Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SHTOJCA

Si e parathotë profecia e Danielit ardhjen e Mesisë?

Si e parathotë profecia e Danielit ardhjen e Mesisë?

PROFETI Daniel jetoi më shumë se 500 vjet para se të lindte Jezui. Gjithsesi, Jehovai i zbuloi Danielit të dhëna që do të bënin të mundur të llogaritej koha kur Jezui do të mirosej ose do të emërohej si Mesia ose Krishti. Danielit iu tha: «Ti duhet ta dish e të kesh gjykim të thellë, se që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia,  Udhëheqësi, do të kalojnë shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë.»Danieli 9:25.

Që të përcaktojmë kohën e ardhjes së Mesisë, së pari duhet të dimë se kur fillon periudha që të çon deri te Mesia. Sipas profecisë, fillon «që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin». Kur ‘doli kjo fjalë’? Sipas Nehemisë, një shkrimtari të Biblës, fjala për rindërtimin e mureve përqark Jerusalemit doli ‘në vitin e njëzetë të mbretërimit të Artakserksit’. (Nehemia 2:1, 5-8) Historianët vërtetojnë se viti i parë i plotë i Artakserksit si mbret ishte viti 474 p.e.s. Kështu,  viti i 20-të i mbretërimit të tij ishte viti 455 p.e.s. Pra, ky ishte viti kur filloi të përmbushej profecia e Danielit për Mesinë, viti 455 p.e.s.

Danieli tregoi sa do të zgjaste periudha që do të çonte deri te ardhja e ‘Mesisë, Udhëheqësit’. Profecia përmend «shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë», gjithsej 69 javë. Sa e gjatë është kjo periudhë? Disa përkthime biblike komentojnë se këto nuk janë javë të mirëfillta, të përbëra nga shtatë ditë, por javë vjetore. Domethënë, çdo javë përfaqëson shtatë vjet. Ky koncept i javëve vjetore ose i njësive me nga shtatë vjet, ishte i zakonshëm për judenjtë e kohëve të lashta. Për shembull, pas çdo gjashtë vjetësh kishin një vit të shtatë sabati, ashtu si pas çdo gjashtë ditësh kishin një ditë sabati. (Dalja 23:10, 11) Pra, 69 javët profetike janë 69 njësi me nga 7 vjet secila, ose gjithsej 483 vjet.

Tani, na mbetet vetëm të bëjmë llogaritë. Po të nisemi nga viti 455 p.e.s. dhe të numërojmë 483 vjet, arrijmë në vitin 29 të e.s. Ky ishte pikërisht viti kur Jezui u pagëzua dhe u bë Mesia. * (Luka 3:1, 2, 21, 22) A nuk është kjo një përmbushje e jashtëzakonshme e profecisë biblike?

^ par. 2 Nga viti 455 p.e.s. deri në vitin 1 p.e.s. janë 454 vjet. Që nga viti 1 p.e.s. deri në vitin 1 të e.s. është një vit (vit zero nuk ka pasur). Pastaj, nga viti 1 i e.s. deri në vitin 29 të e.s., janë 28 vjet. Po t’i mbledhim këto tri shifra, bëhen 483 vjet. Jezui ‘u vra’ në vitin 33 të e.s., gjatë javës së 70-të vjetore. (Danieli 9:24, 26) Shih librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, kapitullin e 11-të, si edhe librin Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 2, faqet 899-901, anglisht. Që të dy librat janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.