Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI SHTATË

Ai «rritej me Jehovain»

Ai «rritej me Jehovain»

1, 2. Në ç’rrethana iu drejtua Samueli popullit të Izraelit, dhe pse e pa të nevojshme që t’i nxiste të pendoheshin?

SAMUELI e kishte ngulur vështrimin te fytyrat e popullit të tij. Ky njeri besnik, që kishte shërbyer për dekada si profet e gjykatës, e kishte mbledhur popullin në qytetin e Gilgalit. Sipas kalendarit të kohëve tona, ishte maj ose qershor. Tashmë stina e thatë kishte filluar. Fushat e arta me grurë ishin gati për korrje. Turmës nuk i ndihej zëri. Si do t’ia prekte zemrën Samueli?

2 Populli s’e kishte idenë sa e rëndë ishte situata. Kishin kërkuar me ngulm që të sundoheshin nga një mbret njerëzor. Nuk e kuptonin se kjo ishte shenjë mosrespekti të thellë ndaj Perëndisë së tyre, Jehovait, dhe profetit të tij. Në fakt, po hidhnin poshtë Jehovain si mbret. Si t’i nxiste Samueli që të pendoheshin?

Mund të mësojmë shumë nga fëmijëria e Samuelit se si të kemi besim te Jehovai, pavarësisht nga ndikimet e këqija

3, 4. (a) Pse e përmendi Samueli rininë e tij? (b) Pse është i dobishëm për ne sot besimi i Samuelit?

3 Samueli foli. «Unë jam plakur e zbardhur»,—i tha ai turmës. Flokët e thinjur u jepnin peshë fjalëve të tij. Më pas tha: «Kam ecur përpara jush që nga rinia ime e deri më sot.» (1 Sam. 11:14, 15; 12:2) Megjithëse i plakur, Samueli nuk e kishte harruar rininë. Kujtimet e atyre kohëve të hershme ishin ende të gjalla. Vendimet që kishte marrë kur ishte djalosh, e kishin çuar drejt një jete plot besim e përkushtim ndaj Perëndisë së tij, Jehovait.

4 Samuelit i ishte dashur të forconte dhe të ruante besimin, ndonëse herë pas here rrethohej nga njerëz pa besim dhe jobesnikë. Edhe sot është po aq e vështirë të forcojmë besimin, pasi jetojmë në një botë të shthurur e pa besim. (Lexo Lukën 18:8.) Le të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i Samuelit, duke filluar që nga djalëria e tij.

 «Djaloshi . . . shërbente përpara Jehovait»

5, 6. Çfarë kishte të pazakontë fëmijëria e Samuelit, por pse ishin të sigurt prindërit i tij se kujdesej dikush për të?

5 Samueli kishte kaluar fëmijëri të pazakontë. Pak pasi iu hoq gjiri, ndoshta kur ishte tre vjeç a disi më i madh, filloi një jetë në shërbim të Jehovait te tabernakulli i shenjtë në Shiloh, më se 30 kilometra larg shtëpisë së tij në Ramah. Prindërit, Elkanahu dhe Hana, ia kushtuan të birin Jehovait që t’i shërbente në një mënyrë të veçantë. Do të ishte nazire gjatë gjithë jetës. * A do të thoshte kjo se prindërit e braktisën dhe se nuk e donin më Samuelin?

6 Jo, aspak! Ata e dinin se në Shiloh kishte kush të kujdesej për djalin e tyre. Pa dyshim që kryeprifti Eli mbikëqyrte gjërat dhe Samueli punonte përkrah tij. Gjithashtu kishte disa gra që kryenin disa shërbime për tabernakullin, me sa duket në mënyrë të organizuar.​—Dal. 38:8; Gjyk. 11:34-40.

7, 8. (a) Si i jepnin prindërit Samuelit inkurajim të dashur vit pas viti? (b) Çfarë mund të mësojnë prindërit e sotëm nga prindërit e Samuelit?

7 Për më tepër, Hana dhe Elkanahu kurrë nuk e harruan të parëlindurin e tyre të dashur, lindja e të cilit ishte përgjigjja e një lutjeje. Hana i kishte kërkuar Perëndisë një bir duke i premtuar se do t’ia kushtonte atij që t’i bënte shërbim të shenjtë gjatë gjithë jetës. Çdo vit që e vizitonte, ajo i sillte Samuelit një petk të ri pa mëngë që ia kishte bërë për shërbimin në tabernakull. Pa dyshim që djaloshi kënaqej me ato vizita. Patjetër që merrte forcë nga inkurajimi dhe drejtimi i dashur i prindërve ndërsa i mësonin se çfarë privilegji ishte t’i shërbeje Jehovait në atë vend unik.

8 Prindërit sot mund të mësojnë shumë nga Hana dhe Elkanahu. Në përgjithësi, prindërit mundohen t’u sigurojnë fëmijëve vetëm nevojat materiale, duke shpërfillur kështu nevojat frymore. Prindërit e Samuelit vunë në radhë të parë gjërat frymore, dhe kjo ndikoi shumë te lloji i njeriut që u bë më vonë djali i tyre.​—Lexo Proverbat 22:6.

9, 10. (a) Përshkruaj tabernakullin dhe si ndihej Samueli i vogël për atë vend të shenjtë. (Shih edhe shënimin.) (b) Cilat përgjegjësi mund të ketë pasur Samueli dhe si mund ta imitojnë të rinjtë e sotëm shembullin i tij?

9 Mund ta përfytyrojmë djaloshin tek rritet dhe tek eksploron kodrat përreth Shilohut. Teksa shihte poshtë qytetin dhe luginën  që shtrihej në njërën anë të tij, ka mundësi që zemra t’i mbushej plot gëzim dhe krenari kur sytë i shkonin te tabernakulli i Jehovait. Ky tabernakull ishte vërtet vend i shenjtë. * I ndërtuar rreth 400 vjet më parë nën drejtimin e Moisiut, ishte e vetmja qendër e adhurimit të pastër të Jehovait në të gjithë botën.

10 Samueli u rrit plot dashuri për tabernakullin. Në tregimin që shkroi më vonë, lexojmë: «Djaloshi Samuel shërbente përpara Jehovait. Ai mbante veshur një efod liri.» (1 Sam. 2:18) Kjo veshje e thjeshtë pa mëngë me sa duket tregonte se Samueli ndihmonte priftërinjtë në tabernakull. Ndonëse nuk bënte pjesë në klasën priftërore, ndër detyrat e tij ishin të hapte në mëngjes dyert që çonin në oborrin e tabernakullit dhe t’i shërbente të moshuarit Eli. Edhe pse i pëlqenin shumë këto privilegje, me kalimin e kohës, zemra e tij e pafajshme u trazua. Në shtëpinë e Jehovait po ndodhte diçka shumë e rëndë.

Qëndron i pastër përballë shthurjes

11, 12. (a) Çfarë të mete kryesore shfaqën Hofni dhe Finehasi? (b) Ç’lloj ligësie dhe shthurjeje praktikonin në tabernakull Hofni dhe Finehasi? (Shih edhe shënimin.)

11 Që në moshë të re, Samueli pa me sytë e vet ligësi dhe shthurje të vërtetë. Eliu kishte dy bij, Hofnin dhe Finehasin. Tregimi i Samuelit thotë: «Bijtë e Eliut ishin njerëz pa pikë vlere, që s’donin t’ia dinin për Jehovain.» (1 Sam. 2:12) Të dyja mendimet në këtë varg shkojnë krah për krah. Hofni dhe Finehasi ishin «njerëz pa pikë vlere», fjalë për fjalë «bij të pavlefshmërisë», sepse nuk kishin respekt për Jehovain. Ata nuk i merrnin parasysh normat dhe kërkesat e tij të drejta. Kjo e metë ishte rrënja e të gjitha mëkateve të tjera.

12 Ligji i Perëndisë i përcaktonte qartë detyrat e priftërinjve dhe mënyrën si duhej t’i ofronin flijimet në tabernakull. Dhe kishte arsye të mira për këtë. Ato flijime përfaqësonin masat e Perëndisë për faljen e mëkateve që populli të ishte i pastër në sytë e tij dhe i denjë për bekimet dhe drejtimin e tij. Por, Hofni dhe  Finehasi bënin që priftërinjtë e tjerë t’i trajtonin blatimet pa pikë respekti. *

13, 14. (a) Si duhet të ketë ndikuar ligësia në tabernakull te njerëzit e sinqertë? (b) Si dështoi Eliu edhe si baba, edhe si kryeprift?

13 Përfytyro Samuelin e ri tek shqyente sytë nga abuzime të tilla të rënda që vazhdonin pa i ndrequr njeri. Sa veta do të ketë parë ai​—të varfër, të përulur dhe të shtypur—​t’i drejtoheshin tabernakullit të shenjtë me shpresën që të gjenin pak lehtësim dhe forcë frymore, por që largoheshin të zhgënjyer, të lënduar dhe të poshtëruar? Si u ndie ai kur mësoi se Hofni dhe Finehasi i shpërfillnin edhe ligjet e Jehovait për moralin seksual duke pasur marrëdhënie me disa gra që shërbenin në tabernakull? (1 Sam. 2:22) Mbase shpresonte se Eliu do të bënte diçka për të ndrequr situatën.

Samueli duhet të jetë trazuar tej mase nga ligësia e bijve të Eliut

14 Eliu ishte në pozitën më të mirë për t’u marrë me këtë problem që sa vinte e shtohej. Si kryeprift, ishte përgjegjës për atë që ndodhte në tabernakull. Si baba, kishte detyrimin t’i ndreqte bijtë e tij. Në fund të fundit, ata po i bënin dëm vetes dhe shumë të tjerëve në atë vend. Gjithsesi Eliu dështoi, qoftë si baba, qoftë si kryeprift. Ai vetëm sa u dha një qortim të lehtë bijve. (Lexo 1 Samuelit 2:23-25.) Por, ata kishin nevojë për një disiplinë shumë më të fortë. Po bënin mëkate aq të rënda sa të meritonin vdekjen.

15. Çfarë mesazhi të fortë i dërgoi Jehovai Eliut dhe si reagoi familja e Eliut ndaj këtij paralajmërimi?

15 Çështjet arritën deri në atë pikë sa Jehovai dërgoi ‘një njeri të Perëndisë’, një profet që nuk ia dimë emrin. Ky shkoi tek Eliu me një mesazh të fortë gjykimi. Jehovai i tha Eliut: «[Ti] vazhdon t’i nderosh bijtë e tu më shumë se mua.» Kështu, Perëndia paratha se bijtë e ligj të Eliut do të vdisnin brenda një dite dhe se familja e tij do të vuante shumë, madje do të humbiste pozitën e privilegjuar në klasën priftërore. A solli ndryshime në atë familje ky paralajmërim i fortë? Sipas tregimit, zemra e tyre nuk ndryshoi.​—1 Sam. 2:27–3:1.

16. (a) Cilat raporte lexojmë rreth përparimit të Samuelit të vogël? (b) A ta ngrohin zemrën këto raporte? Shpjego.

16 Si ndikoi te Samueli i vogël gjithë ajo shthurje? Herë pas  here në këtë tregim të errët ndritin rreze të forta drite, lajme të mira për rritjen dhe përparimin e Samuelit. Sill ndër mend se te 1 Samuelit 2:18 lexuam se «djaloshi Samuel shërbente përpara Jehovait» me besnikëri. Edhe në atë moshë të vogël, Samueli e përqendroi jetën te shërbimi i Perëndisë. Në vargun 21 të të njëjtit kapitull lexojmë diçka që na e ngroh edhe më shumë zemrën: «Djaloshi Samuel rritej me Jehovain.» Teksa rritej, lidhja me Atin qiellor u bë më e fortë. Një marrëdhënie e tillë personale me Jehovain është mbrojtja më e sigurt nga çdo lloj shthurjeje.

17, 18. (a) Si mund ta imitojnë shembullin e Samuelit të rinjtë e krishterë kur përballen me shthurjen? (b) Çfarë tregon që Samueli zgjodhi rrugën e drejtë?

17 Do të kishte qenë e lehtë për Samuelin të arsyetonte se, meqë kryeprifti dhe bijtë e vet i dorëzoheshin mëkatit, edhe ai mund të bënte ç’të donte. Por shthurja e të tjerëve, përfshirë ata me pozita autoriteti, nuk është kurrë justifikim për të mëkatuar. Sot shumë të rinj të krishterë imitojnë shembullin e Samuelit dhe ‘rriten me Jehovain’, edhe kur disa përreth tyre nuk lënë një shembull të mirë.

18 Ç’rezultat pati Samueli që zgjodhi t’i bindej Jehovait? Lexojmë: «Ndërkohë, djaloshi Samuel rritej dhe fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve.» (1 Sam. 2:26) Pra, Samueli pëlqehej, të paktën nga persona opinioni i të cilëve kishte rëndësi. Vetë Jehovai e çmonte këtë djalë, ngaqë zgjodhi t’i qëndronte besnik. Samueli me siguri e dinte se Perëndia i tij do të vepronte kundër gjithë ligësisë që po ndodhte në Shiloh, por ndoshta pyeste veten kur. Një natë, pyetjet e tij morën përgjigje.

 «Fol, sepse shërbëtori yt po të dëgjon»

19, 20. (a) Përshkruaj çfarë i ndodhi Samuelit një natë vonë në tabernakull. (b) Si e trajtonte ai Eliun? (c) Si e kuptoi Samueli nga vinte mesazhi?

19 Po afrohej mëngjesi, por ishte akoma errësirë. Drita regëtuese e shandanit të tendës ishte ende ndezur. Në atë qetësi Samueli dëgjoi një zë që e thërriste. Ai mendoi se ishte Eliu, që tani ishte shumë i moshuar dhe thuajse i verbër. Samueli u ngrit dhe «vrapoi» për tek i moshuari. A e përfytyron djalin tek nxiton zbathur që të shohë për çfarë ka nevojë Eliu? Na bën përshtypje Samueli për respektin dhe dashamirësinë që i tregonte Eliut. Me gjithë mëkatet që kishte bërë, ai ishte ende kryeprifti i Jehovait.​—1 Sam. 3:2-5.

20 Samueli e zgjoi Eliun dhe i tha: «Ja ku jam, se ti më thirre.» Por Eliu i tregon se nuk e kishte thirrur dhe i tha djalit të shkonte të flinte. Kjo nuk ndodhi vetëm një herë. Më në fund Eliu e mori vesh se ç’po ndodhte. Ishte bërë gjë e rrallë që Jehovai t’i dërgonte një vegim apo mesazh profetik popullit të tij dhe nuk është e vështirë ta marrim me mend pse. Eliu kuptoi se tani Jehovai po fliste përsëri, por kësaj here po i fliste atij djaloshi. Eliu i tha Samuelit të shkonte në shtrat dhe e udhëzoi si të përgjigjej. Samueli u bind. S’kaloi shumë dhe dëgjoi zërin që e thirri: «Samuel, Samuel!» Djaloshi u përgjigj: «Fol, sepse shërbëtori yt po të dëgjon.»​—1 Sam. 3:1, 5-10.

21. Si mund ta dëgjojmë sot Jehovain, dhe pse ia vlen kjo?

21 Më në fund Jehovai kishte një shërbëtor në Shiloh që po e dëgjonte. Samueli e bëri zakon këtë gjatë gjithë jetës. Po ti, a e ke zakon ta dëgjosh Jehovain? Nuk ka pse të presim që një zë i mbinatyrshëm të na flasë natën. Sot, në njëfarë mënyre, zëri i Perëndisë është gjithmonë duke na folur. Këtë e bën me anë të Fjalës së tij të plotë, Biblës. Sa më shumë e dëgjojmë e i bindemi Perëndisë, aq më shumë do të na rritet besimi. Kështu ndodhi me Samuelin.

Megjithëse kishte frikë, me besnikëri Samueli ia tha Eliut mesazhin gjykues të Jehovait

22, 23. (a) Si u përmbush mesazhi që Samueli kishte frikë ta thoshte në fillim? (b) Si vazhdoi të rritej reputacioni i Samuelit?

22 Ajo natë në Shiloh ishte një pikë kthese në jetën e Samuelit, pasi filloi ta njihte Jehovain në një kuptim të veçantë, duke u bërë profeti dhe zëdhënësi i tij. Në fillim djaloshi kishte frikë t’ia thoshte Eliut mesazhin e Jehovait, pasi ishte shpallja përfundimtare se profecia kundër kësaj familjeje së shpejti do të përmbushej. Por Samueli foli me guxim dhe Eliu e pranoi me përulësi gjykimin hyjnor. Pa kaluar shumë kohë, çdo gjë që kishte thënë Jehovai u përmbush: Izraeli hyri në luftë me filistinët, Hofni e Finehasi u vranë të dy brenda një dite dhe Eliu vdiq sapo  mori vesh se arkën e shenjtë të Jehovait e kishin marrë.​—1 Sam. 3:10-18; 4:1-18.

23 Megjithatë, reputacioni i Samuelit si profet besnik rritej. «Jehovai tregoi se ishte me të»,—thotë tregimi, dhe shton se Jehovai s’la asnjë profeci të Samuelit pa përmbushur.​—Lexo 1 Samuelit 3:19.

«Samueli i thirri Jehovait»

24. Ç’vendim morën izraelitët më vonë dhe pse ishte mëkat i rëndë ky?

24 Por, a e ndoqën izraelitët drejtimin e Samuelit dhe a u bënë një popull frymor e besnik? Jo. Pas njëfarë kohe, ata vendosën të mos i gjykonte një profet. Donin të ishin si kombet e tjera, të kishin një mbret njerëzor që të sundonte mbi ta. Me anë të drejtimit të Jehovait, Samueli ua plotësoi kërkesën. Por duhej t’u tregonte edhe sa i rëndë ishte mëkati i tyre. Ata nuk po hidhnin poshtë një njeri, por vetë Jehovain! Prandaj e thirri popullin në Gilgal.

Samueli u lut me besim dhe Jehovai iu përgjigj me bubullima e shi

25, 26. Si e ndihmoi më në fund i moshuari Samuel popullin në Gilgal, që të kuptonin sa rëndë kishin mëkatuar ndaj Jehovait?

25 Le të shohim ç’ndodh në atë moment të nderë, kur ai i drejtohet Izraelit në Gilgal. Atje Samueli i moshuar i kujtoi Izraelit se si e kishte ruajtur integritetin e tij me besnikëri. Më pas lexojmë: «Samueli i thirri Jehovait.» I kërkoi Jehovait bubullima e shi.​—1 Sam. 12:17, 18.

26 Bubullima e shi? Në atë stinë të thatë? Kjo ishte shumë e pazakontë. Edhe sikur populli të dyshonte ose të tallej sadopak, nuk zgjati shumë. Papritur qielli u nxi. Era filloi të frynte duke rrafshuar grurin nëpër ara. Bubullimat gjëmonin aq fort sa të mbyllje veshët. Pastaj ia krisi shiu. Si reagoi populli? «Popullit i hyri një frikë e madhe nga Jehovai dhe nga Samueli.» Më në fund e kuptuan sa rëndë kishin mëkatuar.​—1 Sam. 12:18, 19.

27. Ç’mendon Jehovai për ata që imitojnë besimin e Samuelit?

27 Nuk ishte Samueli, por Perëndia i tij, Jehovai, ai që preku zemrat rebele. Që nga rinia e deri në pleqëri, Samueli s’e humbi besimin te Perëndia. Jehovai e shpërbleu për këtë. Edhe sot Jehovai nuk ka ndryshuar. Ai ende i mbështet ata që imitojnë besimin e Samuelit.

^ par. 5 Nazirejtë zotoheshin të mos pinin pije alkoolike dhe të mos i pritnin flokët. Shumica i merrnin zotime të tilla për njëfarë kohe, por pak veta, si Samsoni, Samueli dhe Gjon Pagëzori, ishin nazirej për gjithë jetën.

^ par. 9 Shenjtërorja ishte një strukturë drejtkëndëshe, një tendë shumë e madhe e ndërtuar me skelet druri. Megjithatë ishte bërë me materialet më të mira, si: lëkurë foke, pëlhura të qëndisura bukur dhe drurë të kushtueshëm të veshur me argjend dhe ar. Shenjtërorja ndodhej brenda një oborri në formë drejtkëndëshi që përfshinte edhe një altar mbresëlënës për flijimet. Me kalimin e kohës ka të ngjarë që në anët e tabernakullit të jenë shtuar dhoma të tjera që të përdoreshin nga priftërinjtë. Me sa duket Samueli flinte në njërën nga këto dhoma.

^ par. 12 Tregimi na jep dy shembuj të mungesës së respektit. Pikësëpari, Ligji specifikonte se cilat pjesë të flijimit duhej të hanin priftërinjtë. (Ligj. 18:3) Por në tabernakull priftërinjtë e ligj kishin krijuar një praktikë krejt ndryshe. U thoshin shërbëtorëve të futnin një pirun të madh në kusinë ku ziente mishi dhe të merrnin çfarëdo cope të mirë që të kapnin. Përveç kësaj, kur njerëzit sillnin flijimet që të digjeshin në altar, priftërinjtë e ligj dërgonin një shërbëtor që ta kërcënonte atë që ofronte flijimin, për t’i marrë mishin e gjallë, madje para se dhjami i flijimit t’i ofrohej Jehovait.​—Lev. 3:3-5; 1 Sam. 2:13-17.