Zanafilla 4:1-26

  • Kaini dhe Abeli (1-16)

  • Pasardhësit e Kainit (17-24)

  • Seti dhe djali i tij Enosi (25, 26)

4  Tani, Adami pati marrëdhënie me Evën, gruan e tij, që mbeti shtatzënë.+ Kur lindi Kainin,+ ajo tha: «Solla në jetë* një fëmijë, një mashkull, me ndihmën e Jehovait.»  Më vonë lindi vëllanë e tij, Abelin.+ Abeli u bë çoban dhensh, kurse Kaini kultivonte tokën.  Pas njëfarë kohe, Kaini solli disa fryte të tokës si blatim për Jehovain,  kurse Abeli solli disa pjella të para të kopesë së tij+ dhe dhjamin e tyre. Ndonëse Jehovai e pa me miratim Abelin dhe blatimin e tij,+  nuk e pa fare me miratim Kainin dhe blatimin e tij. Prandaj Kaini u nxeh dhe u mërzit shumë.*  Atëherë Jehovai i tha Kainit: «Pse je kaq i nxehur dhe i mërzitur?  Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh përsëri miratimin tim?! Por nëse jo, mëkati po të përgjon te porta dhe dëshiron me zjarr të të shtjerë në dorë. Po ti, a do ta mposhtësh?»  Pas kësaj Kaini i tha Abelit: «Hajde të shkojmë në fushë.» Kështu, kur ishin atje, Kaini e sulmoi të vëllanë, Abelin, dhe e vrau.+  Më pas Jehovai e pyeti Kainin: «Ku është Abeli, yt vëlla?» Ky ia ktheu: «Nuk e di. Mos jam gjë roja i tim vëllai?» 10  Kështu Ai i tha: «Ç’ke bërë? Dëgjo! Gjaku i vëllait tënd po më thërret nga toka.+ 11  Tani je i mallkuar dhe i dëbuar nga kjo tokë që ka hapur gojën për të pirë gjakun e vëllait tënd, gjakun që derdhi dora jote.+ 12  Kur ta kultivosh tokën, ajo s’do të të japë fryte. Ti do të jesh në arrati dhe endacak në tokë.» 13  Kaini ia ktheu Jehovait: «Ndëshkimi për fajin tim është shumë i rëndë dhe s’e përballoj dot. 14  Ti po më dëbon sot nga ky vend* dhe s’do t’i kesh më sytë mbi mua. Do të jem në arrati dhe endacak në tokë, dhe pa dyshim kushdo që do të më gjejë, do të më vrasë.» 15  Atëherë Jehovai tha: «Që të mos ndodhë kjo, unë shpall se kushdo që e vret Kainin, do ta paguajë shtatëfish për gjakun e tij.» Kështu Jehovai vendosi një shenjë* për Kainin, që kushdo që e gjente, të mos e vriste. 16  Pastaj Kaini iku nga prania e Jehovait dhe shkoi të jetonte në Vendin e Mërgimit,* në lindje të Edenit.+ 17  Pastaj Kaini pati marrëdhënie me gruan e tij,+ që mbeti shtatzënë dhe lindi Enokun. Atëherë Kaini filloi të ndërtonte një qytet dhe i vuri emrin e të birit, Enok. 18  Më vonë, Enokut i lindi Iradi, Iradit i lindi Mehujaeli, Mehujaelit i lindi Metushaeli, dhe Metushaelit i lindi Lameku. 19  Lameku mori dy gra; e para quhej Ada dhe e dyta Zila. 20  Ada lindi Jabalin; ai ishte i pari që banoi në tenda dhe u mor me rritjen e bagëtisë. 21  Vëllai i tij quhej Jubal; ai ishte i pari që i ra harpës dhe fyellit.* 22  Kurse Zila lindi Tubal-Kainin, që farkëtonte çdo lloj vegle bakri e hekuri, dhe motra e Tubal-Kainit ishte Namaha. 23  Pastaj Lameku thuri këto vargje për gratë e tij, Adën dhe Zilën: «Dëgjoni zërin tim, o gra të Lamekut,vëruni veshin fjalëve të mia: vrava një njeri ngaqë më plagosi,po, një djalë të ri ngaqë më goditi. 24  Nëse Kainit duhet t’i merret haku 7 herë,+atëherë Lamekut 77 herë.» 25  Adami pati përsëri marrëdhënie me të shoqen, e cila lindi një djalë; ajo e quajti Set,*+ sepse tha: «Perëndia më dha* një pasardhës* tjetër në vend të Abelit, meqë atë e vrau Kaini.»+ 26  Edhe Setit i lindi një djalë, dhe ai e quajti Enos.+ Në atë kohë zunë të thërritnin* emrin e Jehovait.

Shënime në fund të faqes

Ose «Linda».
Ose «u ngrys në fytyrë».
Fjalë për fjalë «nga faqja e dheut».
Kjo mund t’i referohet një dekreti që shërbente si paralajmërim për të tjerët.
Ose «në vendin e Nodit».
Ose «pipëzës».
Do të thotë «i caktuar; i vënë; i vendosur».
Ose «më caktoi».
Fjalë për fjalë «farë».
Ose «të përdhosnin».