Veprat e Apostujve 12:1-25

  • Jakovi vritet; Pjetri burgoset (1-5)

  • Pjetri çlirohet në mënyrë të mrekullueshme (6-19)

  • Herodin e godet një engjëll (20-25)

12  Rreth asaj kohe, mbreti Herod filloi të keqtrajtonte disa nga kongregacioni.+  Ai vrau me shpatë+ Jakovin, vëllanë e Gjonit.+  Kur pa se kjo u pëlqeu judenjve, arrestoi edhe Pjetrin. (Ishte Festa e Bukëve Pa Maja.)+  Ai e kapi, e futi në burg+ dhe ua dorëzoi katër skuadrave me katër ushtarë secila, që ta ruanin me turne, pasi kishte ndër mend ta nxirrte* para popullit pas Festës së Kalimit.  Kështu, Pjetrin po e mbanin në burg, ndërkohë që kongregacioni i lutej me zjarr Perëndisë për të.+  Një natë para se Herodi ta nxirrte Pjetrin para popullit, ky po flinte i lidhur me dy zinxhirë mes dy ushtarëve, dhe rojat para derës po ruanin burgun.  Kur ja, atje u shfaq engjëlli i Jehovait,*+ dhe një dritë ndriçoi qelinë e burgut. Ai i ra Pjetrit në sup për ta zgjuar dhe i tha: «Ngrihu shpejt!» Menjëherë zinxhirët i ranë nga duart.+  Engjëlli i tha: «Vishu* e mbath sandalet.» Ai veproi ashtu. Së fundi i tha: «Hidh krahëve veshjen e sipërme dhe më ndiq.»  Pjetri doli dhe e ndoqi, por nuk e kuptoi se gjithçka që po ndodhte nëpërmjet engjëllit, ishte e vërtetë. Në fakt, ai mendoi se po shihte një vegim.* 10  Si kaluan truprojën e parë dhe të dytë, mbërritën te porta e hekurt që të çonte në qytet, e kjo u hap vetë para tyre. Kur dolën, shkuan nëpër një rrugë, dhe engjëlli u largua menjëherë nga ai. 11  Pjetri erdhi në vete dhe tha: «Tani jam i sigurt se Jehovai* dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Herodit dhe nga gjithçka që donin të më bënin judenjtë.»+ 12  Pasi e kuptoi këtë, shkoi te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, që quhej edhe Mark,+ ku ishin mbledhur së bashku mjaft veta dhe po luteshin. 13  Kur trokiti te porta e jashtme, një shërbëtore që quhej Rode, doli të shihte kush trokiste. 14  Me të njohur zërin e Pjetrit, u gëzua kaq shumë, sa nuk e hapi portën, por vrapoi brenda dhe i njoftoi se Pjetri ishte te porta. 15  Ata i thanë: «Ti je çmendur!» Por ajo ngulte këmbë se Pjetri kishte ardhur vërtet. Atëherë thanë: «Është një engjëll.»* 16  Ndërkaq Pjetri mbeti atje duke trokitur. Kur hapën portën, e panë dhe u befasuan. 17  Por ai u bëri shenjë të heshtnin, u tregoi me hollësi se si Jehovai* e nxori nga burgu dhe shtoi: «Tregojuani këto Jakovit+ dhe vëllezërve.» Me të thënë këtë, doli dhe u nis për në një vend tjetër. 18  Kur zbardhi dita, ushtarët ishin të tronditur nga ajo që kishte ndodhur me Pjetrin. 19  Herodi e kërkoi me ngulm, e meqë nuk e gjeti, mori në pyetje rojat dhe urdhëroi që të ndëshkoheshin.+ Pastaj zbriti nga Judea në Cezare dhe qëndroi atje për ca kohë. 20  Ai ishte i zemëruar* me popullin e Tirit e të Sidonit. Por ata, pasi i mbushën mendjen Blastit, përgjegjësit për çështjet e shtëpisë së mbretit, u paraqitën të gjithë së bashku para mbretit dhe kërkuan paqe, sepse vendi i tij i furnizonte me ushqim. 21  Ditën e caktuar, Herodi u vesh me rrobat mbretërore, u ul në fronin e gjykimit dhe filloi të mbante një fjalim publik. 22  Atëherë populli i mbledhur nisi të thërriste: «Zë perëndie, e jo njeriu!» 23  Në çast, engjëlli i Jehovait* e goditi, sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë. Atë e brenë krimbat dhe vdiq. 24  Ndërkohë, fjala e Jehovait* përhapej, dhe gjithnjë e më shumë njerëz besonin.+ 25  Kurse Barnaba+ dhe Sauli, pasi u shpërndanë të gjitha ndihmat vëllezërve* në Jerusalem,+ u kthyen e morën me vete Gjonin,+ që quhej edhe Mark.

Shënime në fund të faqes

Ose «ta nxirrte në gjyq».
Ose «Ngjishu».
Fjalë për fjalë «Është engjëlli i tij».
Ose «donte të luftonte».
Ose «pasi përmbushën plotësisht shërbimin e ndihmës».