Sipas Mateut 5:1-48

  • PREDIKIMI NË MAL (1-48)

    • Jezui nis të mësojë të tjerët në mal (1, 2)

    • Nëntë lumturitë (3-12)

    • Kripa dhe drita (13-16)

    • Jezui përmbush Ligjin (17-20)

    • Këshilla për zemërimin (21-26), kurorëshkeljen (27-30), divorcin (31, 32), betimet (33-37), hakmarrjen (38-42), dashurinë për armiqtë (43-48)

5  Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal dhe, pasi u ul, dishepujt i shkuan pranë.  Atëherë ai nisi të fliste* dhe t’i mësonte:  «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë,*+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve!  Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!+  Lum ata që janë me natyrë të butë,*+ sepse do të trashëgojnë tokën!+  Lum ata që janë të uritur dhe të etur+ për drejtësinë, sepse do të ngopen!+  Lum të mëshirshmit,+ sepse do t’u tregohet mëshirë!  Lum ata që kanë zemër të pastër,+ sepse do të shohin Perëndinë!  Lum paqebërësit,*+ sepse do të quhen bij të Perëndisë! 10  Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë,+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! 11  Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë+ e ju përndjekin+ dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim!+ 12  Gëzoni dhe ngazëlloni,+ se i madh është shpërblimi+ juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.+ 13  Ju jeni kripa+ e tokës. Mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur përtokë+ që të shkelet me këmbë. 14  Ju jeni drita e botës.+ Një qytet nuk mund të fshihet nëse ndodhet në mal. 15  Një llambë nuk ndizet për t’u vënë nën shinik,* por për t’u vënë në mbajtësen e vet që të ndriçojë për gjithë ata që janë në shtëpi.+ 16  Po njësoj le të ndriçojë drita juaj para njerëzve,+ që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera+ dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.+ 17  Mos mendoni se erdha të zhvlerësoj* Ligjin ose Profetët. Nuk erdha për të zhvlerësuar, por për të përmbushur.+ 18  Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli e toka, sesa të zhdukej pa u përmbushur qoftë edhe shkronja më e vogël ose një pjesëz shkronje nga Ligji.+ 19  Prandaj, kushdo që shkel një nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe i mëson edhe të tjerët të bëjnë kështu, do të quhet i padenjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton ato dhe ua mëson të tjerëve, do të quhet i denjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. 20  Vërtet po ju them se, nëse drejtësia juaj nuk qëndron më lart se ajo e skribëve dhe e farisenjve,+ nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve.+ 21  Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos vrit,+ dhe kushdo që kryen një vrasje, do të japë llogari para gjyqit.’+ 22  Megjithatë unë po ju them se kushdo që ushqen zemërim+ kundër vëllait të vet,* do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që e fyen rëndë vëllanë e vet me fjalë të turpshme do të japë llogari para Gjykatës së Lartë dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i marrë e i poshtër!’, rrezikon të dënohet në Gehenën*+ e zjarrtë. 23  Nëse ti, pra, po sjell flijimin* tënd në altar+ dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24  lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.+ 25  Rregulloji shpejt punët me kundërshtarin tënd sa je ende rrugës me të për në gjyq, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi te nëpunësi i gjyqit, e kështu të futesh në burg.+ 26  Me të vërtetë po të them se nuk ke për të dalë që andej pa paguar edhe monedhën e fundit.* 27  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’*+ 28  Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua+ aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemër.+ 29  Nëse syri i djathtë po të bëhet pengesë,* hiqe dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë* i gjithë trupi.+ 30  Gjithashtu, nëse dora e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë* i gjithë trupi.+ 31  Veç kësaj është thënë: ‘Kushdo që e divorcon gruan, le t’i japë asaj një certifikatë divorci.’+ 32  Megjithatë unë po ju them se ai që e divorcon gruan, përveç rastit kur ajo kryen imoralitet seksual,* e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar,* kryen kurorëshkelje.+ 33  Përsëri, ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos u beto më kot,+ por mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.’*+ 34  Megjithatë unë po ju them: mos u beto fare+ as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35  as për tokën, sepse është stoli i këmbëve të tij+ dhe as për Jerusalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.+ 36  Mos u beto as për kokën tënde, sepse s’e bën dot të bardhë a të zezë qoftë edhe një fije floku. 37  Mjafton të thuash «po» e të jetë «po», dhe «jo» e të jetë «jo»,+ sepse çdo gjë që thuhet përtej këtyre, vjen nga i Ligu.+ 38  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’+ 39  Megjithatë unë po ju them: mos ia kthe flakë për flakë njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.+ 40  Dhe, nëse dikush do që të të hedhë në gjyq e të marrë veshjen tënde,* jepi edhe mantelin.*+ 41  Gjithashtu, nëse dikush me autoritet të detyron të ecësh* me të një kilometër,* shko me të dy kilometra. 42  Jepi atij që të kërkon ndihmë dhe mos i kthe krahët atij që të kërkon borxh.*+ 43  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd*+ dhe urreje armikun.’ 44  Megjithatë unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj+ e të luteni për ata që ju përndjekin,+ 45  që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej,+ sepse falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët.+ 46  E nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni?+ A nuk bëjnë njësoj edhe taksambledhësit? 47  Nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga kombet e tjera? 48  Prandaj jini të përsosur,* ashtu si është i përsosur Ati juaj qiellor.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «ai hapi gojën».
Ose «ata që lypin për frymën e Perëndisë». Fjalë për fjalë «të varfrit në frymë».
Ose «zemërbutë».
Ose «ata që janë paqësorë».
Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.
Fjalë për fjalë «të shkatërroj».
Fjalë për fjalë «më i vogli».
Fjalë për fjalë «i madh».
Domethënë, kundër një bashkëbesimtari.
Vendi ku digjeshin plehrat jashtë Jerusalemit. Shih Fjalorthin.
Domethënë, një dhuratë për Perëndinë.
Fjalë për fjalë «kuadranin e fundit». Shih Shtojcën B14.
Ose «tradhti bashkëshortore».
Ose «të bën të mëkatosh».
Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
Domethënë, me një grua që nuk është divorcuar për shkak të imoralitetit seksual.
Ose «veshjen e brendshme».
Ose «veshjen e sipërme».
Fjalë për fjalë «të kryesh shërbim të detyruar».
Fjalë për fjalë «milje». Shih Shtojcën B14.
Domethënë, hua pa përqindje interesi.
Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
Ose «të plotë».