Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SHTOJCA

Darka e Zotërisë, një përkujtim që nderon Perëndinë

Darka e Zotërisë, një përkujtim që nderon Perëndinë

TË KRISHTERËT kanë urdhrin të mbajnë Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, që quhet edhe ‘darka e Zotërisë’. (1 Korintasve 11:20) Po pse është kaq domethënëse? Kur dhe si duhet mbajtur?

Jezu Krishti e themeloi këtë darkë natën e Pashkës judaike, në vitin 33 të e.s. Pashka ishte një festë që mbahej një herë në vit, ditën e 14-të të muajit judaik të nisanit. Për të llogaritur këtë datë, me sa duket, judenjtë pritnin ekuinoksin e pranverës, kohë kur dita dhe nata janë pothuajse të barabarta, me nga 12 orë secila. Hëna e parë e re që ishte më afër ekuinoksit të pranverës, shënonte fillimin e muajit nisan. Pashka binte 14 ditë më vonë, pas perëndimit të diellit.

Pasi kremtoi Pashkën bashkë me apostujt dhe pasi largoi Judë Iskariotin, Jezui themeloi Darkën e Zotërisë. Ajo darkë zëvendësoi Pashkën judaike, prandaj duhet mbajtur vetëm një herë në vit.

Ungjilli sipas Mateut thotë: «Jezui mori një bukë dhe pasi e bekoi, e theu, ua dha dishepujve dhe u tha: ‘Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.’ Mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: ‘Pini të gjithë ju, sepse kjo përfaqëson  ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.’»Mateu 26:26-28.

Disa besojnë se Jezui e ktheu në kuptimin e mirëfilltë bukën në mishin e tij dhe verën në gjakun e tij. Por, kur u dha këtë bukë apostujve, trupi i tij ishte ende i pacenuar. A po hanin vërtet apostujt mishin e Jezuit dhe a po pinin gjakun e tij? Jo, sepse ky veprim do të ishte kanibalizëm dhe shkelje e ligjit të Perëndisë. (Zanafilla 9:3, 4; Levitiku 17:10) Sipas Lukës 22:20, Jezui tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.» A u bë ajo kupë në kuptimin e mirëfilltë ‘besëlidhja e re’? Kjo gjë do të ishte e pamundur, sepse besëlidhja është një marrëveshje, jo një objekt që mund ta prekësh.

Prandaj, si buka, ashtu edhe vera janë simbole. Buka simbolizon trupin e përsosur të Krishtit. Jezui përdori bukë që kishte mbetur nga darka e Pashkës. Ajo lloj buke bëhej pa maja. (Dalja 12:8) Në Bibël, majaja është përdorur shpesh për të simbolizuar mëkatin ose prishjen. Prandaj, buka përfaqëson trupin e përsosur që flijoi Jezui, një trup që ishte pa mëkat.Mateu 16:11, 12; 1 Korintasve 5:6, 7; 1 Pjetrit 2:22; 1 Gjonit 2:1, 2.

Vera e kuqe përfaqëson gjakun e Jezuit. Ky gjak bën të vlefshme besëlidhjen e re. Jezui tha se gjaku i tij do të derdhej «për faljen e mëkateve». Në këtë mënyrë, qeniet njerëzore mund të bëhen të pastra në sytë e Perëndisë Jehova dhe të hyjnë në besëlidhjen e re me Të. (Hebrenjve 9:14; 10:16, 17) Kjo besëlidhje ose marrëveshje u jep mundësi 144.000 të krishterëve besnikë që të shkojnë në qiell. Atje do të shërbejnë si mbretër e priftërinj për dobinë e gjithë njerëzimit.Zanafilla 22:18; Jeremia 31:31-33; 1 Pjetrit 2:9; Zbulesa 5:9, 10; 14:1-3.

Kush duhet të marrë nga këto simbole gjatë Përkujtimit? Logjikisht, nga buka e nga vera duhet të marrin vetëm ata që janë në besëlidhjen e re, pra që kanë shpresën të shkojnë në qiell. Fryma e shenjtë e Perëndisë i bind ata se janë zgjedhur për të qenë mbretër në qiell. (Romakëve 8:16) Ata janë  edhe në besëlidhjen që ka bërë Jezui me ta për një Mbretëri.Luka 22:29.

Po njerëzit që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në parajsë në tokë? Ata i binden urdhrit të Jezuit dhe janë të pranishëm gjatë Darkës së Zotërisë, por rrinë si vëzhgues duke treguar respekt, jo si pjesëmarrës. Një herë në vit, më 14 nisan, pas perëndimit të diellit, Dëshmitarët e Jehovait përkujtojnë Darkën e Zotërisë. Ndonëse në mbarë botën janë vetëm disa mijë veta që pohojnë se kanë shpresën qiellore, ky përkujtim është i çmuar për gjithë të krishterët. Është një rast kur të gjithë mund të meditojmë për dashurinë tejet të madhe që treguan Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti.Gjoni 3:16.