Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I PESTË

Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë

Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë
  • Çfarë është shpërblesa?

  • Si u sigurua?

  • Ç’dobi nxjerr ti prej saj?

  • Si mund ta tregosh mirënjohjen për shpërblesën?

1, 2. (a) Kur ka vërtet vlerë të madhe për ty një dhuratë? (b) Pse mund të thuhet që shpërblesa është dhurata më me vlerë që mund të marrësh?

CILA është dhurata më me vlerë që ke marrë ndonjëherë? Që të jetë e rëndësishme, një dhuratë nuk duhet të jetë medoemos e kushtueshme. Në fund të fundit, vlera e vërtetë e një dhurate nuk matet patjetër në para. Përkundrazi, një dhuratë merr vlerë të madhe për ty kur të bën të lumtur ose të plotëson një nevojë.

2 Ndër dhuratat që mund të shpresosh të marrësh, ka një dhuratë që është mbi gjithë të tjerat. Kjo është një dhuratë që vetë Perëndia ia ka bërë njerëzimit. Jehovai na ka dhënë shumë gjëra, por dhurata më e madhe është shpërblesa, që u sigurua kur Biri i tij, Jezu Krishti, flijoi jetën për ne. (Mateu 20:28) Siç do ta shohim në këtë kapitull, shpërblesa është dhurata më me vlerë që mund të marrësh, sepse mund të të bëjë jashtëzakonisht të lumtur dhe mund të plotësojë nevojat e tua më jetësore. Vërtet, shpërblesa është shprehja më e madhe e dashurisë që ka Jehovai për ty.

 ÇFARË ËSHTË SHPËRBLESA?

3. Çfarë është shpërblesa, e çfarë duhet të kuptojmë fillimisht, për të përcaktuar sa e çmuar është kjo dhuratë?

3 E thënë me dy fjalë, shpërblesa është mjeti që përdor Jehovai për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. (Efesianëve 1:7) Për të kapur kuptimin e këtij mësimi biblik, duhet të mendojmë edhe një herë për atë që ndodhi në kopshtin e Edenit. Vetëm pasi të kemi kuptuar se çfarë humbi Adami kur mëkatoi, mund të përcaktojmë pse shpërblesa është një dhuratë kaq e çmuar për ne.

4. Çfarë do të thotë që Adami kishte jetën e përsosur njerëzore?

4 Kur krijoi Adamin, Jehovai i dha diçka vërtet të çmuar, jetën e përsosur. Mendo pak se çfarë donte të thoshte kjo për Adamin. Duke pasur trup dhe mendje të përsosur, ai kurrë nuk do të sëmurej, nuk do të plakej e nuk do të vdiste. Si njeri i përsosur, ai kishte një marrëdhënie të veçantë me Jehovain. Bibla thotë se Adami ishte një «bir i Perëndisë». (Luka 3:38) Pra, Adami kishte një lidhje të ngushtë me Perëndinë Jehova, si lidhja që mund të ketë një djalë me babanë e vet të dashur. Jehovai komunikonte me Adamin, me këtë bir njerëzor, duke i caktuar punë të kënaqshme dhe duke i bërë të ditur se çfarë priste prej tij.Zanafilla 1:28-30; 2:16, 17.

5. Çfarë do të thotë Bibla kur shpjegon se Adami u bë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»?

5 Adami u bë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë». (Zanafilla 1:27) Kjo nuk do të thoshte se i ngjante Perëndisë nga pamja e jashtme. Siç kemi mësuar në kapitullin e parë të këtij libri, Jehovai është person frymor i padukshëm. (Gjoni 4:24) Prandaj nuk ka trup prej mishi e gjaku. Fakti që Adami u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, donte të thoshte që u krijua me ato cilësi që ka Perëndia, ku përfshihen: dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia. Adami ishte si Ati i tij edhe në një kuptim tjetër të rëndësishëm: ishte me vullnet  të lirë. Kështu, Adami s’ishte si një robot, që mund të kryejë vetëm gjërat për të cilat e kanë projektuar ose programuar. Jo, përkundrazi, ai mund të merrte vetë vendime, të zgjidhte ndërmjet së drejtës dhe së gabuarës. Po të kishte zgjedhur t’i shërbente Perëndisë, do të kishte jetuar përgjithmonë në Parajsë në tokë.

6. Çfarë humbi Adami kur shkeli urdhrin e Perëndisë dhe si ndikoi kjo te pasardhësit e tij?

6 Pra, është e qartë, kur Adami shkeli urdhrin e Perëndisë dhe u dënua me vdekje, e pagoi shtrenjtë gabimin. Mëkati i kushtoi jetën e përsosur, bashkë me të mirat e kësaj jete. (Zanafilla 3:17-19) Mjerisht, Adami e humbi këtë jetë të çmuar jo vetëm për vete, por edhe për pasardhësit që do të kishte. Fjala e Perëndisë thotë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Të gjithë kemi trashëguar mëkatin nga Adami. Kështu, Bibla thotë se ai ‘shiti’ veten dhe pasardhësit e tij si skllevër të mëkatit e të vdekjes. (Romakëve 7:14) Për Adamin dhe për Evën s’kishte asnjë shpresë, sepse vendosën me dëshirë të mos i bindeshin Perëndisë. Po për pasardhësit e tyre, ku përfshihemi edhe ne, a kishte shpresë?

7, 8. Cilat janë dy gjërat që nënkupton kryesisht shpërblesa?

7 Jehovai i erdhi në ndihmë njerëzimit duke siguruar shpërblesën. Çfarë mund të jetë një shpërblesë? Shpërblesa lidhet kryesisht me dy gjëra. Së pari, shpërblesa është një çmim që paguhet për të çliruar ose për të blerë përsëri diçka. Mund të krahasohet me shumën e parave që paguajnë prindërit për të çliruar fëmijët që ua kanë marrë peng. Së dyti, shpërblesa është çmimi që paguhet për të mbuluar ose për të shlyer koston e diçkaje. Është pak a shumë si shpërblimi që paguhet për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga ndonjë aksident. Shkaktari i aksidentit  duhet të paguajë një sasi parash që është e barabartë me vlerën e dëmit të shkaktuar.

8 Si do të arrihej të mbulohej dëmi i jashtëzakonshëm që na shkaktoi Adami, që të çliroheshim nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes? Le të shqyrtojmë shpërblesën që siguroi Jehovai dhe ç’domethënie mund të ketë për ty.

SI E SIGUROI JEHOVAI SHPËRBLESËN?

9. Çfarë lloj shpërblese kërkohej?

9 Meqë jeta që humbi Adami ishte e përsosur, asnjë jetë e papërsosur s’mund të mjaftonte për ta blerë përsëri atë. (Psalmi 49:7, 8) Nevojitej një shpërblesë me të njëjtën vlerë me atë jetë që kishte humbur. Kjo është në përputhje me parimin e drejtësisë së përsosur që gjendet në Fjalën e Perëndisë: «Do të jepet shpirt për shpirt.» (Ligji i përtërirë 19:21) Atëherë, çfarë mund ta mbulonte vlerën e shpirtit ose të jetës së përsosur që humbi Adami? ‘Shpërblesa përkatëse’ që kërkohej, ishte një tjetër jetë e përsosur njerëzore.1 Timoteut 2:6.

10. Si e siguroi Jehovai shpërblesën?

10 Si e siguroi Jehovai shpërblesën? Dërgoi në tokë një nga bijtë e tij të përsosur frymorë. Por Jehovai nuk zgjodhi rastësisht një krijesë frymore. Dërgoi atë që ishte më i çmuar për të, Birin e tij të vetëmlindur. (1 Gjonit 4:9, 10) Ky Bir pranoi me gatishmëri të linte vendin e tij në qiell. (Filipianëve 2:7) Siç e mësuam në kapitullin e mëparshëm, Jehovai kreu një mrekulli kur e kaloi jetën e këtij Biri nga qielli në barkun e Marisë. Me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë, Jezui lindi si njeri i përsosur dhe nuk ishte nën dënimin e mëkatit.Luka 1:35.

Jehovai e dha Birin e tij të vetëmlindur si shpërblesë për ne

11. Si ka mundësi që një njeri i vetëm të shërbente si shpërblesë për miliona veta?

11 Si ka mundësi që një njeri i vetëm të shërbente si shpërblesë për shumë veta, madje për miliona? Po mirë,  si ndodhi që miliona njerëz u bënë mëkatarë? Siç pamë, duke mëkatuar, Adami humbi jetën e përsosur e të çmuar njerëzore që zotëronte. Prandaj, s’mund t’ua jepte këtë jetë pasardhësve të tij. Në vend të kësaj, mund t’u jepte vetëm mëkatin dhe vdekjen. Jezui, të cilin Bibla e quan «Adami i fundit», kishte jetën e përsosur njerëzore, dhe nuk mëkatoi asnjëherë. (1 Korintasve 15:45) Në njëfarë kuptimi, Jezui zëvendësoi Adamin, me qëllim që të na shpëtonte. Duke flijuar ose duke dhënë jetën e tij të përsosur dhe duke iu bindur plotësisht Perëndisë, Jezui pagoi çmimin për të mbuluar mëkatin e Adamit. Kështu, Jezui u dha shpresë pasardhësve të Adamit.Romakëve 5:19; 1 Korintasve 15:21, 22.

12. Çfarë treguan vuajtjet e Jezuit?

12 Bibla i përshkruan me hollësi vuajtjet që duroi Jezui para se të vdiste. E rrahën pa mëshirë me kamxhik, e gozhduan mizorisht dhe vdiq në agoni në shtyllën e torturës. (Gjoni 19:1, 16-18, 30; Shtojca «Pse të krishterët e vërtetë nuk e përdorin kryqin në adhurim?») Pse ishte e nevojshme që Jezui të vuante kaq shumë? Në një kapitull tjetër të këtij libri, do të shohim se Satanai ka ngritur dyshimin nëse ka shërbëtorë njerëzorë të Jehovait që do t’i qëndrojnë besnikë Atij edhe në sprova. Duke qëndruar besnik, pavarësisht nga vuajtjet e mëdha, Jezui i dha përgjigjen më të mirë kësaj sfide të Satanait. Jezui tregoi se një njeri i përsosur që ka vullnet të lirë, mund t’i qëndrojë plotësisht besnik Perëndisë, çfarëdo gjëje të bëjë Djalli. Sa shumë duhet të jetë gëzuar Jehovai kur ka parë besnikërinë e Birit të tij të shtrenjtë!Proverbat 27:11.

13. Si u pagua shpërblesa?

13 Si u pagua shpërblesa? Ditën e 14-të të muajit nisan (sipas kalendarit judaik), në vitin 33 të e.s., Perëndia lejoi që të vritej Biri i tij i përsosur, që s’kishte bërë asnjë mëkat. Kështu, Jezui e flijoi jetën e tij të përsosur njerëzore «një  herë e mirë». (Hebrenjve 10:10) Ditën e tretë pasi Jezui kishte vdekur, Jehovai e riktheu prapë në jetë si krijesë frymore. Në qiell, Jezui i paraqiti Perëndisë vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore, që e flijoi si shpërblesë në këmbim të pasardhësve të Adamit. (Hebrenjve 9:24) Jehovai e pranoi vlerën e flijimit të Jezuit si shpërblesën e duhur për ta çliruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.Romakëve 3:23, 24.

Ç’DOBI NXJERR TI PREJ SHPËRBLESËS?

14, 15. Çfarë duhet të bëjmë që të «na falen mëkatet»?

14 Megjithëse jemi mëkatarë, mund të marrim bekime të pallogaritshme prej shpërblesës. Le të shqyrtojmë disa dobi që mund të kemi tani dhe në të ardhmen falë kësaj dhurate të madhe të Perëndisë.

15 Na falen mëkatet. Duke qenë se kemi trashëguar papërsosmërinë, na duhet të përpiqemi shumë për të bërë atë që është e drejtë. Të gjithë mëkatojmë në të folur a në veprime. Por, me anë të flijimit shpërblyes të Jezuit, mund të «na falen mëkatet». (Kolosianëve 1:13, 14) Megjithatë, për të pasur këtë falje, duhet të jemi vërtet të penduar. Gjithashtu, duhet t’i përgjërohemi me përulësi Jehovait, duke i kërkuar falje në bazë të besimit tonë në flijimin shpërblyes të Birit të tij.1 Gjonit 1:8, 9.

16. Çfarë na jep mundësi që ta adhurojmë Perëndinë me një ndërgjegje të pastër? Pse ka vlerë një ndërgjegje e tillë?

16 Kemi ndërgjegje të pastër para Perëndisë. Kur na vret ndërgjegjja për diçka, mund të biem fare lehtë në dëshpërim e të ndihemi të pavlerë. Por, duke na falur me anë të shpërblesës, Jehovai, me dashamirësi, na jep mundësinë që ta adhurojmë me një ndërgjegje të pastër, edhe pse jemi të papërsosur. (Hebrenjve 9:13, 14) Kjo bën të mundur që t’i flasim me lirshmëri Jehovait. Prandaj, mund t’i lutemi atij lirisht. (Hebrenjve 4:14-16) Kur mbajmë  një ndërgjegje të pastër, kemi paqe mendore, më shumë respekt për veten dhe jemi më të lumtur.

17. Çfarë bekimesh mund të kemi ngaqë Jezui vdiq për ne?

17 Kemi shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Te Romakëve 6:23 thuhet: «Paga që paguan mëkati është vdekja.» Pastaj shton: «Kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» Në kapitullin e tretë të këtij libri, folëm për bekimet që do të vijnë në parajsën e ardhshme tokësore. (Zbulesa 21:3, 4) Tërë këto bekime të ardhshme, përfshirë edhe jetën e përhershme me shëndet të përsosur, mund t’i kemi vetëm sepse Jezui vdiq për ne. Për të marrë këto bekime, duhet të tregojmë se e vlerësojmë dhuratën e shpërblesës.

SI MUND TA TREGOSH MIRËNJOHJEN TËNDE?

18. Pse duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait për dhuratën e shpërblesës?

18 Pse duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës Jehovait për shpërblesën? Ne e çmojmë edhe më shumë një dhuratë kur kuptojmë se atij që na e ka dhënë i është dashur kohë, përpjekje ose i është dashur të harxhojë për të. Na preket zemra kur kuptojmë se ajo dhuratë është shprehje e dashurisë së  sinqertë që ka ky njeri për ne. Shpërblesa është dhurata më e çmuar nga të gjitha, sepse, për ta siguruar atë, Perëndia bëri sakrificën më të madhe që mund të bëhej. «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur»,—thuhet te Gjoni 3:16. Shpërblesa është prova më e madhe e dashurisë së Jehovait. Është edhe provë e dashurisë së Jezuit, pasi ai e dha vullnetarisht jetën për ne. (Gjoni 15:13) Prandaj, dhurata e shpërblesës duhet të na bindë se Jehovai dhe Biri i tij na duan si individë.Galatasve 2:20.

Një mënyrë për të treguar se e çmon dhuratën e shpërblesës është duke mësuar më shumë për Jehovain

19, 20. Si mund ta tregosh se e çmon shpërblesën, këtë dhuratë nga Perëndia?

19 Por, si mund ta tregosh çmueshmërinë për shpërblesën, këtë dhuratë që të ka bërë Perëndia? Si fillim, bëj përpjekje për ta njohur më shumë Jehovain, Dhuruesin e Madh. (Gjoni 17:3) Studimi i Biblës me ndihmën e këtij botimi do të të ndihmojë për këtë. Sa më shumë njohuri të marrësh për Jehovain, aq më e thellë do të bëhet dashuria që ndien për të. Kjo dashuri do të të shtyjë pastaj që të dëshirosh t’i pëlqesh atij.1 Gjonit 5:3.

20 Trego se ke besim në flijimin shpërblyes të Jezuit. Për Jezuin thuhet: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme.» (Gjoni 3:36) Si mund të tregojmë se kemi besim te Jezui? Jo vetëm me fjalë. «Besimi pa vepra është i vdekur»,—thuhet te Jakovi 2:26. Po, besimi i vërtetë tregohet me ‘veprat’ që bëjmë. Një mënyrë se si tregojmë që kemi besim te Jezui, është duke bërë çmos për ta imituar, jo vetëm me fjalë, por edhe me veprimet tona.Gjoni 13:15.

21, 22. (a) Pse duhet të jemi të pranishëm në përkujtimin vjetor të Darkës së Zotërisë? (b) Çfarë do të shpjegohet në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë?

21 Ji i pranishëm për përkujtimin vjetor të Darkës së Zotërisë. Mbrëmjen e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui organizoi një ngjarje të veçantë që Bibla e quan ‘darka e Zotërisë’. (1 Korintasve 11:20; Mateu 26:26-28) Quhet ndryshe edhe  Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Këtë ngjarje Jezui e organizoi që t’i ndihmonte apostujt, si edhe gjithë të krishterët e vërtetë që do të vinin më pas, të kujtonin se, duke vdekur si njeri i përsosur, ai dha jetën e tij si shpërblesë. Për këtë darkë, Jezui urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» (Luka 22:19) Kur jemi të pranishëm gjatë Përkujtimit, na rikujtohet dashuria e madhe që treguan Jehovai dhe Jezui me anë të shpërblesës. Mund ta tregojmë çmueshmërinë për shpërblesën duke qenë të pranishëm në kremtimin vjetor të Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. *

22 Shpërblesa që siguroi Jehovai është vërtet një dhuratë që s’ka të çmuar. (2 Korintasve 9:14, 15) Kjo dhuratë mund të jetë me dobi edhe për ata që kanë vdekur. Në kapitullin e gjashtë dhe të shtatë do të shpjegohet se si.

^ par. 21 Për më shumë informacione rreth domethënies së Darkës së Zotërisë, shih Shtojcën «Darka e Zotërisë, një përkujtim që nderon Perëndinë