Zanafilla 18:1-33

  • Tre engjëj vizitojnë Abrahamin (1-8)

  • Sarës i premtohet një djalë; ajo qesh (9-15)

  • Abrahami lutet për Sodomën (16-33)

18  Pas kësaj Jehovai*+ iu shfaq Abrahamit mes pemëve të mëdha në Mamre,+ ndërsa rrinte ulur në hyrje të tendës, në pikë të vapës.  Kur ngriti sytë, vuri re tre burra që po rrinin në këmbë disi larg tij.+ Sa i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t’i takonte dhe u përkul deri në tokë.  Pastaj tha: «Jehova, nëse kam fituar miratimin tënd, të lutem, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt.  Më lejoni, ju lutem, t’ju sjell pak ujë e t’ju laj këmbët,+ e pastaj çlodhuni pak nën këtë pemë.  Meqë keni ardhur këtu te shërbëtori juaj, më lini t’ju sjell një copë bukë që të merrni veten,* e pastaj vazhdoni rrugën.» Ata ia kthyen: «Mirë, bëj ashtu si the.»  Kështu Abrahami shkoi me nxitim te Sara në tendë dhe i tha: «Shpejt! Merr tri masa* nga mielli më i mirë, zër brumin dhe bëj ca bukë.»  Pastaj Abrahami vrapoi te kopeja, zgjodhi një dem të njomë e të mirë, ia dha shërbëtorit, i cili nxitoi që ta bënte gati.  Mori pastaj gjalpë, qumësht dhe demin e ri që kishte bërë gati e ua vuri përpara. Kurse vetë rrinte në këmbë pranë tyre nën pemë, ndërkohë që ata hanin.+  Ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?»+ Ai u përgjigj: «Këtu, në tendë.» 10  Atëherë njëri prej tyre tha: «Do të kthehem me siguri te ti vitin tjetër në këtë kohë dhe Sara, gruaja jote, do të lindë një djalë.»+ Ndërkohë Sara ishte te hyrja e tendës që ndodhej pas tij dhe po dëgjonte. 11  Abrahami me Sarën ishin pleq, të shkuar në moshë,+ dhe Sara e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë.*+ 12  Prandaj Sara nisi të qeshte me vete e të thoshte: «A do ta kem vërtet këtë gëzim tani që u plaka dhe që zotëria im është i moshuar?»+ 13  Atëherë Jehovai i tha Abrahamit: «Pse qeshi Sara e tha: ‘A do të lind vërtet edhe pse jam plakur?’ 14  A ka ndonjë gjë të pamundur për Jehovain?+ Do të kthehem te ti vitin tjetër tamam në këtë kohë dhe Sara do të lindë një djalë.» 15  Mirëpo Sara e mohoi nga frika dhe tha: «Nuk qesha.» Por ai ia ktheu: «Po, po, qeshe.» 16  Ndërkohë që burrat u ngritën të iknin dhe po shikonin poshtë në drejtim të Sodomës,+ Abrahami po i përcillte. 17  Jehovai tha: «S’kam për t’ia mbajtur të fshehtë Abrahamit atë që do të bëj.+ 18  Me siguri Abrahami do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm dhe gjithë kombet e tokës do të bekohen* nëpërmjet tij.+ 19  Ja pse jam lidhur ngushtë me të, që ai t’i urdhërojë bijtë dhe shtëpinë e tij të qëndrojnë në udhën e Jehovait e të bëjnë ç’është e drejtë dhe e ndershme.+ Kështu unë, Jehovai, mund të plotësoj premtimet që i bëra Abrahamit.» 20  Pastaj Jehovai tha: «E fortë është britma e ankimit kundër Sodomës e Gomorrës,+ dhe shumë i rëndë mëkati i tyre.+ 21  Do të zbres për të parë nëse po sillen vërtet ashtu si më ka ardhur në vesh britma e ankimit, dhe nëse nuk është kështu, kam për ta marrë vesh.»+ 22  Atëherë dy burrat ikën që andej dhe shkuan në drejtim të Sodomës, kurse Jehovai+ qëndroi me Abrahamin. 23  Kështu Abrahami iu afrua dhe tha: «Vërtet do ta shfarosësh të drejtin bashkë me të ligun?+ 24  Ta zëmë se në qytet ka 50 të drejtë. A do t’i shfarosësh dhe nuk do ta falësh vendin për hir të 50 të drejtëve që janë në të? 25  As që mund të mendohet kurrë që ti të veprosh kështu: të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, dhe të drejtit t’i ndodhë siç i ndodh edhe të ligut!+ S’mund të mendohet kurrë për ty!+ A nuk do të bëjë atë që është e drejtë Gjykatësi i gjithë tokës?!»+ 26  Atëherë Jehovai tha: «Po të gjej në qytetin e Sodomës 50 të drejtë, do ta fal gjithë vendin për hir të tyre.» 27  Por Abrahami iu drejtua përsëri dhe i tha: «Të lutem, tani po marr guximin të flas me Jehovain, ndonëse jam pluhur e hi. 28  Ta zëmë se atyre 50 të drejtëve u mungojnë pesë. A do ta shkatërrosh gjithë qytetin ngaqë mungojnë pesë?» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj po të gjej 45 të drejtë.»+ 29  Por Abrahami i tha prapë: «Ta zëmë se gjenden 40.» Perëndia i tha: «Nuk do ta bëj për hir të atyre 40 të drejtëve.» 30  Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi,+ por më lër të flas akoma. Ta zëmë se gjenden 30.» Perëndia ia ktheu: «Nuk do ta bëj po të gjej 30 veta.» 31  Por Abrahami vazhdoi: «Të lutem, po marr guximin të flas me Jehovain. Ta zëmë se gjenden vetëm 20.» Perëndia iu përgjigj: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 20 vetave.» 32  Së fundi Abrahami tha: «Të lutem, o Jehova, të mos të ndizet zemërimi, por më lër të flas edhe këtë herë. Ta zëmë se gjenden vetëm 10.» Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të atyre 10 vetave.» 33  Kur mbaroi së foluri me Abrahamin, Jehovai u largua,+ kurse Abrahami u kthye në vendin e vet.

Shënime në fund të faqes

Domethënë, një engjëll që përfaqësonte Jehovain.
Fjalë për fjalë «të forconi zemrën».
Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «nuk kishte më as menstruacionet».
Ose «do të marrin bekime».