Veprat e Apostujve 19:1-41

  • Pavli në Efes; disa pagëzohen sërish (1-7)

  • Mësimdhënia e Pavlit (8-10)

  • Triumf ndaj demonizmin (11-20)

  • Trazirë në Efes (21-41)

19  Në këto e sipër, ndërsa Apoli+ ishte në Korint, Pavli përshkoi rajonet në brendësi të vendit dhe zbriti në Efes.+ Atje gjeti disa dishepuj,  të cilëve u tha: «A e morët frymën e shenjtë kur u bëtë besimtarë?»+ Ata iu përgjigjën: «Ne as që kemi dëgjuar ndonjëherë për frymën e shenjtë.»  Atëherë ai i pyeti: «Me ç’lloj pagëzimi jeni pagëzuar, atëherë?» Ata thanë: «Me pagëzimin e Gjonit.»+  Pavli vazhdoi: «Gjoni i pagëzoi njerëzit me pagëzimin si simbol të pendimit të tyre,+ dhe u tha të besonin tek ai që do të vinte pas tij,+ domethënë, te Jezui.»  Sa e dëgjuan këtë, u pagëzuan në emër të Zotërisë Jezu.  Kur Pavli vuri duart mbi ta,* fryma e shenjtë zbriti tek ata,+ e kështu nisën të flitnin gjuhë të huaja e të profetizonin.+  Ishin gjithsej 12 burra.  Ai shkoi për tre muaj rresht në sinagogë+ dhe fliste me guxim, teksa bënte fjalime e arsyetonte në mënyrë bindëse rreth Mbretërisë së Perëndisë.+  Megjithatë ai u largua+ kur disa nuk pranuan me kokëfortësi të besonin* dhe flitnin keq për Udhën+ para turmës. Mori me vete dishepujt dhe u mbante përditë fjalime në sallën e shkollës së Tiranit. 10  Kjo vazhdoi për dy vjet dhe, si pasojë, të gjithë ata që banonin në provincën e Azisë, qoftë judenj, qoftë grekë, e dëgjuan fjalën e Zotërisë. 11  Perëndia vazhdonte të kryente vepra të jashtëzakonshme e të fuqishme nëpërmjet Pavlit.+ 12  Madje, të sëmurëve u çonin shami e përparëse që kishin prekur trupin e Pavlit,+ e kështu shëroheshin nga sëmundjet dhe frymërat e liga* dilnin prej tyre.+ 13  Megjithatë, edhe disa judenj që udhëtonin nga një vend në tjetrin për të dëbuar demonë, përpiqeshin të përdornin emrin e Zotërisë Jezu tek ata që kishin frymëra të liga, e thoshin: «Në emër të Jezuit, për të cilin predikon Pavli, të urdhëroj të dalësh!»+ 14  Këtë e bënin edhe shtatë djem të Skevit, një judeu që ishte kreu i priftërinjve. 15  Në një rast, fryma e ligë ua ktheu: «Jezuin e di kush është+ dhe Pavlin e njoh.+ Po ju, kush jeni?» 16  Atëherë njeriu që kishte frymën e ligë, u hodh mbi ta, i vuri poshtë njërin pas tjetrit dhe i mundi, prandaj ata ia mbathën nga ajo shtëpi, të zhveshur e me plagë. 17  Të gjithë judenjtë dhe grekët që banonin në Efes, e morën vesh këtë dhe i zuri frika. Kështu, emri i Zotërisë Jezu madhërohej vazhdimisht. 18  Shumë nga ata që ishin bërë besimtarë, vinin për t’i rrëfyer dhe për t’i pranuar haptazi veprat e tyre të liga. 19  Madje, mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve.+ Llogaritën çmimin e tërë librave, e doli se vlenin 50.000 monedha argjendi. 20  Kështu, falë fuqisë së Jehovait,* fjala e tij vazhdonte të përhapej e të triumfonte.+ 21  Pas këtyre ngjarjeve, Pavli vendosi të kalonte nëpër Maqedoni+ e Akai, e më vonë të shkonte në Jerusalem.+ Ai tha: «Pasi të mbërrij në Jerusalem, duhet të shkoj edhe në Romë.»+ 22  Kështu, dërgoi në Maqedoni dy nga ndihmësit e tij, Timoteun+ dhe Erastin,+ kurse vetë ndenji edhe ca kohë në provincën e Azisë. 23  Në atë kohë ndodhi një trazirë e madhe+ lidhur me Udhën,+ 24  për shkak të një burri që quhej Dhimitër, një argjendari që bënte faltore argjendi të Artemisës dhe që u sillte goxha fitime artizanëve.+ 25  Ai i mblodhi këta dhe të tjerët që punonin me gjëra të tilla dhe u tha: «Burra, ju e dini fare mirë se nga kjo punë varet pasuria jonë. 26  Ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pavli, jo vetëm në Efes,+ por pothuajse në gjithë provincën e Azisë, bindi një turmë mjaft të madhe njerëzish dhe ia ndryshoi mendjen duke thënë se, ato që bëhen me dorë, nuk janë perëndi.+ 27  Kështu, jo vetëm që zanati ynë rrezikon të mos vlerësohet më, por edhe tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë do të shihet si një hiç, dhe pas pak kohe, ajo që adhurohet në mbarë provincën e Azisë dhe në mbarë tokën e banuar, do ta humbasë madhështinë e saj.» 28  Me të dëgjuar këtë, njerëzit u mbushën plot zemërim dhe filluan të thërritnin: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» 29  Kështu qyteti u bë rrëmujë dhe, teksa gjithë njerëzit turreshin drejt teatrit, morën zvarrë Gajin e Aristarkun,+ që ishin nga Maqedonia dhe shokë udhëtimi të Pavlit. 30  Pavli donte të hynte mes popullit, por dishepujt nuk e lanë. 31  Edhe disa organizues të festave e të lojërave që ishin miqësorë me të, i çuan fjalë e iu lutën të mos rrezikonte duke u futur në teatër. 32  Në fakt turma ishte rrëmujë: disa thërritnin një gjë e të tjerë diçka tjetër, dhe shumica nuk e dinin pse ishin mbledhur. 33  Judenjtë po shtynin përpara Aleksandrin dhe e nxorën para turmës. Ai bëri shenjë me dorë dhe donte të bënte mbrojtjen para popullit. 34  Por kur kuptuan se ishte jude, të gjithë njëzëri bërtitën pa pushuar për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» 35  Më në fund, kur e qetësoi turmën, sekretari i qytetit tha: «Burra të Efesit, kush nuk e di se qyteti i Efesit është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shëmbëlltyrës* që ra nga qielli?! 36  Përderisa këto gjëra janë të pamohueshme, s’ka pse të humbisni qetësinë e të veproni rrëmbimthi, 37  sepse këta burra që keni sjellë këtu, nuk janë as plaçkitës tempujsh, as blasfemues* të perëndeshës sonë. 38  Prandaj, nëse Dhimitri+ dhe artizanët që janë me të, kanë ndonjë akuzë kundër ndokujt, ka edhe ditë gjyqi, edhe prokonsuj;* të ngrenë padi kundër njëri-tjetrit. 39  Por, nëse po kërkoni ndonjë gjë tjetër, kjo duhet zgjidhur në një mbledhje siç e kërkon ligji, 40  sepse me ngjarjen e sotme rrezikojmë vërtet të paditemi për nxitje kryengritjeje, pasi nuk kemi asnjë bazë që ta justifikojmë këtë turmë të trazuar.» 41  Si tha këto, shpërndau turmën.

Shënime në fund të faqes

Shih Fjalorthin, «Vënia e duarve».
Ose «u ngurtësuan e nuk besuan».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «idhullit».
Një prokonsull ishte guvernatori romak i një province. Shih Fjalorthin.