Sipas Markut 4:1-41

  • ILUSTRIME PËR MBRETËRINË (1-34)

    • Mbjellësi (1-9)

    • Pse i përdorte Jezui ilustrimet (10-12)

    • Shpjegimi i ilustrimit me mbjellësin (13-20)

    • Një llambë nuk vihet nën shinik (21-23)

    • Masa që përdorni (24, 25)

    • Mbjellësi që fle (26-29)

    • Fara e sinapit (30-32)

    • Përdorimi i ilustrimeve (33, 34)

  • Jezui qetëson stuhinë (35-41)

4  Ai nisi t’i mësonte përsëri njerëzit buzë detit dhe një turmë shumë e madhe iu mblodh pranë. Prandaj hipi në një varkë dhe u ul në të, larg bregut, kurse e gjithë turma qëndroi në breg, buzë detit.+  Kështu ai filloi t’u mësonte shumë gjëra me ilustrime+ dhe, teksa i mësonte, u tha:+  «Dëgjoni! Një mbjellës doli për të mbjellë.+  Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, dhe zogjtë vajtën e i hëngrën.  Të tjera ranë në një vend shkëmbor, ku nuk kishte shumë dhé, prandaj mbinë menjëherë, sepse toka nuk ishte e thellë.+  Por, kur lindi dielli, bimët e njoma u zhuritën dhe, meqë s’kishin rrënjë, u thanë.  Disa fara të tjera ranë mes gjembave, të cilët u rritën e i mbytën, prandaj ato nuk dhanë fryt.+  Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, pasi mbinë e u rritën, filluan të jepnin fryt: 30, 60 dhe 100-fish.»+  Pastaj shtoi: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+ 10  Tani, kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të Dymbëdhjetët, filluan ta pyetnin për ilustrimet.+ 11  Ai u tha: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretin e shenjtë+ të Mbretërisë së Perëndisë, kurse për të tjerët, gjërat që dëgjojnë, mbeten thjesht ilustrime,+ 12  me qëllim që të shohin me sy, por të mos dallojnë, të dëgjojnë me veshë, por të mos e kapin kuptimin, e as nuk do të kthehen kurrë te Perëndia që t’i falë.»+ 13  Veç kësaj u tha: «Nëse nuk e kuptoni këtë ilustrim, si do t’i kuptoni gjithë ilustrimet e tjera?! 14  Mbjellësi mbjell fjalën.+ 15  Disa njerëz janë si farat që ranë përgjatë rrugës; sapo e dëgjojnë fjalën, vjen Satanai+ dhe ua rrëmben atë që u mboll në zemrat e tyre.+ 16  Disa të tjerë janë si farat që ranë në një vend shkëmbor; sapo e dëgjojnë fjalën, e pranojnë me gëzim,+ 17  mirëpo ajo nuk zë rrënjë në zemrat e tyre. Prandaj vazhdojnë për njëfarë kohe, por sapo vijnë shtrëngimet* ose përndjekjet për shkak të fjalës, ata heqin dorë. 18  Disa fara të tjera ranë mes gjembave. Këto janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën,+ 19  por ankthet+ e kësaj bote,* fuqia mashtruese e pasurisë+ dhe dëshira+ për çdo gjë tjetër, futen në zemrat e tyre dhe e mbytin fjalën, e ajo nuk jep fryt. 20  Së fundi, farat që ranë në tokë të mirë, janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: 30, 60 dhe 100-fish.»+ 21  Pastaj vazhdoi: «Një llambë nuk merret që të vihet nën shinik* a nën shtrat, apo jo? A nuk merret që të vihet në mbajtësen e vet?+ 22  Vërtet, nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të dalë në dritë dhe asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të dalë sheshit.+ 23  Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+ 24  Më tej u tha: «Kushtojini vëmendje asaj që po dëgjoni,+ sepse me atë masë që jepni, do t’ju jepet, madje edhe më shumë. 25  Atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë,+ por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.»+ 26  Pas kësaj shtoi: «Kështu, Mbretëria e Perëndisë është tamam si një njeri që mbjell farë në tokë. 27  Ai fle natën e çohet ditën, dhe farat mbijnë e rriten—se si, ai nuk e di. 28  Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli. 29  Dhe, sapo të korrat janë gati, ai u vë draprin, sepse ka ardhur koha e korrjes.» 30  Më tej vazhdoi : «Me çfarë ta krahasojmë Mbretërinë e Perëndisë apo me çfarë ilustrimi ta shpjegojmë? 31  Ajo është si një kokërr sinapi, që kur mbillet në tokë, është më e vogla e të gjitha farave mbi dhé.+ 32  Por, pasi mbillet, mbin dhe bëhet më e madhe se gjithë bimët* e tjera dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.» 33  Ai ua shpalli fjalën me shumë ilustrime+ të tilla, aq sa ata mund të kuptonin. 34  Në fakt, pa ilustrime s’u fliste atyre, kurse dishepujve të tij u shpjegonte gjithçka më vete.+ 35  Atë ditë, kur kishte rënë mbrëmja, u tha: «Le të kalojmë në bregun tjetër.»+ 36  Kështu, pasi shpërndanë turmën, dishepujt e morën me vete në varkë.* Atje kishte edhe varka të tjera.+ 37  Ndërkohë shpërtheu një stuhi e egër dhe e fortë, dhe dallgët përplaseshin pas varkës, aq sa po e mbulonin krejt.+ 38  Kurse ai ishte në kiç dhe po flinte në jastëk.* Prandaj e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, s’do t’ia dish që po marrim fund?!» 39  Atëherë ai u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: «Pusho! Hesht!»+ Era ra dhe u bë qetësi e madhe. 40  Pastaj u tha atyre: «Pse keni kaq frikë?* Akoma s’keni besim?» 41  Por ata i kishte pushtuar një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky, që i binden edhe era, edhe deti?!»+

Shënime në fund të faqes

Ose «vështirësitë».
Ose «e këtij sistemi; e këtij rendi». Shih Fjalorthin.
Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.
Domethënë, perimet.
Fjalë për fjalë «në varkë, ashtu siç ishte».
Ose «shilte».
Ose «po ju mpaket zemra?»