Veprat e Apostujve 4:1-37

  • Arrestojnë Pjetrin dhe Gjonin (1-4)

    • Numri i besimtarëve arrin në 5.000 veta (4)

  • Gjyqi para Sinedrit (5-22)

    • «Ne s’rrimë dot pa folur» (20)

  • Lutje për guxim (23-31)

  • Dishepujt ndajnë zotërimet e tyre (32-37)

4  Ndërsa ata të dy po i flitnin popullit, papritur erdhën priftërinjtë, kapiteni i rojave të tempullit dhe saducenjtë.+  Këta ishin të acaruar ngaqë apostujt po mësonin popullin dhe po flitnin haptazi për ringjalljen e Jezuit nga të vdekurit.*+  Prandaj i kapën dhe i mbajtën në arrest+ deri të nesërmen, pasi tashmë ishte mbrëmje.  Megjithatë, shumë njerëz që i kishin dëgjuar ato fjalë, i besuan, dhe numri i burrave besimtarë u rrit në rreth 5.000 veta.+  Të nesërmen, në Jerusalem u mblodhën krerët e judenjve, pleqtë dhe skribët.  Bashkë me ta ishin edhe Hanai,+ kreu i priftërinjve, Kajafa,+ Gjoni, Aleksandri dhe të gjithë ata që ishin farefis i kreut të priftërinjve.  Pjetrin dhe Gjonin i vunë në mes e filluan t’i pyetnin: «Me ç’fuqi ose në emër të kujt e bëtë këtë?»  Atëherë Pjetri, i mbushur me frymë të shenjtë,+ u tha: «Krerë të popullit dhe pleq!  Nëse sot po na merrni në pyetje për një vepër të mirë ndaj një njeriu të çalë+ dhe po pyesni se kush e shëroi, 10  të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit, dijeni se ky njeri qëndron në këmbë i shëndetshëm para jush në emër të Jezu Krishtit, nazareasit,+ që ju e ekzekutuat në shtyllë,+ por që Perëndia e ngriti nga të vdekurit;+ po pikërisht nëpërmjet tij. 11  Ai është ‘guri që ju ndërtuesit nuk e çmuat aspak dhe që u bë guri kryesor i qoshes’.*+ 12  Për më tepër, nga askush tjetër nuk vjen shpëtimi, sepse nën qiell nuk ka emër tjetër+ që Perëndia të ketë dhënë mes njerëzve, me anë të të cilit të shpëtojmë.»+ 13  Kur krerët e popullit dhe pleqtë panë se Pjetri e Gjoni flitnin me guxim* dhe kuptuan se ishin njerëz të pashkolluar* e të thjeshtë,+ u çuditën dhe filluan të kuptonin se ata kishin qenë me Jezuin.+ 14  Prandaj s’kishin ç’të thoshin+ teksa shihnin njeriun e shëruar që qëndronte në këmbë me ta.+ 15  Kështu i urdhëruan të dilnin jashtë sallës së Sinedrit dhe nisën të konsultoheshin* me njëri-tjetrin: 16  «Ç’të bëjmë me këta njerëz?+ Se në fakt bënë një shenjë* të jashtëzakonshme para tërë banorëve të Jerusalemit,+ dhe ne nuk e mohojmë dot. 17  Prandaj, që kjo të mos përhapet më tepër në popull, t’i kërcënojmë që të mos i flasin më askujt në emër të tij.»+ 18  Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan të mos flitnin fare e të mos mësonin në emër të Jezuit. 19  Por Pjetri dhe Gjoni iu përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë; 20  sepse ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.»+ 21  Kështu, pasi i kërcënuan përsëri, i liruan, sepse nuk gjetën asnjë bazë për t’i ndëshkuar. Po ashtu kishin frikë nga populli,+ ngaqë të gjithë po i jepnin lavdi Perëndisë për atë që kishte ndodhur. 22  Faktikisht, burri që u shërua me atë mrekulli ishte mbi 40 vjeç. 23  Pasi i lanë të lirë, ata shkuan te të vetët dhe u treguan çfarë u kishin thënë krerët e priftërinjve dhe pleqtë. 24  Me të dëgjuar këtë, iu lutën së bashku Perëndisë: «O Zotëri Sovran, ti je Ai që bëre qiellin, tokën, detin e gjithçka në ta.+ 25  Ti je ai që nëpërmjet frymës së shenjtë ke thënë me anë të paraardhësit tonë, Davidit,+ shërbëtorit tënd: ‘Pse ziejnë kombet? Pse bluajnë në mendje gjëra të kota popujt? 26  Mbretërit e tokës u ngritën e si një trup i vetëm sundimtarët u mblodhën kundër Jehovait* dhe të mirosurit të tij.’*+ 27  Në fakt, Herodi dhe Ponc Pilati,+ bashkë me njerëz nga kombet* dhe nga Izraeli, u mblodhën në këtë qytet kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e mirose+ 28  për të bërë atë që dora dhe qëllimi yt kishin vendosur që më parë.+ 29  E tani, o Jehova,* kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre, dhe bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim, 30  ndërsa ti tregon fuqinë tënde për të shëruar dhe ndërsa bëhen shenja e mrekulli*+ në emër të shërbëtorit tënd të shenjtë Jezu.»+ 31  Pasi mbaruan përgjërimet,* vendi ku ishin mbledhur, u trondit. Të gjithë u mbushën me frymë të shenjtë+ dhe e thoshin fjalën e Perëndisë me guxim.+ 32  Veç kësaj, të gjithë ata që besuan, ishin në një mendje.* Asnjëri prej tyre nuk thoshte se ndonjë gjë që zotëronte, ishte e veta, përkundrazi, gjithçka e kishin të përbashkët.+ 33  Gjithashtu, me shumë zotësi, apostujt vazhduan të jepnin dëshmi për ringjalljen e Zotërisë Jezu,+ dhe të gjithëve iu tregua shumë mirësi e pamerituar.* 34  Në të vërtetë, midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar,+ sepse të gjithë ata që ishin pronarë arash ose shtëpish, i shitnin dhe të ardhurat 35  ua sillnin apostujve.+ Më pas, secilit i shpërndahej sipas nevojës.+ 36  Kështu bëri edhe Jozefi, të cilin apostujt e quanin Barnaba,+ (që kur përkthehet, do të thotë «bir i ngushëllimit»), një levit i lindur në Qipro. 37  Ai e shiti copën e tokës që zotëronte dhe paratë ua çoi apostujve.+

Shënime në fund të faqes

Ose «për ringjalljen nga të vdekurit, duke përmendur rastin e Jezuit».
Fjalë për fjalë «koka e qoshes».
Ose «me çiltërsi».
Domethënë, jo të shkolluar në shkollat rabinike; nuk do të thotë se ishin analfabetë.
Ose «të këshilloheshin».
Ose «mrekulli».
Ose «Krishtit të tij». Shih Fjalorthin, «Miros».
Ose «çudira».
Ose «u lutën me zjarr».
Fjalë për fjalë «një zemër e një shpirt». Shih Fjalorthin, «Shpirti».
Ose «dashamirësi e pamerituar». Shih Fjalorthin.