Sipas Mateut 25:1-46

  • SHENJA E PRANISË SË KRISHTIT (1-46)

    • Ilustrimi me dhjetë virgjëreshat (1-13)

    • Ilustrimi i talentave (14-30)

    • Delet dhe cjeptë (31-46)

25  Atëherë, Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha, që morën llambat+ dhe dolën për të takuar dhëndrin.+  Pesë ishin mendjelehta dhe pesë ishin të mençura.*+  Të parat ishin mendjelehta, sepse i morën llambat, por nuk morën vaj me vete.  Kurse të tjerat ishin të mençura, sepse bashkë me llambat, morën me vete edhe vaj në enë.  Meqë dhëndri po vonohej, të gjithave iu var koka dhe i zuri gjumi.  Tamam në mes të natës u dëgjua një britmë: ‘Po vjen dhëndri! Dilni ta takoni.’  Atëherë të gjitha virgjëreshat u ngritën dhe bënë gati llambat.+  Mendjelehtat u thanë të mençurave: ‘Na jepni pak vaj, sepse po na shuhen llambat.’  Të mençurat u përgjigjën: ‘Mund të mos mjaftojë edhe për ne, edhe për ju. Prandaj shkoni më mirë te shitësit dhe blini për vete.’ 10  Ndërsa ato po shkonin të blinin, erdhi dhëndri dhe, virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë,+ e dera u mbyll. 11  Më pas, erdhën edhe virgjëreshat e tjera e thanë: ‘Zotëri, Zotëri, na e hap derën!’+ 12  Por ai iu përgjigj: ‘Po ju them të vërtetën: unë nuk ju njoh.’ 13  Prandaj qëndroni vigjilentë,+ sepse nuk e dini as ditën, as orën.+ 14  Mbretëria mund të krahasohet me një njeri, i cili kur do të ikte në dhé të huaj, thërriti skllevërit dhe u besoi zotërimet e veta.+ 15  Njërit i dha pesë talenta,* tjetrit dy dhe një tjetri një, secilit sipas aftësive. Pastaj u nis. 16  Ai që mori pesë talenta, shkoi menjëherë e bëri tregti me to, dhe fitoi edhe pesë të tjera. 17  Edhe ai që mori dy, fitoi dy të tjera. 18  Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, gërmoi në tokë dhe i fshehu paratë* e zotërisë. 19  Pas një kohe të gjatë, zotëria i atyre skllevërve erdhi dhe mbylli llogaritë me ta.+ 20  Ai që kishte marrë pesë talenta, doli përpara, i solli edhe pesë talentat e tjera dhe i tha: ‘Zotëri, ti më besove pesë talenta. Shiko, unë kam fituar edhe pesë të tjera.’+ 21  Zotëria i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ti u tregove besnik kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra;+ gëzohu edhe ti me zotërinë tënd!+ 22  Pastaj doli përpara ai që kishte marrë dy talenta dhe i tha: ‘Zotëri, ti më besove dy talenta. Shiko, unë kam fituar edhe dy të tjera.’+ 23  Zotëria i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ti u tregove besnik kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra; gëzohu edhe ti me zotërinë tënd!’ 24  Në fund doli përpara ai që kishte marrë një talentë dhe i tha: ‘Zotëri, unë e dija se ti je një njeri kërkues, që korr atje ku nuk mbjell dhe mbledh atje ku nuk hedh.+ 25  Prandaj pata frikë e shkova dhe e fsheha në tokë talentën tënde. Ja ku e ke atë që është jotja.’ 26  Atëherë zotëria iu përgjigj: ‘Skllav i lig dhe përtac, ti e dije, pra, që unë korr atje ku nuk mbjell dhe mbledh atje ku nuk hedh. 27  Prandaj duhej t’i kishe depozituar paratë* e mia te bankierët dhe, kur të vija, do të merrja me përqindje interesi atë që është imja. 28  Merrjani, pra, talentën dhe jepjani atij që ka dhjetë,+ 29  sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë dhe do të ketë me bollëk, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 30  Pastaj flakeni jashtë në errësirë skllavin që s’meriton asgjë.* Atje do të qajë dhe do të kërcëllijë dhëmbët.’ 31  Kur Biri i njeriut+ të vijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt,+ atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm. 32  Tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. 33  Delet+ do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.+ 34  Pastaj Mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë: ‘Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni Mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës, 35  sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë. Isha i huaj dhe ju më mirëpritët,+ 36  isha i zhveshur* dhe më veshët.+ U sëmura dhe u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë.’+ 37  Atëherë të drejtët do t’ia kthejnë: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë, a të etur dhe të dhamë për të pirë?!+ 38  Kur ishe i huaj dhe të mirëpritëm?! Kur të pamë të zhveshur dhe të veshëm?! 39  Kur ishe sëmurë apo në burg dhe erdhëm te ti?!’ 40  Mbreti do t’u përgjigjet: ‘Vërtet po ju them: nëse i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, i keni bërë edhe për mua.’+ 41  Atëherë do t’u thotë edhe atyre në të majtë: ‘Largohuni nga unë,+ ju të mallkuar, në zjarrin e përhershëm*+ të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij,+ 42  sepse pata uri, por s’më dhatë asgjë për të ngrënë, pata etje, por s’më dhatë asgjë për të pirë. 43  Isha i huaj, por nuk më mirëpritët, i zhveshur, por nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg, por nuk u kujdesët për mua.’ 44  Edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur apo të etur, dhe kur ishe i huaj apo i zhveshur, i sëmurë apo në burg dhe nuk të shërbyem?!’ 45  Prandaj ai do t’u thotë: ‘Vërtet po ju them: nëse nuk i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk i keni bërë as për mua.’+ 46  Ata do të përfundojnë në vdekjen* e përhershme,+ kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.»+

Shënime në fund të faqes

Ose «të matura».
Një talentë greke ishte 20,4 kg. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «argjendin».
Fjalë për fjalë «argjendin».
Ose «e padobishëm».
Ose «nuk isha veshur mjaftueshëm».
I referohet shkatërrimit të përhershëm.
Fjalë për fjalë «në krasitjen».