Zanafilla 16:1-16

  • Agara dhe Ismaeli (1-16)

16  Mirëpo Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte lindur fëmijë,+ megjithatë kishte një shërbyese egjiptiane që quhej Agara.+  Kështu Saraja i tha Abramit: «Më dëgjo, të lutem! Jehovai nuk më ka lejuar të lind fëmijë, prandaj të lutem, ki marrëdhënie me shërbyesen time, se mbase mund të kem fëmijë nga ajo.»+ Kështu Abrami e dëgjoi Sarajën.  Pasi Abrami kishte banuar dhjetë vjet në vendin e Kananit, Saraja, gruaja e tij, mori Agarën, shërbyesen e saj egjiptiane, dhe ia dha për grua të shoqit, Abramit.  Kështu ai pati marrëdhënie me Agarën, që mbeti shtatzënë. Kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi ta përbuzte të zonjën.  Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti e ke fajin për të keqen që më ra! Unë e lashë shërbyesen time në krahët e tu,* por kur e kuptoi se ishte shtatzënë, ajo filloi të më përbuzte. Jehovai gjykoftë mes meje e teje!»  Kështu Abrami i tha Sarajës: «Ja, shërbyesja jote është në dorën tënde. Bëj me të si të të duket më mirë.» Atëherë Saraja filloi ta ulte e ta trajtonte ashpër, prandaj Agara ia mbathi.  Më vonë, engjëlli i Jehovait e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, te burimi që ishte rrugës për në Sur.+  Ai i tha: «Agarë, shërbyese e Sarajës, nga vjen dhe ku po shkon?» Ajo ia ktheu: «Po ia mbath prej Sarajës, zonjës sime.»  Atëherë engjëlli i Jehovait i tha: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» 10  Pastaj engjëlli i Jehovait i tha: «Do t’i shtoj aq shumë pasardhësit* e tu, sa nuk do të numërohen dot.»+ 11  Engjëlli i Jehovait shtoi: «Ti je shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Ismael,* sepse Jehovai e dëgjoi rënkimin tënd. 12  Ai do të jetë si një gomar i egër.* Dora e tij do të ngrihet kundër të gjithëve dhe dora e të gjithëve do të ngrihet kundër tij; ai do të banojë përballë gjithë vëllezërve të vet.»* 13  Atëherë ajo i thuri lavde emrit të Jehovait që po i fliste: «Ti je një Perëndi që sheh»,+ sepse ajo tha: «Këtu e kam parë vërtet atë që më sheh.» 14  Ja pse pusi u quajt Ber-Lahai-Roi.* (Ai ndodhet mes Kadeshit dhe Beredit.) 15  Kështu Agara i lindi Abramit një djalë, dhe ai e quajti Ismael.+ 16  Abrami ishte 86 vjeç kur Agara lindi Ismaelin.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «në gjirin tënd».
Fjalë për fjalë «farën».
Do të thotë «Perëndia dëgjon».
Disa mendojnë se bëhet fjalë për një zebër. Ka shumë të ngjarë t’i referohet një karakteri të pavarur.
Një mundësi tjetër «ai do të jetë në armiqësi me gjithë vëllezërit e vet».
Do të thotë «pusi i të Gjallit që më sheh».