Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I GJASHTËMBËDHJETË

Merr anën e adhurimit të vërtetë

Merr anën e adhurimit të vërtetë
  • Çfarë mëson Bibla për përdorimin e shëmbëlltyrave?

  • Ç’pikëpamje kanë të krishterët për festat fetare?

  • Si t’ua shpjegosh bindjet e tua të tjerëve pa i fyer?

1, 2. Cilën pyetje duhet t’i bësh vetes pasi të jesh larguar nga feja e rreme? Pse mendon se kjo është e rëndësishme?

TA ZËMË se ke marrë vesh që e gjithë lagjja jote është ndotur, pasi dikush ka derdhur fshehurazi mbeturina helmuese në atë zonë. Tani është krijuar një gjendje kërcënuese për jetën. Çfarë do të bësh? Pa dyshim, po të mundesh, do të ikësh që aty. Por, edhe pas kësaj, do të të mbetej ende kjo pyetje e rëndësishme: ‘Mos jam helmuar gjë?’

2 Situata është e ngjashme edhe në fetë e rreme. Bibla mëson se adhurimi në këto fe është ndotur me mësime dhe praktika të papastra. (2 Korintasve 6:17) Ja pse është e rëndësishme që të dalësh nga «Babilonia e Madhe», domethënë perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 18:2, 4) A e ke bërë këtë? Nëse po, je për t’u lavdëruar. Por nuk mjafton vetëm të largohesh ose të japësh dorëheqjen nga një fe e rreme. Më pas duhet të pyesësh veten: ‘Mos më ka mbetur ndonjë gjurmë e adhurimit të rremë?’ Mendo për disa shembuj.

 SHËMBËLLTYRAT DHE ADHURIMI I TË PARËVE

3. (a) Çfarë thotë Bibla për përdorimin e shëmbëlltyrave? Pse disa mund ta kenë të vështirë të pranojnë pikëpamjen e Perëndisë? (b) Ç’duhet të bësh me gjërat që kanë lidhje me adhurimin e rremë?

3 Disa kanë pasur prej kohësh në shtëpi shëmbëlltyra ose altare. A ke edhe ti të tilla? Nëse po, ndoshta të duket e çuditshme ose e gabuar t’i lutesh Perëndisë pa përdorur këto gjëra të dukshme. Ndoshta je i lidhur edhe emocionalisht me to. Por është Perëndia që vendos si duhet ta adhurojmë, dhe Bibla mëson se ai nuk do që ne të përdorim shëmbëlltyra. (Dalja 20:4, 5; Psalmi 115:4-8; Isaia 42:8; 1 Gjonit 5:21) Pra, mund të marrësh anën e adhurimit të vërtetë duke shkatërruar gjërat e tua personale që kanë lidhje me adhurimin e rremë. Bëj çdo përpjekje që të arrish t’i shohësh siç i sheh Jehovai, si diçka «e pështirë».Ligji i përtërirë 27:15.

4. (a) Si e dimë se adhurimi i të parëve është i kotë? (b) Pse Jehovai ua ndaloi izraelitëve të merreshin me çfarëdo lloj okultizmi?

4 Në shumë fe të rreme është i zakonshëm edhe adhurimi i të parëve. Para se të mësonin të vërtetën e Biblës,  disa besonin se të vdekurit janë të vetëdijshëm e ndodhen në ndonjë botë të padukshme, që mund t’i ndihmojnë ose t’i dëmtojnë të gjallët. Ndoshta edhe ti bëje shumë përpjekje për të qetësuar të parët e vdekur. Por, siç mësove në kapitullin e gjashtë të këtij libri, të vdekurit nuk ekzistojnë asgjëkundi dhe nuk janë të vetëdijshëm. Prandaj, përpjekjet për të komunikuar me ta janë të kota. Çfarëdo mesazhi që gjoja vjen nga ndonjë i afërm i vdekur, në të vërtetë vjen nga demonët. Prandaj, Jehovai ua ndaloi izraelitëve të përpiqeshin të flitnin me të vdekurit ose të merrnin pjesë në ndonjë formë tjetër okultizmi.Ligji i përtërirë 18:10-12.

5. Çfarë mund të bësh, nëse në të kaluarën ke përdorur shëmbëlltyra në adhurim ose ke marrë pjesë në adhurimin e të parëve?

5 Çfarë mund të bësh, nëse më parë përdorje shëmbëlltyrat në adhurim ose merrje pjesë në adhurimin e të parëve? Lexo dhe medito rreth vargjeve të Biblës që tregojnë se cila është pikëpamja e Perëndisë për këto gjëra. Lutju përditë Jehovait për dëshirën tënde që të marrësh anën e adhurimit të vërtetë dhe kërkoji të të ndihmojë që të mendosh si ai.Isaia 55:9.

TË KRISHTERËT E HERSHËM NUK I FESTONIN KRISHTLINDJET

6, 7. (a) Përse i festojnë Krishtlindjet shumë veta, dhe a i festonin ithtarët e Jezuit në shekullin e parë? (b) Me çfarë kishin lidhje festat e ditëlindjeve në kohën e dishepujve të hershëm të Jezuit?

6 Adhurimi i dikujt mund të jetë ndotur nga feja e rreme për sa u përket festave tradicionale. Le të marrim, për shembull, Krishtlindjet. Supozohet se Krishtlindjet bëhen për të kujtuar lindjen e Jezu Krishtit dhe pothuajse çdo fe që e quan veten të krishterë, i feston. Megjithatë, s’ka asnjë provë se dishepujt e Jezuit në shekullin e parë bënin një festë të tillë. Libri Origjinat e shenjta të gjërave të thella (anglisht)  thotë: «Për dy shekuj pas lindjes së Krishtit, asnjëri nuk e dinte—dhe shumë pak vetave u interesonte—se kur kishte lindur me saktësi ai.»

7 Por, edhe sikur dishepujt e Jezuit ta kishin ditur me saktësi datën e lindjes së tij, nuk do ta kishin festuar. Pse jo? Sepse, sipas një enciklopedie (The World Book Encyclopedia), të krishterët e hershëm «e konsideronin një zakon pagan festimin e ditëlindjeve». Të vetmet festa ditëlindjesh që përmenden në Bibël ishin për dy sundimtarë që nuk adhuronin Jehovain. (Zanafilla 40:20; Marku 6:21) Festa ditëlindjesh bëheshin edhe për nder të hyjnive pagane. Për shembull, më 24 maj romakët festonin ditëlindjen e perëndeshës Diana. Një ditë më pas, festonin ditëlindjen e perëndisë-diell, Apolonit. Kështu, festat e ditëlindjeve kishin lidhje me paganizmin, jo me krishterimin.

8. Shpjego lidhjen midis festave të ditëlindjeve dhe besëtytnive.

8 Ka edhe një arsye tjetër pse të krishterët e shekullit të parë s’do ta kishin festuar ditëlindjen e Jezuit. Me siguri dishepujt e tij e dinin se festat e ditëlindjeve ishin të lidhura me besëtytnitë. Për shembull, shumë grekë dhe romakë të kohëve të lashta besonin se, për çdo njeri që lindte, një frymë e mbinatyrshme ishte e pranishme dhe e mbronte gjatë gjithë jetës. «Kjo frymë kishte lidhje magjike me perëndinë që kishte të njëjtën ditë lindjeje me individin»,—shpjegon libri Tradita e ditëlindjeve (anglisht). Sigurisht që Jehovai s’do të ishte i kënaqur me asnjë festë që do ta lidhte Jezuin me besëtytnitë. (Isaia 65:11, 12) Po mirë, atëherë, si ka mundësi që Krishtlindjet sot i festojnë kaq shumë njerëz?

ORIGJINA E KRISHTLINDJEVE

9. Pse u zgjodh 25 dhjetori si dita për të festuar lindjen e Jezuit?

9 Njerëzit filluan ta festonin lindjen e Jezuit më 25 dhjetor pasi kishin kaluar disa qindra vjet nga koha kur ai  jetoi në tokë. Por ajo nuk ishte dita e lindjes së Jezuit, sepse ai, nga sa duket, lindi në tetor. * Atëherë, pse u zgjodh 25 dhjetori? Disa, që më vonë thanë se ishin të krishterë, me sa duket «donin që kjo datë të përkonte me festën romake të ‘ditëlindjes së diellit të pamposhtur’». (The New Encyclopædia Britannica) Në dimër, kur dielli dukej shumë i dobët, paganët bënin ceremoni për ta nxitur këtë burim drite e ngrohtësie që të kthehej nga udhëtimet e tij të largëta. Data 25 dhjetor mendohej se ishte dita kur dielli niste rrugën e kthimit. Ngaqë donin t’i kthenin paganët në të krishterë, udhëheqësit fetarë e pranuan këtë festë dhe u përpoqën t’i jepnin një ngjyrim «të krishterë». *

10. Pse në të kaluarën disa njerëz nuk i festonin Krishtlindjet?

10 Origjina pagane e Krishtlindjeve është kuptuar dhe pranuar prej kohësh. Gjatë shekullit të 17-të, Krishtlindjet u ndaluan në Angli dhe në disa koloni amerikane, për shkak të origjinës së tyre jobiblike. Një njeri ndëshkohej me gjobë edhe vetëm po të rrinte në shtëpi ditën e Krishtlindjeve e të mos shkonte në punë. Por, s’kaloi shumë dhe zakonet e vjetra u rikthyen, e madje u shtuan edhe disa të tjera. Krishtlindjet u bënë përsëri festë e rëndësishme, e të tilla janë ende në shumë vende. Megjithatë, për shkak të lidhjeve që kanë Krishtlindjet me fenë e rreme, ata që duan t’i pëlqejnë  Perëndisë nuk e festojnë as këtë dhe as ndonjë festë tjetër që i ka rrënjët në adhurimin pagan. *

A KA VËRTET RËNDËSI ORIGJINA?

11. Pse i bëjnë festat disa njerëz, por cili duhet të jetë interesimi ynë kryesor?

11 Disa njerëz e pranojnë se festat si Krishtlindjet kanë origjinë pagane, po gjithsesi nuk mendojnë se është e gabuar të festohen. Fundja, shumica e njerëzve, kur bëjnë këto festa, nuk mendojnë për adhurimin e rremë. Raste të tilla u japin familjeve edhe mundësinë që të rrinë pak bashkë. A mendon edhe ti kështu? Nëse po, atëherë me siguri është dashuria që ke për familjen, jo dashuria për fenë e rreme, që ta bën të vështirë të marrësh anën e adhurimit të vërtetë. Por, të jesh i sigurt se Jehovai, i cili është krijuesi i familjes, dëshiron që ti të kesh marrëdhënie të mira me familjarët e tu. (Efesianëve 3:14, 15) Por, këto lidhje mund t’i forcosh në mënyra që Perëndia i miraton. Duke treguar se cili duhet të jetë interesimi ynë kryesor, apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.»Efesianëve 5:10.

A do ta haje një lëpirëse që ka rënë përtokë?

12. Ilustro pse duhet t’i shmangim zakonet dhe festat që kanë origjinë të papastër.

12 Ndoshta ti mendon se origjina e një feste s’ka të bëjë fare me arsyen pse festohet ajo sot. A ka vërtet rëndësi origjina? Po. Ja, ta ilustrojmë: ta zëmë se shikon një karamele ose lëpirëse të hedhur përtokë, në llucë. A do ta merrje nga toka e ta haje? Sigurisht që jo, sepse është e pistë. Ashtu si ajo karamele, festat mund të duken të dëshirueshme, por janë marrë nga vende të papastra. Për të marrë anën e adhurimit të vërtetë, duhet të kemi pikëpamjen e profetit Isaia, i cili u tha adhuruesve të vërtetë: «Mos prekni asgjë të papastër.»Isaia 52:11.

 TË KEMI AFTËSI DALLUESE NË MARRËDHËNIET ME TË TJERËT

13. Cilat vështirësi mund të lindin kur nuk i bën disa festa?

13 Mirëpo, kur ti vendos të mos i bësh disa festa, mund të lindin disa vështirësi. Për shembull, kolegët mund të të pyesin pse nuk merr pjesë në aktivitetet që bëjnë në vendin e punës me rastin e festave. Po sikur të të ofrojnë një dhuratë për Krishtlindje? A është e gabuar ta pranosh? Po nëse bashkëshorti ose bashkëshortja nuk ka të njëjtat bindje si ti? Çfarë mund të bësh për t’u siguruar se fëmijët e tu nuk ndihen të privuar, ngaqë nuk i festojnë ato festa?

14, 15. Çfarë mund të bësh nëse të urojnë për festat ose nëse dikush dëshiron të të japë një dhuratë?

14 Duhet të vësh në punë gjykimin, për të kuptuar si të veprosh në secilin rast. Nëse të uron për festat dikush që e takon rastësisht, mund t’i thuash thjesht faleminderit. Por, ta zëmë se ke të bësh me dikë që e takon ose punon çdo ditë. Në këtë rast, mund të vendosësh të thuash diçka më tepër. Por, në çdo rast, fol me takt. Bibla këshillon: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir dhe e ndrequr me kripë, që të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:6) Bëj kujdes të mos sillesh pa respekt me të tjerët. Shpjegoju me takt cili është qëndrimi yt. Bëju të qartë se nuk je kundër dhuratave ose që njerëzit të mblidhen bashkë, por të pëlqen t’i bësh këto gjëra në ndonjë periudhë tjetër.

15 Po në qoftë se dikush dëshiron të të japë një dhuratë? Varet shumë nga rrethanat. Ndoshta ai që të jep dhuratën, të thotë: «E di që ti nuk e feston këtë festë. Megjithatë, dua të të jap këtë.» Ti mund të arsyetosh se, të marrësh një dhuratë në rrethana të tilla, nuk është njësoj si të marrësh pjesë në festë. Sigurisht, nëse ai që dëshiron të të japë dhuratën nuk i njeh bindjet e tua, mund t’i përmendësh që nuk e feston këtë festë. Kjo do të shpjegojë pse ti vetë e pranon dhuratën, por ama, nuk jep dhurata në këtë rast. Nga ana  tjetër, do të ishte më mirë të mos e pranoje një dhuratë, në qoftë se jepet me synimin e qartë për të treguar se ti nuk u qëndron besnik bindjeve të tua ose që i shkel ato kur bëhet fjala për përfitime materiale.

SI TË SILLESH ME FAMILJARËT?

16. Si mund të sillesh me takt kur bëhet fjalë për festat?

16 Po kur familjarët nuk kanë të njëjtat bindje si ti? Edhe në këtë rast duhet të sillesh me takt. S’ka nevojë të bësh shamatë për çdo zakon ose festë që duan të festojnë të afërmit e tu. Më mirë, respekto të drejtën e tyre për të pasur pikëpamjet personale, ashtu siç dëshiron që ata të respektojnë të drejtën tënde për të pasur pikëpamjet e tua. (Mateu 7:12) Shmangi veprimet që do të të bënin pjesëmarrës në atë festë. Megjithatë, ji i arsyeshëm kur bëhet fjalë për gjëra që nuk nënkuptojnë se ti vetë po feston. Sigurisht, duhet të veprosh gjithmonë në një mënyrë që do të të lërë me ndërgjegje të pastër.1 Timoteut 1:18, 19.

17. Si t’i ndihmosh fëmijët që të mos ndihen të privuar kur shohin të tjerët që po festojnë festa?

17 Ç’mund të bësh, që fëmijët e tu të mos ndihen të privuar ngaqë nuk festojnë festat jobiblike? Shumë varet nga gjërat që bëni në periudha të tjera gjatë vitit. Disa prindër përcaktojnë vetë disa periudha për t’u dhënë dhurata fëmijëve. Një nga dhuratat më të mira që mund t’u japësh fëmijëve është koha dhe kujdesi i dashur.

NDIQ ADHURIMIN E VËRTETË

Do të jesh vërtet i lumtur po të ndjekësh adhurimin e vërtetë

18. Si mund të të ndihmojë ndjekja e mbledhjeve të krishtere që të marrësh anën e adhurimit të vërtetë?

18 Për t’i pëlqyer Perëndisë, duhet të hedhësh poshtë adhurimin e rremë dhe të marrësh anën e adhurimit të vërtetë. Çfarë përfshin kjo? Bibla thotë: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë  zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Mbledhjet e krishtere janë raste të gëzueshme kur mund të adhurosh Perëndinë në mënyrën që miraton ai. (Psalmi 22:22; 122:1) Në këto mbledhje, të krishterët besnikë ‘inkurajojnë njëri-tjetrin’.Romakëve 1:12.

19. Pse është e rëndësishme t’u flasësh të tjerëve për gjërat që ke mësuar nga Bibla?

19 Një mënyrë tjetër se si mund të marrësh anën e adhurimit të vërtetë është t’u flasësh të tjerëve për gjërat që ke mësuar duke studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ka shumë njerëz që vërtet po «psherëtijnë e rënkojnë» për ligësitë që ndodhin sot në botë. (Ezekieli 9:4) Ndoshta njeh disa njerëz që ndihen kështu. Pse të mos u flasësh për shpresën tënde për të ardhmen, bazuar në Bibël? Kur shoqërohesh me të krishterët e vërtetë dhe u flet të tjerëve për të vërtetat e mrekullueshme biblike që ke mësuar, do të shohësh se çfarëdo dëshire që mund të të ketë mbetur në zemër lidhur me zakonet e adhurimit të rremë, do të venitet gradualisht. Të jesh i sigurt se do të jesh shumë i lumtur dhe do të marrësh shumë bekime, në qoftë se merr anën e adhurimit të vërtetë.Malakia 3:10.

^ par. 9 Edhe Saturnalet luajtën rol për zgjedhjen e 25 dhjetorit. Kjo festë për nder të perëndisë romake të të mbjellave, bëhej çdo vit më 17-24 dhjetor. Gjatë Saturnaleve bëheshin festime, ahengje dhe jepeshin dhurata.

^ par. 10 Për të ditur se ç’pikëpamje kanë të krishterët e vërtetë për festat e tjera tradicionale, shih Shtojcën «Si t’i konsiderojmë festat?».