Sipas Mateut 8:1-34

  • Shërohet një i lebrosur (1-4)

  • Besimi i një centurioni (5-13)

  • Jezui shëron shumë veta në Kapernaum (14-17)

  • Si ta ndjekim Jezuin (18-22)

  • Jezui qetëson stuhinë (23-27)

  • Jezui dërgon demonët te derrat (28-34)

8  Pasi zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha.  Kur ja, një i lebrosur iu afrua dhe nisi t’i bënte nderime* e t’i thoshte: «Zotëri, po të duash, ti mund të më pastrosh.»+  Kështu ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+ Menjëherë ai u pastrua nga lebra.+  Pastaj Jezui vazhdoi: «Shiko se mos i tregon njeriu!+ Por shko, paraqitu te prifti+ dhe jep blatimin* e caktuar nga Moisiu,+ si dëshmi* që je shëruar.»  Kur hyri në Kapernaum, iu afrua një centurion,* i cili iu përgjërua+  me këto fjalë: «Imzot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar dhe po vuan tmerrësisht.»  Ai iu përgjigj: «Kur të vij atje, do ta shëroj.»  Por centurioni ia ktheu: «Imzot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën çatinë time. Por ti thuaj veç një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet,  sepse edhe unë, ndonëse jam nën autoritetin e dikujt, kam ushtarë që janë nën urdhrat e mi. Njërit i them: ‘Shko’, dhe ai shkon. Tjetrit i them: ‘Hajde’, dhe ai vjen. Edhe skllavit tim i them: ‘Bëje këtë’, dhe ai e bën.» 10  Kur dëgjoi këtë, Jezui u mahnit dhe u tha atyre që e ndiqnin: «Vërtet po ju them se tek askush në Izrael nuk kam gjetur një besim kaq të madh.+ 11  Megjithatë, unë po ju them se shumë veta do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi, e do të shtrohen në tryezë me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin në Mbretërinë e qiejve,+ 12  kurse bijtë e Mbretërisë do t’i flakin jashtë në errësirë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.»+ 13  Atëherë Jezui i tha centurionit: «Shko dhe u bëftë ashtu si besove!»+ Në atë çast shërbëtori u shërua.+ 14  Pastaj, kur Jezui hyri në shtëpinë e Pjetrit, pa që vjehrra e tij+ dergjej në shtrat me ethe.+ 15  Kështu ai i preku dorën,+ dhe atë e lanë ethet; ajo u ngrit dhe nisi t’i shërbente. 16  Por, kur ra mbrëmja, njerëzit i çuan shumë veta të pushtuar nga demonët. Ai i dëboi frymërat e liga* veç me një fjalë dhe i shëroi të gjithë ata që vuanin, 17  që të përmbusheshin fjalët e thëna nga profeti Isaia: «Ai mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.»+ 18  Kur pa që turma po dyndej rreth tij, Jezui u tha dishepujve të shkonin me të në anën tjetër të detit.+ 19  Por një skrib iu afrua dhe i tha: «Mësues, unë do të vij pas teje kudo që të shkosh.»+ 20  Megjithatë Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.»+ 21  Pastaj një dishepull tjetër i tha: «Zotëri, më lejo më parë të iki e të varros tim atë.»+ 22  Jezui iu përgjigj: «Vazhdo të më ndjekësh dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit.»+ 23  Më pas ai bashkë me dishepujt hipën në një varkë.+ 24  Kur ja, në det filloi një stuhi e madhe, aq sa varka po mbulohej nga dallgët, por ai po flinte.+ 25  Ata iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «Zotëri, na shpëto se morëm fund!» 26  Por ai u tha: «Pse keni frikë?* Kaq pak besim keni?»+ Pastaj u ngrit, qortoi erërat e detin, dhe u bë qetësi e madhe.+ 27  Prandaj ata u mahnitën dhe thanë: «Ç’njeri është ky që i binden edhe erërat, edhe deti?!» 28  Kur mbërriti në anën tjetër, në rajonin e gadarenëve, i dolën para dy burra të pushtuar nga demonët, të cilët po vinin nga varrezat.*+ Ata ishin jashtëzakonisht të egër, aq sa askush nuk guxonte të kalonte në atë rrugë. 29  Ata bërtisnin dhe thoshin: «Ç’punë ke me ne, o Bir i Perëndisë?+ Mos ke ardhur këtu të na mundosh+ para kohe?»+ 30  Shumë larg tyre po kulloste një tufë e madhe derrash.+ 31  Kështu demonët nisën t’i përgjëroheshin: «Nëse na dëbon, na dërgo që të futemi në tufën e derrave.»+ 32  Atëherë ai u tha: «Shkoni!» Prandaj ata dolën, u futën te derrat dhe ja, gjithë tufa u turr drejt greminës,* ra në det dhe ngordhi në ujë. 33  Kurse çobanët ia mbathën, shkuan në qytet dhe treguan çdo gjë, edhe atë që ndodhi me burrat e pushtuar nga demonët. 34  Dhe ja, i gjithë qyteti i doli përpara Jezuit. Kur e panë, iu lutën me ngulm që të largohej nga rajoni i tyre.+

Shënime në fund të faqes

Ose «të përkulej para tij».
Ose «dhuratën».
Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.
Komandant i 100 ushtarëve.
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Ose «po ju mpaket zemra?»
Ose «nga varret përkujtimore».
Ose «drejt rrëpirës».