Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I KATËRMBËDHJETË

Si të kesh një jetë të lumtur familjare?

Si të kesh një jetë të lumtur familjare?
  • Ç’duhet të bëjë një burrë për të qenë bashkëshort i mirë?

  • Si mund të jetë një grua bashkëshorte e mirë?

  • Çfarë përfshin të jesh prind i mirë?

  • Si mund të ndihmojnë fëmijët që familja të jetë e lumtur?

1. Cili është çelësi për të pasur një jetë të lumtur familjare?

PERËNDIA JEHOVA dëshiron që ti të kesh një jetë të lumtur familjare. Në Fjalën e tij, në Bibël, jepen udhëzime për çdo pjesëtar të familjes dhe përshkruhet roli që Perëndia i ka caktuar secilit. Kur pjesëtarët e familjes përmbushin rolin e tyre në përputhje me këshillat e Perëndisë, rezultatet janë shumë të mira. Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»Luka 11:28.

2. Nga se varet lumturia familjare?

2 Do të kemi një jetë familjare të lumtur vetëm nëse e pranojmë që familja e ka origjinën nga Jehovai, të cilin Jezui e quajti «Ati ynë». (Mateu 6:9) Çdo familje në tokë ekziston falë Atit tonë qiellor, dhe ai me siguri e di se çfarë i bën të lumtura familjet. (Efesianëve 3:14, 15) Atëherë, çfarë mëson Bibla për rolin e secilit pjesëtar të familjes?

FAMILJA E KA ORIGJINËN NGA PERËNDIA

3. Si e përshkruan Bibla fillimin e familjes njerëzore? Nga e dimë se ajo që thuhet në të, është e vërtetë?

3 Jehovai krijoi njerëzit e parë, Adamin dhe Evën, e i bashkoi  si burrë e grua. I vendosi në një shtëpi parajsore këtu në tokë, në kopshtin e Edenit, dhe u tha të kishin fëmijë. «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën»,—u tha Jehovai. (Zanafilla 1:26-28; 2:18, 21-24) Ky nuk është thjesht tregim ose përrallë, pasi Jezui tregoi se ajo që thotë Zanafilla për origjinën e jetës familjare, është e vërtetë. (Mateu 19:4, 5) Le të shohim pse lumturia brenda familjes është e mundur, ndonëse sot kemi shumë probleme, dhe jeta nuk është siç e kishte menduar në fillim Perëndia.

4. (a) Si mund të ndihmojë çdo pjesëtar që familja e tij të jetë e lumtur? (b) Pse është kaq e rëndësishme të studiojmë jetën e Jezuit për të pasur lumturi familjare?

4 Çdo pjesëtar i familjes mund të ndihmojë për lumturinë e saj, nëse imiton Perëndinë në shfaqjen e dashurisë. (Efesianëve 5:1, 2) Por, si ta imitojmë Perëndinë, kur nuk e shohim? Mund të mësojmë si vepron Jehovai, sepse ai dërgoi Birin e tij të parëlindur nga qielli në tokë. (Gjoni 1:14, 18) Kur ishte në tokë, ky Bir, Jezu Krishti, e pasqyroi kaq mirë personalitetin e Atit të tij qiellor, saqë, kur shihje dhe dëgjoje Jezuin, ishte sikur të kishe përballë Jehovain e ta dëgjoje të fliste. (Gjoni 14:9) Prandaj, secili mund të ndihmojë që jeta familjare të jetë e lumtur, po të mësojë se si tregoi dashuri Jezui dhe po të ndjekë shembullin e tij.

NJË MODEL PËR BURRAT

5, 6. (a) Pse mënyra si e trajton Jezui kongregacionin është një shembull për burrat? (b) Çfarë nevojitet për të marrë faljen e mëkateve?

5 Bibla thotë se burrat duhet t’i trajtojnë gratë njësoj si i trajton Jezui dishepujt. Shqyrto udhëzimin biblik: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të. . . . Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.»Efesianëve 5:23, 25-29.

 6 Dashuria që ka Jezui për kongregacionin, pra për dishepujt e tij, është shembull i përsosur për burrat. Jezui ‘i deshi deri në fund’ dishepujt, duke sakrifikuar jetën e vet për ta, edhe pse ishin shumë larg përsosmërisë. (Gjoni 13:1; 15:13) Burrave u jepet këshilla: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolosianëve 3:19) Çfarë do ta ndihmojë një burrë që të zbatojë këtë këshillë, sidomos nëse gruaja e tij nganjëherë nuk vepron me maturi? Ai duhet të mbajë parasysh që edhe vetë gabon, e i duhet të bëjë diçka që Perëndia ta falë. Ç’duhet të bëjë? Të falë ata që gabojnë ndaj tij, përfshirë edhe gruan e vet. Sigurisht që edhe ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë. (Mateu 6:12, 14, 15) Është më se e vërtetë shprehja se një martesë e suksesshme është bashkimi i dy njerëzve që dinë të falin.

7. Çfarë merrte parasysh Jezui, e çfarë shembulli la për burrat?

7 Gjithashtu, burrat duhet të mbajnë parasysh që Jezui tregohej gjithnjë i vëmendshëm ndaj dishepujve të tij. Ai merrte parasysh kufizimet dhe nevojat e tyre fizike. Për shembull, kur dishepujt ishin të lodhur, u tha: «Ejani të shkojmë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» (Marku 6:30-32) Edhe gratë meritojnë vëmendje e kujdes. Bibla i përshkruan ato si ‘enë më e dobët’, dhe i urdhëron burrat që ‘t’i nderojnë’. Përse? Sepse, ashtu si burrat, edhe ato kanë ‘hirin e pamerituar të jetës’. (1 Pjetrit 3:7) Burrat duhet të mbajnë parasysh se ajo që e bën një njeri të çmuar në sytë e Perëndisë, është besnikëria, jo gjinia.Psalmi 101:6.

8. (a) Në ç’kuptim një burrë «që do gruan e tij, do veten»? (b) Çfarë do të thotë për një burrë dhe gruan e tij fakti që janë «një mish i vetëm»?

8 Bibla thotë se ai burrë «që do gruan e tij, do veten». Kjo sepse, burri dhe gruaja e tij, «nuk janë më dy, por një mish i vetëm», siç theksoi Jezui. (Mateu 19:6) Prandaj, për sa u përket interesave seksuale, duhet të kufizohen vetëm me njëri-tjetrin. (Proverbat 5:15-21; Hebrenjve 13:4) Këtë  mund ta arrijnë duke pasur si synim të plotësojnë nevojat e njëri-tjetrit, jo të përqendrohen vetëm te nevojat e tyre. (1 Korintasve 7:3-5) Vlejnë të përmenden edhe këto fjalë: «Asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.» Burrat duhet t’i duan gratë e tyre siç duan veten, duke mos harruar se do t’i japin llogari kreut të tyre, Jezu Krishtit.Efesianëve 5:29; 1 Korintasve 11:3.

9. Cila cilësi e Jezuit përmendet te Filipianëve 1:8, dhe pse burrat duhet të shfaqin këtë cilësi me gratë e tyre?

9 Apostulli Pavël foli për ‘përzemërsinë e butë që ka Krishti Jezu’. (Filipianëve 1:8) Butësia e Jezuit ishte një cilësi e këndshme, e cila i bënte për vete gratë që ishin ndër dishepujt e tij. (Gjoni 20:1, 11-13, 16) Gratë kanë shumë nevojë që burrat t’u tregojnë përzemërsi të butë.

NJË SHEMBULL PËR GRATË

10. Çfarë shembulli lë Jezui për gratë?

10 Familja është një strukturë e organizuar dhe, që të funksionojë mirë, ka nevojë për një krye. Edhe vetë Jezui i nënshtrohet Atij që është Kreu i tij. «Kreu i Krishtit është Perëndia», ashtu si «kreu i gruas është burri». (1 Korintasve 11:3) Nënshtrimi i Jezuit ndaj kryesisë së Perëndisë është një shembull i shkëlqyer, pasi të gjithë ne duhet t’i nënshtrohemi dikujt si kreut tonë.

11. Çfarë qëndrimi duhet të mbajë një grua ndaj burrit të vet, dhe si mund të ndikojë sjellja e saj?

11 Burrat e papërsosur bëjnë gabime dhe shpesh nuk janë kryefamiljarë idealë. Atëherë, ç’duhet të bëjë një grua? Nuk duhet t’ia ulë vlerat asaj që bën burri i saj e as të përpiqet ta marrë ajo rolin e kreut të familjes. Gruaja duhet të mbajë në mendje se, për Perëndinë ka vlerë të madhe një frymë e qetë dhe e butë. (1 Pjetrit 3:4) Duke shfaqur një frymë të tillë, ajo do ta ketë më të lehtë të shfaqë nënshtrimin që u takon grave të devotshme, edhe në rrethana sprovuese. Për  më tepër, Bibla thotë: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Po në rastin kur burri nuk e pranon Krishtin si Kreun e tij? Bibla i nxit gratë: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë.»1 Pjetrit 3:1, 2.

12. Pse nuk është e gabuar që një grua t’i shprehë me respekt mendimet e saj?

12 Sido që të jetë bashkëshorti, besimtar ose jo, gruaja nuk tregon mungesë respekti nëse, me takt, shpreh një mendim që ndryshon nga mendimi i të shoqit. Ndoshta pikëpamja e saj është e drejtë, dhe do të ishte në të mirë të familjes që i shoqi t’ia dëgjonte fjalën. Në një rast, edhe pse Abrahami nuk ishte dakord me të shoqen, Sarën, që i tregoi një zgjidhje praktike për një problem familjar, Perëndia i tha: «Dëgjoje zërin e saj.» (Zanafilla 21:9-12) Sigurisht, kur burri merr vendimin, dhe ky vendim nuk bie në kundërshtim me ligjin e Perëndisë, e shoqja tregon nënshtrim duke e mbështetur.Veprat 5:29; Efesianëve 5:24.

Çfarë shembulli të mirë la Sara për gratë?

13. (a) Çfarë duhet të bëjnë gratë e martuara, sipas këshillës së Titit 2:4, 5? (b) Çfarë thotë Bibla për ndarjen e për divorcin?

13 Gruaja mund ta përmbushë rolin e saj në familje në një sërë mënyrash. Për shembull, Bibla tregon se gratë e martuara duhet «të duan burrat, të duan fëmijët, të jenë me mendje të shëndoshë, të dëlira, punëtore në shtëpi, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre». (Titit 2:4, 5) Një grua dhe nënë që vepron kështu, do të fitojë dashurinë dhe respektin e familjes së saj. (Proverbat 31:10, 28) Por, meqë martesa është bashkimi i dy njerëzve të papërsosur, disa rrethana ekstreme mund të çojnë në ndarje, e madje edhe në divorc. Bibla e lejon ndarjen në disa rrethana të caktuara. Megjithatë, ndarja nuk duhet parë si diçka  e parëndësishme, pasi Bibla këshillon: «Gruaja të mos ndahet nga burri. . . . Edhe burri nuk duhet ta lërë gruan.» (1 Korintasve 7:10, 11) Kurse për divorcin, baza biblike është vetëm kurvëria nga njëri bashkëshort.Mateu 19:9.

NJË SHEMBULL I PËRSOSUR PËR PRINDËRIT

14. Si i trajtoi Jezui fëmijët dhe çfarë u nevojitet atyre nga prindërit?

14 Me mënyrën se si i trajtonte fëmijët, Jezui la një shembull të përsosur për prindërit. Kur disa u përpoqën t’i ndalonin fëmijët që të shkonin te Jezui, ai tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos u mundoni t’i ndalni.» Pastaj, siç vazhdon Bibla, «i mori fëmijët në krahë dhe filloi t’i bekonte, duke vënë duart mbi ta». (Marku 10:13-16) Kur vetë Jezui gjente kohë për të ndenjur me fëmijët, a nuk duhet të bësh edhe ti të njëjtën gjë për djalin a vajzën tënde? Ata nuk kanë nevojë që të rrish me ta vetëm një copë herë; duhet të kaloni shumë kohë bashkë. Duhet të gjesh kohë që t’i mësosh, sepse kështu i ka udhëzuar Jehovai prindërit.Ligji i përtërirë 6:4-9.

15. Ç’duhet të bëjnë prindërit për të mbrojtur fëmijët e tyre?

15 Kjo botë sa vjen e bëhet më e ligë, prandaj fëmijët  kanë nevojë që prindërit t’i mbrojnë nga njerëzit që duan t’u bëjnë keq, siç janë maniakët seksualë. Shqyrto se si i mbrojti Jezui dishepujt e tij, që me përzemërsi i quante «fëmijë të vegjël». Kur e arrestuan dhe pas pak do ta vrisnin, ai gjeti një mënyrë që dishepujt të iknin. (Gjoni 13:33; 18:7-9) Si prind, duhet të jesh vigjilent për të kuptuar përpjekjet e Djallit për t’u bërë keq fëmijëve të tu. Duhet t’i këshillosh e t’i paralajmërosh fëmijët që më përpara. * (1 Pjetrit 5:8) Kurrë më parë siguria e tyre fizike, frymore dhe morale s’ka qenë kaq e kërcënuar sa tani.

Çfarë mund të mësojnë prindërit nga mënyra si i trajtonte Jezui fëmijët?

16. Ç’mund të mësojnë prindërit nga mënyra si reagoi Jezui ndaj papërsosmërive të dishepujve?

 16 Natën para se Jezui të vdiste, dishepujt u grindën mes tyre se kush ishte më i madhi. Në vend që të zemërohej me ta, Jezui përsëri i këshilloi me dashuri, me fjalë e me shembullin e tij. (Luka 22:24-27; Gjoni 13:3-8) Nëse je prind, a e kupton se si mund të ndjekësh shembullin e Jezuit kur duhet të këshillosh ose të qortosh fëmijët e tu? Është e vërtetë se kanë nevojë për disiplinë, po kjo u duhet dhënë «në masën e duhur», dhe asnjëherë në zemërim e sipër. Nuk duhet t’u flasësh pa u menduar, «si me goditje shpate». (Jeremia 30:11; Proverbat 12:18) Disiplina duhet dhënë në mënyrë të tillë, që më vonë fëmija yt të kuptojë sa me vend ishte.Efesianëve 6:4; Hebrenjve 12:9-11.

NJË MODEL PËR FËMIJËT

17. Në cilat mënyra la një shembull të përsosur Jezui për fëmijët?

17 A mund të mësojnë fëmijët nga Jezui? Po! Me shembullin e tij, Jezui tregoi se si duhet t’u binden fëmijët prindërve të tyre. Ai tha: «I them këto gjëra ashtu si më mësoi Ati.» Pastaj shtoi: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:28, 29) Jezui i bindej Atit të tij qiellor, dhe Bibla u thotë fëmijëve që t’u binden prindërve. (Efesianëve 6:1-3) Edhe pse Jezui ishte një fëmijë i përsosur, iu bind prindërve të tij të papërsosur njerëzorë, Jozefit dhe Marisë. Patjetër që kjo ndihmoi për ta bërë më të lumtur çdo pjesëtar të familjes së Jezuit.Luka 2:4, 5, 51, 52.

18. Pse Jezui iu bind gjithnjë Atit të tij qiellor? Po sot, kë bëjnë të lumtur fëmijët kur u binden prindërve të tyre?

18 A ka mënyra se si fëmijët mund ta imitojnë më shumë Jezuin e t’i bëjnë të lumtur prindërit e tyre? Është e vërtetë se nganjëherë fëmijët e kanë të vështirë t’u binden prindërve, po gjithsesi këtë dëshiron Perëndia nga fëmijët. (Proverbat 1:8; 6:20) Jezui iu bind gjithnjë Atit të tij  qiellor, edhe në rrethana të vështira. Një herë, kur Perëndia i kërkoi Jezuit që të bënte diçka shumë të vështirë, ai i tha: «Hiqe këtë kupë [diçka që i kërkohej të bënte] nga unë.» E megjithatë, Jezui bëri si i tha Perëndia, sepse e kuptoi që Ati i tij i dinte më mirë gjërat. (Luka 22:42) Duke mësuar të jenë të bindur, fëmijët do t’i bëjnë shumë të lumtur prindërit dhe Atin e tyre qiellor. *Proverbat 23:22-25.

Për çfarë duhet të mendojnë fëmijët, kur kanë ndonjë tundim?

19. (a) Si i tundon Satanai fëmijët? (b) Si mund të ndikojë te prindërit sjellja e keqe e fëmijëve?

19 Djalli e tundoi Jezuin dhe mund të jemi të sigurt se do t’i tundojë edhe fëmijët që të bëjnë gjëra të gabuara. (Mateu 4:1-10) Satana Djalli përdor presionin e moshatarëve, i cili mezi përballohet. Pra, është shumë e rëndësishme që fëmijët të mos shoqërohen me shokë që bëjnë gjëra të këqija. (1 Korintasve 15:33) Dina, e bija e Jakobit, u shoqërua me vajza që nuk e adhuronin Jehovain, dhe kjo gjë i solli shumë telashe. (Zanafilla 34:1, 2) Mendo sa do të dëmtohet familja, nëse njëri nga pjesëtarët e saj përfshihet në imoralitet seksual!Proverbat 17:21, 25.

 ÇELËSI I LUMTURISË FAMILJARE

20. Çfarë duhet të bëjë çdo pjesëtar i familjes për të pasur një jetë të lumtur familjare?

20 Problemet familjare mund të zgjidhen më lehtë kur zbatohen këshillat e Biblës. Madje, zbatimi i tyre është çelësi i lumturisë familjare. Pra, burra, duajini gratë tuaja dhe trajtojini siç e trajton Jezui kongregacionin. Gra, nënshtrojuni kryesisë së burrit dhe ndiqni modelin që përshkruhet te Proverbat 31:10-31 për gruan e zonjë. Prindër, stërvitini fëmijët tuaj. (Proverbat 22:6) Etër, ‘drejtojeni shkëlqyeshëm shtëpinë tuaj’. (1 Timoteut 3:4, 5; 5:8) Ju fëmijë, bindjuni prindërve. (Kolosianëve 3:20) Asnjëri në familje nuk është i përsosur, të gjithë gabojnë. Prandaj, jini të përulur dhe kërkojini falje njëri-tjetrit.

21. Çfarë gjërash të mrekullueshme na presin, por si mund të kemi që tani një jetë të lumtur familjare?

21 Po, Bibla përmban shumë këshilla e udhëzime të vlefshme për jetën familjare! Për më tepër, ajo na mëson për botën e re të Perëndisë dhe për një parajsë tokësore plot me njerëz të lumtur që adhurojnë Jehovain. (Zbulesa 21:3, 4) Sa gjëra të mrekullueshme na presin! Por, që tani mund të kemi një jetë të lumtur familjare, nëse zbatojmë udhëzimet e Perëndisë, që i gjejmë në Fjalën e tij, në Bibël.

^ par. 15 Një ndihmë se si t’i mbrosh fëmijët mund ta gjesh në kapitullin 32 të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 18 Një fëmijë do të ishte i justifikuar të mos i bindej prindit vetëm në qoftë se ky i kërkon të shkelë ligjin e Perëndisë.Veprat 5:29.