Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI I TRETË

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
  • Cili është qëllimi i Perëndisë për njerëzimin?

  • Çfarë akuze iu bë Perëndisë?

  • Si do të jetë në të ardhmen jeta në tokë?

1. Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

QËLLIMI që ka Perëndia për tokën është vërtet i mrekullueshëm. Jehovai dëshiron që toka të mbushet me njerëz të lumtur e me shëndet të mirë. Bibla thotë se ‘Perëndia mbolli një kopsht në Eden’ dhe «bëri të mbinte . . . çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim». Pasi krijoi burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën, Perëndia i vendosi në këtë shtëpi të mrekullueshme dhe u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15) Pra, qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzit të kishin fëmijë, të zgjeronin kufijtë e atij kopshti që ishte një parajsë, derisa e gjithë toka të bëhej e tillë, dhe të kujdeseshin për kafshët.

2. (a) Si e dimë se qëllimi i Perëndisë për tokën do të plotësohet? (b) Cilët njerëz do të jetojnë përgjithmonë, sipas asaj që thotë Bibla?

2 A mendon se do të vijë dita kur të përmbushet qëllimi i Perëndisë Jehova që njerëzit të jetojnë në një parajsë tokësore? Perëndia deklaron: «Unë e kam thënë . . . dhe unë do ta realizoj.» (Isaia 46:9-11; 55:11) Po, Perëndia do ta plotësojë se s’bën atë që ia vë vetes si qëllim! Ai thotë se «nuk e krijoi [tokën] më kot, por e formoi që të banohej». (Isaia 45:18) Ç’lloj njerëzish donte Perëndia që të jetonin në tokë? E për  sa kohë donte që të jetonin aty? Bibla përgjigjet: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»Psalmi 37:29; Zbulesa 21:3, 4.

3. Çfarë kushtesh të mjerueshme ka sot në tokë? Çfarë pyetjesh lindin nga kjo?

3 Natyrisht, kjo ende s’ka ndodhur. Sot për sot, njerëzit sëmuren dhe vdesin. Jo vetëm kaq, por edhe luftojnë e vrasin njëri-tjetrin. Diçka nuk shkoi siç duhej. Por, një gjë është e sigurt: Perëndia nuk kishte si qëllim që toka të ishte siç është sot! Çfarë ndodhi? Pse nuk është përmbushur qëllimi i Perëndisë? Asnjë libër historie i shkruar nga njerëzit s’mund të na thotë çfarë ndodhi, sepse problemet filluan në qiell.

ORIGJINA E ARMIKUT

4, 5. (a) Kush i foli në të vërtetë Evës, me anë të një gjarpri? (b) Si mund të bëhet hajdut një njeri që dikur ka qenë i ndershëm dhe i drejtë?

4 Libri i parë i Biblës thotë se në kopshtin e Edenit u shfaq një kundërshtar i Perëndisë. Ky përshkruhet si «gjarpri», por në të vërtetë s’ishte një kafshë. Libri i fundit i Biblës e identifikon si ai «që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». Quhet edhe «gjarpri i hershëm». (Zanafilla 3:1; Zbulesa 12:9) Ky engjëll, pra një krijesë e padukshme frymore mjaft e fuqishme, përdori një gjarpër për të folur me Evën, siç mund të bëjë sot me mjeshtëri dikush që e përdor zërin e tij për të krijuar idenë sikur po flet një kukull. Kjo krijesë frymore me siguri ishte e pranishme kur Perëndia e përgatiti tokën për t’u banuar nga njerëzit.Jobi 38:4, 7.

5 Por, meqë gjithçka që ka krijuar Jehovai është e përsosur, atëherë, kush e bëri këtë «Djall», këtë «Satana»? Thjesht, një nga bijtë e fuqishëm frymorë të Perëndisë u kthye vetë në Djall. Si ka mundësi kjo? Po edhe sot, një njeri që dikur ka  qenë i drejtë e i ndershëm mund të bëhet hajdut. Si ndodh një gjë e tillë? Ndoshta ky njeri lejon që në zemrën e tij të lindë e të rritet një dëshirë e gabuar. Në qoftë se gjithnjë e mban mendjen atje, kjo dëshirë e gabuar mund të bëhet shumë e fortë. Pastaj, sapo i paraqitet rasti, ai mund ta vërë në jetë dëshirën e gabuar që ka bluar në mendje.Jakovi 1:13-15.

6. Si ndodhi që një bir i fuqishëm frymor i Perëndisë u bë Satana Djall?

6 Kjo ndodhi edhe në rastin e Satana Djallit. Me sa duket, ai e dëgjoi Perëndinë tek i thoshte Adamit dhe Evës që të kishin fëmijë e ta mbushnin tokën me pasardhës. (Zanafilla 1:27, 28) ‘Po gjithë këta njerëz mund të më adhurojnë mua, jo Perëndinë!’—duhet të ketë menduar me siguri Satanai. Kështu, në zemrën e tij lindi një dëshirë e gabuar. S’kaloi shumë dhe ai veproi, duke e mashtruar Evën me gënjeshtra për Perëndinë. (Zanafilla 3:1-5) Në këtë mënyrë u bë «shpifës», që është kuptimi i fjalës greke të përkthyer «Djall». Në të njëjtën kohë, u bë «kundërshtar», që është kuptimi i fjalës hebraike të përkthyer «Satana».

7. (a) Pse vdiqën Adami dhe Eva? (b) Përse të gjithë pasardhësit e Adamit plaken dhe vdesin?

7 Me anë të gënjeshtrave e mashtrimeve, Satana Djalli i shtyu Adamin dhe Evën që të shkelnin urdhrin e Perëndisë. (Zanafilla 2:17; 3:6) Si pasojë, së fundi këta vdiqën, siç u kishte thënë Perëndia se do të ndodhte, po të mos bindeshin. (Zanafilla 3:17-19) Kur mëkatoi, Adami u bë i papërsosur, prandaj gjithë pasardhësit e tij trashëguan mëkatin. (Romakëve 5:12) Kjo mund të ilustrohet me një tavë që e përdorim për të pjekur bukë. Në qoftë se tava ka një gungë, ç’do të ndodhë me bukët që piqen në të? Çdo bukë do të ketë shenjën e gungës ose shenjën e papërsosmërisë. Po kështu, çdo njeri ka trashëguar një «shenjë» papërsosmërie nga Adami. Ja pse gjithë njerëzit plaken dhe vdesin.Romakëve 3:23.

8, 9. (a) Çfarë akuze ngriti, me sa duket, Satanai? (b) Pse Perëndia nuk i shfarosi menjëherë rebelët?

 8 Kur i shtyu Adamin dhe Evën që të mëkatonin kundër Perëndisë, në të vërtetë, Satanai nisi një rebelim. Ai po sfidonte mënyrën se si qeveriste Jehovai. Me fjalë të tjera, Satanai po thoshte: ‘Perëndia nuk është sundimtar i mirë. Ai thotë gënjeshtra dhe nuk ua jep të gjitha gjërat e mira  nënshtetasve të tij. Njerëzit s’kanë nevojë që t’i qeverisë Perëndia. Mund të vendosin vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Madje do të jenë më mirë po të jem unë sundimtar.’ Si do të vepronte Perëndia ndaj kësaj akuze shumë ofenduese? Disa mendojnë që Perëndia thjesht duhej t’i kishte shfarosur rebelët. Por, a do t’i kishte dhënë kjo përgjigje akuzës së Satanait? A do të kishte treguar se Perëndia qeveris në mënyrë të drejtë?

9 Për shkak të drejtësisë, që te Jehovai është e përsosur, ai nuk i shfarosi menjëherë rebelët. Vendosi të linte njëfarë kohe, e cila do të duhej për t’i dhënë përgjigje në mënyrë të plotë akuzës së Satanait dhe për të treguar se Djalli është gënjeshtar. Prandaj, Perëndia vendosi t’i lejonte njerëzit që të qeveriseshin vetë për ca kohë, nën ndikimin e Satanait. Arsyeja pse Jehovai veproi kështu dhe pse ka lejuar kaq shumë kohë para se të zgjidhte këto çështje, do të trajtohet në kapitullin e 11-të të këtij libri. Por, tani duhet të mendojmë për një gjë tjetër: A bënë mirë Adami dhe Eva që i besuan Satanait, i cili kurrë nuk kishte bërë ndonjë gjë të mirë për ta? A bënë mirë që besuan se Jehovai, i cili u kishte dhënë gjithçka që zotëronin, ishte një gënjeshtar keqdashës? Ti çfarë do të kishe bërë?

10. Si mund të marrësh anën e Jehovait dhe t’i japësh përgjigje akuzës së Satanait?

10 Është mirë të mendojmë për këto pyetje, sepse secili prej nesh ndeshet me të njëjtat çështje sot. Po, ke mundësinë të tregosh se je në anën e Jehovait, duke i dhënë përgjigje akuzës së Satanait. Mund ta pranosh Jehovain si Sundimtarin tënd dhe të ndihmosh për të treguar se Satanai është gënjeshtar. (Psalmi 73:28; Proverbat 27:11) Mjerisht, ndër miliarda njerëz që jetojnë në botë, vetëm pak veta kanë bërë këtë zgjedhje. Kjo bën të lindë një pyetje e rëndësishme: A mëson vërtet Bibla se këtë botë e sundon Satanai?

 KUSH E SUNDON KËTË BOTË?

Si do të mund t’ia ofronte Satanai Jezuit gjithë mbretëritë e botës, po të mos ishin të tijat?

11, 12. (a) Si e zbulon një tundim që iu bë Jezuit, se sundimtari i kësaj bote është Satanai? (b) Cilat janë disa prova të tjera se këtë botë e sundon Satanai?

11 Jezui nuk e vuri asnjëherë në dyshim se sundimtari i kësaj bote është Satanai. Ndoshta me anë të një mrekullie, Satanai i tregoi një herë Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». Pastaj, Satanai i premtoi: «Të gjitha këto do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» (Mateu 4:8, 9; Luka 4:5, 6) Të ndalemi pak këtu. A do të kishte qenë një tundim për Jezuin kjo ofertë, sikur Satanai të mos ishte sundimtari i këtyre mbretërive? Jezui nuk e mohoi që këto mbretëri ishin të Satanait. Do ta kishte bërë me siguri këtë, po të mos sundonte vërtet Satanai mbi to.

12 Është e qartë se Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm, Krijuesi i universit të mrekullueshëm. (Zbulesa 4:11) Por asgjëkundi në Bibël nuk thuhet që Perëndia Jehova të jetë sundimtari i kësaj bote, dhe kjo nuk thuhet as për Jezu Krishtin. Përkundrazi, Jezui e përshkroi në mënyrë specifike Satanain si «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Bibla madje e përshkruan Satana Djallin si ‘perëndinë e kësaj bote’. (2 Korintasve 4:3, 4) Apostulli Gjon shkroi për këtë kundërshtar ose Satana: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»1 Gjonit 5:19.

SI DO TË ZHDUKET BOTA E SATANAIT?

13. Pse kemi nevojë për një botë të re?

13 Çdo vit që kalon, bota bëhet një vend gjithnjë e më i rrezikshëm. Është mbushur plot me ushtri që luftojnë me njëra-tjetrën, me politikanë të pandershëm, me udhëheqës fetarë hipokritë e me kriminelë të regjur. E marrë si një e tërë, bota s’rregullohet më. Bibla tregon se po afrohet koha kur Perëndia do ta zhdukë këtë botë të ligë, gjatë luftës  së tij të Harmagedonit. Ajo do të zëvendësohet nga një bote e re dhe e drejtë.Zbulesa 16:14-16.

14. Kë ka zgjedhur Perëndia si Sundimtarin e Mbretërisë së Tij? Si ishte parathënë kjo?

14 Perëndia Jehova zgjodhi Jezu Krishtin që të jetë Sundimtari i Mbretërisë ose i qeverisë së Tij qiellore. Shumë kohë më parë, në Bibël ishte parathënë: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret . . . Princ i paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.» (Isaia 9:6, 7) Për këtë qeveri, Jezui i mësoi ithtarët e tij të luten: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Siç do ta shohim në kapitujt e ardhshëm të këtij libri, së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të shkatërrojë të gjitha qeveritë e kësaj bote dhe do t’i zëvendësojë ato. (Danieli 2:44) Pastaj, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një parajsë tokësore.

NJË BOTË E RE ËSHTË AFËR!

15. Çfarë është ‘toka e re’?

15 Bibla na siguron: «Sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13; Isaia 65:17) Nganjëherë, kur flet për ‘tokën’, Bibla e ka fjalën për njerëzit që jetojnë në tokë. (Zanafilla 11:1) Pra, ‘toka e re’ e drejtë është një shoqëri njerëzore që ka miratimin e Perëndisë.

16. Çfarë dhurate të mrekullueshme u jep Perëndia atyre që miraton? Çfarë duhet të bëjmë për të marrë këtë dhuratë?

16 Jezui premtoi se në botën e re që po vjen, njerëzit që kanë miratimin e Perëndisë, do të marrin si dhuratë «jetën e përhershme». (Marku 10:30) Hape Biblën, të lutem, te Gjoni 3:16 dhe 17:3, që të lexosh çfarë duhet të bëjmë për të marrë jetën e përhershme, sipas fjalëve të Jezuit. Tani, le të shqyrtojmë nga Bibla çfarë bekimesh do të kenë  në Parajsën e ardhshme tokësore, njerëzit që i plotësojnë kërkesat për të marrë këtë dhuratë të mrekullueshme nga Perëndia.

17, 18. Pse mund të jemi të sigurt që kudo në tokë do të ketë paqe e siguri?

17 Nuk do të ketë më ligësi, luftëra, krime e dhunë. «I ligu nuk do të jetë më. . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën.» (Psalmi 37:10, 11) Do të ketë paqe, sepse ‘Perëndia do t’i pushojë luftërat deri në skaj të dheut’. (Psalmi 46:9; Isaia 2:4) Në atë kohë, «i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë», domethënë përgjithmonë.Psalmi 72:7.

18 Adhuruesit e Jehovait do të jetojnë të sigurt. Kur izraelitët e kohëve biblike i bindeshin Perëndisë, jetonin të sigurt. (Levitiku 25:18, 19) Sa e mrekullueshme do të jetë koha kur të jetojmë edhe ne të sigurt në parajsë!Isaia 32:18; Mikea 4:4.

19. Si e dimë që në botën e re të Perëndisë do të ketë ushqim me bollëk?

19 Nuk do të ketë më mungesa ushqimi. Psalmisti këndoi: «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.» (Psalmi 72:16) Perëndia Jehova do t’i bekojë njerëzit e drejtë dhe «toka do të japë prodhimin e saj».Psalmi 67:6.

20. Pse mund të jemi të sigurt se e gjithë toka do të bëhet parajsë?

20 E gjithë toka do të bëhet parajsë. Në tokën që më parë ishte rrënuar nga njerëzit mëkatarë, do të ndërtohen shtëpi të reja e të bukura dhe kopshte të lulëzuara. (Isaia 65:21-24; Zbulesa 11:18) Dalëngadalë, ato pjesë që janë rregulluar do të zgjerohen derisa e gjithë toka të jetë e bukur dhe e frytshme si kopshti i Edenit. Perëndia nuk do të pushojë kurrë ‘së hapuri dorën, që të plotësojë dëshirën e çdo krijese’.Psalmi 145:16.

21. Si e dimë që do të ketë paqe mes njerëzve dhe kafshëve?

 21 Do të ketë paqe mes njerëzve dhe kafshëve. Kafshët e egra dhe ato shtëpiake do të ushqehen bashkë. As fëmija i vogël nuk do të ketë frikë nga kafshët që tani janë të rrezikshme.Isaia 11:6-9; 65:25.

22. Ç’do të ndodhë me sëmundjet?

22 Sëmundjet do të zhduken. Si Sundimtari i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, Jezui do të bëjë shumë më tepër shërime sesa bëri kur ishte në tokë. (Mateu 9:35; Marku 1:40-42; Gjoni 5:5-9) Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»Isaia 33:24; 35:5, 6.

23. Pse ringjallja do të na e gëzojë shumë zemrën?

23 Të vdekurit do të kthehen në jetë dhe do t’u jepet mundësia që të mos vdesin më kurrë. Të gjithë ata që tani janë në gjumin e vdekjes dhe që Perëndia i ka në kujtesë, do të vijnë prapë në jetë. Madje «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët».Veprat 24:15; Gjoni 5:28, 29.

24. Çfarë mendon për jetën në parajsën tokësore?

24 Sa e ardhme e bukur i pret ata që mësojnë për Krijuesin tonë të Madh, Perëndinë Jehova, dhe i shërbejnë atij! Jezui po fliste për këtë parajsë të ardhme, kur i premtoi keqbërësit që vdiq përkrah tij: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Është thelbësore të mësojmë më shumë për Jezu Krishtin, nëpërmjet të cilit do të arrihen këto bekime.