Proverbat 21:1-31

  • Jehovai e drejton zemrën e mbretit (1)

  • Drejtësia është më e mirë se flijimi (3)

  • Ngulmimi sjell sukses (5)

  • Atë që nuk i dëgjon të përvuajturit, nuk do ta dëgjojnë (13)

  • Nuk ka mençuri që mund të dalë kundër Jehovait (30)

21  Zemra e mbretit është si rrëke uji në dorën e Jehovait;+Ai e drejton nga t’i pëlqejë.+   Të gjitha udhët e veta i duken të drejta njeriut,+por Jehovai shqyrton zemrat.*+   Jehovait i pëlqen më shumëtë bësh ç’është e drejtë dhe e ndershme, se të ofrosh flijime.+   Sytë fodullë dhe zemra arrogante,—llamba që u prin të ligjve—​janë mëkat.+   Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses,*+por kush është i nxituar, me siguri turret drejt skamjes.+   Thesaret që fitohen me gjuhë gënjeshtare,janë si mjegull që davaritet tutje, një lak vdekjeprurës.*+   Veprimet e tyre të dhunshme do t’ua hanë kokën të ligjve,+sepse ata nuk duan kurrsesi të veprojnë me drejtësi.   Udha e fajtorit është dredharake,por veprat e të pafajshmit janë të drejta.+   Më mirë të banosh në qoshe të çatisë,se në të njëjtën shtëpi me një bashkëshorte grindavece.*+ 10  I ligu lakmon veç të keqen;+ai nuk ka pikë dhembshurie për të afërmin.*+ 11  Kur tallësi ndëshkohet, i papërvoji bëhet më i mençur,dhe i mençuri di si të veprojë* kur fiton gjykim të thellë.+ 12  I Drejti* e vëzhgon shtëpinë e të ligjve;ai i plandos të ligjtë në rrënim.+ 13  Kush i mbyll veshët para klithmës së të përvuajturit,do të thërrasë edhe vetë, por nuk do t’i përgjigjet kush.+ 14  Dhurata e bërë në fshehtësi, e zbut zemërimin,+dhe ryshfeti i dhënë nën dorë,* e zbut tërbimin. 15  Për të drejtin është kënaqësi të veprojë me drejtësi,+por për ata që s’heqin dorë nga ligësia, është e tmerrshme. 16  Kush del nga udha e maturisë,*do të prehet bashkë me ata që dergjen të pafuqishëm në vdekje.+ 17  Kush është i dhënë pas qejfeve,* do të varfërohet,+dhe kush është i dhënë pas verës dhe vajit, nuk do të pasurohet. 18  I ligu merret peng* për të drejtin,dhe i pabesi për të ndershmin.+ 19  Më mirë të banosh në shkretëtirë,se me një bashkëshorte grindavece* dhe nevrike.+ 20  Në shtëpinë e të mençurit ka thesare të çmuara dhe vaj,+por i marri i harxhon kot* ato që ka.+ 21  Ai që kërkon me ngulm drejtësinë dhe dashurinë besnike,do të gëzojë jetë, drejtësi dhe lavdi.+ 22  I mençuri mund ta pushtojë qytetin e të fuqishmëve,*dhe t’u minojë forcën ku besojnë.+ 23  Kush i vë fre gojës dhe gjuhës,u rri larg telasheve.+ 24  Njeriu që i kalon caqet me moskokëçarje,është një mburracak arrogant që s’di vendin e vet.+ 25  Përtacit do t’ia bëjë gropën ajo që lakmon,pasi duart e tij nuk pranojnë kurrsesi të punojnë.+ 26  Gjithë ditën ai digjet nga lakmia,kurse i drejti jep bujarisht e nuk kursehet.+ 27  Flijimi i të ligut është i pështirë,+e aq më tepër kur bëhet me qëllime të liga!* 28  Dëshmitari që gënjen, do të vdesë,+por ai që dëshmon vetëm atë që ka dëgjuar, do të ketë sukses.* 29  I ligu e mban veten si sypatrembur,+por i drejti e ka udhën të sigurt.*+ 30  Nuk ka as mençuri, as aftësi dalluese, as plan* që të mund të dalë kundër Jehovait.+ 31  Kali përgatitet për ditën e betejës,+por shpëtimi i përket Jehovait.+

Shënime në fund të faqes

Ose «motivet».
Ose «përfitim».
Një mundësi tjetër «si mjegull që davaritet tutje për ata që kërkojnë vdekjen».
Ose «zevzeke; që të ha shpirtin».
Ose «merr njohuri».
Domethënë, Perëndia.
Fjalë për fjalë «një ryshfet në gji».
Ose «e gjykimit të thellë».
Ose «kënaqësive».
Ose «është shpërblesë». Shih Fjalorthin.
Ose «zevzeke; që të ha shpirtin».
Fjalë për fjalë «gëlltit».
Ose «mund të kapërcejë muret e qytetit të të fuqishmëve».
Ose «me sjellje të turpshme!»
Fjalë për fjalë «do të flasë përgjithmonë».
Ose «e bën të sigurt udhën e vet».
Fjalë për fjalë «këshillë».