Bibël çdo gjë që u mësojnë të tjerëve.

8. Çfarë na mësoi Jezui në lidhje me adhurimin e Jehovait?

8 Duhet të adhurojmë vetëm Jehovain. Te Psalmi 83:18 thuhet: «Le ta dinë të gjithë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në mbarë tokën.» Jezui donte që njerëzit të dinin saktësisht kush është Perëndia i vërtetë dhe ua mësoi emrin e Perëndisë. (Lexo Gjonin 17:6.) Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Si shërbëtorë të Perëndisë, ndjekim shembullin e Jezuit: adhurojmë vetëm Jehovain, përdorim emrin e tij, ua tregojmë të tjerëve këtë emër, si dhe u mësojmë çfarë do të bëjë Perëndia për ne.

9, 10. Si e shfaqim dashurinë për njëri-tjetrin?

9 Duhet të kemi dashuri të sinqertë për njerëzit. Jezui i mësoi dishepujt ta donin njëri-tjetrin. (Lexo Gjonin 13:35.) Nuk ka rëndësi nga vijmë, cilës kulturë i përkasim apo nëse jemi të pasur a të varfër, sepse dashuria për njëri-tjetrin na bashkon si vëllezër e motra. (Kolosianëve 3:14) Prandaj nuk shkojmë në luftë e nuk  vrasim njerëz. Bibla thotë: «Nga kjo duken fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit: ai që nuk ecën në udhën e drejtësisë, nuk vjen nga Perëndia, dhe as ai që nuk e do vëllanë e vet.» Më pas shton: «Ta duam njëri-tjetrin e të mos jemi si Kaini që vinte nga i Ligu dhe vrau vëllanë e vet.»—1 Gjonit 3:10-12; 4:20, 21.

10 Ne i përdorim kohën, energjitë dhe të mirat materiale për të ndihmuar e për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit. (Hebrenjve 10:24, 25) Veç kësaj, ‘i bëjmë mirë gjithkujt’.—Galatasve 6:10.

11. Pse duhet t’i bindemi Jezuit?

11 Duhet t’i bindemi Jezuit, sepse vetëm nëpërmjet tij mund t’i afrohemi Perëndisë. Bibla thotë: «Nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse nën qiell nuk ka emër tjetër që Perëndia të ketë dhënë mes njerëzve, me anë të të cilit të shpëtojmë.» (Veprat 4:12) Në kapitullin 5 të këtij libri, mësuam se Jehovai e dërgoi Jezuin që të jepte jetën si shpërblesë për njerëzit e bindur. (Mateu 20:28) Jehovai e ka zgjedhur Jezuin edhe si Mbret që të qeverisë tokën. Ja pse Bibla na thotë se duhet t’i bindemi Jezuit që të jetojmë përgjithmonë.—Lexo Gjonin 3:36.

12. Pse nuk përfshihemi në politikë?

12 Nuk duhet të përfshihemi në politikë. Jezui nuk mori pjesë në politikë. Kur ishte në gjyq, ai i tha guvernatorit romak, Pilatit: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Lexo Gjonin 18:36.) Ashtu si Jezui, edhe ne i qëndrojmë besnikë Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Prandaj, pavarësisht se ku jetojmë, nuk përfshihemi në politikë. Gjithsesi, Bibla na urdhëron që t’u bindemi «autoriteteve më të larta», ose qeverive. (Romakëve 13:1) Ne u bindemi ligjeve të vendit  ku jetojmë. Megjithatë, kur një ligj bie ndesh me ligjet e Perëndisë, imitojmë apostujt të cilët thanë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sovran, dhe jo njerëzve.»—Veprat 5:29; Marku 12:17.

13. Cilin lajm të mirë predikojmë për Mbretërinë e Perëndisë?

13 Besojmë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje e problemeve të botës. Jezui tregoi se ‘lajmi i mirë për Mbretërinë’ do të predikohet në të gjithë tokën. (Lexo Mateun 24:14.) Asnjë qeveri njerëzore nuk mund të bëjë atë që Mbretëria e Perëndisë do të bëjë për ne. (Psalmi 146:3) Jezui na mësoi të lutemi për Mbretërinë e Perëndisë, kur tha: «Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë!» (Mateu 6:10) Në Bibël thuhet se Mbretëria e Perëndisë do t’i shkatërrojë të gjitha qeveritë njerëzore dhe «vetë do të qëndrojë përgjithmonë».—Danieli 2:44.

14. Cilët mendon se e adhurojnë Perëndinë në mënyrën e duhur?

14 Pasi ke studiuar këto pika, pyete veten: «Cilët i bazojnë mësimet e tyre në Bibël? Cilët u tregojnë të tjerëve emrin e Perëndisë? Cilët tregojnë dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin dhe besojnë se Perëndia e dërgoi Jezuin për të na shpëtuar? Cilët nuk përfshihen në politikë? Cilët predikojnë se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë problemet?» Vetëm Dëshmitarët e Jehovait.—Isaia 43:10-12.

ÇFARË DO TË BËSH?

15. Çfarë duhet të bëjmë që Perëndia ta pranojë adhurimin tonë?

15 Nuk mjafton thjesht të besosh se Perëndia ekziston. Edhe demonët besojnë se Perëndia ekziston, por nuk i binden. (Jakovi 2:19) Nëse duam që Perëndia ta pranojë adhurimin që i bëjmë, duhet jo vetëm të besojmë se ekziston, por edhe të bëjmë çfarë thotë ai.

16. Pse duhet të hedhim poshtë fenë e rreme?

 16 Që Perëndia ta pranojë adhurimin tonë, duhet të hedhim poshtë fenë e rreme. Profeti Isaia shkroi: «Mos prekni asgjë të papastër! Dilni prej saj dhe qëndroni të pastër.» (Isaia 52:11; 2 Korintasve 6:17) Për Jehovain, feja e rreme është e papastër. Ja pse duhet të hedhim poshtë çdo gjë që ka lidhje me të.

17, 18. Çfarë është «Babilonia e Madhe» dhe pse është urgjente të largohemi prej saj?

17 Çfarë është feja e rreme? Është çdo fe që na mëson ta adhurojmë Perëndinë në një mënyrë që bie në kundërshtim me Fjalën e tij. Në Bibël, të gjitha fetë e rreme të marra së bashku, njihen si «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 17:5) Pse? Pas Përmbytjes së ditëve të Noesë, në qytetin e Babilonisë zunë fill shumë mësime të rreme fetare. Ato mësime u përhapën në gjithë botën. Për shembull, njerëzit që jetonin në Babiloni adhuronin grupe me tre perëndi. Edhe sot, shumë fe mësojnë se Perëndia është Trinitet. Por, Bibla mëson qartë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë, Jehovai, dhe se Jezui është Biri i tij. (Gjoni 17:3) Ata që jetonin në Babiloni besonin se njeriu ka një shpirt që vazhdon të jetojë pasi trupi vdes, dhe se shpirti mund të vuajë në ferr. Por kjo nuk është e vërtetë.—Shiko pikën 14, 17 dhe 18 të Shtojcës.

18 Perëndia ka parathënë se së shpejti të gjitha fetë e rreme do të shkatërrohen. (Zbulesa 18:8) A e kupton pse është kaq urgjente të largohesh nga feja e rreme? Perëndia Jehova kërkon që ta bësh këtë para se të jetë tepër vonë.—Zbulesa 18:4.

Duke i shërbyer Jehovait bashkë me popullin e tij, bëhesh pjesë e një familjeje mbarëbotërore

19. Nëse vendos t’i shërbesh Jehovait, si do të kujdeset ai për ty?

19 Nëse vendos të largohesh nga feja e rreme dhe t’i shërbesh Jehovait, mbase disa nga miqtë ose familjarët  nuk do ta kuptojnë vendimin tënd. Madje mund të të kundërvihen, të të vënë në siklet ose të mos shoqërohen më me ty. Por Jehovai nuk do të të braktisë. Do të bëhesh pjesë e një familjeje mbarëbotërore me miliona njerëz që e duan vërtet njëri-tjetrin, dhe do të kesh shpresën të jetosh përgjithmonë në botën e re të Perëndisë. (Marku 10:28-30) Mbase, më vonë, disa miq dhe familjarë që tani nuk janë dakord me vendimin tënd për t’i shërbyer Jehovait, mund të studiojnë Biblën.

20. Pse është e rëndësishme ta adhurojmë Perëndinë në mënyrën e duhur?

20 Shumë shpejt, Perëndia do të zhdukë ligësinë dhe Mbretëria e tij do të qeverisë tokën. (2 Pjetrit 3:9, 13) Sa kohë e mrekullueshme do të jetë! Të gjithë do ta adhurojnë Jehovain në mënyrën që do ai. Ndaj është e rëndësishme të veprosh që tani e ta adhurosh Jehovain në mënyrën e duhur.