Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SHTOJCA

Jezu Krishti—Mesia i premtuar

Jezu Krishti—Mesia i premtuar

PËR të na ndihmuar që të identifikojmë Mesinë, Perëndia Jehova frymëzoi shumë profetë të Biblës që të jepnin hollësi për lindjen, shërbimin dhe për vdekjen e këtij Çlirimtari të premtuar. Që të gjitha këto profeci biblike u përmbushën te Jezu  Krishti. Janë profeci jashtëzakonisht të sakta e të hollësishme. Për ta ilustruar, le të shqyrtojmë nja dy profeci që parathoshin ngjarje të lidhura me lindjen e me fëmijërinë e Mesisë.

Profeti Isaia paratha se Mesia do të ishte pasardhës i mbretit David. (Isaia 9:7) Dhe vërtet, Jezui lindi në linjën gjenealogjike të Davidit.Mateu 1:1, 6-17.

 Mikea, një profet tjetër i Perëndisë, paratha se ky fëmijë, së fundi, do të bëhej një sundimtar dhe se do të lindte në «Betlehem-Efratah». (Mikea 5:2) Në kohën kur lindi Jezui, në Izrael kishte dy qytete që quheshin Betlehem. Njëri ndodhej pranë Nazaretit, në pjesën veriore të vendit, kurse tjetri pranë Jerusalemit, në Jude. Betlehemi që ndodhej pranë Jerusalemit, më parë ishte quajtur Efratah. Jezui lindi në atë qytet, pikërisht siç ishte parathënë në profeci.Mateu 2:1.

Një profeci tjetër e Biblës parathoshte se Biri i Perëndisë do të thirrej që «nga Egjipti». Kur ishte fëmijë, Jezuin e çuan në Egjipt. E sollën përsëri nga Egjipti pasi vdiq Herodi, duke përmbushur kështu profecinë.Hozea 11:1; Mateu 2:15.

Në tabelën « Profecitë për Mesinë», shkrimet e renditura poshtë titullit «Profecia» përmbajnë hollësi që kanë të bëjnë me Mesinë. Krahasoji këto shkrime me ato që gjenden poshtë titullit «Përmbushja». Kjo do të ta forcojë edhe më shumë besimin se Fjala e Perëndisë është e vërtetë.

Kur të shqyrtoni këto shkrime, mbani parasysh se ato me natyrë profetike ishin shkruar qindra vjet para se të lindte Jezui. Vetë Jezui tha: «Të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbusheshin.» (Luka 24:44) Siç mund ta verifikosh në Biblën tënde, ato u përmbushën me të vërtetë, deri në hollësitë më të vogla!