Sipas Mateut 26:1-75

  • Priftërinjtë komplotojnë të vrasin Jezuin (1-5)

  • Jezuit i derdhin vaj aromatik mbi kokë (6-13)

  • Festa e fundit e Kalimit dhe tradhtia (14-25)

  • Themelohet Darka e Zotërisë (26-30)

  • Jezui parathotë se Pjetri do ta mohojë (31-35)

  • Jezui lutet në Getsemani (36-46)

  • Jezui arrestohet (47-56)

  • Gjyqi përpara Sinedrit (57-68)

  • Pjetri mohon Jezuin (69-75)

26  Tani, kur mbaroi gjithë këto fjalë, Jezui u tha dishepujve të vet:  «Ju e dini se pas dy ditësh bie Festa e Kalimit*+ dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë që ta ekzekutojnë në shtyllë.»+  Atëherë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e kryepriftit, i cili quhej Kajafa,+  dhe së bashku thurën një komplot+ kundër Jezuit që ta arrestonin* me dredhi dhe ta vritnin.  Megjithatë thoshin: «Jo në festë, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.»  Kur Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit,+  ndërsa po hante,* iu afrua një grua me një enë alabastri me vaj aromatik të kushtueshëm dhe nisi t’ia derdhte mbi kokë.  Kur e panë këtë, dishepujt u indinjuan dhe thanë: «Pse ky harxhim i kotë?  Ky vaj mund të ishte shitur shumë shtrenjtë e paratë t’u jepeshin të varfërve.» 10  Jezuit ia kapi veshi këtë dhe u tha: «Pse e bezdisni këtë grua? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje. 11  Të varfrit do t’i keni gjithmonë,+ kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.+ 12  Ajo grua e hodhi këtë vaj aromatik mbi trupin tim që të më përgatiste për varrim.+ 13  Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»+ 14  Pastaj një nga të Dymbëdhjetët, ai që quhej Judë Iskarioti,+ shkoi te krerët e priftërinjve+ 15  dhe u tha: «Ç’do të më jepni që ta tradhtoj e ta dorëzoj në duart tuaja?»+ Ata ranë dakord për 30 monedha argjendi.+ 16  Kështu, që nga ajo kohë, ai kërkonte një rast të volitshëm për ta tradhtuar. 17  Ditën e parë të Festës së Bukëve Pa Maja,+ dishepujt iu afruan Jezuit dhe e pyetën: «Ku dëshiron të të përgatitim darkën e Festës së Kalimit?»+ 18  Ai tha: «Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: “Mësuesi thotë: ‘Koha ime* është afër. Do ta kremtoj Festën e Kalimit bashkë me dishepujt e mi në shtëpinë tënde.’”» 19  Kështu dishepujt bënë siç i udhëzoi Jezui dhe përgatitën gjërat për Festën e Kalimit. 20  Kur ra mbrëmja,+ ai ishte shtruar në tryezë me 12 dishepujt.+ 21  Ndërsa ata po hanin, u tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë.»+ 22  Shumë të trishtuar, ata nisën t’i thoshin të gjithë pa përjashtim: «Zotëri, nuk jam unë, apo jo?» 23  Ai u përgjigj: «Do të më tradhtojë ai që ngjyen bukën bashkë me mua në çanak.*+ 24  Vërtet, Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë+ ai njeri që e tradhton Birin e njeriut!+ Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.»+ 25  Atëherë Juda, që pas pak do ta tradhtonte, i tha: «Nuk jam unë, Rabi, apo jo?» Ai i tha: «Ti vetë e the.» 26  Ndërsa vazhdonin të hanin, Jezui mori një bukë dhe pasi bëri një lutje,* e theu,+ ua dha dishepujve dhe u tha: «Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.»+ 27  Mori edhe një kupë verë, falënderoi Perëndinë, ua dha atyre dhe tha: «Pini të gjithë ju,+ 28  sepse kjo përfaqëson gjakun tim, ‘gjakun+ e besëlidhjes’,+ që do të derdhet në dobi të shumë vetave,+ për faljen e mëkateve.+ 29  Megjithatë po ju them se nuk do të pi më kurrë nga kjo verë, deri ditën kur ta pi të re, bashkë me ju, në Mbretërinë e Atit tim.»+ 30  Në fund, pasi kënduan lavde,* dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve.+ 31  Atëherë Jezui u tha: «Këtë natë, të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të hallakaten.’+ 32  Por, pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.»+ 33  Mirëpo Pjetri i tha: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!»+ 34  Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them: sonte, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.»+ 35  Pjetri i tha: «Edhe sikur të më duhej të vdisja me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!»+ Të njëjtën gjë thanë edhe gjithë dishepujt e tjerë. 36  Pastaj Jezui shkoi bashkë me ta në një vend të quajtur Getsemani+ dhe u tha: «Uluni këtu, kurse unë po shkoj pak më tutje që të lutem.»+ 37  Me vete mori Pjetrin dhe dy djemtë e Zebedeut. Ai filloi të ndiente dhembje e ankth të madh,+ 38  dhe u tha atyre: «Më dhemb shpirti, madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë bashkë me mua.»+ 39  Pastaj shkoi pak më përpara, u përkul me fytyrë përtokë dhe filloi të lutej:+ «Ati im, nëse është e mundur, le të mos pi nga* kjo kupë.+ Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»+ 40  Kur u kthye te dishepujt, i gjeti duke fjetur, prandaj i tha Pjetrit: «Nuk mundët të qëndronit vigjilentë me mua as edhe një orë?+ 41  Qëndroni vigjilentë+ dhe lutuni vazhdimisht,+ që të mos tundoheni.+ Sigurisht, zemra* është gati, por trupi* është i dobët.»+ 42  Ai iku sërish, për të dytën herë, dhe u lut: «Ati im, nëse nuk është e mundur që të mos pi nga kjo kupë, atëherë u bëftë vullneti yt.»+ 43  U kthye prapë dhe i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë. 44  Kështu u largua përsëri prej tyre dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. 45  Pastaj u kthye te dishepujt dhe u tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni?! Ja, është afruar ora që Birin e njeriut ta tradhtojnë dhe ta dorëzojnë në duart e mëkatarëve. 46  Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.» 47  Ndërsa po fliste, ja, erdhi Juda, një nga të Dymbëdhjetët. Bashkë me të erdhi edhe një turmë e madhe me shpata dhe hunj nëpër duar, që e kishin dërguar krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit.+ 48  Tradhtari u kishte thënë atyre se do t’u bënte një shenjë: «Atë që do të puth, ai është; atë arrestoni.» 49  Ai vajti drejt e te Jezui dhe i tha: «Tungjatjeta, Rabi!» dhe e puthi miqësisht. 50  Kurse Jezui i tha: «Mik, për ç’arsye je këtu?»+ Kështu ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e arrestuan. 51  Kur ja, një nga ata që ishin me Jezuin, zgjati dorën dhe nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i preu veshin.+ 52  Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet,+ sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.+ 53  Apo mendon se nuk i lutem dot Atit tim që të më dërgojë në çast më shumë se 12 legjione engjëjsh?+ 54  Si do të përmbusheshin atëherë Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?» 55  Në atë çast, Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj sikur të isha kusar?! Ditë për ditë ulesha në tempull dhe mësoja,+ e megjithatë ju nuk më arrestuat.+ 56  Por e gjithë kjo po ndodh që të përmbushen shkrimet e profetëve.»+ Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën dhe ia mbathën.+ 57  Ata që e arrestuan Jezuin, e çuan te kryeprifti Kajafa,+ ku ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.+ 58  Kurse Pjetri e ndoqi nga larg deri në oborrin e kryepriftit dhe, pasi hyri brenda, u ul bashkë me shërbëtorët e shtëpisë për të parë si do të shkonte puna.+ 59  Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmitarë të rremë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin.+ 60  Mirëpo nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë.+ Më vonë u paraqitën dy të tjerë 61  dhe thanë: «Ky njeri ka thënë: ‘Unë jam në gjendje ta rrëzoj tempullin e Perëndisë dhe ta ndërtoj për tri ditë.’»+ 62  Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?»+ 63  Por Jezui nuk bënte zë.+ Kështu kryeprifti i tha: «Të vë në be për Perëndinë e gjallë, që të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë!»+ 64  Jezui i tha: «Ti vetë e the. Megjithatë unë po ju them: që tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut+ të ulur në të djathtën e të Fuqishmit*+ dhe duke ardhur në retë e qiellit.»+ 65  Menjëherë kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: «Ai blasfemoi! Ç’na duhen më dëshmitarët?! Ju e dëgjuat vetë blasfeminë.* 66  Ç’mendoni?» Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen!»+ 67  Atëherë e pështynë në fytyrë+ dhe i gjuajtën me grushte.+ Të tjerë i ranë me shuplaka+ 68  dhe i thanë: «Na profetizo, o Krisht! Kush të goditi?» 69  Ndërkohë, Pjetri po rrinte ulur jashtë në oborr. Një shërbëtore iu afrua dhe i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin, galileasin.»+ 70  Por ai e mohoi përpara të gjithëve dhe tha: «Nuk e di për çfarë po flet.» 71  Kur po shkonte te porta e oborrit,* një vajzë tjetër e vuri re dhe u tha atyre që ishin atje: «Ky njeri ishte me Jezuin, nazareasin.»+ 72  Kurse ai e mohoi përsëri dhe zuri be: «Nuk e njoh atë njeri!» 73  Pas pak, ata që ishin atje rrotull, u afruan dhe i thanë Pjetrit: «E sigurt që edhe ti je një nga ata, sepse të tradhton theksi.»* 74  Kështu ai filloi të mallkonte veten e të betohej: «Po nuk e njoh atë njeri!» Dhe menjëherë një gjel këndoi. 75  Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit: «Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë.»+ Ai doli përjashta dhe qau me dënesë.

Shënime në fund të faqes

Ose «bie Pashka». Shih Fjalorthin.
Ose «ta kapnin».
Ose «ishte shtruar në tryezë».
Ose «Koha e caktuar për mua».
Ose «në tas».
Fjalë për fjalë «pasi e bekoi».
Ose «himne; psalme».
Ose «le të hiqet nga unë».
Fjalë për fjalë «fryma». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishi». I referohet trupit të papërsosur dhe gjendjes mëkatare të njeriut.
Fjalë për fjalë «në të djathtën e pushtetit».
Ose «hajati; tremja».
Ose «dialekti».