Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përmbyllje

Përmbyllje

‘Jini imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.’​—HEBRENJVE 6:12.

1, 2. Pse është jetësore ta forcojmë besimin që tani? Ilustroje.

BESIMI. Kjo është një fjalë e bukur që mban emrin e një cilësie tërheqëse. Megjithatë kur dëgjojmë këtë fjalë, bëjmë mirë të mendojmë edhe për një tjetër: «Urgjente!» Kjo, sepse nëse nuk kemi besim, duhet urgjentisht ta fitojmë atë. Dhe nëse kemi besim, duhet urgjentisht ta mbrojmë e ta forcojmë. Pse?

2 Imagjino sikur po përshkon një shkretëtirë të paanë. Ke patjetër nevojë për ujë. Kur gjen pak ujë, duhet ta mbrosh nga dielli që të mos avullojë. Pastaj, do të të duhet ta mbushësh sërish enën në mënyrë që të kesh ujë mjaftueshëm derisa të arrish në destinacion. Sot, jetojmë në një shkretëtirë frymore, në një botë ku besimi i vërtetë, ashtu si uji, është i rrallë dhe priret të avullojë shpejt nëse nuk e mbrojmë dhe nuk e shtojmë. Kemi nevojë të ngutshme për besim; ashtu si nuk mund të jetojmë pa ujë, po ashtu nuk mund të mbijetojmë frymësisht pa besim.​—Rom. 1:17.

3. Çfarë ka siguruar Jehovai që të na ndihmojë të ndërtojmë besimin? Cilat janë dy gjërat që duhet t’i mbajmë në mendje?

3 Jehovai e di se kemi urgjentisht nevojë për besim, di gjithashtu sa e vështirë është ta ndërtojmë e ta ruajmë atë sot. Ja përse na ka siguruar shembuj për t’i imituar. Jehovai e frymëzoi apostullin Pavël të shkruante: ‘Jini imitues të atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet.’ (Hebr. 6:12) Prandaj, organizata e Jehovait na inkurajon të përpiqemi fort të imitojmë shembujt e burrave e grave me besim, siç janë ata që kemi shqyrtuar në këtë libër. Por, çfarë duhet të bëjmë ne sot? Le të mbajmë në mendje këto dy gjëra: (1) duhet të vazhdojmë të forcojmë besimin tonë; (2) duhet të vazhdojmë ta kemi të qartë në mendje shpresën tonë.

4. Si është treguar Satanai armik i besimit dhe pse nuk duhet të na frikësojë kjo?

4 Vazhdo të forcosh besimin. Besimi ka një armik të madh​—Satanain. Sundimtari i kësaj bote e ka bërë këtë sistem si një shkretëtirë ku është e vështirë të ruajmë besimin. Ai është shumë më i fuqishëm se ne. Por, a duhet të kemi frikë se nuk e ndërtojmë dhe as e forcojmë dot këtë cilësi? Asnjëherë! Jehovai është mik i ngushtë i të gjithë atyre që përpiqen të kenë besim të vërtetë. Ai na siguron se me ndihmën e Tij, mund t’i kundërvihemi Djallit e ta bëjmë të ikë prej nesh. (Jak. 4:7) I kundërvihemi kur çdo ditë marrim kohë për të forcuar e për të ndërtuar besimin tonë. Si mund ta bëjmë këtë?

5. Si e krijuan besimin gratë e burrat besnikë për të cilët flitet në Bibël? Shpjego.

 5 Siç e kemi parë, gratë e burrat plot besim, për të cilët flitet në Bibël, nuk lindën me këtë cilësi. Jeta e tyre vërteton se besimi është fryt i frymës së shenjtë të Jehovait. (Gal. 5:22, 23) Ata u lutën për ndihmë dhe, si pasojë, Jehovai vazhdoi t’ua forconte besimin. Le t’i imitojmë e të mos harrojmë kurrë se Jehovai u jep frymë me bollëk atyre që e kërkojnë dhe që veprojnë në harmoni me lutjet e tyre. (Luka 11:13) Çfarë mund të bëjmë tjetër?

6. Si mund të përfitojmë sa më shumë nga studimi i tregimeve biblike?

6 Në këtë libër kemi shqyrtuar vetëm pak shembuj të njerëzve me besim të jashtëzakonshëm. Por ka edhe shumë e shumë të tjerë! (Lexo Hebrenjve 11:32.) Secili​—në mënyrën e tij—​na jep mundësi të bëjmë një studim të thellë e të kujdesshëm. Nëse thjesht i kalojmë shpejt e shpejt tregimet biblike që flasin për njerëz plot besim, nuk do ta forcojmë këtë cilësi. Që të nxjerrim plotësisht dobi nga leximi, duhet të kalojmë kohë e të gërmojmë për të kuptuar kontekstin dhe sfondin e këtyre tregimeve. Nëse nuk harrojmë se ata burra e gra të papërsosur kishin «ndjenja si tonat», shembulli i tyre do të bëhet më real për ne. (Jak. 5:17) Po ta vëmë veten në vendin e tyre, mund të imagjinojmë si janë ndier kur kanë hasur vështirësi dhe probleme si tonat.

7-9. (a) Si do të ishin ndier disa shërbëtorë besimplotë të Jehovait për mënyrën si adhurojmë ne sot? (b) Pse duhet ta forcojmë besimin me anë të veprave?

7 Ne e forcojmë besimin edhe me anë të veprave. Në fund të fundit, «besimi pa vepra është i vdekur». (Jak. 2:26) Të mendojmë pak sa të lumtur do të ishin burrat e gratë që kemi shqyrtuar nëse do të merrnin nga Jehovai caktimet që na jepen ne sot!

8 Për shembull, po sikur t’i thuhej Abrahamit se mund ta adhuronte Jehovain jo në altarë primitivë prej guri të ngritur në shkretëtirë, por bashkë me grupe të organizuara bashkadhuruesish në Salla Mbretërie të bukura dhe në kongrese të mëdha ku trajtohen dhe shpjegohen me hollësi premtimet që ai i pa vetëm «nga larg»? (Lexo Hebrenjve 11:13.) Po nëse Elijas do t’i ishte kërkuar të shkonte te njerëzit paqësisht e t’u jepte një mesazh shprese dhe ngushëllimi, në vend se të ekzekutonte profetët e ligj të Baalit ndërkohë që përpiqej t’i shërbente Jehovait nën sundimin e një mbreti të lig apostat? Ka shumë të ngjarë që këta burra e gra me besim do ta kishin pranuar menjëherë caktimin për të adhuruar Jehovain si ne sot.

9 Prandaj, le të vazhdojmë ta forcojmë besimin me anë të veprave. Ndërsa bëjmë këtë, do të jemi duke i imituar në mënyrë praktike shembujt e besimit që tregohen në Fjalën e  frymëzuar të Perëndisë. Siç e thamë në Hyrje, do të arrijmë të ndihemi gjithnjë e më afër tyre, si t’i kishim miq. Gjithsesi, miqësi të tilla së shpejti mund të bëhen realitet.

10. Ç’gëzim do të përjetojmë në Parajsë?

10 Vazhdo ta kesh të qartë në mendje shpresën. Burrat e gratë me besim gjithmonë janë forcuar nga shpresa që i ka dhënë Perëndia. Po ti? Për shembull, mendo sa të lumtur do të jemi të takojmë shërbëtorët besnikë të Perëndisë që do të kthehen në jetë kur «të ringjallen . . . të drejtët». (Lexo Veprat 24:15.) Për çfarë dëshiron t’i pyesësh?

11, 12. Ç’pyetje mund t’i bësh në botën e re (a) Abelit? (b) Noesë? (c) Abrahamit? (ç) Ruthës? (d) Abigailës? (dh) Esterës?

11 A je kurioz të pyesësh Abelin si ishin prindërit e tij? Ose mund ta pyesësh: «A ke folur ndonjëherë me kerubinët që ruanin hyrjen për në Eden? A të kanë dhënë përgjigje?» Kurse Noenë mund ta pyesësh: «A ke pasur ndonjëherë frikë nga nefilimët? Si u kujdese për gjithë ato kafshë gjatë vitit që ishe brenda në arkë?» Nëse takon Abrahamin mund ta pyesësh: «A e ke takuar ndonjëherë Semin? Kush të mësoi për Jehovain? A ishte e vështirë të lije Urin?»

12 Po ashtu, mendo për pyetjet që mund t’i bësh grave besnike që do të ringjallen. «Rutha, çfarë të shtyu të bëheshe adhuruese e Jehovait?» «Abigaila, a kishe frikë t’i tregoje Nabalit si e kishe ndihmuar Davidin?» «Ester, çfarë ndodhi me ty dhe Mordekain pas asaj që thuhet në tregimin biblik?»

13. (a) Ç’pyetje mund të kenë të ringjallurit për ty? (b) Si ndihesh që ke shpresën të takosh burrat e gratë me besim të kohëve të lashta?

13 Patjetër që edhe këta burra e gra me besim mund të kenë shumë pyetje për ty. Sa emocionuese do të jetë t’u tregojmë për ditët e fundit kulmore dhe se si e ka bekuar Jehovai popullin e tij gjatë periudhave të vështira! Sigurisht që do të preken thellë kur të mësojnë si i ka plotësuar Jehovai të gjitha premtimet e tij. Në botën e re, nuk do të na duhet më t’i imagjinojmë shërbëtorët e Perëndisë që përmenden në Bibël, sepse ata do të jenë me ne, në Parajsë. Prandaj, vazhdo të përpiqesh me gjithë forcat që këto personazhe të bëhen realë për ty. Vazhdo të imitosh besimin e tyre. Urojmë të gjesh gëzim në shërbim të Jehovait bashkë me këta shërbëtorë që mund të jenë miqtë e tu të dashur përgjithmonë!