Sipas Mateut 14:1-36

  • Gjon Pagëzorit i pritet koka (1-12)

  • Jezui ushqen 5.000 burra (13-21)

  • Jezui ecën mbi ujë (22-33)

  • Bën shërime në Genesaret (34-36)

14  Në atë kohë Herodi, sundimtari i krahinës,* dëgjoi për Jezuin+  dhe u tha shërbëtorëve të tij: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngritur nga të vdekurit, prandaj është në gjendje të kryejë gjithë këto vepra të fuqishme.»+  Herodi* e kishte arrestuar Gjonin, e kishte vënë nën vargonj dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait,+  ngaqë ai i thoshte: «Nuk është e ligjshme ta kesh atë për grua.»+  Megjithatë, edhe pse donte ta vriste, ai kishte frikë nga turma, sepse ata e mbanin për profet.+  Mirëpo, kur po festohej ditëlindja+ e Herodit, e bija e Herodiadës kërceu atje, dhe Herodit i pëlqeu aq shumë,+  sa u betua se do t’i jepte ç’t’i kërkonte.  Atëherë, e shtyrë nga e ëma, ajo i tha: «Më jep këtu, në një tabaka, kokën e Gjon Pagëzorit.»+  Edhe pse kjo s’i pëlqeu, mbreti urdhëroi t’i jepej koka e Gjonit për shkak të betimit që kishte bërë në sytë e atyre që po hanin* me të. 10  Kështu dërgoi njerëz në burg që t’i pritnin kokën Gjonit. 11  Pastaj kokën e Gjonit e sollën në një tabaka dhe ia dhanë vajzës, e cila ia çoi së ëmës. 12  Më vonë, dishepujt e tij erdhën, morën kufomën dhe e varrosën; pastaj shkuan dhe njoftuan Jezuin. 13  Kur dëgjoi këtë, Jezui u largua me varkë në një vend të veçuar, që të qëndronte vetëm. Por kur e morën vesh, turmat u nisën nga qytetet e tyre dhe e ndoqën në këmbë.+ 14  Kur zbriti nga varka, Jezui pa një turmë të madhe dhe u prek thellë,*+ prandaj i shëroi të sëmurët.+ 15  Por kur ra mbrëmja, dishepujt vajtën dhe i thanë: «Vendi është i veçuar dhe tashmë është bërë vonë. Thuaju njerëzve të shkojnë nëpër fshatra, që të blejnë diçka për të ngrënë.»+ 16  Megjithatë Jezui u tha: «S’kanë pse të ikin. Jepuni ju diçka për të ngrënë.» 17  Ata i thanë: «S’kemi asgjë këtu, përveç pesë bukëve dhe dy peshqve.» 18  Ai u tha: «M’i sillni këtu.» 19  Pastaj i tha turmës të shtrohej në bar. Mori pesë bukët e dy peshqit dhe falënderoi Perëndinë*+ duke ngritur sytë nga qielli. Pastaj theu bukët, ua dha dishepujve, dhe ata ia dhanë turmës. 20  Kështu të gjithë hëngrën dhe u ngopën. Pastaj mblodhën copat që kishin tepruar: 12 shporta plot.+ 21  Dhe ata që hëngrën, ishin rreth 5.000 burra, përveç grave dhe fëmijëve.+ 22  Atëherë, pa vonuar, ai u tha dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, ndërkohë që ai niste turmat.+ 23  Pasi i nisi turmat, u ngjit vetëm në mal që të lutej.+ Kur ra mbrëmja, ai ishte atje vetëm. 24  Ndërkaq, varka ishte ende qindra metra* larg tokës dhe përplasej nga dallgët, sepse erën e kishin kundër. 25  Por në orët e para të mëngjesit,* ai vajti te dishepujt duke ecur mbi det. 26  Kur e vunë re që po ecte mbi det, ata u trembën dhe thanë: «Është një vegim!»* Dhe filluan të bërtisnin nga frika. 27  Menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë, mos kini frikë.»+ 28  Pjetri u përgjigj: «Zotëri, po të jesh ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë.» 29  Ai i tha: «Eja!» Prandaj Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë dhe shkoi drejt Jezuit. 30  Por kur pa stuhinë, u frikësua dhe, ngaqë nisi të fundosej, thirri: «Zotëri, më shpëto!» 31  Menjëherë Jezui zgjati dorën, e kapi dhe i tha: «Pse ke kaq pak besim? Pse të mposhti dyshimi?!»+ 32  Pasi hipën në varkë, stuhia pushoi. 33  Atëherë ata që ishin në varkë, i bënë nderime* dhe i thanë: «Ti je vërtet Biri i Perëndisë!» 34  Pastaj kaluan në anën tjetër të detit dhe zbritën në Genesaret.+ 35  Sapo e dalluan kush ishte, njerëzit e atij vendi dërguan fjalë në gjithë zonën përreth dhe i çuan tërë të sëmurët. 36  Ata i përgjëroheshin që t’i preknin të paktën thekët e rrobës.+ Kështu të gjithë ata që i prekën thekët, u shëruan plotësisht.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «tetrarku».
Domethënë, Herod Antipa. Shih Fjalorthin.
Ose «që ishin shtruar në tryezë».
Ose «ndjeu keqardhje për ta».
Fjalë për fjalë «i bekoi».
Fjalë për fjalë «shumë stade». Një stad ishte i barabartë me 185 metra.
Fjalë për fjalë «në kohën e ndërresës së katërt të natës». Domethënë, rreth orës 3 të mëngjesit deri kur lind dielli.
Ose «fanitje». Shih Fjalorthin, «Vegimi».
Ose «u përkulën para tij».