Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 KAPITULLI NJËZET E TRE

Ai mësoi nga zotëria të falte

Ai mësoi nga zotëria të falte

1. Cili mund të ketë qenë momenti më i keq në jetën e Pjetrit?

PJETRI nuk do ta harronte kurrë atë çast të tmerrshëm kur vështrimet e tyre u ndeshën. A pa në sytë e Jezuit ndonjë shenjë zhgënjimi ose qortimi? Nuk mund të hamendësojmë, pasi dokumentimi i frymëzuar thotë vetëm se ‘Zotëria u kthye dhe e vështroi’ Pjetrin. (Luka 22:61) Por në atë vështrim të shpejtë, Pjetri pa dështimin e tij të rëndë. Ai e kuptoi se sapo kishte bërë pikërisht atë që kishte parathënë Jezui, atë që Pjetri kishte ngulur këmbë se nuk do ta bënte kurrë​—kishte mohuar Zotërinë e tij të dashur. Ishte një moment i vështirë për Pjetrin, ndoshta momenti më i keq, i ditës më të keqe të jetës së tij.

2. Cilin mësim duhet të kuptonte Pjetri dhe si mund të nxjerrim dobi nga historia e tij?

2 Por, situata nuk ishte e pashpresë. Ngaqë ishte një njeri me besim të madh, Pjetri kishte ende mundësi ta merrte veten nga gabimet dhe të kuptonte një nga mësimet më të mëdha të Jezuit. Ky mësim kishte të bënte me faljen. Secili nga ne ka nevojë të mësojë të njëjtën gjë, prandaj le të shqyrtojmë si e bëri të tijin Pjetri këtë mësim.

Një njeri që kishte shumë për të mësuar

3, 4. (a) Cilën pyetje i bëri Pjetri Jezuit dhe ç’mund të ketë menduar? (b) Si tregoi Jezui se Pjetri ishte ndikuar nga fryma që mbizotëronte në atë kohë?

3 Rreth gjashtë muaj më parë, në qytetin e tij të lindjes, në Kapernaum, Pjetri iu afrua Jezuit dhe e pyeti: «Zotëri, sa herë duhet ta fal tim vëlla, nëse ai mëkaton kundër meje? Shtatë herë?» Ka shumë gjasa që ai mendonte se po tregohej bujar. Në fund të fundit, udhëheqësit fetarë të kohës u mësonin njerëzve se dikush duhej falur vetëm tri herë. Jezui u përgjigj: «Jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.»​—Mat. 18:21, 22.

4 Mos vallë Jezui po i sugjeronte Pjetrit që të mbante llogari çdo gabim që bënte dikush ndaj tij? Jo, përkundrazi, duke  thënë 77, në vend se 7 siç tha Pjetri, ai po thoshte se dashuria nuk na lejon të vendosim një limit se sa herë duhet të falim. (1 Kor. 13:4, 5) Jezui tregoi se Pjetri ishte ndikuar nga fryma që mbizotëronte në atë kohë kur njerëzit tregoheshin zemërngurtë e nuk falnin, dhe silleshin sikur mbanin llogari çdo gabim të të tjerëve. Gjithsesi, sipas standardeve të Perëndisë, të falësh do të thotë ta bësh këtë me shumë zemërgjerësi e bujari.​Lexo  1 Gjonit 1:7-9.

5. Kur mësojmë më tepër për faljen?

5 Pjetri nuk debatoi me Jezuin. Por, a i preku vërtet zemrën mësimi i Jezuit? Ndonjëherë mësojmë më tepër për faljen kur kuptojmë se ne vetë kemi tmerrësisht nevojë për të. Prandaj, le të rikthehemi te ngjarjet që çuan në vdekjen e Jezuit. Në ato orë të vështira, Pjetri pati shumë herë nevojë për faljen e Zotërisë.

Gjithnjë e më shumë nevojë për falje

6. Si reagoi Pjetri ndërsa Jezui përpiqej t’u mësonte përulësinë apostujve, e megjithatë si e trajtoi Jezui?

6 Ishte një mbrëmje historike​—nata e fundit e Jezuit në tokë. Jezui kishte ende mjaft gjëra për t’u mësuar apostujve. Një nga këto ishte përulësia. Jezui la shembullin duke u larë me përulësi këmbët, punë kjo që normalisht i caktohej shërbëtorit më të parëndësishëm. Në fillim, Pjetri i vuri në diskutim veprimet e Jezuit. Më pas refuzoi. Pastaj këmbënguli që Jezui t’i lante jo vetëm këmbët, por edhe duart e kokën. Jezui nuk e humbi durimin, por me qetësi shpjegoi rëndësinë dhe domethënien e asaj që po bënte.​—Gjoni 13:1-17.

7, 8. (a) Në ç’mënyra e vuri sërish në provë durimin e Jezuit Pjetri? (b) Si vazhdoi Jezui të tregohej mirëdashës dhe i gatshëm për të falur?

7 Por, pak çaste më vonë, Pjetri e vuri sërish në provë durimin e Jezuit. Apostujt nisën të debatonin se kush prej tyre ishte më i madhi dhe Pjetri sigurisht luajti një rol në këtë shfaqje të turpshme krenarie njerëzore. Prapëseprapë, Jezui i ndreqi me dashamirësi e madje i lavdëroi për atë që kishin bërë mirë: ishin treguar besnikë ndaj Zotërisë së tyre. Por, ai paratha se të gjithë ata do ta braktisnin. Pjetri kundërshtoi duke thënë se do t’i qëndronte besnik Jezuit, madje edhe përballë vdekjes. Jezui profetizoi se përkundrazi Pjetri do ta mohonte tri herë po atë natë para se gjeli të këndonte dy herë. Atëherë Pjetri jo vetëm e kundërshtoi Jezuin, por u mburr se do të tregohej më besnik se të gjithë apostujt e tjerë.​—Mat. 26:31-35; Mar. 14:27-31; Luka 22:24-28; Gjoni 13:36-38.

8 A po i sosej durimi Jezuit me Pjetrin? Në fakt, gjatë gjithë  kësaj periudhe të vështirë, Jezui përpiqej të gjente anët e mira të apostujve të papërsosur. Ai e dinte se Pjetri do ta zhgënjente, e megjithatë tha: «Kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket. Prandaj, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32) Në këtë mënyrë, Jezui shprehu besimin se Pjetri do ta merrte veten nga ky gabim dhe do të shërbente sërish me besnikëri. Sa mirëdashës dhe i gatshëm për të falur u tregua Jezui!

9, 10. (a) Për cilën ndreqje kishte nevojë Pjetri në kopshtin e Getsemanisë? (b) Çfarë na kujton rasti i Pjetrit?

9 Më vonë, në kopshtin e Getsemanisë, Pjetri kishte nevojë të ndreqej më shumë se një herë. Jezui i kërkoi atij, si edhe Jakovit e Gjonit që të qëndronin vigjilentë ndërsa ai lutej. Jezui ndiente angështi dhe kishte nevojë për mbështetje, por Pjetrin dhe të tjerët i zuri gjumi disa herë. Jezui tha këto fjalë që tregonin empatinë dhe gatishmërinë e tij për të falur: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.»​—Mar. 14:32-41.

10 S’kaloi shumë dhe mbërriti një turmë që mbante pishtarë dhe ishte e armatosur me shpata e kërbaçë. Ky ishte një çast për të vepruar me kujdes e maturi. Por, Pjetri u hodh nxitimthi në veprim, vringëlloi shpatën mbi kokën e Malkut, një skllavi të kryepriftit, dhe i këputi veshin. Me gjakftohtësi Jezui e qortoi Pjetrin, i shëroi plagën skllavit dhe shpjegoi një parim kundër dhunës që i udhëheq dishepujt e tij deri sot e kësaj dite. (Mat. 26:47-55; Luka 22:47-51; Gjoni 18:10, 11) Tashmë Pjetri kishte bërë shumë gabime që kërkonin faljen e Zotërisë. Rasti i tij na kujton se të gjithë ne mëkatojmë vazhdimisht. (Lexo Jakovin 3:2.) Cili prej nesh nuk ka nevojë që Perëndia ta falë çdo ditë të jetës? Mirëpo për Pjetrin ajo natë s’kish mbaruar. Më e keqja ende duhej të vinte.

Dështimi më i madh i Pjetrit

11, 12. (a) Si tregoi Pjetri njëfarë guximi pas arrestimit të Jezuit? (b) Si nuk arriti Pjetri të vepronte ashtu siç kishte deklaruar?

11 Jezui i tha turmës që nëse po kërkonin atë, t’i linin apostujt të iknin. Pjetri vështronte i pafuqishëm teksa turma lidhte Jezuin. Më pas ia mbathi, siç bënë edhe apostujt e tjerë.

12 Pastaj, Pjetri dhe Gjoni u ndalën ndoshta pranë shtëpisë së ish-kryepriftit Hanai, ku e çuan në fillim Jezuin për ta marrë në pyetje. Kur po e çonin Jezuin atje, Pjetri dhe Gjoni e ndoqën, por «nga larg». (Mat. 26:58; Gjoni 18:12, 13) Pjetri nuk ishte burracak. Me siguri duhej njëfarë guximi për ta ndjekur Jezuin. Turma ishte e armatosur dhe tashmë Pjetri kishte plagosur një prej tyre. Prapëseprapë, në këtë rast nuk shohim te Pjetri atë lloj dashurie  besnike që ai vetë kishte deklaruar, pra gatishmërinë për të vdekur përkrah Zotërisë, po të ishte e nevojshme.​—Mar. 14:31.

13. Cila është e vetmja mënyrë për të ndjekur Krishtin siç duhet?

13 Ashtu si Pjetri, shumë njerëz sot përpiqen ta ndjekin Krishtin «nga larg», domethënë në atë mënyrë që të mos i vërë re askush. Por, siç shkroi edhe vetë Pjetri më vonë, mënyra e vetme për ta ndjekur siç duhet Krishtin është duke qëndruar sa më afër tij, duke imituar shembullin e tij në gjithçka, pavarësisht nga pasojat.​—Lexo 1 Pjetrit 2:21.

14. Si e kaloi Pjetri natën kur po zhvillohej gjyqi i Jezuit?

14 Pasi ndoqi me kujdes ata që kishin arrestuar Jezuin, më në fund Pjetri arriti te porta e një prej shtëpive më madhështore të Jerusalemit. Ishte shtëpia e Kajafës, kryepriftit të pasur dhe të pushtetshëm. Zakonisht këto shtëpi kishin në mes një oborr dhe një portë në hyrje. Ai shkoi te porta, por nuk e lanë të hynte. Gjoni, që njihte kryepriftin dhe tashmë ndodhej brenda, erdhi e i kërkoi rojës që ta linte Pjetrin të hynte. Duket se Pjetri nuk qëndroi pranë Gjonit dhe as u përpoq të hynte brenda shtëpisë për të ndenjur pranë Zotërisë. Ai qëndroi në oborr, ku disa skllevër dhe shërbëtorë po kalonin orët e ftohta të natës përballë një zjarri vezullues, duke parë dëshmitarët e rremë kundër Jezuit që shkonin e vinin pa mbarim teksa bëhej gjyqi.​—Mar. 14:54-57; Gjoni 18:15, 16, 18.

15, 16. Shpjego si u përmbush profecia e Jezuit që thoshte se Pjetri do ta mohonte tri herë.

15 Nën dritën e zjarrit, vajza që i kishte hapur portën Pjetrit mundi ta shihte më mirë. Ajo e njohu dhe i tha duke e akuzuar: «Edhe ti ishe me Jezuin, galileasin.» I zënë në befasi, Pjetri mohoi se e njihte Jezuin e madje tha se nuk e dinte për çfarë po fliste ajo vajzë. Ai shkoi të qëndronte pranë portës, duke u përpjekur të mos binte në sy, por një vajzë tjetër e pikasi dhe përsëriti të njëjtën gjë: «Ky njeri ishte me Jezuin, nazareasin.» Pjetri u betua: «Unë s’e njoh atë njeri!» (Mat. 26:69-72; Mar. 14:66-68) Mbase pas këtij mohimi të dytë Pjetri dëgjoi gjelin të këndonte, por ishte tepër i shpërqendruar për të kujtuar profecinë që kishte thënë Jezui vetëm ca orë më parë.

16 Paksa më vonë, Pjetri po përpiqej sërish me çdo mënyrë të mos e vinin re. Por një grup njerëzish që rrinin rrotull në oborr iu afruan. Njëri prej tyre ishte farefis me Malkun, skllavin që plagosi Pjetri. Ai i tha: «Unë të pashë në kopsht me të.» Pjetri u ndie i detyruar t’i bindte se e kishin gabim. Kështu u betua, duke thënë me sa duket, që t’i binte një mallkim nëse po gënjente. Kjo ishte hera e tretë që e mohoi Jezuin. Sapo i dolën fjalët nga goja,  një gjel këndoi. Ishte hera e dytë atë natë që Pjetri e dëgjoi.​—Gjoni 18:26, 27; Mar. 14:71, 72.

‘Zotëria u kthye dhe e vështroi’ Pjetrin

17, 18. (a) Si reagoi Pjetri kur e kuptoi sa shumë e kishte zhgënjyer Zotërinë? (b) Çfarë mund të ketë menduar Pjetri?

17 Jezui sapo kishte dalë jashtë në një ballkon nga ku dukej oborri. Në atë çast, që përshkruam në hyrje të kapitullit, vështrimi i tij u ndesh me atë të Pjetrit. Pjetri nisi të kuptonte se sa shumë e kishte zhgënjyer Zotërinë. Ai doli nga oborri, i dërrmuar nga pesha e fajit. Shkoi rrugëve të qytetit, ndërsa udha ndriçohej nga drita e hënës së plotë që po perëndonte. Sytë iu mbushën me lot dhe shikimi iu mjegullua. S’u përmbajt dot dhe qau me hidhërim.​—Mar. 14:72; Luka 22:61, 62.

18 Kur dikush kupton që ka bërë një gabim serioz, mund të mendojë fare lehtë se gabimi është tepër i rëndë për t’u falur. Pjetri mund të ketë menduar të njëjtën gjë për veten. Por, a ishte vërtet i pafalshëm gabimi i tij?

A ishte e pamundur falja për Pjetrin?

19. Si duhet të jetë ndier Pjetri për zhgënjimin që i shkaktoi Jezuit? Megjithatë, si e dimë që nuk ra në dëshpërim?

19 Është e vështirë të imagjinojmë dhembjen e thellë të Pjetrit ndërsa zbardhte. Dhe gjërat që do të ndodhnin gjatë ditës do t’ia shtonin dhembjen. Sa duhet ta ketë dënuar veten kur Jezui vdiq më vonë atë ditë, pas orësh të mundimshme! Pjetrin duhet ta ketë drithëruar mendimi se si ia kishte shtuar dhembjen Zotërisë atë ditë. Ajo do të ishte dita e fundit e jetës së Tij si njeri. Megjithëse ishte zhytur në një trishtim të thellë, Pjetri nuk ra në dëshpërim. E dimë këtë, sepse shumë shpejt e gjejmë sërish në shoqëri me vëllezërit. (Luka 24:33) Pa dyshim, të gjithë apostujt ndiheshin keq për sjelljen e tyre atë natë të zymtë dhe e ngushëlluan disi njëri-tjetrin.

20. Ç’mund të mësojmë nga Pjetri kur ndihemi përtokë?

20 Këtu e shohim Pjetrin të marrë një nga vendimet e tij më të mençura. Kur një shërbëtor i Perëndisë gabon, ajo që ka më tepër rëndësi nuk është sa rëndë ka gabuar, por vendosmëria e tij për ta marrë veten, për t’i ndrequr gjërat. (Lexo Proverbat 24:16.) Pjetri tregoi besim të vërtetë duke u mbledhur me vëllezërit edhe pse ndihej përtokë. Kur dikush rëndohet nga trishtimi  ose keqardhja, mund të tundohet të veçohet, por kjo është e rrezikshme. (Prov. 18:1) Gjëja më e mençur është të qëndrojë pranë bashkëbesimtarëve dhe të rifitojë forcat që të vazhdojë t’i shërbejë Perëndisë.​—Hebr. 10:24, 25.

21. Cilin lajm dëgjoi Pjetri ngaqë ishte me vëllezërit e tij frymorë?

21 Ngaqë ishte me vëllezërit e tij frymorë, Pjetri dëgjoi lajmin tronditës se trupi i Jezuit nuk gjendej në varr. Pjetri dhe Gjoni vrapuan te varri i vulosur i Jezuit. Gjoni, që ka shumë mundësi të ishte më i ri, mbërriti i pari. Kur gjeti hapur varrin, ngurroi. Por jo Pjetri. Megjithëse po i merrej fryma nga vrapimi, u fut drejt e brenda. Varri ishte bosh!​—Gjoni 20:3-9.

22. Pse iu zhduk çdo gjurmë trishtimi dhe dyshimi Pjetrit?

22 A besoi Pjetri se Jezui ishte ringjallur? Në fillim jo, edhe pse disa gra besnike thanë se u ishin shfaqur engjëjt për t’i njoftuar se Jezui ishte ringjallur. (Luka 23:55–24:11) Por, në mbarim të asaj dite, në zemrën e Pjetrit ishte zhdukur çdo gjurmë trishtimi dhe dyshimi. Jezui ishte gjallë si një krijesë frymore e fuqishme. Ai iu shfaq të gjithë apostujve. Megjithatë, më parë bëri diçka tjetër, veçmas të tjerëve. Apostujt thanë atë ditë: «Zotëria është ngritur me të vërtetë nga të vdekurit dhe iu shfaq Simonit!» (Luka 24:34) Po kështu, apostulli Pavël shkroi më vonë për atë ditë të jashtëzakonshme kur Jezui «iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve». (1 Kor. 15:5) Kefa dhe Simoni janë emrat e tjerë të Pjetrit. Jezui iu shfaq atij atë ditë, me sa duket kur Pjetri ishte vetëm.

Pjetri kishte bërë shumë gabime që kërkonin faljen e Zotërisë, por cili prej nesh nuk ka nevojë që Perëndia ta falë çdo ditë?

23. Pse kanë nevojë të kujtojnë rastin e Pjetrit të krishterët sot që bien në mëkat?

23 Hollësitë e atij takimi mes Jezuit dhe Pjetrit nuk jepen në Bibël. Vetëm ata i dinë. Sidoqoftë, mund të imagjinojmë sa u prek Pjetri kur pa Zotërinë e tij të dashur përsëri gjallë dhe mundi t’i shprehte pikëllimin dhe pendimin e tij. Më shumë se çdo gjë tjetër në botë, Pjetri donte faljen e Jezuit. Kush mund ta vërë në dyshim se Jezui e fali, dhe madje bujarisht? Të krishterët sot që bien në mëkat, kanë nevojë të kujtojnë rastin e Pjetrit. Kurrë nuk duhet të mendojmë se është e pamundur që Perëndia të na falë. Jezui e pasqyron në mënyrë të përsosur Atin, i cili ‘do të falë në masë të madhe’.​—Isa. 55:7.

Prova të tjera që e kishte falur

24, 25. (a) Përshkruaj natën që kaloi Pjetri duke peshkuar në detin e Galilesë. (b) Si reagoi Pjetri ndaj mrekullisë që bëri Jezui kur agoi mëngjesi?

24 Jezui u tha apostujve të shkonin në Galile ku do ta takonin përsëri. Kur mbërritën, Pjetri vendosi të dilte për peshkim në  detin e Galilesë. Atë e shoqëruan edhe të tjerë. Pjetri ndodhej edhe një herë atje ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës. Krikëllima e barkës, përplasja e lehtë e dallgëve, ndjesia e rrjetave të ashpra në duar, duhet t’i jenë dukur të njohura e ta kenë qetësuar. Megjithatë, atë natë nuk zunë asnjë peshk.​—Mat. 26:32; Gjoni 21:1-3.

Pjetri hidhet nga barka dhe noton drejt bregut

25 Në agim, nga bregu i thërret dikush dhe i nxit të hedhin rrjetat në anën tjetër të barkës. Ata binden dhe zënë shumë peshq, 153 copë. Pjetri e dinte se kush ishte ai. Hidhet nga barka dhe  noton drejt bregut. Atje, Jezui u jep miqve të tij besnikë peshk të pjekur në qymyr. Ai përqendrohet te Pjetri.​—Gjoni 21:4-14.

26, 27. (a) Ç’mundësi i dha tri herë Jezui Pjetrit? (b) Cilën provë i dha Jezui Pjetrit se e kishte falur plotësisht?

26 Jezui e pyet Pjetrin nëse e do «më shumë se këta»​—me sa duket, po i referohej grumbullit të madh të peshqve që kishin zënë. Çfarë do të kishte epërsi në zemrën e Pjetrit: dashuria për Jezuin apo pasioni për peshkimin? Ashtu si Pjetri e kishte mohuar Zotërinë tri herë, tani Jezui i jep mundësinë t’i pohojë tri herë dashurinë para shokëve të tij. Ndërsa Pjetri e bën këtë, Jezui i thotë ta tregojë këtë dashuri duke e vënë shërbimin e shenjtë përpara çdo gjëje tjetër, duke ushqyer, forcuar dhe kullotur kopenë e Krishtit, pra dishepujt e tij besnikë.​—Luka 22:32; Gjoni 21:15-17.

27 Kështu, Jezui e siguroi Pjetrin se ishte ende i dobishëm për të dhe për Atin. Pjetri do të luante një rol të rëndësishëm në kongregacion nën drejtimin e Krishtit. Ç’provë e fuqishme se Jezui e kishte falur plotësisht! Me siguri, mëshira që iu tregua ndikoi thellë te Pjetri.

28. Si arriti Pjetri të jetonte në lartësinë e emrit të tij?

28 Pjetri e kreu me besnikëri caktimin e tij për shumë vjet. Ai i forcoi vëllezërit, siç kishte urdhëruar Jezui në prag të vdekjes. Pjetri u përpoq me dashamirësi e durim për të kullotur dhe ushqyer dishepujt e Krishtit. Burri i quajtur Simon, arriti të jetonte në lartësinë e emrit që i kishte dhënë Jezui​—Pjetër ose Shkëmb—​duke u bërë një ndikim i qëndrueshëm, i fortë dhe i besueshëm në kongregacion. Mjaft prova të këtij ndikimi gjenden në dy letrat e përzemërta që shkroi Pjetri e që u bënë pjesë e çmuar e Biblës. Këto letra tregojnë gjithashtu se Pjetri nuk e harroi kurrë mësimin që kishte marrë nga Jezui në lidhje me faljen.​—Lexo 1 Pjetrit 3:8, 9; 4:8.

29. Si mund ta imitojmë besimin e Pjetrit dhe mëshirën e Zotërisë së tij?

29 Le ta çmojmë edhe ne këtë mësim! A kërkojmë çdo ditë faljen e Perëndisë për gabimet e shumta që bëjmë? A e pranojmë këtë falje dhe a besojmë te fuqia e saj për të na pastruar? Gjithashtu, a i falim edhe ne të tjerët? Nëse po, do të imitojmë besimin e Pjetrit​—dhe mëshirën e Zotërisë së tij.