Veprat e Apostujve 3:1-26

  • Pjetri shëron një lypës të çalë (1-10)

  • Fjalimi i Pjetrit te Kolonada e Solomonit (11-26)

    • ‘Rivendosja e të gjitha gjërave’ (21)

    • Një profet si Moisiu (22)

3  Tani, Pjetri dhe Gjoni shkuan në tempull për orën e lutjes, orën e nëntë.*  Atje sollën një burrë që kishte lindur i çalë. Atë e vinin përditë pranë portës së tempullit që quhej Porta e Bukur, për t’u kërkuar lëmoshë* atyre që hynin në tempull.  Kur vuri re se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, ai nisi t’u kërkonte lëmoshë.*  Por Pjetri e Gjoni e vështruan dhe i thanë: «Na shiko!»  Atëherë ai ua nguli sytë duke pritur të merrte diçka prej tyre,  por Pjetri i tha: «Argjend e ar s’kam, por të jap atë që kam. Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, çohu dhe ec!»+  Pastaj e kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti.+ Në çast, këmbët dhe kyçet iu forcuan,+  u ngrit+ e filloi të ecte. Hyri me ta në tempull duke ecur, duke hovur e duke lëvduar Perëndinë,  dhe të gjithë njerëzit e panë tek ecte e lëvdonte Perëndinë. 10  Ata e njohën se ishte ai që ulej në Portën e Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë,*+ prandaj mbetën pa fjalë dhe u mahnitën për çka i kishte ndodhur. 11  Ndërsa burri mbahej ende te Pjetri dhe Gjoni, të gjithë njerëzit, krejt të habitur, vrapuan drejt tyre tek ajo që quhej Kolonada e Solomonit.+ 12  Kur e pa këtë, Pjetri u tha: «Burra të Izraelit, pse çuditeni kaq shumë?! Pse na i ngulni sytë a thua se këtë njeri e bëmë të ecte me fuqinë ose me përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?!* 13  Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit,+ Perëndia i paraardhësve tanë, i dha lavdi Shërbëtorit të tij,+ Jezuit,+ të cilin ju e dorëzuat+ dhe e mohuat para Pilatit, edhe pse ai kishte vendosur ta lironte. 14  Po, ju e mohuat të shenjtin e të drejtin dhe kërkuat të lirohej një njeri që ishte vrasës,+ 15  kurse Kryepërfaqësuesin* e jetës e vratë.+ Megjithatë Perëndia e ngriti nga të vdekurit, dhe për këtë ne jemi dëshmitarë.+ 16  Nëpërmjet emrit të tij, e ngaqë kemi besim tek emri i tij, u bë i fortë ky njeri që shihni dhe njihni. Besimi që kemi te Jezui i dha këtij njeriu shëndet të plotë para të gjithëve ju. 17  E pra, vëllezër, e di se vepruat në padije,+ ashtu si bënë edhe krerët tuaj.+ 18  Por Perëndia lejoi të ndodhnin këto gjëra që të përmbusheshin ato që paratha nëpërmjet tërë profetëve, se Krishti i tij do të vuante.+ 19  Prandaj pendohuni+ dhe kthehuni,+ që t’ju fshihen mëkatet,+ që nga vetë Jehovai* të vijnë stinë freskuese 20  e të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin. 21  Ai duhet të qëndrojë në qiell* deri në kohën e rivendosjes së të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë. 22  Në fakt, Moisiu tha: ‘Jehovai,* Perëndia juaj, do të nxjerrë një profet si unë nga vëllezërit tuaj.+ Duhet të dëgjoni gjithçka që do t’ju thotë.+ 23  Kushdo* që nuk e dëgjon atë Profet, do të shfaroset nga populli.’+ 24  Edhe të gjithë profetët, që nga Samueli e me radhë, folën qartë për këto ditë.+ 25  Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia bëri me paraardhësit tuaj+ kur i tha Abrahamit: ‘Me anë të pasardhësit* tënd do të bekohen të gjitha familjet e tokës.’+ 26  Pasi e ngriti Shërbëtorin e tij, Perëndia e dërgoi që t’ju bekonte më parë juve,+ duke e ndihmuar secilin të pendohet për veprat e liga.»

Shënime në fund të faqes

Domethënë, rreth orës 3 të pasdites.
Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
Ose «përkushtimin hyjnor». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «nga fytyra e Jehovait». Shih Shtojcën A5.
Ose «Atë duhet ta mbajë brenda vetes qielli».
Ose «Çdo shpirt».
Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.