Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Trupi Udhëheqës

Letër nga Trupi Udhëheqës

I dashur bashkëlajmëtar i Mbretërisë:

IMAGJINO sikur je pjesëtar i familjes Bethel në Bruklin. Është mëngjesi i së premtes 2 tetor 1914, je ulur në vendin tënd në tryezë si zakonisht dhe po pret që të vijë vëlla Ç. T. Rasëlli. Papritur, dera e sallës së ngrënies hapet dhe vëlla Rasëlli hyn. Ai ndalon për një çast, siç bën gjithmonë, dhe përshëndet familjen Bethel gjithë gëzim: «Mirëmëngjes të gjithëve.» Më pas, në vend që të ulet në krye të tavolinës si zakonisht, përplas duart dhe bën një njoftim emocionues: «Kohët e johebrenjve mbaruan. Mbretërit e tyre i kanë mbushur ditët!» Mezi përmbahesh nga gëzimi​—e ke pritur me padurim këtë moment prej kohësh! Bashkë me familjen Bethel, e mbështet këtë njoftim drithërues me një duartrokitje të gjatë dhe entuziazmuese.

 Kanë kaluar dekada të tëra që kur vëlla Rasëlli bëri këtë njoftim elektrizues. Çfarë ka arritur Mbretëria që nga ajo kohë? Plot gjëra! Nëpërmjet Mbretërisë, Jehovai e ka rafinuar dhe stërvitur progresivisht popullin e tij​—nga pak mijëra në 1914-n në afro 8 milionë sot. Në sa mënyra ke nxjerrë dobi nga kjo stërvitje?

Sot i dëgjojmë shpesh vëllezërit të thonë: «Karroca qiellore e Jehovait është në lëvizje!» Kjo është e vërtetë. Gjithsesi, e vërteta është se, që nga 1914-a, karroca qiellore, që përfaqëson pjesën e padukshme të organizatës së Jehovait, ka lëvizur me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, siç do ta kuptosh nga leximi i kujdesshëm i këtij botimi. Për të predikuar lajmin e mirë anembanë tokës, lajmëtarët e Mbretërisë kanë përdorur lloj-lloj metodash novatore, si për shembull gazetat, marshimet informuese, filmat, kartat e dëshmisë, gramafonat, radion e madje Internetin.

Me bekimin e Jehovait, tani mund ta botojmë literaturën tonë tërheqëse biblike në mbi 670 gjuhë dhe t’ia ofrojmë kujtdo pa pagesë. Vullnetarë vetësakrifikues ndihmojnë për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe të ndërtesave të degëve si në vende të pasura, edhe në vende me të ardhura të kufizuara. Dhe në raste katastrofash, vëllezër dhe motra të dashura turren që të ndihmojnë, duke provuar kështu se të bëhen vërtet vëllezër «në ditë të vështira».​—Prov. 17:17.

Me raste, klerikët dhe kundërshtarë të tjerë kurdisin «telashe me anë të dekretit», ama është besimforcuese të shohim si, herë pas here, përpjekjet e tyre dashakeqe kanë dalë «për përparimin e lajmit të mirë».​—Psal. 94:20; Filip. 1:12.

Është nder për ne të shoqërohemi me ju ‘bashkëshërbëtorë të shtëpisë’. Kurrë mos harroni se ju duam shumë të gjithëve! Lutemi që përmbajtja e këtij botimi t’ju ndihmojë ta çmoni trashëgiminë tuaj frymore si kurrë më parë.​—Mat. 24:45.

Ju urojmë gjithë të mirat!

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait