Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I DHJETË

Krijesat frymore: Si ndikojnë te ne?

Krijesat frymore: Si ndikojnë te ne?
  • A i ndihmojnë engjëjt njerëzit?

  • Si kanë ndikuar te njerëzit krijesat e liga frymore?

  • A duhet t’i kemi frikë krijesat e liga frymore?

1. Pse duhet të mësojmë më shumë për engjëjt?

NORMALISHT, kur dëshiron të njohësh dikë, duhet të mësosh diçka për familjen e tij. Po kështu, ne që duam të njohim Perëndinë Jehova, duhet të njohim më shumë edhe familjen e tij qiellore, të përbërë nga engjëjt. Bibla i quan engjëjt «bijtë e Perëndisë». (Jobi 38:7) Atëherë, ç’vend zënë ata në qëllimin e Perëndisë? A kanë luajtur ndonjë rol në historinë njerëzore? A ndikojnë engjëjt në jetën tënde? Nëse po, si ndikojnë?

2. Kush i krijoi engjëjt dhe sa engjëj ka?

2 Në Bibël ka me qindra raste kur flitet për engjëjt. Le të shqyrtojmë disa raste të tilla, që të mësojmë diçka më shumë për ta. Kush i krijoi engjëjt? Te Kolosianëve 1:16 thuhet: «Me anë të tij [Jezu Krishtit] u krijua gjithçka në qiej dhe në tokë.» Prandaj, të gjitha krijesat frymore që quhen engjëj, u krijuan një për një nga Perëndia Jehova, me anë të Birit të tij të parëlindur. Sa engjëj ka? Bibla tregon se u krijuan qindra milionë engjëj dhe që të gjithë janë shumë të fuqishëm.Psalmi 103:20, Zbulesa 5:11.

3. Çfarë na tregon për engjëjt Jobi 38:4-7?

3 Fjala e Perëndisë, Bibla, na thotë se, kur u krijua toka, «gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim». (Jobi 38:4-7) Pra, engjëjt kanë ekzistuar shumë kohë përpara se  të krijoheshin njerëzit, madje edhe më parë se të krijohej toka. Këto vargje të Biblës na tregojnë edhe se engjëjt kanë ndjenja, sepse thonë që ata «lëshonin tok britma hareje». Pra shohim se «gjithë bijtë e Perëndisë» ishin tok e po ngazëllonin. Në atë kohë, të gjithë engjëjt ishin një familje e bashkuar që i shërbente Perëndisë Jehova.

ENGJËJT MBROJNË DHE MBËSHTETIN

4. Si tregon Bibla që engjëjt besnikë janë të interesuar për atë që bëjnë njerëzit?

4 Që nga çasti kur panë krijimin e njerëzve të parë, krijesat frymore besnike kanë treguar shumë interes për familjen njerëzore që sa vinte e rritej, si edhe për plotësimin e qëllimit të Perëndisë. (Proverbat 8:30, 31; 1 Pjetrit 1:11, 12) Por ata panë se, me kalimin e kohës, shumica e njerëzve nuk po i shërbenin më Krijuesit të tyre të dashur. Pa dyshim që kjo i trishtoi engjëjt besnikë. Nga ana tjetër, sa herë që edhe një njeri i vetëm kthehet te Jehovai, ‘engjëjt gëzohen’. (Luka 15:10) Meqë engjëjt interesohen kaq shumë për mirëqenien e atyre që i shërbejnë Perëndisë Jehova, nuk habitemi që Ai i ka përdorur vazhdimisht për t’u dhënë forcë e për t’i mbrojtur shërbëtorët besnikë këtu në tokë. (Hebrenjve 1:7, 14) Shqyrto disa shembuj.

«Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve.»Danieli 6:22

5. Çfarë shembujsh gjejmë në Bibël për ndihmën që kanë dhënë engjëjt?

5 Dy engjëj e ndihmuan njeriun e drejtë Lot dhe vajzat e tij që të shpëtonin nga shkatërrimi i qyteteve të liga, Sodomës dhe Gomorrës, duke i nxjerrë nga ajo zonë. (Zanafilla 19:15, 16) Shekuj më vonë, profetin Daniel e hodhën në një gropë luanësh, por doli që andej shëndoshë e mirë dhe tha: «Perëndia im dërgoi engjëllin e tij dhe ua mbylli gojën luanëve.» (Danieli 6:22) Në shekullin e parë të erës sonë, një engjëll e çliroi nga burgu apostullin Pjetër. (Veprat 12:6-11) Gjithashtu, engjëjt e mbështetën Jezuin kur filloi  shërbimin këtu në tokë. (Marku 1:13) E pak kohë para se ai të vdiste, iu shfaq një engjëll dhe «e forcoi». (Luka 22:43) Sa duhet ta ketë ngushëlluar kjo Jezuin në ato çaste shumë të rëndësishme të jetës së tij!

6. (a) Si e mbrojnë engjëjt popullin e Perëndisë sot? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?

6 Sot engjëjt nuk u shfaqen më në mënyrë të dukshme shërbëtorëve të Perëndisë. Ndonëse njerëzit nuk mund t’i shohin, engjëjt e fuqishëm besnikë vazhdojnë ta mbrojnë popullin e Perëndisë, sidomos nga gjërat që mund të dëmtojnë marrëdhënien e tyre me të. Bibla thotë: «Engjëlli i Jehovait fushon përreth atyre që i frikësohen atij, dhe i çliron.» (Psalmi 34:7) Pse duhet të na ngushëllojnë këto fjalë? Sepse ekzistojnë disa krijesa të liga frymore që duan të na shkatërrojnë! Cilat janë këto? Si erdhën në ekzistencë? Si po përpiqen të na dëmtojnë? Për të kuptuar më shumë, le të shqyrtojmë shkurtimisht diçka që ndodhi në fillim të historisë njerëzore.

KRIJESA FRYMORE ARMIKE

7. Sa sukses pati Satanai për t’i larguar njerëzit nga Perëndia?

7 Siç mësuam në kapitullin e tretë të këtij libri, njërit prej engjëjve i lindi dëshira për të sunduar mbi të tjerët, e kështu u kthye kundër Perëndisë. Më vonë, ky engjëll u bë i njohur si Satana Djalli. (Zbulesa 12:9) Pasi mashtroi Evën, për afro 16 shekuj të tjerë, Satanai ia doli mbanë t’i largonte nga Perëndia pothuajse të gjithë, përveç disa njerëzve besnikë, siç ishin Abeli, Enoku dhe Noeja.Hebrenjve 11:4, 5, 7.

8. (a) Si u bënë demonë disa engjëj? (b) Çfarë u detyruan të bënin demonët, për të mbijetuar nga Përmbytja e ditëve të Noesë?

8 Në ditët e Noesë, pati edhe engjëj të tjerë që u rebeluan kundër Jehovait. Ata lanë vendin e tyre në familjen qiellore të Perëndisë, erdhën në tokë dhe morën trupa njerëzorë. Pse? Te Zanafilla 6:2 lexojmë: «Bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan  të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura. Kështu, nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën.» Por Perëndia Jehova nuk lejoi që të vazhdonin për shumë kohë veprimet e këtyre engjëjve dhe prishja e njerëzimit që erdhi si pasojë. Ai solli në tokë një përmbytje globale, ku u zhdukën të gjithë njerëzit e ligj dhe shpëtuan vetëm shërbëtorët e tij besnikë. (Zanafilla 7:17, 23) Kështu, engjëjt kryengritës ose ndryshe demonët, u detyruan të linin trupat njerëzorë dhe të ktheheshin në qiell si krijesa frymore. Ishin radhitur në anën e Djallit, i cili në këtë mënyrë u bë ‘sundimtari i demonëve’.Mateu 9:34.

9. (a) Çfarë ndodhi me demonët kur u kthyen në qiell? (b) Çfarë do të shqyrtojmë tani lidhur me demonët?

 9 Kur engjëjt e pabindur u kthyen në qiell, nuk mund të ishin më pjesë e familjes qiellore, siç nuk ishte edhe sundimtari i tyre, Satanai. (2 Pjetrit 2:4) Ndonëse tani s’marrin dot trupa njerëzorë, ata vazhdojnë të kenë një ndikim shumë të keq te njerëzit. Në fakt, me ndihmën e këtyre demonëve, Satanai po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9; 1 Gjonit 5:19) Në ç’mënyrë? Kryesisht demonët përdorin metoda që janë bërë enkas për t’i mashtruar njerëzit. (2 Korintasve 2:11) Të shqyrtojmë disa nga këto metoda.

SI MASHTROJNË DEMONËT?

10. Çfarë është spiritizmi?

10 Për t’i mashtruar njerëzit, demonët përdorin spiritizmin dhe forma të tjera okultizmi. Spiritizëm do të thotë të lidhesh me demonët, qoftë drejtpërdrejt, qoftë me anë të një mediumi ose ndërmjetësi njerëzor. Bibla e dënon spiritizmin dhe na paralajmëron që të rrimë larg çdo gjëje që ka lidhje me të. (Galatasve 5:19-21) Demonët e përdorin spiritizmin dhe okultizmin, ashtu siç përdorin peshkatarët karremin. Për të kapur peshqit, një peshkatar përdor karrema të ndryshëm. Po kështu, krijesat e liga frymore përdorin forma të ndryshme okultizmi për të kapur në rrjetën e tyre njerëzit.

11. Çfarë është falli e pse duhet ta shmangim?

11 Një lloj karremi që përdorin demonët është falli. Çfarë është falli? Është përpjekja për të zbuluar të ardhmen ose diçka të panjohur. Kjo mund të bëhet duke përdorur astrologjinë, letrat tarot, duke shikuar sferën, filxhanin e kafesë, vijat e pëllëmbës së dorës ose duke interpretuar ëndrrat për të gjetur ogure a shenja misterioze. Edhe pse shumë njerëz mendojnë se s’ka asgjë të keqe të merresh me fall, Bibla tregon se fallxhorët bashkëpunojnë me krijesat e liga frymore. Për shembull, te Veprat 16:16-18 përmendet «një demon falli» që i kishte dhënë  një vajze aftësinë për të ushtruar «zanatin e parashikimit». Por, pasi demoni doli prej saj, vajza e humbi këtë aftësi.

Demonët përdorin metoda të ndryshme për t’i mashtruar njerëzit

12. Pse është e rrezikshme të përpiqemi të komunikojmë me të vdekurit?

12 Një mënyrë tjetër se si i mashtrojnë demonët njerëzit është duke i shtyrë të komunikojnë me të vdekurit. Njerëzit që janë të hidhëruar për vdekjen e një njeriu të afërt, shpesh mashtrohen nga idetë e gabuara për të vdekurit. Ndonjë ndërmjetës njerëzor mund t’u japë informacione të veçanta ose t’u flasë me një zë që duket sikur është i atij që ka vdekur. Si pasojë, shumë njerëz binden se të vdekurit jetojnë ende dhe se, po të komunikojnë me ta, do t’u lehtësohet paksa hidhërimi. Megjithatë, kjo mënyrë ‘ngushëllimi’ është jo vetëm e rremë, por edhe e rrezikshme. Përse? Sepse demonët mund të imitojnë zërin e një të vdekuri dhe t’u japin ndërmjetësve njerëzorë informacione për atë që ka vdekur. (1 Samuelit 28:3-19) Për më tepër, siç mësuam në kapitullin e gjashtë, ata që vdesin nuk ekzistojnë më. (Psalmi 115:17) Prandaj kushdo «që pyet të  vdekurit», është mashtruar nga krijesat e liga frymore dhe po vepron në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 18:10, 11; Isaia 8:19) Kështu që, ki kujdes dhe shmange këtë karrem të rrezikshëm që përdorin demonët.

13. Çfarë kanë arritur të bëjnë shumë njerëz, që më parë jetonin me frikën e demonëve?

13 Krijesat e liga frymore nuk mjaftohen vetëm duke mashtruar, por edhe i frikësojnë njerëzit. Sot, Satanai dhe demonët e dinë se u ka mbetur vetëm ‘një periudhë kohe e shkurtër’ dhe më pas nuk do të mund të veprojnë më, prandaj janë bërë më të egër se kurrë. (Zbulesa 12:12, 17) Megjithatë, mijëra njerëz, të cilët më përpara jetonin me frikën e këtyre krijesave të liga frymore, kanë arritur të çlirohen nga kjo frikë. Si e kanë arritur këtë? Ç’mund të bëjë një njeri, edhe kur tashmë është përfshirë në spiritizëm a në okultizëm?

SI T’U REZISTOJMË KRIJESAVE TË LIGA FRYMORE?

14. Si mund të çlirohen njerëzit nga krijesat e liga frymore, siç bënë edhe të krishterët e shekullit të parë në Efes?

14 Bibla na tregon si t’u rezistojmë krijesave të liga frymore dhe si të çlirohemi prej tyre. Kemi shembullin e të krishterëve të shekullit të parë që jetonin në qytetin e Efesit. Disa prej tyre ishin marrë me magji para se të bëheshin të krishterë. Çfarë bënë, kur vendosën të hiqnin dorë nga kjo praktikë? Bibla thotë: «Mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve.» (Veprat 19:19) Duke i shkatërruar librat e magjisë, ata të krishterë të rinj lanë një shembull për njerëzit që dëshirojnë t’u rezistojnë krijesave të liga frymore sot. Ata që duan t’i shërbejnë Jehovait, duhet të heqin qafe çdo gjë që ka lidhje me spiritizmin a me format e tjera të okultizmit. Këtu futen librat, revistat, filmat, afishet dhe disqet e kasetat me muzikë, që nxitin praktika të tilla dhe i bëjnë të duken tërheqëse e të këndshme. Gjithashtu, këtu futen dhe hajmalitë ose sende të tjera që njerëzit i mbajnë me vete për t’u mbrojtur nga e keqja.1 Korintasve 10:21.

15. Çfarë duhet të bëjmë për t’u rezistuar forcave të liga frymore?

 15 Disa vjet pasi të krishterët në Efes kishin djegur librat e magjisë, apostulli Pavël u shkroi: «Ne kemi një përleshje . . . me forcat e liga frymore.» (Efesianëve 6:12) Demonët nuk ishin dorëzuar. Ata prapë donin të ushtronin kontroll mbi ta. Prandaj, ç’duhej të bënin tjetër këta të krishterë? Pavli u tha: «Mbi të gjitha, merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jeni në gjendje të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut [Satanait].» (Efesianëve 6:16) Sa më të madhe ta kemi mburojën tonë të besimit, aq më shumë do të mund t’u rezistojmë forcave të liga frymore.Mateu 17:20.

16. Si mund ta forcojmë besimin?

16 Po si e forcojmë besimin? Duke studiuar Biblën. Një mur mbrojtës do të jetë i qëndrueshëm vetëm po qe se themelet i ka të forta. Po kështu, besimi ynë do të jetë i qëndrueshëm po të ketë një bazë të fortë, domethënë njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në qoftë se e lexojmë dhe e studiojmë përditë Biblën, do të na forcohet gjithnjë e më shumë besimi. Si një mur i fortë, ky besim do të na mbrojë nga ndikimi i krijesave të liga frymore.1 Gjonit 5:5.

17. Cili hap është i nevojshëm për t’u rezistuar krijesave të liga frymore?

17 Cili ishte hapi tjetër që duhej të bënin të krishterët në Efes? Kishin nevojë për më shumë mbrojtje, sepse jetonin në një qytet që ishte plot me demonizëm. Prandaj, Pavli u tha që ‘të vazhdonin të luteshin në çdo rast në frymë dhe të bënin çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi’. (Efesianëve 6:18) Meqë edhe ne jetojmë në një botë plot me demonizëm, për t’u rezistuar krijesave të liga frymore, është e domosdoshme t’i lutemi me zjarr Jehovait që të na mbrojë. Natyrisht, në lutjet tona duhet të përdorim emrin e Jehovait. (Proverbat 18:10) Pra, duhet të vazhdojmë t’i lutemi Perëndisë që ‘të na çlirojë nga i ligu’, nga Satana Djalli. (Mateu 6:13) Jehovai do t’u përgjigjet këtyre lutjeve të zjarrta.Psalmi 145:19.

18, 19. (a) Pse mund të jemi të sigurt se do të fitojmë në luftën kundër krijesave të liga frymore? (b) Për cilën pyetje do të marrim përgjigje në kapitullin vijues?

 18 Krijesat e liga frymore janë të rrezikshme, por s’ka pse të jetojmë me frikën e tyre, në qoftë se i kundërvihemi Djallit dhe i afrohemi Perëndisë, duke bërë vullnetin e Tij. (Jakovi 4:7, 8) Fuqia e krijesave të liga frymore është e kufizuar. Në kohën e Noesë, ato u ndëshkuan dhe, në të ardhmen, i pret gjykimi përfundimtar. (Juda 6) Mos harro edhe se kemi mbrojtjen e engjëjve të fuqishëm të Jehovait. (2 Mbretërve 6:15-17) Këta engjëj interesohen thellësisht që ne t’u rezistojmë me sukses krijesave të liga frymore. Engjëjt e drejtë po na japin zemër që të ecim përpara. Prandaj, le të qëndrojmë pranë Jehovait dhe familjes së tij me krijesa frymore besnike. Gjithashtu, le të shmangim çdo lloj okultizmi e të zbatojmë gjithnjë këshillat e Fjalës së Perëndisë. (1 Pjetrit 5:6, 7; 2 Pjetrit 2:9) Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se do të fitojmë në luftën kundër krijesave të liga frymore.

19 Por, pse i ka lejuar Perëndia këto krijesa të liga frymore, si edhe ligësitë që u kanë shkaktuar kaq shumë vuajtje njerëzve? Përgjigjen për këtë pyetje do ta gjejmë në kapitullin tjetër.