Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I GJASHTË

Ku janë të vdekurit?

Ku janë të vdekurit?
  • Çfarë ndodh me njeriun kur vdes?

  • Pse vdesin njerëzit?

  • A na ngushëllon e vërteta për vdekjen?

1-3. Cilat pyetje bëjnë njerëzit për vdekjen? Ç’përgjigje japin fetë e ndryshme?

NJERËZIT i kanë pasur në mendje këto pyetje për mijëra e mijëra vjet. Janë pyetje të rëndësishme. Pavarësisht se cilët jemi ose ku jetojmë, përgjigjet na interesojnë të gjithëve.

2 Në kapitullin e mëparshëm, kemi shqyrtuar se si flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit hapi rrugën për të marrë jetën e përhershme. Pamë që Bibla parathotë se do të vijë një kohë kur «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:4) Por, ndërkohë, të gjithë njerëzit vdesin. «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin»,—tha mbreti i mençur Solomon. (Eklisiastiu 9:5) Ne përpiqemi të jetojmë sa më gjatë që të mundemi. Por, megjithatë, të gjithë e pyesim veten çfarë do të ndodhë me ne kur të vdesim.

3 Kur na vdesin njerëz të afërt, pikëllohemi shumë. Ndoshta pyesim: ‘Çfarë t’u ketë ndodhur atyre? A po vuajnë? A na ruajnë nga e keqja? A mund t’i ndihmojmë? A do t’i shohim prapë ndonjëherë?’ Fetë japin përgjigje të ndryshme për këto pyetje. Disa prej tyre mësojnë se po të bësh një jetë të ndershme, do të shkosh në qiell, kurse po të bësh një jetë të keqe, do të digjesh në një vend mundimesh. Fe të tjera mësojnë se kur vdesin, njerëzit kalojnë në një botë tjetër, që e quajnë bota e shpirtrave, dhe bashkohen me paraardhësit e tyre. Kurse disa fe të tjera mësojnë se të vdekurit  shkojnë për t’u gjykuar në një botë të nëndheshme dhe pastaj rimishërohen ose rilindin në një trup tjetër.

4. Mbi cilën ide themelore bazohen shumë mësime fetare për sa i përket vdekjes?

4 Të gjitha këto mësime fetare bazohen mbi një ide themelore: pra, që një pjesë e jona mbijeton pas vdekjes së trupit. Pothuajse në çdo fe, të lashtë ose të kohëve tona, mësohet se, në ndonjë mënyrë, ne vazhdojmë të jetojmë përgjithmonë, me aftësinë për të parë, për të dëgjuar dhe për të menduar. Po, si mund të ndodhë kjo? Shqisat tona, si edhe mendimet, janë që të gjitha të lidhura me veprimtarinë e trurit. Kur vdesim, truri nuk punon më. Kujtimet, ndjenjat dhe shqisat tona nuk vazhdojnë të funksionojnë të pavarura, në mënyrë enigmatike. Ato nuk mbijetojnë pas shpërbërjes së trurit.

ÇFARË NDODH VËRTET KUR NJERIU VDES?

5, 6. Çfarë mëson Bibla për gjendjen e të vdekurve?

5 Për Jehovain, Krijuesin e trurit, ajo që ndodh kur njeriu vdes, nuk është enigmë. Ai e di të vërtetën dhe në Fjalën e tij, në Bibël, e shpjegon gjendjen e të vdekurve. Mësimi i qartë i Biblës është: kur njeriu vdes, nuk ekziston më. Vdekja është e kundërta e jetës. Të vdekurit nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe nuk mendojnë. Asnjë pjesë e jona nuk mbijeton pas vdekjes së trupit. Ne nuk kemi një shpirt ose frymë të pavdekshme. *

Ku shkoi flaka?

6 Pasi komentoi se të gjallët e dinë që do të vdesin, Solomoni shkroi: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Pastaj e shpjegoi edhe më tej këtë të vërtetë themelore, duke thënë se të vdekurit nuk kanë më mundësi as të duan, as të urrejnë, dhe «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në [varr]». (Eklisiastiu 9:5, 6, 10) Po  kështu, Psalmi 146:4 thotë se, kur njeriu vdes, ‘mendimet e tij marrin fund’. Ne jemi të vdekshëm dhe asnjë pjesë e jona nuk mbijeton pas vdekjes. Jeta që kemi është si flaka e një qiriri. Kur shuajmë qiririn, flaka nuk shkon gjëkundi, thjesht nuk ekziston më.

ÇFARË THA JEZUI PËR VDEKJEN?

7. Si e shpjegoi Jezui vdekjen?

7 Jezu Krishti foli për gjendjen e të vdekurve. Këtë e bëri në rastin e vdekjes së Lazarit, të cilin ai e njihte mirë. Jezui u tha dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë.» Dishepujt menduan se Jezui donte të thoshte që Lazari po flinte, për të marrë veten nga ndonjë sëmundje. Por e kishin gabim, sepse Jezui u shpjegoi: «Lazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11-14) Siç e shohim, Jezui e krahasoi vdekjen me pushimin dhe me gjumin. Lazari s’ishte as në qiell, as në ndonjë ferr të zjarrtë. As nuk ishte duke takuar engjëjt ose paraardhësit e tij. Lazari nuk po rilindte si një njeri tjetër. Ishte duke pushuar, në gjumin e vdekjes, si në një gjumë të thellë pa ëndrra. Ka edhe shkrime të tjera që e krahasojnë vdekjen me gjumin. Për shembull, kur dishepullin Stefan e vranë me gurë, Bibla thotë se ai «ra në gjumin e vdekjes». (Veprat 7:60) Po ashtu, apostulli Pavël shkroi për disa njerëz të ditëve të tij që kishin «rënë në gjumin e vdekjes».1 Korintasve 15:6.

Jehovai i bëri njerëzit që të jetojnë përgjithmonë në tokë

8. Si e dimë se nuk ishte qëllimi i Perëndisë që njerëzit të vdisnin?

8 A kishte si qëllim Perëndia që njerëzit të vdisnin? Aspak! Jehovai e bëri njeriun që të jetonte përgjithmonë në tokë. Siç kemi mësuar në kapitujt e mëparshëm, Perëndia e vuri çiftin e parë njerëzor në një parajsë të mrekullueshme  dhe i bekoi me shëndet të përsosur. Jehovai u donte vetëm të mirën. A do të donte një prind i dashur që fëmijët e tij të provonin vuajtjet e plakjes dhe të vdekjes? Natyrisht që jo! Jehovai i donte fëmijët e tij dhe dëshironte që të kishin lumturi të pafund në tokë. Bibla thotë për njerëzit: «[Jehovai] ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre.» (Eklisiastiu 3:11) Perëndia na krijoi me dëshirën për të jetuar përgjithmonë dhe na ka dhënë mundësinë që kjo dëshirë të na plotësohet.

 PSE VDESIN NJERËZIT?

9. Çfarë kufizimi i vuri Jehovai Adamit? Pse ky urdhër nuk ishte i vështirë për t’iu bindur?

9 Po atëherë, pse vdesin njerëzit? Për të gjetur përgjigjen, duhet të shqyrtojmë se çfarë ndodhi kur në tokë jetonte vetëm burri dhe gruaja e parë. Bibla shpjegon: «Perëndia Jehova bëri të mbinte nga toka çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim.» (Zanafilla 2:9) Por kishin vetëm një kufizim. Jehovai i tha Adamit: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:16, 17) Ky s’ishte ndonjë urdhër i vështirë për t’iu bindur. Kishte shumë pemë të tjera prej të cilave Adami dhe Eva mund të hanin. Por, tani iu dha një mundësi e veçantë që të tregonin mirënjohjen për Atë që u kishte dhënë gjithçka, përfshirë edhe jetën e përsosur. Gjithashtu, duke u bindur, do të tregonin se e respektonin autoritetin e Atit të tyre qiellor dhe se donin që ai t’i drejtonte e të kujdesej për ta.

10, 11. (a) Si ndodhi që çifti i parë njerëzor nuk iu bind Perëndisë? (b) Pse ishte diçka serioze mosbindja e Adamit dhe Evës?

10 Mjerisht, çifti i parë njerëzor vendosi të mos i bindej Jehovait. Duke folur nëpërmjet një gjarpri, Satanai e pyeti Evën: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Eva iu përgjigj: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, që të mos vdisni.’»Zanafilla 3:1-3.

11 Satanai ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:4, 5) Satanai donte që Eva të besonte se do të ishte në të mirë të saj, po të hante nga fryti i  ndaluar. Sipas tij, ajo mund të vendoste vetë se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë ishte e gabuar; mund të bënte çfarë të donte. Veç kësaj, Satanai ngriti akuzën se Jehovai i kishte gënjyer për pasojat që do të kishin, po ta hanin frytin. Eva i besoi Satanait, mori nga fryti dhe hëngri. Pastaj i dha edhe të shoqit, kështu hëngri edhe ai. Nuk vepruan në padije. E dinin se po bënin pikërisht atë që Perëndia u kishte thënë të mos e bënin. Duke ngrënë nga fryti, shkelën me dashje një urdhër të thjeshtë dhe të arsyeshëm. Treguan përbuzje për Atin e tyre qiellor dhe për autoritetin e tij. Kjo mungesë respekti për Krijuesin e tyre të dashur ishte e pafalshme!

12. Çfarë ilustrimi mund të na ndihmojë që të kuptojmë si u ndie Jehovai, kur Adami dhe Eva dolën kundër tij?

 12 Ta ilustrojmë: ta zëmë se je prind, ke një fëmijë, e ke rritur dhe je kujdesur për të. Por, pastaj, ai ose ajo rebelohet kundër teje, duke treguar qartë se s’ka as dashuri, as respekt për ty. Si do të ndiheshe në këtë rast? Me siguri do të lëndoheshe shumë. Atëherë, mendo si duhet të jetë ndier Jehovai, kur Adami dhe Eva dolën kundër tij kaq hapur!

Adami erdhi nga pluhuri dhe u rikthye në pluhur

13. Çfarë do t’i ndodhte Adamit kur të vdiste, sipas fjalëve të Jehovait? Çfarë do të thotë kjo?

13 Jehovai s’kishte arsye pse t’i linte të jetonin përgjithmonë këta të pabindur, Adamin dhe Evën. Ata vdiqën, siç u kishte thënë se do të ndodhte. Nuk kaluan në ndonjë botë tjetër, por, thjesht, ekzistenca e tyre mori fund. Këtë e kuptojmë nga fjalët që Jehovai i tha Adamit pasi i kërkoi llogari për mosbindjen. Perëndia i tha: «[Do] të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Perëndia e kishte bërë Adamin nga pluhuri i tokës. (Zanafilla 2:7) Ai s’kishte ekzistuar më parë. Prandaj, kur tha se Adami do të kthehej në pluhur, Jehovai donte të thoshte se do të rikthehej në gjendje mosekzistence. Do të ishte i pajetë, si pluhuri nga i cili ishte krijuar.

14. Përse vdesin njerëzit?

14 Adami dhe Eva do të ishin gjallë sot, por vdiqën sepse zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë, pra mëkatuan. Arsyeja pse njerëzit vdesin është se kjo gjendje mëkatare e Adamit, si edhe vdekja, iu kalua gjithë pasardhësve të tij. (Romakëve 5:12) Ky mëkat është si një sëmundje e keqe e trashëguar, së cilës nuk i shpëton dot njeri. Pasoja që sjell, pra vdekja, është një mallkim. Vdekja nuk është një mike që e mirëpresim, ajo është një armike. (1 Korintasve 15:26) Duhet të jemi vërtet mirënjohës që Jehovai siguroi shpërblesën për të na çliruar nga kjo armike e tmerrshme!

 DOBITË QË VIJNË KUR DIMË TË VËRTETËN PËR VDEKJEN

15. Pse është ngushëlluese të dimë të vërtetën për vdekjen?

15 Ajo që mëson Bibla për gjendjen e të vdekurve na ngushëllon. Siç e kemi kuptuar, të vdekurit nuk vuajnë e nuk mundohen. S’ka arsye pse t’i kemi frikë, pasi nuk mund të na dëmtojnë. Të vdekurit nuk kanë nevojë për ndihmën tonë dhe, nga ana tjetër, ata s’mund të na ndihmojnë. Nuk mund të flasim me ta dhe, po ashtu, ata s’mund të flasin me ne. Më kot pohojnë shumë udhëheqës fetarë se mund t’i ndihmojnë ata që kanë vdekur dhe më kot u japin para ata që i besojnë. Por, kur dimë të vërtetën për vdekjen, jemi të mbrojtur, nuk na mashtrojnë njerëzit që mësojnë gënjeshtra të tilla.

16. Kush ka ndikuar në mësimet e shumë feve dhe si e ka bërë këtë?

16 A thotë feja jote të njëjtën gjë që mëson Bibla për gjendjen e të vdekurve? Shumë fe nuk thonë të njëjtën gjë. Pse jo? Sepse në mësimet e tyre ka ndikuar Satanai. Ai e përdor fenë e rreme për t’i bërë njerëzit të besojnë se, pasi të vdesë trupi, do të vazhdojnë të jetojnë në të ashtuquajturën botë të shpirtrave. Kjo është një gënjeshtër që Satanai e ndërthur me gënjeshtra të tjera, për t’i larguar njerëzit nga Perëndia Jehova. Si e bën këtë?

17. Pse mësimi i mundimit të përjetshëm nuk i sjell lavdi Jehovait?

17 Siç lexuam më parë, disa fe mësojnë se një njëri që bën një jetë të keqe, pas vdekjes shkon në një vend të zjarrtë për t’u munduar përjetësisht atje. Ky mësim nuk i sjell lavdi Perëndisë. Jehovai është Perëndi i dashurisë dhe kurrë nuk do t’i bënte njerëzit të vuanin kështu. (1 Gjonit 4:8) Ç’do të mendoje për një njeri që e ndëshkon fëmijën e vet të pabindur duke ia vënë duart në zjarr? A do ta respektoje këtë njeri? Për më tepër, a do të doje ta njihje? Absolutisht jo! Do të mendoje se është njeri mizor. E megjithatë, Satanai do që të na bëjë të besojmë se Jehovai i mundon përjetësisht njerëzit në një vend të zjarrtë!

18. Në cilën gënjeshtër bazohet adhurimi i të vdekurve?

 18 Satanai i përdor disa fe edhe për të mësuar që, pas vdekjes, njerëzit bëhen frymëra e duhen respektuar dhe nderuar nga të gjallët. Sipas këtij mësimi, frymërat e të vdekurve mund të bëhen ose miq të fuqishëm, ose armiq të betuar. Shumë njerëz e besojnë këtë gënjeshtër. Ata kanë frikë nga të vdekurit, prandaj i nderojnë dhe u përkulen atyre. Krejt ndryshe nga kjo, Bibla mëson se të vdekurit janë si në gjumë dhe se duhet të adhurojmë vetëm Perëndinë e vërtetë, Jehovain, Krijuesin dhe Burimin e gjithçkaje që kemi.Zbulesa 4:11.

19. Cilat mësime të tjera biblike kuptojmë më mirë kur dimë të vërtetën për vdekjen?

19 Kur di të vërtetën për gjendjen e të vdekurve, je i mbrojtur, nuk mashtrohesh më nga gënjeshtrat fetare. Kjo e vërtetë të ndihmon të kuptosh edhe mësime të tjera biblike. Për shembull, kur e kupton se, pas vdekjes, njerëzit nuk kalojnë në ndonjë të ashtuquajtur botë shpirtrash, premtimi i jetës së përhershme në një tokë parajsore merr kuptim të vërtetë për ty.

20. Cilën pyetje do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

20 Shumë kohë më parë, Jobi i drejtë pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» (Jobi 14:14) A mund të vijë prapë në jetë një njeri që është i pajetë dhe po fle në gjumin e vdekjes? Mësimi i Biblës për këtë argument është shumë ngushëllues, siç do ta shqyrtojmë në kapitullin vijues.

^ par. 5 Për shqyrtimin e fjalëve «shpirt» dhe «frymë», të lutemi shih Shtojcën «‘Shpirti’ dhe ‘fryma’: Ç’kuptim kanë vërtet këto fjalë?».