Psalmet 35:1-28

  • Lutje për çlirim nga armiqtë

    • Armiqtë do të shporren (5)

    • Ta lëvdojmë Perëndinë mes një morie (18)

    • I urryer pa shkak (19)

Psalm i Davidit. 35  O Jehova, mbroje çështjen time para kundërshtarëve të mi!+ Lufto kundër atyre që më luftojnë!+   Rrok shqytin* dhe mburojën e madhe+e ngrihu të më mbrosh!+   Vringëlloje heshtën dhe sëpatën* kundër atyre që më ndjekin+e më thuaj: «Unë jam shpëtimi yt.»+   U turpërofshin dhe u poshtërofshin ata që më janë qepur për të më marrë jetën!+ U zmbrapsshin të turpëruar ata që komplotojnë për të më shfarosur!   U bëfshin si byku që era e merr tutje! Engjëlli i Jehovait i shporrtë larg!+   U bëftë shtegu i tyre sterrë e i rrëshqitshëm kur engjëlli i Jehovait t’u vihet pas,   se pa shkak kanë fshehur një rrjetë për të më zënë,pa shkak kanë hapur një gropë për mua.   U ardhtë e keqja papritur! I zëntë rrjeta që vetë kanë fshehur! Rënçin në të e u shofshin!+   Por unë do të gëzoj falë Jehovaite do të ngazëlloj për dorën e tij shpëtimtare. 10  Me gjithë shpirt do të them:* «E kush është si ti, o Jehova?! Ti e çliron të pambrojturin nga duart e të fuqishmëve,+të pambrojturin e të varfrin nga duart e zhvatësve.»+ 11  Njerëz shpirtligj dëshmojnë kundër meje+e më akuzojnë për gjëra që s’ia kam idenë. 12  Të mirën ma shpërblejnë me të keqe,+ndaj shpirtin ma pushton një boshllëk i madh. 13  Por kur ata sëmureshin, unë vishesha me copë thesi*dhe e mundoja veten* me agjërime;dhe kur lutjet e mia nuk merrnin përgjigje,* 14  vajtoja sikur t’i kisha shokë a vëllezër,nga pikëllimi kërrusesha, si dikush që vajton për nënën. 15  Mirëpo, kur mua s’më mbanin më këmbët,ata u mblodhën e fluturuan nga gëzimi,zunë pusí që të më sulmonin në befasi,e shpirtin ma copëtuan me shpifjet e tyre të pasosura. 16  Ata që shpërfillin Perëndinë më përqeshin e më tallin,*kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.+ 17  O Jehova, deri kur do të rrish duarkryq?+ Shpëtomë nga sulmet e tyre,+shpëtoma të shtrenjtën jetë* nga dhëmbët e luanëve.*+ 18  Atëherë në mes të kongregacionit të madh do të të falënderoj,+e mes një morie njerëzish do të të lëvdoj. 19  Mos i lejo të fërkojnë barkun ata që më janë bërë armiq më kot;mos i lejo ata që më urrejnë pa shkak+ të shkelin syrin me shpirtligësi,+ 20  sepse ata nuk i urojnë paqe askujtdhe tinëzisht thurin intriga kundër njerëzve paqësorë.+ 21  S’u mbyllet goja e veç më tallin: «Ah, sa mirë! Sa mirë! E pamë me sytë tanë!» 22  Të gjitha këto ti i ke parë, o Jehova, prandaj mos hesht!+ O Jehova, mos më rri larg!+ 23  Zgjohu e ngrihu të më mbrosh! O Jehova, Perëndia im, mbroje çështjen time! 24  Më gjyko sipas drejtësisë sate,+ o Jehova, Perëndia im! Mos i lejo të fërkojnë barkun për të keqen time! 25  Kurrë mos thënçin me vete: «Ah, sa mirë! U bë siç deshëm!»* Kurrë mos thënçin: «E hëngrëm të gjallë!»+ 26  U turpërofshin e iu nxiftë faqjatë gjithë atyre që fërkojnë barkun për të keqen time! I mbuloftë turpi dhe poshtërimiata që ngrenë lart veten e mua më përçmojnë! 27  Por ata që e kanë për zemër çështjen time të drejtë,gëzofshin me britma hareje e thënçin pareshtur: «U madhëroftë Jehovai, që kënaqet kur shërbëtori i tij gëzon paqe!»+ 28  Atëherë goja ime do të flasë* gjerë e gjatë për drejtësinë tënde+e gjithë ditën e ditës do të të lëvdojë.+

Shënime në fund të faqes

Mburojë e vogël që shpesh e mbanin harkëtarët.
Ose «sëpatën me dy tehe».
Ose «Tërë kockat e mia do të thonë».
Ose «shpirtin».
Ose «më ktheheshin prapë në gji».
Një mundësi tjetër «më tallin për një kulaç».
Fjalë për fjalë «të vetmen që kam». I referohet shpirtit ose jetës së vet.
Ose «nga luanët e rinj me krifë».
Ose «siç na donte shpirti!»
Ose «do të flasë nën zë».