Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI 12

Si mund të bëhesh mik i Perëndisë?

Si mund të bëhesh mik i Perëndisë?

1, 2. Cilët ishin disa nga miqtë e Jehovait?

KË DO të zgjidhje si mik? Dikë që të pëlqen. Dikë me të cilin shkon mirë. Dikë që e vlerëson për personalitetin dhe cilësitë.

2 Edhe Perëndia Jehova zgjedh që disa njerëz të jenë miq të tij. Për shembull, një prej miqve të Perëndisë ishte Abrahami. (Isaia 41:8; Jakovi 2:23) Jehovait i pëlqente edhe Davidi. Ai tha se Davidi ishte ‘një njeri siç ia donte zemra’. (Veprat 13:22) Edhe profeti Daniel ishte «shumë i vyer» për Jehovain.—Danieli 9:23.

3. Pse Abrahami, Davidi dhe Danieli ishin miq të Jehovait?

3 Si u bënë miq të Jehovait Abrahami, Davidi dhe Danieli? Jehovai i tha Abrahamit: «Ti e dëgjove zërin tim.» (Zanafilla 22:18) Jehovai është mik i atyre që i binden me përulësi. Madje, edhe një komb i tërë mund të bëhet mik me Perëndinë. Jehovai i shpjegoi kombit të Izraelit: «Bindjuni zërit tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, e ju do të bëheni populli im.» (Jeremia 7:23) Ndaj, nëse do që të jesh vërtet mik i Jehovait, duhet t’i bindesh atij.

JEHOVAI I MBRON MIQTË E TIJ

4, 5. Si i mbron Jehovai miqtë e vet?

4 Një armik i fuqishëm përpiqet të na pengojë që të mos jemi miq të Perëndisë. Por Jehovai dëshiron të na mbrojë. (Lexo Psalmin 55:22.) Si na mbron Jehovai?  Bibla thotë se Jehovai kërkon mënyra «që të tregojë forcën e tij në të mirë të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër». (2 Kronikave 16:9) Te Psalmi 32:8, Jehovai u premton miqve të tij: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën e duhur; do të të këshilloj e do t’i mbaj sytë mbi ty.»

5 Si miq të Jehovait, i shërbejmë me gjithë zemër. Kur jemi në vështirësi, i qëndrojmë besnikë dhe kemi të njëjtën siguri që kishte psalmisti, kur tha: «Ai është në të djathtën time, ndaj nuk do të lëkundem kurrë.» (Psalmi 16:8; 63:8) Por, si përpiqet Satanai të na pengojë që të mos jemi miq të Perëndisë?

AKUZA E SATANAIT

6. Çfarë thotë Satanai për njerëzit?

6 kapitullin 11 mësuam se Satanai e sfidoi Jehovain. Ai e akuzoi se ishte gënjeshtar dhe i padrejtë ngaqë nuk i lejonte Adamin dhe Evën të vendosnin vetë çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar. Në Bibël, te libri i Jobit mësojmë se Satanai akuzon edhe njerëzit që duan të jenë miq të Perëndisë. Satanai thotë se ata i shërbejnë Perëndisë ngaqë mund të përfitojnë diçka prej Tij, jo ngaqë e duan. Madje Satanai pretendon se mund të kthejë kundër Perëndisë çdo njeri. Le të shohim se ç’mund të mësojmë nga Jobi dhe si e mbrojti Jehovai atë.

7, 8. (a) Çfarë mendonte Jehovai për Jobin? (b) Çfarë tha Satanai për Jobin?

7 Kush ishte Jobi? Ai ishte një njeri i mirë që jetoi në tokë rreth 3.600 vjet më parë. Jehovai tha se, në atë kohë, në mbarë tokën nuk kishte asnjë njeri si Jobi, që kishte respekt të thellë për Perëndinë dhe  urrente të keqen. (Jobi 1:8) Po, Jobi ishte vërtet mik i Jehovait.

8 Sipas Satanait, Jobi i shërbente Perëndisë për motive egoiste. Prandaj i tha Jehovait: «S’ke ngritur ti një gardh mbrojtës rreth tij, rreth shtëpisë dhe rreth gjithçkaje që ka?! Ti e ke bekuar punën e duarve të tij, dhe kopetë e tij janë përhapur në mbarë vendin. Provo njëherë të zgjatësh dorën e t’i prekësh çdo gjë që ka, e ke për të parë po nuk të mallkoi sy më sy.»—Jobi 1:10, 11.

9. Çfarë i lejoi Jehovai Satanait të bënte?

9 Satanai ngriti akuzën se Jobi i shërbente Jehovait vetëm për interes. Madje Satanai pretendonte se mund ta bënte Jobin që të mos i shërbente më Jehovait. Por Jehovai nuk ishte dakord me të, ndaj e lejoi Satanain që ta vinte në provë. Kjo do të tregonte nëse Jobi ishte mik me Jehovain ngaqë e donte vërtet apo për motive egoiste.

SATANAI SULMON JOBIN

10. Si e sulmoi Satanai Jobin dhe si reagoi Jobi?

10 Së pari, Satanai bëri që Jobit t’ia vidhnin ose t’ia vrisnin të gjitha kafshët. Më pas, shkaktoi vdekjen e shumicës së shërbëtorëve të Jobit. Kështu, Jobi humbi çdo gjë që zotëronte. Në një sulm tjetër, Satanai bëri që dhjetë fëmijët e Jobit të vdisnin nga një stuhi. Por Jobi i qëndroi besnik Jehovait. «Pavarësisht nga gjithçka që kaloi, Jobi nuk mëkatoi dhe nuk e akuzoi Perëndinë për asnjë padrejtësi.»—Jobi 1:12-19, 22.

Jehovai e shpërbleu Jobin ngaqë u tregua një mik besnik

11. (a) Çfarë tjetër i bëri Satanai Jobit? (b) Si reagoi Jobi?

11 Por Satanai nuk u dorëzua. Ai e sfidoi Perëndinë duke thënë: «Provo . . . të prekësh kockat dhe mishin e tij, e ke për të parë po nuk të mallkoi sy më sy.» Prandaj,  Satanai e goditi Jobin me një sëmundje shumë të dhimbshme. (Jobi 2:5, 7) Megjithatë, Jobi i qëndroi besnik Jehovait. Ai tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!»—Jobi 27:5.

12. Si e vërtetoi Jobi se Satanai ishte gënjeshtar?

12 Jobi nuk dinte asgjë për akuzat e Satanait dhe as pse po vuante aq shumë. Ai mendonte se problemet po ia shkaktonte Jehovai. (Jobi 6:4; 16:11-14) Por pavarësisht nga kjo, Jobi i qëndroi besnik Jehovait. U hodh poshtë çdo dyshim: Jobi nuk ishte egoist. Ai ishte mik i Perëndisë nga dashuria për Të. Akuzat e Satanait ishin të gjitha gënjeshtra!

13. Çfarë rezultati solli besnikëria e Jobit?

13 Edhe pse Jobi nuk e dinte se ç’po ndodhte në qiell, i qëndroi besnik Perëndisë dhe e tregoi me prova se Satanai është i lig. Jehovai e shpërbleu Jobin ngaqë u tregua mik besnik.—Jobi 42:12-17.

SI TË PËRFSHIN AKUZA E SATANAIT TY?

14, 15. Çfarë akuze ka ngritur Satanai ndaj të gjithë njerëzve?

14 Mund të nxjerrësh mësime të vlefshme nga ajo që i ndodhi Jobit. Sot, Satanai na akuzon se i shërbejmë Jehovait për interes. Te Jobi 2:4, Satanai tha: «Njeriu jep çdo gjë që ka për jetën e vet.» Pra, Satanai tha se, jo vetëm Jobi, por të gjithë njerëzit janë egoistë, burra a gra qofshin. Qindra vjet pas vdekjes së Jobit, Satanai ende e fyente Jehovain dhe i akuzonte shërbëtorët e tij. Për shembull, te Proverbat 27:11 lexojmë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që t’i përgjigjem atij që më përbuz [ose fyen].»

15 Mund të zgjedhësh t’i bindesh Jehovait e të jesh miku i Tij besnik. Kështu do të provosh se Satanai është  gënjeshtar. Edhe pse për të qenë mik i Perëndisë mund të të duhet të bësh ndryshime të mëdha në jetë, ky është vendimi më i mirë që mund të marrësh. Është vendim tepër i rëndësishëm, sepse Satanai thotë se ti nuk do t’i qëndrosh besnik Perëndisë kur të kesh vështirësi. Ai përpiqet të na mashtrojë që të mos i qëndrojmë besnikë Perëndisë. Si e bën këtë?

16. (a) Cilat metoda përdor Satanai për t’i penguar njerëzit t’i shërbejnë Jehovait? (b) Si mund të përpiqet Djalli të të pengojë ty që t’i shërbesh Jehovait?

16 Satanai përdor metoda të ndryshme që të na pengojë të jemi miq të Perëndisë. Ai sulmon «si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë ndonjë». (1 Pjetrit 5:8) Ndaj, mos u habit nëse miqtë, familjarët ose njerëz të tjerë përpiqen të të ndalojnë të studiosh Biblën e të bësh atë që është e drejtë. Mund të ndihesh sikur po të sulmojnë. * (Gjoni 15:19, 20) Përveç kësaj, Satanai shtiret «si engjëll drite» duke u përpjekur të na mashtrojë me mësimet e tij, me qëllim që të mos i bindemi Jehovait. (2 Korintasve 11:14) Një metodë tjetër e Satanait për të na penguar t’i shërbejmë Jehovait, është duke na bërë të mendojmë se nuk mund të jemi kurrë të denjë t’i shërbejmë Perëndisë.—Proverbat 24:10.

ZBATO URDHËRIMET E JEHOVAIT

17. Pse i bindemi Jehovait?

17 Kur i bindemi Jehovait, provojmë se Satanai është gënjeshtar. Çfarë do të na ndihmojë t’i bindemi? Bibla  thotë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:5) Ne i bindemi Jehovait ngaqë e duam. Ndërsa shtojmë dashurinë për Jehovain, do të kemi dëshirë të bëjmë gjithçka që na kërkon ai. Apostulli Gjon shkroi: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij. E megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 Gjonit 5:3.

18, 19. (a) Përmend disa gjëra që Jehovai thotë se janë të gabuara. (b) Nga e dimë se Jehovai nuk na kërkon të bëjmë diçka që s’mundemi?

18 Por, cilat gjëra i quan të gabuara Jehovai? Disa gjenden te kutia « Urre atë që Jehovai urren». Në fillim, disa prej tyre mund të të mos duken dhe aq të këqija. Por, duke lexuar vargjet nga Bibla dhe duke menduar me kujdes për to, do të kuptosh sa e mençur është t’u bindesh ligjeve të Jehovait. Gjithashtu mund të ndjesh  nevojën për të bërë ndryshime në jetë. Edhe pse ndonjëherë mund të jetë e vështirë, nëse i bën këto ndryshime, do të provosh paqen dhe lumturinë që vjen kur je mik besnik i Perëndisë. (Isaia 48:17, 18) Nga e dimë që është e mundur t’i bëjmë këto ndryshime?

19 Jehovai nuk na kërkon kurrë të bëjmë diçka që s’mundemi. (Ligji i përtërirë 30:11-14) Si një Mik i vërtetë, ai na njeh më mirë se ç’e njohim veten. Ai i di pikat tona të forta dhe të dobëta. (Psalmet 103:14) Apostulli Pavël na inkurajon: «Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të sprovoheni përtej asaj që mund të mbani. E kur të vijnë sprovat, ai do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që t’u bëni ballë.» (1 Korintasve 10:13) Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na japë gjithnjë forcën për të bërë atë që është e drejtë. Ai do të të japë ‘fuqinë përtej asaj që është normale’ që t’i përballosh situatat e vështira. (2 Korintasve 4:7) Pasi e kishte parë dorën e  Jehovait gjatë situatave të tilla, Pavli tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.

MËSO TË DUASH ATË QË PERËNDIA DO

20. Cilat cilësi duhet të imitosh, dhe pse?

20 Nëse duam të jemi miq të Jehovait, nuk mjafton thjesht të mos bëjmë atë që Jehovai na thotë se është e gabuar. Duhet të bëjmë diçka më shumë. (Romakëve 12:9) Ata që janë miq të Perëndisë duan atë që ai do. Ja si përshkruhen ata te Psalmi 15:1-5. (Lexoje.) Miqtë e Jehovait imitojnë cilësitë e tij dhe shfaqin ‘dashuri, gëzim, paqe, durim, zemërmirësi, mirësi, besim, butësi, vetëkontroll’.—Galatasve 5:22, 23.

21. Si mund të mësosh t’i shfaqësh cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë?

21 Si mund të mësosh t’i shfaqësh këto cilësi të bukura? Duhet të mësosh se çfarë i pëlqen Jehovait duke lexuar dhe duke studiuar rregullisht Biblën. (Isaia 30:20, 21) Ndërsa vepron kështu, dashuria jote për Jehovain do të rritet e kështu do të kesh dëshirë t’i bindesh atij.

22. Çfarë do të vijë si rezultat i bindjes ndaj Perëndisë?

22 Të bësh ndryshime në jetë është si të heqësh rrobat e vjetra dhe të veshësh të reja. Bibla thotë se duhet ‘të zhveshësh personalitetin e vjetër’ dhe të veshësh «personalitetin e ri». (Kolosianëve 3:9, 10) Të bësh ndryshime dhe t’i bindesh Jehovait mund të mos jetë e lehtë, por ai premton se ‘do të të shpërblejë shumë’ nëse vepron kështu. (Psalmi 19:11) Po, zgjidh t’i bindesh Jehovait dhe trego se Satanai është gënjeshtar. Shërbeji Jehovait, jo për të marrë ndonjë shpërblim në të ardhmen, por nga dashuria e sinqertë. Vetëm kështu do të jesh vërtet mik i Perëndisë!

^ par. 16 Kjo nuk do të thotë se të gjithë ata që përpiqen të të ndalojnë të studiosh Biblën janë nën kontrollin e Satanait. Por Satanai është «perëndia i kësaj bote» dhe «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e [tij]». Prandaj nuk habitemi kur njerëzit përpiqen të na ndalojnë t’i shërbejmë Jehovait.—2 Korintasve 4:4; 1 Gjonit 5:19.