Sipas Mateut 13:1-58

  • ILUSTRIME PËR MBRETËRINË (1-52)

    • Mbjellësi (1-9)

    • Pse i përdorte Jezui ilustrimet (10-17)

    • Shpjegimi i ilustrimit me mbjellësin (18-23)

    • Gruri dhe egjrat (24-30)

    • Kokrra e sinapit dhe majaja (31-33)

    • Përmbushet profecia për përdorimin e ilustrimeve (34, 35)

    • Shpjegimi i ilustrimit të grurit dhe të egjrave (36-43)

    • Thesari i fshehur dhe margaritari i çmuar (44-46)

    • Rrjeta tratë (47-50)

    • Thesare të reja e të vjetra (51, 52)

  • Jezuin nuk e pranojnë në vendin e vet (53-58)

13  Atë ditë Jezui doli nga ajo shtëpi dhe po rrinte ulur buzë detit.  Përreth iu mblodh një turmë aq e madhe, sa ai hipi në një varkë dhe u ul, kurse e gjithë turma rrinte në këmbë në breg.+  Atëherë ai u tregoi shumë gjëra me anë të ilustrimeve+ dhe tha: «Një mbjellës doli për të mbjellë.+  Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, dhe zogjtë vajtën e i hëngrën.+  Të tjera ranë në një vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë dhé, prandaj mbinë menjëherë sepse toka nuk ishte e thellë.+  Por, kur lindi dielli, bimët e njoma u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë.  Një pjesë tjetër ra mes gjembave, të cilët u rritën e i mbytën.+  Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe filluan të jepnin fryt, njëra 100-fish, tjetra 60 dhe një tjetër 30.+  Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+ 10  Atëherë dishepujt iu afruan dhe e pyetën: «Pse u flet me ilustrime?»+ 11  Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta+ të Mbretërisë së qiejve, kurse atyre nuk u është lejuar, 12  sepse atij që ka, do t’i jepet më shumë dhe do të ketë me bollëk, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.+ 13  Ja pse u flas me ilustrime, sepse shohin, por shohin më kot, dhe dëgjojnë, por dëgjojnë më kot, dhe as që e kapin kuptimin.+ 14  Në rastin e tyre po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Vërtet do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin. Vërtet do të shihni, por kurrsesi nuk do të dalloni,+ 15  sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme. Kanë dëgjuar me veshë, por nuk kanë reaguar. I kanë mbyllur sytë që të mos shohin kurrë me ta, edhe veshët që të mos dëgjojnë, edhe zemrën që të mos e kapin kuptimin, që të mos kthehen tek unë e t’i shëroj.’+ 16  Megjithatë, lum sytë tuaj, sepse shohin dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë!+ 17  Vërtet po ju them: shumë profetë dhe njerëz të drejtë donin t’i shikonin gjërat që po shihni ju, por nuk i panë,+ dhe të dëgjonin gjërat që po dëgjoni ju, por nuk i dëgjuan. 18  Tani, dëgjoni shpjegimin e ilustrimit të mbjellësit.+ 19  Kur dikush e dëgjon fjalën e Mbretërisë, por nuk e kap kuptimin e saj, vjen i Ligu+ dhe e rrëmben atë që u mboll në zemër. Kjo është fara që ra përgjatë rrugës.+ 20  Sa për atë që ra në një vend shkëmbor, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e pranon me gëzim,+ 21  mirëpo ajo nuk zë rrënjë në zemrën e tij. Prandaj, edhe pse vazhdon për njëfarë kohe, kur vijnë shtrëngimet* ose përndjekjet për shkak të fjalës, ai heq dorë menjëherë. 22  Sa për atë që ra mes gjembave, ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthet e kësaj bote*+ dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën, dhe ajo nuk jep fryt.+ 23  Sa për atë që ra në tokë të mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kap kuptimin e saj. Ai jep vërtet fryt dhe prodhon: njëri 100-fish, tjetri 60 dhe një tjetër 30.»+ 24  Pastaj u tregoi një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25  Kur të gjithë po flinin, armiku i tij erdhi dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. 26  Kur filizat mbinë dhe prodhuan fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat. 27  Kështu skllevërit e të zotit të shtëpisë vajtën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga dolën vallë egjrat?’ 28  Ai u tha: ‘Këtë e ka bërë një armik.’+ Skllevërit e pyetën: ‘A dëshiron që të dalim e t’i mbledhim?’ 29  Ai iu përgjigj: ‘Jo, kam merak se, duke mbledhur egjrat, mund të shkulni me rrënjë edhe grurin. 30  Lërini të rriten bashkë deri kur të bëhen për t’u korrur dhe në kohën e korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në tufa që ta digjni, pastaj mblidhni grurin e futeni në depon time.’»+ 31  Ai u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si një kokërr sinapi që një njeri e mori dhe e mbolli në arë.+ 32  Ajo është më e vogla e të gjitha farave, por kur rritet, është më e madhja ndër bimët* dhe bëhet si pemë, aq sa zogjtë e qiellit shkojnë e gjejnë strehë mes degëve të saj.» 33  Më pas u tregoi edhe një ilustrim tjetër: «Mbretëria e qiejve është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha* mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.»+ 34  Gjithë këto gjëra Jezui ia tha turmës me anë të ilustrimeve. Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre,+ 35  që të përmbushej ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: «Do të flas me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga fillimi.»*+ 36  Pastaj, pasi e shpërndau turmën, ai shkoi në shtëpi. Dishepujt vajtën tek ai dhe i thanë: «Na e shpjego ilustrimin e egjrave në arë.» 37  Ai iu përgjigj: «Mbjellësi i farës së mirë është Biri i njeriut. 38  Ara është bota+ dhe fara e mirë janë bijtë e Mbretërisë, kurse egjrat janë bijtë e të Ligut.+ 39  Armiku që i mbolli, është Djalli. Koha e korrjes është përfundimi i një sistemi* dhe korrësit janë engjëjt. 40  Prandaj, ashtu si mblidhen egjrat dhe digjen në zjarr, kështu do të ndodhë në përfundim të sistemit.*+ 41  Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet, që do të mbledhin e do të nxjerrin nga Mbretëria e tij çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat,* bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme,* 42  dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë.+ Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët. 43  Në atë kohë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli+ në Mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë, le të dëgjojë. 44  Mbretëria e qiejve është si një thesar i fshehur në arë, të cilin një njeri e gjeti dhe e fshehu, dhe nga gëzimi shkoi e shiti gjithçka dhe e bleu atë arë.+ 45  Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të çmuar.* 46  Me të gjetur një margaritar me vlerë të madhe, ai iku dhe shiti menjëherë gjithçka që kishte dhe e bleu.+ 47  Përsëri, Mbretëria e qiejve është si një rrjetë tratë* e hedhur në det, që kishte mbledhur peshq të çdo lloji. 48  Kur ajo u mbush, peshkatarët e tërhoqën në breg, u ulën dhe i futën peshqit e mirë+ nëpër enë, kurse të papërshtatshmit+ i hodhën. 49  Kështu do të jetë në përfundim të sistemit:* engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët, 50  dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët. 51  A e kapët kuptimin e të gjitha këtyre gjërave?» Ata i thanë: «Po.» 52  Pastaj ai u tha: «Atëherë dijeni se çdo mësues,* që ka marrë njohuri për Mbretërinë e qiejve, është si një zot shtëpie, i cili nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.» 53  Kur i mbaroi ilustrimet, Jezui iku që andej. 54  Pastaj vajti në vendin e tij+ dhe nisi t’i mësonte njerëzit në sinagogën e tyre, aq sa ata u habitën dhe thanë: «Ku e gjeti ky njeri këtë mençuri dhe zotësi për të kryer këto vepra të fuqishme?!+ 55  A s’është ky biri i zdrukthëtarit?+ A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij, Jakov, Jozef, Simon dhe Judë?+ 56  A nuk jetojnë motrat e tij mes nesh? Ku i gjeti, pra, ky njeri gjithë këto?»+ 57  Për këtë arsye nuk besuan tek ai.*+ Por Jezui u tha: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet nuk nderohet profeti.»+ 58  Kështu që nuk bëri shumë vepra të fuqishme atje, sepse atyre u mungonte besimi.

Shënime në fund të faqes

Ose «vështirësitë».
Ose «e këtij sistemi; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.
Domethënë, perimet.
Ose «rreth 10 kilogramë». Fjalë për fjalë «tri masa sea». Një sea ishte 7,33 l. Shih Shtojcën B14.
Një mundësi tjetër «themelimi i botës».
Ose «i një kohe; i një rendi». Shih Fjalorthin.
Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.
Ose «çdo gjë që shkakton pengesë».
Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
Ose «perla të çmuara».
Ose «rrjetë peshkimi».
Ose «të kohës; të rendit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «skrib». U referohet dishepujve që mësonin në publik.
Fjalë për fjalë «nisën të pengoheshin për shkak të tij».