Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I SHTATË

Shpresë reale për njerëzit e afërt që na kanë vdekur

Shpresë reale për njerëzit e afërt që na kanë vdekur
  • Si e dimë që ringjallja do të ndodhë vërtet?

  • Si e kuptojmë që Jehovai dëshiron t’i ringjallë të vdekurit?

  • Kush do të ringjallet?

1-3. Cili armik na ndjek të gjithëve, e përse do të na sjellë lehtësim shqyrtimi i asaj që mëson Bibla?

PËRFYTYRO këtë skenë: je duke vrapuar me sa fuqi që ke, për t’i shpëtuar një armiku mizor. Ky është shumë më i fortë e më i shpejtë se ty. Ti e di që është i pamëshirshëm, sepse e ke parë kur ka vrarë disa nga miqtë e tu. Sado që mundohesh t’i largohesh, ai të afrohet gjithnjë e më shumë. Duket sikur s’ka shpresë. Por, papritur, përkrah teje shfaqet dikush që do të të shpëtojë. Ky është shumë më i fuqishëm se armiku yt dhe të premton se do të të ndihmojë. Sa i lehtësuar që ndihesh!

2 Në njëfarë kuptimi, ty po të ndjek një armik i tillë. Madje ai po na ndjek të gjithëve. Siç mësuam në kapitullin e mëparshëm, Bibla e quan vdekjen një armik. Asnjëri prej nesh s’mund ta shmangë ose ta mposhtë këtë armik. Shumë nga ne e kanë parë t’u marrë jetën njerëzve tanë të afërt. Por Jehovai është shumë më i fuqishëm se vdekja. Ai është Shpëtimtari i dashur që tashmë e ka treguar se mund ta mposhtë këtë armik. Dhe premton se do ta shkatërrojë një herë e përgjithmonë vdekjen armike. Bibla mëson: «Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.» (1 Korintasve 15:26) Sa lajm i mirë!

 3 Le të mendojmë për një çast se si ndihemi kur vdekja na merr dikë që njohim. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë një koncept tjetër, që do të na bëjë të lumtur. E themi këtë, sepse Jehovai premton që të vdekurit do të jetojnë përsëri. (Isaia 26:19) Do të rikthehen në jetë. Kjo është shpresa e ringjalljes.

KUR NA VDES NJË NJERI I AFËRT

4. (a) Pse reagimi i Jezuit kur i vdiq një mik i afërt na mëson diçka për ndjenjat e Jehovait? (b) Cilën miqësi të ngushtë kishte lidhur Jezui?

4 A e ke provuar humbjen që vjen kur të vdes një njeri i afërt? Dhembja, pikëllimi dhe ndjenja e dëshpërimit mund të duken të padurueshme. Në këto raste, duhet të kërkojmë ngushëllim në Fjalën e Perëndisë. (2 Korintasve 1:3, 4) Bibla na ndihmon të kuptojmë se çfarë ndiejnë Jehovai dhe Jezui për vdekjen. Jezui, i cili pasqyroi në mënyrë të përsosur ndjenjat e Atit të tij, e provoi vetë sa e dhembshme është të të vdesë një njeri i afërt. (Gjoni 14:9) Kur ishte në Jerusalem, Jezui e kishte zakon t’i shkonte për vizitë Lazarit dhe motrave të tij, Marisë e Martës, të cilët jetonin aty afër, në qytezën e Betanisë. Ata u bënë miq të ngushtë. Bibla thotë: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» (Gjoni 11:5) Mirëpo, siç lexuam në kapitullin e mëparshëm, Lazari vdiq.

5, 6. (a) Si reagoi Jezui kur shkoi te familjarët dhe miqtë e Lazarit që po vajtonin? (b) Pse na jep zemër pikëllimi që ndjeu Jezui?

5 Si u ndie Jezui kur humbi mikun e tij? Nga tregimi mësojmë se Jezui shkoi te të afërmit dhe miqtë e Lazarit, që po vajtonin të vdekurin. Kur i pa, Jezui u prek thellë. Ai «rënkoi në frymë dhe u trazua». Pastaj tregimi vazhdon me fjalët: «Jezui nuk i mbajti dot lotët.» (Gjoni 11:33, 35) A donte të thoshte ky pikëllim se Jezui ndihej i pashpresë? Aspak. Në fakt, Jezui e dinte se pas pak do të ndodhte diçka e mrekullueshme. (Gjoni 11:3, 4) Megjithatë e ndjeu dhembjen dhe trishtimin që sjell vdekja.

 6 Në njëfarë mënyre, pikëllimi që ndjeu Jezui na jep zemër. Na mëson se ai dhe Ati i tij, Jehovai, e urrejnë vdekjen. Por, Perëndia Jehova është në gjendje ta luftojë dhe ta mposhtë këtë armik! Le të shohim se çfarë bëri Jezui, me fuqinë që i dha Perëndia.

«LAZAR, DIL JASHTË!»

7, 8. Pse rasti i Lazarit duhet t’u jetë dukur pa shpresë njerëzve që ishin mbledhur aty, por çfarë bëri Jezui?

7 Lazarin e kishin varrosur në një shpellë, kështu që Jezui kërkoi të hiqej guri që kishte mbyllur hyrjen e shpellës. Marta e kundërshtoi, sepse kishin kaluar katër ditë dhe, me siguri, trupi i Lazarit kishte filluar të kalbej. (Gjoni 11:39) E pse ta hiqnin gurin, çfarë shprese mund të kishte nga pikëpamja njerëzore?!

Ringjallja e Lazarit i gëzoi shumë njerëzit.Gjoni 11:38-44

8 Megjithatë gurin e hoqën dhe Jezui thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!» Çfarë ndodhi atëherë? «Ai që kishte qenë i vdekur, doli.» (Gjoni 11:43, 44) E përfytyron dot gëzimin që kanë ndier të pranishmit në atë rast? Çfarëdo që ta kishin Lazarin—vëlla, të afërm, mik ose fqinj—ata e dinin se kishte vdekur. E megjithatë, ja ku po qëndronte prapë mes tyre, i njëjti njeri që e donin shumë! Kjo duhet t’u jetë dukur si një ëndërr. Me siguri, shumë e përqafuan me gëzim Lazarin. Sa fitore e madhe mbi vdekjen!

Elija ringjalli të birin e një vejushe.1 Mbretërve 17:17-24

9, 10. (a) Siç tregoi Jezui, kush ishte Burimi i vërtetë i fuqisë me të cilën ringjalli Lazarin? (b) Çfarë dobish nxjerrim kur lexojmë tregimet biblike të ringjalljeve?

9 Jezui nuk tha se e kishte bërë me fuqinë e vet këtë mrekulli mahnitëse. Në lutjen që bëri para se të thërriste Lazarin e vdekur, Jezui tregoi qartë se Ai që i dha fuqinë për të kryer ringjalljen ishte Jehovai. (Gjoni 11:41, 42) Ky s’ishte rasti i vetëm kur Jehovai e përdori fuqinë e tij në këtë mënyrë. Ringjallja e Lazarit është vetëm njëra nga nëntë mrekullitë e këtij lloji, që janë dokumentuar në Fjalën  e Perëndisë. * Është një kënaqësi t’i lexojmë e t’i studiojmë këto tregime. Prej tyre mësojmë se Perëndia nuk është i anshëm, pasi ndër ata që u ringjallën kishte të vegjël e të mëdhenj, meshkuj e femra, izraelitë dhe joizraelitë. Çfarë gëzimi që përshkruhet në këto tregime! Për shembull, kur Jezui ringjalli një vajzë të vogël, prindërit e saj «mbetën gojëhapur, të pushtuar nga një gëzim i madh». (Marku 5:42) Vërtet, Jehovai u kishte dhënë një shkak për gëzim që nuk do ta harronin kurrë!

Apostulli Pjetër ringjalli Dorkën, një grua të krishterë.Veprat 9:36-42

10 Natyrisht, me kalimin e kohës, ata që ringjalli Jezui vdiqën prapë. A do të thotë kjo se s’kishte kuptim që i kishte ringjallur? Jo, aspak. Këto tregime biblike përforcojnë disa të vërteta themelore dhe na japin shpresë.

TË MËSOJMË NGA TREGIMET E RINGJALLJEVE

11. Si e përforcon tregimi për ringjalljen e Lazarit të vërtetën që gjejmë tek Eklisiastiu 9:5?

11 Bibla mëson se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë». Ata nuk jetojnë e nuk kanë një ekzistencë të vetëdijshme diku. Tregimi për Lazarin e përforcon këtë të vërtetë. A i mrekulloi njerëzit Lazari kur u kthye prapë në jetë, duke u treguar për jetën në qiell? Ose, a u futi tmerrin me historira të frikshme për ferrin e zjarrtë? Jo. Bibla nuk përmban fjalë të tilla që të jenë thënë nga Lazari. Ato katër ditë që ishte i vdekur, ai s’kishte qenë ‘i vetëdijshëm për asgjë’. (Eklisiastiu 9:5) Lazari kishte qenë në gjumin e vdekjes.Gjoni 11:11.

12. Pse mund të jemi të sigurt se ringjallja e Lazarit ndodhi vërtet?

12 Tregimi për Lazarin na mëson edhe se ringjallja është diçka reale, jo thjesht gojëdhënë. Jezui e ringjalli Lazarin para një turme njerëzish që po e shikonin. Këtë mrekulli s’e mohuan as udhëheqësit fetarë, që e urrenin Jezuin. Ata  vetëm sa thanë: «Ç’të bëjmë? Se ky njeri [Jezui] po kryen shumë shenja.» (Gjoni 11:47) Shumë njerëz shkuan të shihnin njeriun që ishte ringjallur. Si rrjedhojë, shumë të tjerë filluan të besonin te Jezui. Ata e kuptuan se Lazari ishte një provë e gjallë që Jezui ishte dërguar nga Perëndia. Kjo dëshmi ishte kaq e fuqishme, saqë me shpirtligësi disa udhëheqës fetarë judenj bënë plane për të vrarë jo vetëm Jezuin, por edhe Lazarin.Gjoni 11:53; 12:9-11.

13. Çfarë baze kemi për të besuar se Jehovai mund t’i ringjallë vërtet të vdekurit?

13 A nuk po tregohemi jorealistë duke e pranuar ringjalljen si një fakt? Jo, sepse Jezui u mësoi njerëzve që, një ditë, «të gjithë ata që janë në varre», do të ringjallen. (Gjoni 5:28) Jehovai është Krijuesi i çdo lloj jete. A duhet ta kemi të vështirë të besojmë se ai mund të krijojë prapë jetën? Natyrisht, kjo varet shumë nga kujtesa e Jehovait. A mund t’i kujtojë ai njerëzit e afërt që na kanë vdekur? Mendo pak: universi është i mbushur me miliarda e miliarda yje, e megjithatë Perëndia thërret secilin prej tyre me emër! (Isaia 40:26) Kështu që, me siguri, Perëndia Jehova mund të kujtojë çdo hollësi për njerëzit tanë që kanë vdekur, dhe është në gjendje t’i rikthejë në jetë.

14, 15. Si e kuptojmë nga fjalët e Jobit se Jehovai dëshiron t’i ringjallë të vdekurit?

14 Bibla na mëson se Jehovai dëshiron shumë t’i ringjallë të vdekurit. Si mund të jemi të sigurt për këtë? Jobi besnik pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Më parë Jobi kishte shprehur dëshirën të priste në varr, derisa të vinte koha që Perëndia ta kujtonte. Ai i tha Jehovait: «Ti do të më thërrisje, e unë do të të përgjigjesha. Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.»Jobi 14:13-15.

15 Vetëm mendo! Jehovai ndien mall për ata që kanë vdekur dhe dëshiron t’i sjellë prapë në jetë! A nuk na ngrohet zemra kur mësojmë se Jehovai ndihet kështu? Por, tani, si do të jetë ringjallja e ardhshme? Kush do të ringjallet dhe ku?

 «TË GJITHË ATA QË JANË NË VARRE»

16. Në cilat kushte do të jetojnë ata që do të ringjallen?

16 Tregimet e Biblës për ringjalljet na zbulojnë shumë gjëra për ringjalljen e ardhshme. Njerëzit që u rikthyen në jetë këtu në tokë, u bashkuan përsëri me të afërmit e tyre. Ringjallja që do të ndodhë në të ardhmen do të jetë e ngjashme, por shumë më e mirë. Siç e mësuam në kapitullin e tretë, qëllimi i Perëndisë është që e gjithë toka të kthehet në parajsë. Prandaj, të vdekurit nuk do të ringjallen prapë në një botë plot me luftëra, krime dhe sëmundje. Do t’u jepet mundësia të jetojnë përgjithmonë në këtë tokë, të lumtur dhe në kushte paqësore.

17. Kush do të ringjallet?

17 Kush do të ringjallet? Jezui tha: «Të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Po kështu, te Zbulesa 20:13 thuhet: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.» «Hadesi» i referohet varrit të përbashkët të njerëzimit. (Shih Shtojcën «Çfarë janë Sheoli dhe Hadesi?».) Ky varr i gjithë njerëzimit do të boshatiset. Ata miliarda njerëz që prehen aty, do të kthehen përsëri në jetë. Apostulli Pavël tha: «Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Ç’do të thotë kjo?

Në parajsë, të vdekurit do të ringjallen e do të bashkohen prapë me njerëzit e tyre

18. Cilët futen te «të drejtët» që do të ringjallen? Si ndikon te ti kjo shpresë?

18 Te «të drejtët» futen shumë njerëz për të cilët lexojmë në Bibël, që kanë jetuar para se të vinte Jezui në tokë. Ndoshta të vjen në mendje Noeja, Abrahami, Sara, Moisiu, Rutha, Estera, e shumë e shumë të tjerë. Për disa prej këtyre burrave e grave me besim të fortë, flitet në kapitullin e 11-të të letrës drejtuar hebrenjve. Por te «të drejtët» futen edhe shërbëtorët e Jehovait që vdesin në ditët tona. Pra, falë shpresës së ringjalljes, mund të çlirohemi nga frika e vdekjes.Hebrenjve 2:15.

19. Cilët janë «të padrejtët» dhe çfarë mundësie u jep Jehovai me dashamirësi?

 19 Po gjithë ata njerëz që nuk i shërbyen e nuk iu bindën Jehovait, sepse nuk dinin gjë për të? Këta miliarda ‘të padrejtë’ nuk do të harrohen. Edhe ata do të ringjallen e do t’u lihet kohë që të mësojnë për Perëndinë e vërtetë dhe t’i shërbejnë atij. Gjatë një periudhe njëmijëvjeçare, të vdekurit do të ringjallen e do t’u jepet mundësia që t’i shërbejnë edhe ata Jehovait, bashkë me njerëzit besnikë që janë në tokë. Do të jetë një kohë e mrekullueshme. Kjo është periudha që Bibla e quan Dita e Gjykimit. *

20. Çfarë është Gehena dhe kush shkon atje?

20 A do të thotë kjo se do të ringjallet çdo njeri që ka jetuar? Jo. Bibla thotë se disa të vdekur janë në «Gehenë». (Luka 12:5) Gehena e ka marrë emrin nga një vend ku grumbulloheshin plehrat, jashtë Jerusalemit të lashtë. Aty digjeshin plehrat dhe trupat e njerëzve a të kafshëve që kishin vdekur. Ata të vdekur që hidheshin aty, konsideroheshin nga judenjtë si të padenjë për t’i varrosur dhe për ringjallje. Prandaj, Gehena është simbol i përshtatshëm i shkatërrimit të përhershëm. Ndonëse Jezui do të marrë pjesë në gjykimin e të gjallëve dhe të të vdekurve, Gjykatësi suprem është Jehovai. (Veprat 10:42) Ai nuk do t’i ringjallë kurrë ata që i gjykon të ligj e që s’duan të ndryshojnë.

RINGJALLJA QIELLORE

21, 22. (a) Ç’lloj tjetër ringjalljeje ka? (b) Kush ishte i pari që u ringjall si krijesë frymore?

21 Bibla i referohet edhe një lloj tjetër ringjalljeje, ringjalljes si krijesë frymore në qiell. Në Bibël ka vetëm një shembull për këtë lloj ringjalljeje, shembulli i Jezu Krishtit.

22 Kur e vranë Jezuin këtu në tokë, Jehovai nuk e la Birin  e Tij besnik të qëndronte në varr. (Psalmi 16:10; Veprat 13:34, 35) Ai e ringjalli Jezuin, por jo më si njeri. Apostulli Pjetër shpjegon se Krishti ‘u vra në mish, por u ngjall në frymë’. (1 Pjetrit 3:18) Kjo ishte vërtet një mrekulli e pashoqe. Jezui ishte përsëri gjallë, por tani si një krijesë e fuqishme frymore. (1 Korintasve 15:3-6) Ai ishte i pari që pati këtë lloj ringjalljeje të lavdishme. (Gjoni 3:13) Por ama nuk do të ishte i fundit.

23, 24. Cilët e përbëjnë ‘kopenë e vogël’ të Jezuit dhe sa janë?

23 Pak para se të vdiste, Jezui u tha ithtarëve të tij besnikë se, pasi të shkonte në qiell, ‘do t’u përgatiste një vend’ atje. (Gjoni 14:2) Jezui i quajti «kope e vogël» ata që do të shkonin në qiell. (Luka 12:32) Sa veta do të jenë në këtë grup relativisht të vogël me të krishterë besnikë? Sipas Zbulesës 14:1, apostulli Gjon thotë: «Pashë Qengjin [Jezu Krishtin] që qëndronte në malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.»

24 Këta 144.000 të krishterë, ku bëjnë pjesë edhe apostujt besnikë të Jezuit, ringjallen në jetën qiellore. Kur ndodh ringjallja e tyre? Apostulli Pavël shkroi se do të ndodhte gjatë periudhës së pranisë së Krishtit. (1 Korintasve 15:23) Siç do të mësosh në kapitullin e nëntë, tani po jetojmë në këtë periudhë. Prandaj, ata pak veta që kanë mbetur nga të 144.000-të e që vdesin në ditët tona, ringjallen menjëherë në jetën në qiell. (1 Korintasve 15:51-55) Por, pjesa më e madhe e njerëzimit ka shpresën të ringjallet në të ardhmen, për të jetuar këtu në parajsën në tokë.

25. Çfarë do të shqyrtohet në kapitullin vijues?

25 Po, Jehovai do ta mundë me të vërtetë vdekjen armike, e cila do të zhduket një herë e përgjithmonë! (Isaia 25:8) Megjithatë, ndoshta ti pyet: ‘Çfarë do të bëjnë në qiell ata që ringjallen atje?’ Do të jenë pjesë e një qeverie të mrekullueshme qiellore, e Mbretërisë së Perëndisë. Në kapitullin vijues do të mësojmë më shumë për këtë qeveri.

^ par. 19 Për të ditur më shumë rreth Ditës së Gjykimit dhe mbi ç’bazë do të gjykohen njerëzit, të lutemi shih Shtojcën «Çfarë është Dita e Gjykimit?».