Sipas Mateut 11:1-30

  • Lëvdohet Gjon Pagëzori (1-15)

  • Dënohet një brez i pandjeshëm (16-24)

  • Jezui lëvdon të Atin që përkrah të përulurit (25-27)

  • Zgjedha e Jezuit freskon (28-30)

11  Pasi u dha udhëzimet 12 dishepujve, Jezui u largua që andej, që të mësonte dhe të predikonte në qytetet përreth.*+  Kurse Gjoni, ngaqë kishte dëgjuar në burg+ për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet+  që ta pyetnin: «A je ti ‘ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?»+  Jezui iu përgjigj: «Shkoni dhe tregojini Gjonit çfarë po dëgjoni dhe shikoni:+  të verbrit tani po shohin,+ të çalët po ecin, të lebrosurit+ po pastrohen, të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.+  Lum ai që nuk gjen arsye të dyshojë për mua!»*+  Ndërsa ishin rrugës, Jezui nisi ta pyeste turmën për Gjonin: «Çfarë donit të shihnit kur dolët në shkretëtirë?+ Një kallam që tundet nga era?+  Çfarë donit të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba cilësore?* Ata që vishen me rroba cilësore, banojnë në pallate mbretërore.  Vërtet, çfarë donit të shihnit? Një profet? E pra, unë po ju them se ai është shumë më tepër se një profet.+ 10  Është ai për të cilin është shkruar: ‘Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!’+ 11  Me të vërtetë po ju them: ndër ata që kanë lindur nga gratë, s’ka dalë asnjë më i madh se Gjon Pagëzori, e megjithatë, ai që është i vogël në Mbretërinë e qiejve, është më i madh se ai.+ 12  Që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, Mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit njerëzit sulen me zjarr, dhe ata që ngulmojnë, e arrijnë.*+ 13  Faktikisht të gjithë, Profetët dhe Ligji, profetizuan deri te Gjoni+ 14  dhe, doni apo s’doni ju, ai është ‘Elija që duhet të vijë’.+ 15  Ai që ka veshë, le të dëgjojë. 16  Me kë ta krahasoj këtë brez?+ Ngjan me fëmijët që rrinë ulur në sheshet e pazareve dhe u thonë shokëve të lojës: 17  ‘I ramë fyellit për ju, por ju nuk kërcyet; vajtuam, por ju nuk u hidhëruat.’* 18  Po kështu erdhi Gjoni që nuk ha e nuk pi, e megjithatë njerëzit thonë: ‘Ai ka një demon.’ 19  Erdhi Biri i njeriut që ha e pi,+ dhe prapëseprapë njerëzit thonë: ‘Ja, një grykës i dhënë pas verës, mik i taksambledhësve dhe i mëkatarëve.’+ Gjithsesi, mençuria del e drejtë* nga veprat.»*+ 20  Pastaj nisi të qortonte qytetet ku kishte bërë pjesën më të madhe të veprave të tij të fuqishme, sepse ato nuk u penduan: 21  «Mjerë ti, o Korazin dhe ti, o Betsaidë! Se po të ishin bërë në Tir dhe në Sidon veprat e fuqishme që u bënë te ju, ata do të ishin penduar kohë më parë, do të ishin veshur me copë thesi* dhe do të ishin mbuluar me hi.+ 22  Prandaj po ju them: Tiri dhe Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju Ditën e Gjykimit.+ 23  Po ti, o Kapernaum,+ mos do të lartësohesh deri në qiell? Në Varr* do të shkosh,+ sepse po të ishin bërë në Sodomë veprat e fuqishme që u bënë te ti, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite. 24  Prandaj po të them: Sodoma do ta ketë më të lehtë se ti Ditën e Gjykimit.»+ 25  Atëherë Jezui tha: «Unë të lëvdoj përpara të gjithëve, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ua ke fshehur këto gjëra të mençurve e intelektualëve dhe ua ke bërë të njohura fëmijëve të vegjël.*+ 26  Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu.» 27  Gjithashtu tha: «Ati im më ka dhënë gjithçka.+ Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit,+ dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia bëjë të njohur.+ 28  Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj.* 29  Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër,+ dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin,* 30  sepse zgjedha ime është e këndshme* dhe ngarkesa ime është e lehtë.»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «e tyre».
Fjalë për fjalë «që nuk gjen shkak për t’u penguar nga unë!»
Fjalë për fjalë «të buta?»
Fjalë për fjalë «po e kapin».
Fjalë për fjalë «nuk i ratë gjoksit nga hidhërimi».
Ose «shfajësohet».
Ose «nga rezultatet».
Ose «Hades», pra, në varrin e përbashkët të njerëzimit. Shih Fjalorthin.
Ose «njerëzve të thjeshtë».
Ose «do t’ju përtërij forcat».
Ose «do t’ju përtërihen forcat».
Ose «e butë; e lehtë për t’u mbajtur».