Zanafilla 39:1-23

  • Jozefi në shtëpinë e Potifarit (1-6)

  • Jozefi i reziston gruas së Potifarit (7-20)

  • Jozefi në burg (21-23)

39  Ndërkohë Jozefin e kishin çuar në Egjipt.+ Atje Potifari,+ një zyrtar i oborrit të faraonit, kreu i rojave, një egjiptian, e bleu nga ismaelitët,+ që e kishin çuar atje.  Mirëpo Jehovai ishte me Jozefin,+ prandaj ky u bë i suksesshëm dhe me përgjegjësi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian.  Zotëria i tij e pa që Jehovai ishte me të dhe se Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.  Kështu Jozefi fitoi gjithnjë e më shumë pëlqimin e zotërisë së tij dhe u bë shërbëtori i tij personal. Prandaj e caktoi në krye të shtëpisë së vet dhe i la nën kujdes gjithçka.  Që nga ajo kohë, Jehovai e bekonte shtëpinë e egjiptianit falë Jozefit dhe bekimi i Jehovait ishte mbi gjithçka që ai kishte në shtëpi e në arë.+  Si përfundim ai i la në dorë Jozefit gjithçka dhe nuk merakosej për asgjë, përveç bukës që hante. Veç kësaj, Jozefi u bë djalë i pashëm dhe truplidhur.  Pas ca kohësh, gruaja e zotërisë së tij ia vuri syrin Jozefit dhe i thoshte: «Fli me mua.»  Por ai nuk pranonte dhe i thoshte: «Imzot nuk merakoset për asgjë që më ka lënë në shtëpi dhe ma ka besuar mua gjithçka që ka.  Në këtë shtëpi s’ka asnjë më të madh se unë, dhe ai s’më ka mbajtur asgjë tjetër veç teje, sepse ti je gruaja e tij. Prandaj, si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?»+ 10  Ndonëse ajo i fliste Jozefit ditë për ditë që t’ia mbushte mendjen, ai kurrë nuk pranoi të flinte a të rrinte me të. 11  Një ditë Jozefi shkoi në shtëpi për të bërë punët e tij, mirëpo atje nuk ishte asnjë nga shërbëtorët. 12  Atëherë ajo e mbërtheu nga rrobat dhe i tha: «Fli me mua!» Por ai ia mbathi përjashta dhe ia la rrobën në dorë. 13  Kur pa që i la rrobën në dorë dhe iku jashtë, 14  ajo filloi t’u thërriste shërbëtorëve të shtëpisë së saj e t’u thoshte: «Shihni! Ky hebre që im shoq e solli në shtëpi, do që të na bëjë gazin e botës, sepse erdhi që të flinte me mua, por unë fillova të ulërija me sa të më hante zëri. 15  Me të dëgjuar që fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën pranë meje dhe ia mbathi përjashta.» 16  Pastaj e mbajti afër vetes rrobën e tij derisa erdhi në shtëpi Potifari, zotëria i Jozefit. 17  Atëherë ajo i tha edhe atij të njëjtën gjë: «Shërbëtori hebre që na solle ti, erdhi tek unë për të më bërë gazin e botës. 18  Por, sapo fillova të bërtisja e të ulërija, ai e la rrobën këtu pranë meje dhe ia mbathi përjashta.» 19  Me të dëgjuar fjalët e së shoqes, që i tha: «Kështu e kështu ma bëri shërbëtori yt», zotëria i tij u tërbua nga zemërimi. 20  Prandaj e mori Jozefin dhe e futi në burg, në vendin ku mbaheshin nën arrest të burgosurit e mbretit, dhe Jozefi mbeti atje.+ 21  Por Jehovai vazhdoi të ishte me Jozefin e t’i tregonte dashuri besnike dhe, falë bekimit të tij, Jozefi fitoi pëlqimin e përgjegjësit të burgut.+ 22  Prandaj e caktoi Jozefin të mbikëqyrte gjithë të burgosurit, dhe gjithçka që bëhej atje, bëhej me urdhër të tij.+ 23  Përgjegjësi nuk merakosej fare për punët që i ishin besuar Jozefit, sepse Jehovai ishte me Jozefin dhe Jehovai ia sillte mbarë çdo gjë që bënte.+

Shënime në fund të faqes