Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI 16

Mblidhemi për të adhuruar

Mblidhemi për të adhuruar

KU PËRQENDROHET KAPITULLI

Tregon ecurinë dhe rëndësinë e mbledhjeve tona

1. Ç’ndihmë morën dishepujt kur u mblodhën dhe pse kishin nevojë për të?

PAK pas ringjalljes së Jezuit, dishepujt u mblodhën për të inkurajuar njëri-tjetrin. Megjithatë, nga frika e armiqve, i kyçën dyert. Sa shumë duhet të jenë çliruar nga frika, kur mes tyre u shfaq Jezui e u tha: «Merrni frymë të shenjtë.» (Lexo Gjonin 20:19-22.) Më vonë, dishepujt u mblodhën prapë dhe Jehovai u derdhi frymën e shenjtë. Sa forcë që morën për veprën e predikimit që shtrihej përpara!​—Vep. 2:1-7.

2. (a) Si na jep Jehovai fuqi dhe pse kemi nevojë për të? (b) Pse është kaq i rëndësishëm rregullimi i Adhurimit Familjar? (Shih shënimin dhe kutinë « Adhurimi Familjar».)

2 Vështirësi të ngjashme me ato të vëllezërve të shekullit të parë hasim edhe ne. (1 Pjet. 5:9) Ndonjëherë, disa prej nesh ndoshta i mundon frika e njeriut dhe kemi nevojë për fuqinë e Jehovait që të mos e braktisim veprën e predikimit. (Efes. 6:10) Jehovai, pjesën më të madhe të kësaj fuqie na e jep me anë të mbledhjeve. Aktualisht kemi mundësi të ndjekim dy mbledhje ndërtuese në javë: Mbledhjen Publike e Studimin e Kullës së Rojës dhe mbledhjen e mesjavës që quhet Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë. * Po ashtu kemi katër ngjarje vjetore: një kongres rajonal, dy asamble qarkore dhe Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Pse është jetësore t’i ndjekim të gjitha këto mbledhje? Cila është ecuria e mbledhjeve deri në ditët tona? Çfarë zbulon për ne qëndrimi që kemi për mbledhjet?

Pse mblidhemi?

3, 4. Çfarë kërkon Jehovai nga populli i tij? Jep shembuj.

3 Nga kohë, Jehovai i ka kërkuar popullit të tij të mblidhet për ta adhuruar. Për shembull, në vitin 1513 p.e.s., Jehovai i dha Ligjin kombit të Izraelit, ku përfshihej një sabat javor që çdo familje të mblidhej për të adhuruar dhe për të mësuar Ligjin. (Ligj. 5:12; 6:4-9) Kur izraelitët zbatonin këtë urdhër, familjet forcoheshin dhe kombi si i tërë qëndronte frymësisht i pastër dhe i fortë. Kur kombi nuk e zbatonte Ligjin, duke lënë pas dore kërkesa të tilla si të mbledhurit rregullisht për të adhuruar Jehovain, humbiste  miratimin e Zotit.​—Lev. 10:11; 26:31-35; 2 Kron. 36:20, 21.

4 Shih edhe shembullin që la Jezui. Ai e kishte zakon të shkonte në sinagogë çdo javë, në sabat. (Luka 4:16) Pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, dishepujt vazhduan zakonin për t’u mbledhur rregullisht, edhe pse nuk ishin më nën ligjin e sabatit. (Vep. 1:6, 12-14; 2:1-4; Rom. 14:5; Kolos. 2:13, 14) Në ato mbledhje, të krishterët e shekullit të parë jo vetëm merrnin mësime dhe inkurajim, por edhe i paraqitnin flijime lëvdimi Zotit me anë të lutjeve, komenteve dhe këngëve.​—Kolos. 3:16; Hebr. 13:15.

Dishepujt e Jezuit mblidheshin që të forconin dhe të inkurajonin njëri-tjetrin

5. Pse i ndjekim mbledhjet javore dhe asambletë e kongreset vjetore? (Shih edhe kutinë « Grumbullime vjetore që bashkojnë popullin e Perëndisë».)

5 Si ata, kur ndjekim mbledhjet javore dhe asambletë e kongreset vjetore, tregojmë se e mbështetim Mbretërinë e Perëndisë, marrim fuqi nga fryma e shenjtë dhe inkurajojmë të tjerët me shprehjet tona të besimit. Mbi të gjitha, kemi rastin të adhurojmë Jehovain nëpërmjet lutjeve, komenteve dhe këngëve. Mbledhjet tona mund të organizohen ndryshe nga ato që ndiqnin izraelitët dhe të krishterët e shekullit të parë, por janë njësoj të rëndësishme. Cila është ecuria e mbledhjeve deri në ditët tona?

Mbledhje javore që nxitin për «dashuri dhe vepra të shkëlqyera»

6, 7. (a) Cili është qëllimi i mbledhjeve tona? (b) Si ndryshonin mbledhjet nga njëri grup te tjetri?

6 Kur vëlla Çarls Tejz Rasëlli filloi të kërkonte të vërtetën nga Fjala e Zotit, e pa të nevojshme të mblidhej me të tjerë që kishin të njëjtin synim. Më 1879, Rasëlli shkroi: «Unë dhe të tjerë në Pitsburg, organizuam dhe mbajtëm  çdo të diel një klasë biblike për të studiuar Shkrimet.» Lexuesit e Kullës së Rojës të Sionit u inkurajuan të mblidheshin dhe, në 1881-shin, mbledhjet po mbaheshin në Pitsburg të Pensilvanisë, çdo të diel dhe të mërkurë. Kulla e Rojës e nëntorit 1895 (angl.) tha se qëllimi i këtyre mbledhjeve ishte të nxiste «vëllazëri, dashuri e miqësi të krishterë», si dhe t’u jepte mundësi të pranishmëve të inkurajonin njëri-tjetrin.​—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.

7 Për shumë vjet, organizimi dhe shpeshtësia e mbledhjeve ndryshonte nga njëri grup i Studentëve të Biblës te tjetri. Për shembull, në letrën e një grupi në Shtetet e Bashkuara, që u botua më 1911, thuhej: «Mbajmë të paktën pesë mbledhje çdo javë.» Ata i mbanin këto mbledhje të hënën, të mërkurën, të premten dhe dy të dielën. Në një letër tjetër nga një grup në Afrikë që u botua në vitin 1914, thuhej: «Ne mbajmë mbledhje dy herë në muaj, fillojmë të premten mbarojmë të dielën.» Megjithatë, me kalimin e kohës, mbledhjet filluan të mbaheshin sipas modelit që kemi sot. Shqyrto shkurtimisht historikun e secilës mbledhje.

8. Cilat ishin disa nga temat e para të fjalimeve biblike?

8 Mbledhja Publike. Në vitin 1880, pasi filloi të botonte Kullën e Rojës të Sionit, vëlla Rasëlli ndoqi shembullin e Jezuit dhe u nis në një turne predikimi. (Luka 4:43) Gjatë kësaj kohe, vëlla Rasëlli la modelin e asaj që sot është Mbledhja Publike. Kur njoftoi udhëtimin, Kulla e Rojës tha se Rasëlli do të ishte i kënaqur të mbante mbledhje publike për temën «Gjëra që kanë lidhje me Mbretërinë e Perëndisë». Më 1911, pasi ishin formuar klasa ose kongregacione në disa vende, secila klasë u inkurajua të dërgonte oratorë të përshtatshëm në vendet përreth që të mbanin një seri me gjashtë fjalime për tema, si gjykimi dhe shpërblesa. Në fund të çdo fjalimi njoftohej oratori dhe tema e fjalimit për javën vijuese.

9. Si ka ndryshuar Mbledhja Publike gjatë viteve dhe si mund ta mbështetësh këtë mbledhje?

9 Në vitin 1945, Kulla e Rojës njoftoi se do të niste një fushatë globale për Mbledhjen Publike që përfshinte një seri me tetë fjalime biblike, ku trajtoheshin «problemet urgjente të kohëve». Për dekada të tëra, oratorët e caktuar nuk përdorën vetëm temat që siguronte skllavi i besueshëm, por edhe tema që i kishin përgatitur vetë. Gjithsesi, më 1981, të gjithë oratorët u udhëzuan t’i bazonin fjalimet e tyre në skemat që kishte kongregacioni. * Deri në vitin 1990, në disa skema të fjalimeve publike përfshihej pjesëmarrja e auditorit ose demonstrimet; por atë vit udhëzimet ndryshuan dhe, që nga ajo kohë, fjalimet publike mbahen vetëm  si fjalim. Një rregullim i mëtejshëm u bë në janar të 2008-s kur fjalimet publike u reduktuan nga 45 në 30 minuta. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, fjalime publike të përgatitura mirë vazhdojnë të na ndërtojnë besimin në fjalën e Zotit dhe të na arsimojnë për aspektet e ndryshme të Mbretërisë së Perëndisë. (1 Tim. 4:13, 16) A i fton me entuziazëm rivizitat dhe të tjerë për t’i dëgjuar këto fjalime të rëndësishme të bazuara në Bibël?

10-12. (a) Cilat ndryshime ka pësuar Studimi i Kullës së Rojës? (b) Cilat pyetje është mirë t’i bësh vetes?

10 Studimi i Kullës së Rojës. Në vitin 1922, vëllezër të njohur si pelegrinë​—shërbëtorë të dërguar nga Shoqata Watch Tower që t’u mbanin fjalime kongregacioneve dhe të merrnin drejtimin në veprën e predikimit—​rekomanduan që një mbledhje e rregullt t’i kushtohej studimit të Kullës së Rojës. Sugjerimi u pranua dhe, fillimisht, studimi i Kullës së Rojës mbahej në mesjavë ose të dielën.

Studimi i Kullës së Rojës, Ganë, 1931

11 Kulla e Rojës e 15 qershorit 1932 (angl.) dha drejtim të mëtejshëm për mënyrën si duhej drejtuar kjo mbledhje. Duke përdorur si model studimin që bëhej në shtëpinë Bethel, artikulli tha se mbledhjen duhej ta drejtonte një vëlla. Tre vëllezër uleshin përballë auditorit dhe me radhë lexonin paragrafët. Artikujt në atë kohë nuk kishin pyetje të shtypura, kështu që drejtuesi u kërkonte të pranishmëve të ngrinin pyetje për materialin që po shqyrtohej. Pas kësaj, i ftonte të përgjigjeshin. Nëse nevojitej sqarim i mëtejshëm, drejtuesi ishte udhëzuar të bënte një shpjegim «të shkurtër dhe të qartë».

12 Si fillim, çdo kongregacion mund të zgjidhte cilën revistë donte të studionte shumica. Mirëpo, Kulla e Rojës  e 15 prillit 1933 sugjeroi që të gjitha kongregacionet të përdornin numrin e fundit. Më 1937, u dha drejtimi që studimi të mbahej të dielën. Përmirësime të mëtejshme që i dhanë mbledhjes formën që kemi sot, u botuan në Kullën e Rojës të 1 tetorit 1942 (angl.). Së pari, revista njoftoi se në fund të secilës faqe të artikullit të studimit do të shfaqeshin pyetje dhe se duheshin përdorur ato. Më pas, tha se mbledhja duhej të zgjaste një orë. Gjithashtu e inkurajoi auditorin të përgjigjej «me fjalët e veta» në vend që të lexonte fragmente nga paragrafi. Studimi i Kullës së Rojës vazhdon të jetë mbledhja kryesore nëpërmjet së cilës skllavi i besueshëm siguron ushqim frymor në kohën e duhur. (Mat. 24:45) Secili bën mirë të pyesë veten: «A përgatitem çdo javë për studimin e Kullës së Rojës? A përpiqem të komentoj nëse kam mundësi?»

13, 14. Cila është historia e Studimit të Librit në Kongregacion dhe çfarë të pëlqen nga kjo mbledhje?

13 Studimi i Biblës në Kongregacion. Në mesin e viteve 90 të shekullit të 19-të, pasi ishin botuar disa vëllime të librit Agimi i Mijëvjeçarit, vëlla H. N. Rani, Student i Biblës që jetonte në qytetin e Baltimorës, në Merilend të SHBA-së, propozoi të formoheshin Rrethet e Agimit për studimin e Biblës. Fillimisht këto mbledhje, që shpesh mbaheshin në shtëpinë e dikujt, ishin një provë. Sidoqoftë, në shtator të 1895-s, Rrethet e Agimit po drejtoheshin me sukses në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara. Prandaj, Kulla e Rojës e atij muaji sugjeroi që të gjithë studentët e së vërtetës duhej t’i mbanin këto mbledhje dhe që drejtuesi të ishte lexues i mirë. Ai duhej të lexonte një fjali e më pas të priste që të pranishmit të komentonin. Pasi lexonte çdo fjali në paragraf dhe i diskutonin, ai kërkonte dhe lexonte shkrimet e përmendura. Në fund të kapitullit, çdo i pranishëm bënte një rishikim të shkurtër të materialit.

14 Kësaj mbledhjeje iu ndryshua emri disa herë. U bë e njohur si Rrethet Berease për Studimin e Biblës, sipas bereasve të shekullit të parë që i shqyrtonin me kujdes Shkrimet. (Vep. 17:11) Me kohë, u quajt Studimi i Librit i Kongregacionit. Tani njihet si Studimi i Biblës në Kongregacion, dhe gjithë kongregacioni mblidhet në Sallën e Mbretërisë e jo në grupe të vogla në shtëpi. Gjatë dekadave, libra, broshura të ndryshme dhe madje artikuj të Kullës së Rojës janë përdorur si bazë për studim. Që në ditët e hershme, të gjithë të pranishmit u nxitën të merrnin pjesë në mbledhje. Kjo mbledhje na ka ndihmuar shumë që të thellojmë njohurinë për Biblën. A përgatitesh rregullisht për këtë mbledhje dhe a bën çmos të marrësh pjesë?

15. Për çfarë ishte menduar Shkolla e Shërbimit Teokratik?

 15 Shkolla e Shërbimit Teokratik. Keri Barberi, që në atë kohë shërbente në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, kujtoi: «Të hënën në mbrëmje, më 16 shkurt 1942, të gjithë vëllezërit e familjes Bethel në Bruklin u ftuan të regjistroheshin në atë që pastaj u njoh si Shkolla e Shërbimit Teokratik.» Vëlla Barberi, që kohë më vonë u bë anëtar i Trupit Udhëheqës, e përshkroi shkollën si «një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që ka bërë Jehovai për popullin e tij në ditët tona». Kursi i ndihmoi kaq shumë vëllezërit për t’i përmirësuar aftësitë e tyre në mësimdhënie dhe predikim, saqë, duke filluar nga viti 1943, broshura Kursi i Shërbimit Teokratik gradualisht iu vu në dispozicion kongregacioneve anembanë botës. Kulla e Rojës e 1 qershorit 1943 (angl.) tha se Shkolla e Shërbimit Teokratik ishte menduar për të ndihmuar popullin e Zotit të stërvitej «për t’u bërë dëshmitar më i mirë në shpalljen e Mbretërisë».​—2 Tim. 2:15.

16, 17. A na stërviste vetëm teknikisht Shkolla e Shërbimit Teokratik? Shpjego.

 16 Në fillim, shumica e kishte goxha të sikletshme të fliste para një auditori të madh. Klejtën Uduorth i Riu, babai i të cilit ishte burgosur padrejtësisht me vëlla Radhërfordin e të tjerë më 1918, kujtoi si u ndie kur u regjistrua në shkollë në vitin 1943. Vëlla Uduorthi tha: «E kisha tepër të vështirë të mbaja fjalime. Gjuha dukej sikur më lidhej, goja më thahej fare dhe zëri herë më buçiste e herë më mekej.» Megjithatë, ndërsa aftësitë e Klejtënit përmirësoheshin, ai mori goxha privilegje për të bërë fjalime publike. Shkolla nuk e stërviti vetëm teknikisht. I mësoi vlerën e përulësisë dhe sa e rëndësishme ishte të mbështetej te Jehovai. Ai tha: «Kuptova se oratori në vetvete nuk ka rëndësi. Por nëse përgatitet mirë dhe vë gjithë besimin te Jehovai, do ta dëgjojnë me kënaqësi dhe dëgjuesit do të mësojnë diçka.»

17 Në vitin 1959, motrat u ftuan të regjistroheshin në shkollë. Motër Edna Baueri sjell ndër mend momentin kur  dëgjoi njoftimin në asamblenë që po ndiqte e tha: «Kujtoj ngazëllimin që shkaktoi mes motrave. Tani kishim mundësi të reja.» Përgjatë viteve, shumë vëllezër dhe motra kanë përfituar nga mundësia për t’u regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe janë mësuar nga Jehovai. Sot vazhdojmë të marrim këtë stërvitje në mbledhjen e mesjavës.​—Lexo Isainë 54:13.

18, 19. (a) Si marrim udhëzime praktike sot për të kryer shërbimin? (b) Pse këndojmë në mbledhje? (Shih kutinë « Këngët e së vërtetës».)

18 Mbledhja e Shërbimit. Që nga viti 1919, mbaheshin mbledhje për të organizuar shërbimin në fushë. Në atë kohë, këto mbledhje nuk i ndiqnin të gjithë pjesëtarët e kongregacionit, por vetëm ata që ishin përfshirë drejtpërdrejt në shpërndarjen e literaturës. Gjatë pjesës më të madhe të vitit 1923, u mbajt një herë në muaj një Mbledhje Shërbimi dhe e gjithë klasa ose kongregacioni duhej ta ndiqte. Në 1928-n, kongregacionet u nxitën të mbanin Mbledhjen e Shërbimit çdo javë dhe, më 1935, Kulla e Rojës inkurajoi që të gjitha kongregacionet ta bazonin Mbledhjen e Shërbimit në materialin e botuar te Drejtuesi (më vonë Njoftuesi dhe akoma më vonë Shërbimi ynë i Mbretërisë). Kjo mbledhje shpejt u bë pjesë e rregullt e programit të çdo kongregacioni.

19 Sot në mbledhjen e mesjavës marrim udhëzime praktike për të kryer siç duhet shërbimin. (Mat. 10:5-13) Nëse je i kualifikuar për të marrë një kopje të fletëstudimit për mbledhje, a i studion dhe a i zbaton sugjerimet e saj kur predikon?

Mbledhja më e rëndësishme e vitit

Që nga shekulli i parë i e.s., të krishterët janë mbledhur çdo vit që të mbajnë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit (Shih paragrafin 20.)

20-22. (a) Pse e përkujtojmë vdekjen e Jezuit? (b) Çfarë dobie ke ngaqë ndjek Përkujtimin çdo vit?

20 Dishepujve të Jezuit iu tha ta përkujtonin vdekjen e tij derisa ai të vinte. Ashtu si festa e Pashkës, Përkujtimi i vdekjes së Krishtit është ngjarje e përvitshme. (1 Kor. 11:23-26) Në këtë mbledhje vijnë miliona veta çdo vit. Ajo u kujton të mirosurve privilegjin që kanë: të jenë bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë. (Rom. 8:17) Dhe delet e tjera nxiten ta respektojnë thellësisht e t’i qëndrojnë besnikë Mbretit të Mbretërisë së Perëndisë.​—Gjoni 10:16.

21 Vëlla Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij dalluan sa i rëndësishëm është përkujtimi i Darkës së Zotërisë dhe kuptuan se duhej ta mbanin vetëm një herë në vit. Kulla e Rojës e prillit 1880 (angl.) tha: «Për disa vjet, shumë prej nesh në Pitsburg e . . . kemi kujtuar rregullisht Pashkën [Përkujtimin] dhe kemi marrë simbolet e trupit dhe të gjakut të Zotërisë tonë.» Shpejt filluan të mbaheshin kongrese bashkë me Përkujtimin. Hera e parë që u mbajt regjistrim për  një rast si ky, ishte në vitin 1889, me 225 të pranishëm dhe 22 të pagëzuar.

22 Sot Përkujtimin nuk e mbajmë gjatë programit të kongresit. Sidoqoftë, kudo që jetojmë, i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne në Sallën e Mbretërisë ose në një ambient tjetër të marrë me qira. Në vitin 2013, mbi 19 milionë veta përkujtuan vdekjen e Jezuit. Ç’privilegj kemi që, jo vetëm të ndjekim Përkujtimin, por edhe të inkurajojmë të tjerët të bashkohen me ne, në natën më të shenjtë! A fton çdo vit me entuziazëm sa më shumë njerëz që mundesh në Përkujtim?

Çfarë zbulon qëndrimi ynë?

23. Si i konsideron mbledhjet tona?

23 Shërbëtorët besnikë të Jehovait nuk e shohin udhëzimin për t’u mbledhur si një barrë. (Hebr. 10:24, 25; 1 Gjon. 5:3) Për shembull, Mbreti David vdiste të shkonte në shtëpinë e Jehovait për të adhuruar. (Psal. 27:4) Veçanërisht kënaqej kur e bënte këtë në shoqëri me ata që e donin Zotin. (Psal. 35:18) Mendo edhe për shembullin e Jezuit. Ndonëse djalosh, dëshironte me zjarr të shkonte në shtëpinë e adhurimit të të Atit.​—Luka 2:41-49.

Dëshira jonë e zjarrtë për t’u mbledhur, zbulon sa reale është Mbretëria e Perëndisë për ne

24. Cilat mundësi kemi në mbledhje?

24 Kur ndjekim mbledhjet, tregojmë dashurinë tonë për Jehovain dhe dëshirën për të ndërtuar bashkëbesimtarët. Gjithashtu shprehim dëshirën e madhe për të mësuar që të jetojmë si nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë, sepse këtë arsimim e marrim kryesisht në mbledhjet, asambletë dhe kongreset tona. Për më tepër, mbledhjet na japin aftësinë dhe fuqinë e nevojshme që të mos e braktisim veprën më të rëndësishme që po kryen sot Mbretëria e Perëndisë​—bërjen dhe stërvitjen e dishepujve të Mbretit Jezu Krisht. (Lexo Mateun 28:19, 20.) Pa dyshim, dëshira jonë e zjarrtë për t’u mbledhur, zbulon sa reale është Mbretëria e Perëndisë për ne si individë. I vlerësofshim gjithmonë mbledhjet tona!

^ par. 2 Përveç mbledhjeve javore të kongregacionit, çdo familje ose çdo person inkurajohet të lërë kohë për studimin personal ose adhurimin familjar.

^ par. 9 Në vitin 2013 ishin në dispozicion mbi 180 skema fjalimesh publike.