Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 MËSIMI 18

Ji përgjithmonë miku i Perëndisë!

Ji përgjithmonë miku i Perëndisë!

Kërkohet përpjekje për të bërë një mik; kërkohet përpjekje edhe për të mbajtur një mik. Përpjekjet e tua për t’u bërë dhe për të mbetur mik me Perëndinë do të bekohen në mënyrë të pasur. Jezui u tha atyre që besuan tek ai: «E vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Çfarë do të thotë kjo?

Mund të gëzosh liri që tani. Mund të jesh i lirë nga mësimet e rreme dhe nga gënjeshtrat që ka përhapur Satanai. Mund të jesh i lirë nga gjendja e pashpresë që mbush jetën e miliona njerëzve që nuk e njohin Jehovain. (Romakëve 8:22) Miqtë e Perëndisë janë të lirë edhe nga «frika e vdekjes».​—Hebrenjve 2:14, 15.

Mund të gëzosh lirinë në botën e re të Perëndisë. Ç’liri të mrekullueshme mund të gëzosh në të ardhmen! Në tokën parajsore do të ketë liri nga luftërat, sëmundjet dhe krimi. Liri nga varfëria dhe urija. Liri nga pleqëria dhe vdekja. Liri nga frika, shtypja dhe padrejtësia. Për Perëndinë, Bibla thotë: «Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë.»​—Psalmi 145:16.

 Miqtë e Perëndisë do të jetojnë përgjithmonë. Jeta e përhershme është një dhuratë e çmuar që Perëndia do t’ua japë të gjithë atyre që kërkojnë të jenë miq me të. (Romakëve 6:23) Vetëm mendo se ç’do të thotë për ty një jetë e pafundme!

Do të kesh kohë për të bërë shumë gjëra. Ndoshta do të të pëlqente të mësoje se si t’i bije një vegle muzikore. Ose ndoshta do të doje të mësoje si të pikturoje, ose të bëheshe marangoz. Mund të të pëlqejë të mësosh rreth kafshëve ose bimëve. Ose ka mundësi që të dëshirosh të udhëtosh për të parë vende dhe njerëz të ndryshëm. Një jetë e përhershme do t’i bëjë të mundura të gjitha këto!

Do të kesh kohë për të bërë shumë miq. Duke jetuar përgjithmonë do të kesh mundësi të njohësh edhe shumë të tjerë që janë bërë miq me Perëndinë. Do të arrish të njohësh talentet, cilësitë e tyre të shkëlqyera dhe ndërkohë ata do të bëhen edhe miqtë e tu. Do t’i duash dhe do të të duan. (1 Korintasve 13:8) Duke qenë se ke një jetë të pafundme, do të kesh kohë të miqësohesh me çdo person mbi tokë. Mbi të gjitha, ndërsa shekujt kalojnë, miqësia jote me Jehovain do të bëhet edhe më e fortë. Qofsh përgjithmonë miku i Perëndisë!