Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SHTOJCA

A lindi në dhjetor Jezui?

A lindi në dhjetor Jezui?

BIBLA nuk na thotë se kur lindi Jezui. Megjithatë, na jep arsye të forta për të nxjerrë si përfundim se nuk ka lindur në dhjetor.

Të mendojmë për kushtet e motit në atë periudhë të vitit në Betlehem, ku lindi Jezui. Muaji judaik i kislevit (që përkon me periudhën nëntor-dhjetor) ishte muaj i ftohtë e me shira. Muaji tjetër pas tij ishte tebethi (dhjetor-janar). Ky muaj kishte temperaturat më të ulëta të vitit dhe hera-herës kishte edhe reshje dëbore në zonat malore. Le të shohim se çfarë thotë Bibla për klimën e këtij rajoni.

Ezdra, një shkrimtar i Biblës, tregon se kislevi ishte vërtet një muaj me mot të ftohtë e me shira. Pasi thotë që një turmë ishte mbledhur në Jerusalem «në muajin e nëntë [kislev], ditën e njëzetë të muajit», Ezdra tregon se njerëzit ishin «duke u rrëqethur . . . për shkak të shirave». Për kushtet e motit në atë periudhë të vitit, vetë populli që ishte mbledhur, tha: «Është periudha e shirave, kështu që nuk është e  mundur të qëndrosh jashtë.» (Ezdra 10:9, 13; Jeremia 36:22) Pa dyshim, barinjtë e asaj zone do të siguroheshin që ata vetë dhe kopetë e tyre të mos rrinin më jashtë natën, kur afrohej dhjetori.

Mirëpo, Bibla thotë se natën kur lindi Jezui, në fusha kishte barinj që po ruanin kopetë. Madje Luka, një shkrimtar i Biblës, tregon se në atë kohë, barinjtë «jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre» pranë Betlehemit. (Luka 2:8-12) Vër re që barinjtë jetonin jashtë, jo vetëm sa i nxirrnin kopetë për të kullotur gjatë ditës. Ata i kishin nxjerrë kopetë e tyre në fushë natën. A përputhet ky përshkrim me motin e ftohtë e me shira të Betlehemit në dhjetor? Jo, nuk përputhet. Prandaj, rrethanat që shoqëruan lindjen e Jezuit tregojnë se nuk lindi në dhjetor. *

Në Fjalën e Perëndisë na thuhet me saktësi se kur vdiq Jezui, por nuk ka shumë të dhëna të drejtpërdrejta për kohën kur lindi ai. Kjo na sjell në mendje fjalët e mbretit Solomon: «Një emër është më i mirë se vaji i çmuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.» (Eklisiastiu 7:1) Prandaj, s’është për t’u habitur që Bibla jep shumë hollësi për shërbimin e për vdekjen e Jezuit, por jo shumë të dhëna për kohën kur lindi ai.

Kur lindi Jezui, barinjtë me kopetë e tyre ishin në fusha natën

^ par. 1 Për më shumë informacion, shiko librin Të arsyetojmë nga Shkrimet, faqet 133-136, botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.