Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 MËSIMI 7

Një paralajmërim nga e kaluara

Një paralajmërim nga e kaluara

Jehovai nuk do të lejojë që njerëzit e ligj ta shkatërrojnë Parajsën. Në të do të banojnë vetëm miqtë e tij. Çfarë do t’u ndodhë të ligjve? Për të mësuar përgjigjen, shqyrto tregimin e vërtetë të Noes. Noeja jetoi mijëra vjet më parë. Ai ishte një njeri i mirë që gjithmonë përpiqej shumë të bënte vullnetin e Jehovait. Por njerëzit e tjerë në tokë bënin gjëra të këqija. Prandaj, Jehovai i tha Noes se do të sillte një përmbytje për t’i shkatërruar të gjithë ata njerëz të ligj. Ai i tha Noes të ndërtonte një arkë, me qëllim që ai dhe familja e tij të mos vdisnin kur të vinte Përmbytja.​—Zanafilla 6:9-18.

Noeja dhe familja e tij ndërtuan arkën. Noeja i paralajmëroi njerëzit se po vinte Përmbytja, por ata nuk ia vunë veshin. Vazhduan të bënin gjëra të këqija. Kur përfundoi arka, Noeja futi kafshë në arkë dhe hyri edhe vetë brenda bashkë me familjen e tij. Më pas, Jehovai solli një stuhi të madhe. Ra shi për 40 ditë dhe 40 net. Uji përmbyti tërë tokën.​—Zanafilla 7:7-12.

 Njerëzit e ligj humbën jetën, por Noeja dhe familja e tij shpëtuan. Jehovai i nxori ata shëndoshë e mirë nga Përmbytja në një tokë të pastruar nga ligësitë. (Zanafilla 7:22, 23) Bibla thotë se po vjen sërish koha kur Jehovai do t’i shkatërrojë ata që refuzojnë të bëjnë atë që është e drejtë. Njerëzit e mirë nuk do të shkatërrohen. Ata do të jetojnë përgjithmonë në tokën parajsore.​—2 Pjetrit 2:5, 6, 9.

Sot shumë njerëz bëjnë gjëra të këqija. Bota është e mbushur me probleme. Jehovai i dërgon vazhdimisht Dëshmitarët e tij për të paralajmëruar njerëzit, megjithatë shumica as që duan t’ia dinë për fjalët e Jehovait. Ata nuk duan t’i ndryshojnë udhët e tyre. Nuk duan ta pranojnë atë që thotë Perëndia për të drejtën dhe të gabuarën. Çfarë do t’u ndodhë këtyre njerëzve? A do të ndryshojnë ndonjë ditë? Shumë nuk do të ndryshojnë kurrë. Po vjen koha kur njerëzit e ligj do të shkatërrohen dhe nuk do të jetojnë më kurrë.​—Psalmi 92:7.

Toka nuk do të shkatërrohet; ajo do të kthehet në një parajsë. Ata që bëhen miq të Perëndisë, do të jetojnë përgjithmonë në Parajsën mbi tokë.​—Psalmi 37:29.