Numrat 13:1-33

  • 12 vëzhguesit dërgohen në Kanan (1-24)

  • Raport negativ nga 10 vëzhgues (25-33)

13  Tani Jehovai i tha Moisiut:  «Dërgo disa burra që të vëzhgojnë* vendin e Kananit, të cilin po ua jap izraelitëve; dërgo një burrë nga çdo fis atëror, të gjithë të jenë prijës.»+  Kështu Moisiu i nisi ata nga shkretëtira e Paranit+ me urdhër të Jehovait; të gjithë burrat ishin krerë të izraelitëve.  Këta janë emrat e tyre: Shamuai, biri i Zakurit, nga fisi i Rubenit;  Shafati, biri i Horit, nga fisi i Simeonit;  Kalebi,+ biri i Jefunehut, nga fisi i Judës;  Igali, biri i Jozefit, nga fisi i Isaharit;  Hoshea,+ biri i Nunit, nga fisi i Efraimit;  Palti, biri i Rafuit, nga fisi i Beniaminit; 10  Gadieli, biri i Sodit, nga fisi i Zabulonit; 11  Gadiu, biri i Susit, nga fisi i Jozefit,+ për fisin e Manaseut;+ 12  Amieli, biri i Gemalit, nga fisi i Danit; 13  Seturi, biri i Mikaelit, nga fisi i Asherit; 14  Nahbiu, biri i Vofsit, nga fisi i Neftalit; 15  Geueli, biri i Makiut, nga fisi i Gadit. 16  Këta ishin emrat e burrave që dërgoi Moisiu për të vëzhguar vendin. Moisiu e quajti Hoshenë, birin e Nunit, Josi.*+ 17  Kur po i dërgonte të vëzhgonin vendin e Kananit, Moisiu u tha: «Ngjituni që këtej në Negeb dhe pastaj në rajonin malor.+ 18  Shihni si është vendi+ dhe si janë njerëzit që banojnë në të: në janë të fortë a të dobët, shumë apo pak; 19  si është vendi, i mirë apo i keq; si janë qytetet ku banojnë, pa mure apo të fortifikuara; 20  si është toka, pjellore apo shterpë,*+ ka pemë apo s’ka. Duhet të jeni të guximshëm+ dhe të merrni ca fryte nga ai vend.» Në atë kohë piqej rrushi i hershëm.+ 21  Kështu ata u ngjitën dhe vëzhguan vendin nga shkretëtira e Zinit+ deri në Rehob,+ afër Lebo-Hamathit.*+ 22  U ngjitën në Negeb dhe më pas mbërritën në Hebron+ (i cili ishte ndërtuar shtatë vjet para Zoanit të Egjiptit), ku jetonin anakimët+ Ahiman, Sheshá dhe Talmá.+ 23  Kur mbërritën në luginën* e Eshkolit,+ prenë një degë me një bistak rrushi, të cilin u deshën dy burra që ta mbanin me një shkop; morën edhe ca shegë e ca fiq.+ 24  Ai vend u quajt lugina e Eshkolit,*+ nga bistaku që prenë atje izraelitët. 25  Në fund të 40 ditëve,+ ata u kthyen pasi kishin vëzhguar vendin. 26  Kështu u kthyen te Moisiu, te Aroni dhe tek asambleja e izraelitëve në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh;+ ata i sollën një raport tërë asamblesë dhe i treguan frytet e vendit. 27  Ja çfarë i raportuan Moisiut: «Ne shkuam në vendin ku na dërgove. Atje rrjedh vërtet qumësht e mjaltë+ dhe këto janë frytet e tij.+ 28  Megjithatë, njerëzit që banojnë në atë vend janë të fortë dhe qytetet e fortifikuara janë shumë të mëdha. Atje pamë edhe anakimët.+ 29  Amalekitët+ banojnë në Negeb.+ Hititët, jebusitët+ dhe amoritët+ banojnë në rajonin malor. Ndërsa kananitët+ banojnë afër detit+ dhe përgjatë Jordanit.» 30  Atëherë Kalebi u përpoq ta qetësonte popullin që qëndronte para Moisiut, me këto fjalë: «Ejani të ngjitemi menjëherë dhe keni për të parë po s’e shtimë në dorë, sepse pa diskutim jemi në gjendje ta pushtojmë.»+ 31  Mirëpo burrat që kishin qenë me të thanë: «Ne nuk sulemi dot kundër atij populli, se ata janë më të fortë se ne.»+ 32  E kështu vazhduan t’u jepnin izraelitëve një raport negativ+ për vendin që kishin vëzhguar: «Vendi që përshkuam për ta vëzhguar është një vend që i përpin banorët e vet. Veç kësaj, të gjithë njerëzit që pamë atje, janë burra me shtat të jashtëzakonshëm.+ 33  Po, atje pamë gjigantët,* bijtë e Anakut,+ pasardhësit e nefilimëve. Para tyre na u duk vetja si karkaleca, e po kështu iu dukëm edhe ne atyre.»

Shënime në fund të faqes

Ose «si zbulues në».
Ose «Jehosi», që do të thotë «Jehovai është shpëtim».
Fjalë për fjalë «e ligët».
Ose «hyrjes së Hamathit».
Ose «vadin». Shih Fjalorthin.
Do të thotë «bistak rrushi».
Fjalë për fjalë «nefilimët».