Numrat 5:1-31

  • Karantina për të papastrit (1-4)

  • Rrëfimi dhe dëmshpërblimi (5-10)

  • Prova me ujë kur dyshohet për kurorëshkelje (11-31)

5  Jehovai i tha më tej Moisiut:  «Urdhëroji izraelitët që të nxjerrin jashtë kampit të gjithë të lebrosurit,+ të gjithë ata që kanë sekrecione+ dhe të gjithë ata që janë bërë të papastër ngaqë kanë prekur një të vdekur.*+  Duhet t’i nxirrni jashtë, qofshin meshkuj, qofshin femra; duhet t’i nxirrni jashtë kampit, që të mos ndotin+ gjithë kampin mes të cilëve banoj.»+  Prandaj izraelitët bënë ashtu dhe i nxorën jashtë kampit; ata bënë pikërisht siç i tha Jehovai Moisiut.  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse një burrë ose një grua kryen ndonjë mëkat siç bëjnë zakonisht njerëzit dhe vepron me pabesi ndaj Jehovait, ai njeri është bërë fajtor.+  Ai* duhet të rrëfejë+ mëkatin që ka bërë, të kthejë vlerën e plotë si dëmshpërblim për fajin, së cilës do t’i shtojë edhe një të pestën,+ dhe do t’ia japë atij që i bëri padrejtësinë.  Mirëpo nëse ky i fundit vdes dhe nuk ka asnjë të afërm të ngushtë që ta marrë dëmshpërblimin, dëmshpërblimi do t’i kthehet Jehovait dhe do t’i takojë priftit, përveç dashit të shlyerjes me të cilin prifti do të bëjë shlyerjen për të.+  Çdo kontribut i shenjtë+ që izraelitët do t’i paraqitin priftit, do t’i përkasë priftit.+ 10  Gjërat e shenjta që ka secili, do të mbeten të vetat; ato që ia jep priftit, do t’i përkasin priftit.’» 11  Jehovai vazhdoi t’i fliste Moisiut: 12  «Thuaju izraelitëve: “Nëse një grua merr rrugë të keqe dhe tradhton të shoqin 13  duke kryer marrëdhënie me një burrë tjetër,+ por i shoqi nuk e di dhe mbetet e fshehtë që ajo është ndotur, ngaqë kundër saj nuk ka dëshmitar dhe nuk është kapur në faj, ja çfarë duhet bërë: 14  nëse i shoqi bëhet xheloz dhe dyshon për besnikërinë e së shoqes, qoftë kur ajo është ndotur, qoftë kur nuk është ndotur, 15  burri do ta çojë gruan te prifti, bashkë me një të dhjetën e një efe* miell elbi si blatim për të shoqen. Të mos derdhë sipër blatimit as vaj e të mos vërë as temjan të bardhë, sepse është një blatim në drithë për xhelozi, një blatim në drithë për të kujtuar fajin. 16  Prifti do ta nxjerrë gruan përpara dhe do ta vërë të qëndrojë para Jehovait.+ 17  Ai do të marrë ujë të shenjtë në një enë balte e ca dhé nga dyshemeja e tabernakullit dhe do ta hedhë në ujë. 18  Kështu prifti do ta vërë gruan të qëndrojë para Jehovait, do t’ia zgjidhë flokët dhe do t’i vërë në dorë blatimin në drithë që shërben si përkujtues, domethënë, blatimin në drithë për xhelozi,+ kurse vetë do të ketë në dorë ujin e hidhur që sjell mallkim.+ 19  Prifti do ta vërë gruan të betohet dhe do t’i thotë: ‘Nëse nuk ke shkuar me ndonjë burrë tjetër ndërsa ishe e martuar*+ dhe nëse nuk ke marrë rrugë të keqe e nuk je ndotur, ky ujë i hidhur që sjell mallkim, mos të bëftë gjë! 20  Por nëse ke marrë rrugë të keqe ndërsa ishe e martuar e kështu je ndotur, dhe ke kryer marrëdhënie me një burrë tjetër,+ përveç burrit tënd . . .’ 21  atëherë prifti do ta vërë gruan të betohet me një be mallkimi dhe do t’i thotë: ‘Jehovai të bëftë shembull mes popullit e u përmendsh në mallkimet dhe betë e tyre kur Jehovai të të thajë* kofshën* dhe të ta ënjtë barkun tënd! 22  Ky ujë që sjell mallkim, do të hyjë në zorrët e tua që të të ënjtë barkun dhe të të thajë* kofshën.’* Pas këtyre fjalëve, gruaja duhet të thotë: ‘Amin! Amin!’* 23  Atëherë prifti do t’i shkruajë këto mallkime në libër, do t’i lajë ato në ujin e hidhur 24  dhe do t’i japë gruas të pijë ujin e hidhur që sjell mallkim, i cili do të hyjë brenda saj e do ta hidhërojë. 25  Pastaj prifti do të marrë nga duart e gruas blatimin në drithë për xhelozi,+ do ta tundë nga njëra anë në tjetrën para Jehovait dhe do ta çojë pranë altarit. 26  Ai do të marrë një grusht nga blatimi në drithë, si blatim simbolik, do ta vërë të digjet e të nxjerrë tym mbi altar,+ dhe pastaj do t’i japë gruas të pijë ujin. 27  Pasi ta ketë pirë ujin, nëse ajo është ndotur e nuk ka qenë besnike ndaj të shoqit, uji që sjell mallkim do të hyjë brenda saj dhe do të bëhet i hidhur, dhe asaj do t’i ënjtet barku e do t’i thahet kofsha,* dhe ajo do të bëhet shembull si një grua e mallkuar mes popullit të vet. 28  Ama, nëse gruaja nuk është ndotur dhe është e pastër, ajo nuk do të ndëshkohet dhe do të jetë në gjendje të mbetet shtatzënë e të lindë pasardhës. 29  Ky është ligji për xhelozinë+ nëse një grua merr rrugë të keqe dhe ndot veten ndërsa është e martuar 30  ose nëse një burrë bëhet xheloz dhe dyshon për besnikërinë e së shoqes; ai duhet ta çojë të shoqen para Jehovait, dhe prifti do të zbatojë ndaj saj gjithë këtë ligj. 31  Nëse është fajtore, gruaja do të përgjigjet për fajin e saj, kurse burri nuk do të ketë faj.”»

Shënime në fund të faqes

Ose «një shpirt». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «Ata».
Një e dhjeta e një efe ishte 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «ishe nën autoritetin e burrit tënd».
Ose «të të tretë». Kjo mund të nënkuptojë humbjen e aftësive riprodhuese.
Ka të ngjarë t’u referohet organeve riprodhuese.
Ose «të të tretë». Kjo mund të nënkuptojë humbjen e aftësive riprodhuese.
Ka të ngjarë t’u referohet organeve riprodhuese.
Ose «Ashtu qoftë! Ashtu qoftë!»
Ka të ngjarë t’u referohet organeve riprodhuese.