Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 MËSIMI 5

Çfarë qëllimi ka Perëndia për tokën?

Çfarë qëllimi ka Perëndia për tokën?

1. Pse e krijoi Perëndia tokën?

Jehovai ua dha tokën njerëzve. Ajo është shtëpia jonë. Pra, çifti i parë, Adami dhe Eva, nuk u krijua që të popullonte qiellin, sepse ndërkohë Perëndia kishte krijuar engjëjt për të jetuar në qiell. (Jobi 38:4, 7) Njeriun e parë Perëndia e vuri të jetonte në një parajsë, të quajtur kopshti i Edenit, që ishte burim kënaqësie për ta. (Zanafilla 2:15-17) Jehovai i dha Adamit mundësinë për të gëzuar jetën pa fund në tokë bashkë me pasardhësit e tij.​—Lexo Psalmin 37:29; 115:16.

Në fillim, vetëm kopshti i Edenit ishte parajsë. Çifti i parë njerëzor duhej ta mbushte tokën me pasardhësit e vet. Me kohë, duhej ta zotëronin krejt planetin dhe ta kthenin në parajsë. (Zanafilla 1:28) Toka nuk do të shkatërrohet kurrë. Ajo do të jetë përherë shtëpia e njerëzimit.​—Lexo Psalmin 104:5.

Shih videon Pse e krijoi Perëndia tokën?

2. Pse toka nuk është parajsë sot?

Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë Jehova, prandaj ai i dëboi nga Edeni. Ata e humbën parajsën dhe asnjeri nuk ka arritur ta rivendosë. Bibla thotë: ‘Toka është lënë në dorë të të ligjve.’—Jobi 9:24.​—Lexo Zanafillën 3:23, 24.

A ka hequr dorë Jehovai nga qëllimi që kishte në fillim për njerëzimin? Aspak! Ai është i plotfuqishëm dhe nuk mund të dështojë. (Isaia 45:18) Jehovai do ta kthejë njerëzimin në atë gjendje që kishte ndër mend.​—Lexo Psalmin 37:11, 34.

3. Si do të bëhet toka sërish Parajsë?

Toka do të bëhet sërish Parajsë gjatë qeverisjes së Jezuit si Mbret i Perëndisë. Në një luftë që quhet Armagedon, Jezui do t’u prijë engjëjve të Perëndisë dhe do të shfarosë tërë ata  që i kundërvihen Perëndisë. Pas kësaj, Jezui do të burgosë Satanain për 1.000 vjet. Populli i Perëndisë do të shpëtojë nga shkatërrimi ngaqë Jezui do t’i udhëheqë e do t’i mbrojë. Ata do të gëzojnë jetën e përhershme në tokën parajsore.​—Lexo Zbulesën 20:1-3; 21:3, 4.

4. Kur do të marrin fund vuajtjet?

Kur do t’i japë fund Perëndia ligësisë në tokë? Jezui dha një ‘shenjë’ që do të tregonte se fundi do të ishte afër. Kushtet e sotme botërore vënë në rrezik mbijetesën e njerëzimit dhe tregojnë se po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’.​—Lexo Mateun 24:3, 7-14, 21, 22.

Gjatë mbretërimit të tij 1.000-vjeçar nga qielli mbi tokën, Jezui do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve. (Isaia 9:6, 7; 11:9) Ai do të shërbejë jo vetëm si Mbret, por edhe si Kryeprift dhe do të fshijë mëkatet e atyre që e duan Perëndinë. Kështu, me anë të Jezuit, Perëndia do të zhdukë sëmundjet, plakjen dhe vdekjen. ​—Lexo Isainë 25:8; 33:24.

5. Cilët do të jetojnë në të ardhmen në Parajsë?

Në Sallën e Mbretërisë, do të takosh njerëz që e duan Perëndinë dhe dëshirojnë të mësojnë si t’i pëlqejnë atij

Në Parajsë do të jetojnë ata që i binden Perëndisë. (1 Gjonit 2:17) Jezui dërgoi dishepujt e tij të kërkonin njerëzit zemërbutë e t’i mësonin si të fitonin miratimin e Perëndisë. Sot, Jehovai po përgatit miliona veta për jetën në Parajsën që presim në tokë. (Sofonia 2:3) Në Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, njerëzit mësojnë të jenë burra e baballarë më të mirë, gra e nëna më të mira. Fëmijët e prindërit e adhurojnë Perëndinë së bashku dhe mësojnë si të nxjerrin dobi nga lajmi i mirë.​—Lexo Mikenë 4:1-4.