Zanafilla 31:1-55

  • Jakobi largohet fshehurazi nga Kanani (1-18)

  • Labani e arrin Jakobin (19-35)

  • Besëlidhja e Jakobit me Labanin (36-55)

31  Me kalimin e kohës, ai mori vesh që bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi ka marrë çdo gjë që i përkiste babait tonë dhe nga ato ka mbledhur gjithë këtë pasuri.»+  Përveç kësaj, Jakobi vuri re që edhe Labani tani e shihte me sy tjetër.+  Në fund Jehovai i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e etërve të tu dhe te të afërmit e tu+ dhe unë do të vazhdoj të jem me ty.»  Kështu Jakobi i dërgoi fjalë Rakelës dhe Leas që të vinin në fushë, ku kulloste kopetë,  dhe u tha: «Kam vënë re që tani babai juaj më sheh me sy tjetër.+ Megjithatë Perëndia i tim eti e ka treguar se ka qenë me mua.+  Ju vetë e dini se i kam shërbyer babait tuaj me gjithë fuqinë+  dhe ai është përpjekur të ma hedhë dhe ma ka ndryshuar pagën dhjetë herë, por Perëndia nuk e ka lejuar të më bëjë keq.  Kur ai thoshte: ‘Pikaloshet do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël pikaloshë. Por kur ai thoshte: ‘Ato vija-vija do të jenë paga jote’, atëherë gjithë kopeja bënte të vegjël vija-vija.+  Kështu Perëndia ia merrte bagëtitë babait tuaj dhe m’i jepte mua. 10  Një herë, kur kopeja erdhi në afsh, unë pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla.+ 11  Atëherë engjëlli i Perëndisë së vërtetë më tha në ëndërr: ‘Jakob!’ Unë iu përgjigja: ‘Urdhëro, zotëria im.’ 12  Ai vazhdoi: ‘Të lutem, ngriji sytë dhe shih: gjithë cjeptë që ndërzejnë femrat janë vija-vija, pikaloshë dhe pulla-pulla, sepse unë e kam parë gjithçka që po të bën Labani.+ 13  Unë jam Perëndia i vërtetë i Bethelit,+ ku ti mirose* një shtyllë dhe m’u zotove.+ Tani ngrihu, dil nga ky vend dhe kthehu në vendlindje.’»+ 14  Atëherë Rakela dhe Lea thanë: «Se mos ka ngelur ende ndonjë pjesë trashëgimie për ne në shtëpinë e babait tonë! 15  A nuk na konsideron të huaja që kur na shiti dhe a nuk i ka harxhuar gjithë paratë që dhe për ne?+ 16  Gjithë pasuritë që Perëndia ia ka hequr babait janë tonat dhe të fëmijëve tanë,+ prandaj bëj si të ka thënë Perëndia.»+ 17  Kështu Jakobi u ngrit dhe i hipi fëmijët e gratë e tij në deve.+ 18  Pastaj vuri përpara gjithë kopetë dhe pasurinë që kishte vënë, pra, bagëtinë që kishte grumbulluar+ në Padan-Aram, që të shkonte tek Isaku, i ati, në vendin e Kananit.+ 19  Ndërkohë që Labani kishte shkuar të qethte dhentë, Rakela i vodhi idhujt e shtëpisë.*+ 20  Për më tepër, Jakobi u tregua i zgjuar dhe nuk i tha Labanit, aramaitit, që po ia mbathte. 21  Kështu ia mbathi dhe kaloi Lumin*+ me gjithçka që kishte, e pastaj mori rrugën për në rajonin malor të Galadit.+ 22  Ditën e tretë, Labanit i thanë se Jakobi ia kishte mbathur. 23  Prandaj ai mori me vete vëllezërit* e tij, iu vu pas për shtatë ditë dhe e arriti në rajonin malor të Galadit. 24  Atëherë Perëndia iu shfaq natën në ëndërr+ Labanit, aramaitit,+ dhe i tha: «Ki kujdes çfarë i thua Jakobit, qoftë për mirë, qoftë për keq.»+ 25  Kështu Labani arriti te Jakobi, që e kishte ngritur tendën në mal; edhe Labani me vëllezërit e tij e kishin ngritur kampin në rajonin malor të Galadit. 26  Atëherë Labani i tha Jakobit: «Ç’ishte kjo që bëre? Pse duhej të më mashtroje kështu e të m’i merrje vajzat sikur të ishin robinja të zëna me shpatë? 27  Pse ia mbathe fshehurazi, më mashtrove e nuk më the gjë? Po të më kishe thënë, do të të kisha nisur me këngë e valle, me dajre e harpë. 28  Nuk më dhe mundësi as të puthja nipërit e mbesat* dhe vajzat e mia. Ke vepruar pa mend. 29  Tani e kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli mbrëmë dhe më tha: ‘Ki kujdes çfarë i thua Jakobit, qoftë për mirë, qoftë për keq.’+ 30  E kuptoj që s’të mbante vendi nga malli për shtëpinë e babait tënd, po perënditë pse m’i vodhe?»+ 31  Jakobi iu përgjigj Labanit: «Ika fshehurazi ngaqë kisha frikë dhe mendova se mos m’i merrje me forcë vajzat e tua. 32  E sa për perënditë e tua, nëse i gjen te ndonjë nga ne, ai nuk do të rrojë. Kontrolloji vetë në sy të vëllezërve tanë gjërat që kam me vete dhe ç’të jetë jotja, merre.» Mirëpo Jakobi nuk e dinte që i kishte vjedhur Rakela. 33  Kështu Labani hyri në tendën e Jakobit, në tendën e Leas dhe në tendën e dy skllaveve të saj,+ por nuk i gjeti. Pastaj doli nga tenda e Leas dhe hyri në tendën e Rakelës. 34  Ndërkohë Rakela i kishte marrë idhujt e shtëpisë, i kishte vënë në koshin e samarit të devesë dhe rrinte ulur mbi ta. Kështu Labani rrëmoi nëpër tendë, por nuk i gjeti. 35  Atëherë ajo i tha të atit: «Mos u zemëro me mua, imzot, sepse s’ngrihem dot para teje se jam me zakonet.»+ Kështu, edhe pse vazhdoi të kërkonte me kujdes, ai nuk i gjeti idhujt e shtëpisë.+ 36  Atëherë Jakobi u nxeh me Labanin dhe iu kthye me këto fjalë: «Ç’krim e ç’mëkat kam bërë që më je qepur këmba-këmbës? 37  Tani që rrëmove nëpër gjithë gjërat e mia, gjete ndonjë gjë të shtëpisë sate? Nxirre këtu në sy të vëllezërve të mi e të vëllezërve të tu, dhe le të vendosin ata cili nga ne të dy ka të drejtë. 38  Gjatë 20 viteve që isha me ty, delet e dhitë e tua nuk dështuan kurrë,+ dhe unë nuk hëngra as edhe një herë të vetme deshtë e kopesë sate. 39  Nuk të solla ndonjëherë kafshë të shqyera nga egërsirat,+ se dëmin e laja vetë dhe, për atë që vidhej ditën a natën, dëmshpërblimin e kërkoje nga dora ime. 40  Ditën më përvëlonte vapa, natën ngrija nga të ftohtët, dhe gjumi më ikte nga sytë.+ 41  Tani u bënë 20 vjet që rri në shtëpinë tënde! Të kam shërbyer 14 vjet për dy vajzat e tua e 6 vjet për kopenë tënde, dhe ti ma ke ndryshuar pagën dhjetë herë!+ 42  Sikur Perëndia i atit tim,+ Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia që nderon thellësisht Isaku,*+ të mos kishte qenë në anën time, tani do të më kishe nisur duarbosh. Por Perëndia i ka parë vuajtjet e mia dhe mundin e duarve të mia, prandaj të paralajmëroi mbrëmë.»+ 43  Atëherë Labani iu përgjigj Jakobit: «Vajzat janë vajzat e mia, fëmijët janë fëmijët e mi, kopeja është kopeja ime dhe gjithçka që sheh është imja dhe e vajzave të mia. Ç’mund të bëj sot kundër tyre apo kundër fëmijëve që kanë sjellë në jetë? 44  Hajde tani, të bëjmë një besëlidhje, unë dhe ti, që të shërbejë si dëshmi mes meje e teje.» 45  Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si shtyllë.+ 46  Pastaj u tha vëllezërve të tij: «Mblidhni gurë!» Kështu ata mblodhën gurë, i vunë stivë e pastaj hëngrën mbi ta. 47  Labani e quajti stivën e gurëve Jegar-Sahaduta,* ndërsa Jakobi e quajti Galed.* 48  Labani tha: «Kjo stivë gurësh është sot dëshmitare mes meje e teje.» Ja pse u quajt Galed+ 49  dhe Kulla e Rojës,* sepse tha: «Jehovai le të na vrojtojë të dyve kur të mos e shohim më njëri-tjetrin. 50  Nëse i keqtrajton vajzat e mia dhe nëse merr gra të tjera veç tyre, edhe sikur të mos na shohë njeri, mos harro që Perëndia është dëshmitar mes meje e teje.» 51  Labani i tha akoma Jakobit: «Ja ku është kjo stivë gurësh dhe shtylla që kam ngritur mes meje e teje. 52  Kjo stivë gurësh është dëshmitare dhe shtylla jep dëshmi+ që nuk do ta kapërcej këtë stivë për të të bërë keq dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë stivë e këtë shtyllë për të më bërë keq. 53  Perëndia i Abrahamit+ dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, gjykoftë mes nesh!» Dhe Jakobi u betua për Perëndinë që nderon thellësisht Isaku, i ati.*+ 54  Pastaj Jakobi paraqiti një flijim në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë. Kështu hëngrën dhe e kaluan natën në mal. 55  Labani u çua herët në mëngjes, puthi nipërit e mbesat*+ dhe vajzat e tij, i bekoi+ e pastaj mori rrugën për në shtëpi.+

Shënime në fund të faqes

Ose «perënditë e shtëpisë». Fjalë për fjalë «terafimët».
Domethënë, Eufratin.
Ose «të afërmit».
Fjalë për fjalë «bijtë».
Fjalë për fjalë «frika e Isakut». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Shprehje në aramaisht që do të thotë «stivë dëshmie».
Shprehje në hebraisht që do të thotë «stivë dëshmie».
Ose «Mizpah», emër hebraik që do të thotë «kulla e rojës; pikë vrojtimi».
Fjalë për fjalë «për frikën e Isakut, të atit». Shih Fjalorthin, «Frika nga Perëndia».
Fjalë për fjalë «bijtë».