Sipas Markut 14:1-72

  • Priftërinjtë komplotojnë për ta vrarë Jezuin (1, 2)

  • Jezuit i derdhin vaj aromatik mbi kokë (3-9)

  • Juda tradhton Jezuin (10, 11)

  • Festa e fundit e Kalimit (12-21)

  • Themelohet Darka e Zotërisë (22-26)

  • Jezui parathotë se Pjetri do ta mohojë (27-31)

  • Jezui lutet në Getsemani (32-42)

  • Jezui arrestohet (43-52)

  • Gjyqi përpara Sinedrit (53-65)

  • Pjetri mohon Jezuin (66-72)

14  Tani, dy ditë më vonë+ ishte Festa e Kalimit*+ dhe Festa e Bukëve Pa Maja.+ Krerët e priftërinjve dhe skribët po kërkonin një mënyrë si ta arrestonin* me dredhi dhe ta vritnin,+  sepse thoshin: «Jo në festë, se mos bëhet ndonjë trazirë në popull.»  Kur Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit, të lebrosurit, ndërsa po hante,* erdhi një grua me një enë alabastri me vaj aromatik, nard të pastër, shumë të shtrenjtë. Ajo e hapi* enën dhe nisi t’ia derdhte vajin mbi kokë.+  Atëherë disa nga ata i thanë njëri-tjetrit të indinjuar: «Pse të harxhohet kot ky vaj aromatik?  Ky vaj mund të ishte shitur më shumë se 300 denarë* e paratë t’u jepeshin të varfërve!» Prandaj ishin tepër të acaruar me atë grua.*  Por Jezui tha: «Lëreni të qetë. Pse e bezdisni? Ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje.+  Të varfrit do t’i keni gjithmonë+ dhe mund t’u bëni mirë sa herë të doni, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.+  Ajo bëri atë që mundi; hodhi vaj aromatik mbi trupin tim për ta përgatitur që më parë për varrim.+  Vërtet po ju them: kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën,+ do të tregohet edhe ajo që bëri kjo grua, në kujtim të saj.»+ 10  Tani, Judë Iskarioti, një nga të Dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve që ta tradhtonte e ta dorëzonte në duart e tyre.+ 11  Kur e dëgjuan, ata u kënaqën jashtë mase dhe i premtuan t’i jepnin monedha argjendi.+ Prandaj ai filloi të kërkonte një rast për ta tradhtuar. 12  Tani, ditën e parë të Festës së Bukëve Pa Maja,+ kur zakonisht ofronin flijimin e Festës së Kalimit,+ dishepujt e pyetën: «Ku dëshiron të shkojmë e të të përgatitim darkën e Festës së Kalimit?»+ 13  Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt dhe u tha: «Shkoni në qytet, dhe atje do t’ju dalë përpara një njeri duke mbajtur një enë balte për ujë. Shkoni pas tij+ 14  dhe, atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: ‘Ku është dhoma e mysafirëve, që të ha darkën e Festës së Kalimit me dishepujt e mi?’” 15  Ai do t’ju tregojë sipër një dhomë të madhe, të mobiluar e të bërë gati. Atje përgatitni darkën për ne.» 16  Kështu dishepujt u nisën, hynë në qytet dhe e gjetën shtëpinë ashtu siç u kishte thënë ai, dhe përgatitën darkën e Festës së Kalimit. 17  Pasi ra mbrëmja, ai erdhi bashkë me të Dymbëdhjetët.+ 18  Ndërsa ishin shtruar në tryezë dhe po hanin, Jezui tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju që po ha me mua, do të më tradhtojë.»+ 19  Ata u trishtuan dhe nisën t’i thoshin njëri pas tjetrit: «Nuk jam unë, apo jo?» 20  Ai u përgjigj: «Është një nga të Dymbëdhjetët, ai që ngjyen bukën bashkë me mua në çanak,*+ 21  sepse Biri i njeriut po ikën, ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri që e tradhton Birin e njeriut!+ Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur.»+ 22  Ndërsa hanin, ai mori një bukë, bëri një lutje,* e theu, ua dha atyre dhe u tha: «Merreni, kjo përfaqëson trupin tim.»+ 23  Pastaj mori një kupë, falënderoi Perëndinë, ua dha, dhe të gjithë pinë nga ajo.+ 24  Ai u tha: «Kjo përfaqëson gjakun tim,+ ‘gjakun e besëlidhjes’,+ që do të derdhet në dobi të shumë vetave.+ 25  Vërtet po ju them: nuk do të pi më kurrë nga kjo verë, deri ditën kur ta pi të re në Mbretërinë e Perëndisë.» 26  Në fund, pasi kënduan lavde,* dolën dhe shkuan në Malin e Ullinjve.+ 27  Jezui u tha: «Të gjithëve ju do t’ju lëkundet besimi për shkakun tim, sepse është shkruar: ‘Do të godas bariun+ dhe delet do të hallakaten.’+ 28  Por, pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.»+ 29  Mirëpo Pjetri iu përgjigj: «Edhe sikur të gjithëve t’u lëkundet besimi për shkakun tënd, mua kurrë nuk do të më lëkundet besimi!»+ 30  Jezui ia ktheu: «Vërtet po të them: sot, po, pikërisht këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ 31  Por ai këmbëngulte: «Edhe sikur të më duhej të vdisja bashkë me ty, kurrsesi nuk do të të mohoja!» Të njëjtën gjë filluan të thoshin edhe gjithë dishepujt e tjerë.+ 32  Pastaj vajtën në një vend të quajtur Getsemani, dhe ai u tha dishepujve: «Uluni këtu, ndërkohë që unë lutem.»+ 33  Me vete mori Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin.+ Ai filloi të ndiente dhembje e ankth të madh 34  dhe u tha atyre: «Më dhemb shpirti,+ madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë.»+ 35  Pastaj shkoi pak më përpara, u përkul me fytyrë përtokë dhe nisi të lutej që, po të ishte e mundur, të mos e përjetonte atë orë* të vështirë. 36  Dhe vazhdoi të thoshte: «Abba,* o Atë,+ gjithçka është e mundur për ty. Le të mos pi nga* kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.»+ 37  Kur u kthye, i gjeti duke fjetur, dhe i tha Pjetrit: «Simon, po fle? Nuk pate forcë të qëndroje vigjilent as edhe një orë?+ 38  Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.+ Sigurisht, zemra* është gati, por trupi* është i dobët.»+ 39  Iku përsëri dhe u lut me të njëjtat fjalë.+ 40  U kthye prapë dhe i gjeti duke fjetur, sepse u ishin rënduar sytë, prandaj nuk dinin si t’i përgjigjeshin. 41  U kthye për të tretën herë dhe u tha: «Në një kohë si kjo, ju flini dhe pushoni?! Mjaft fjetët! Erdhi ora!+ Ja, Birin e njeriut e kanë tradhtuar dhe e kanë dorëzuar në duart e mëkatarëve. 42  Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.»+ 43  Menjëherë, ndërsa po fliste, mbërriti Juda, një nga të Dymbëdhjetët. Bashkë me të erdhi edhe një turmë me shpata dhe hunj nëpër duar, që e kishin dërguar krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë.+ 44  Tradhtari kishte rënë dakord me ta se do t’u bënte një shenjë: «Atë që do të puth, ai është; arrestojeni dhe merreni me roja.» 45  Juda vajti drejt e tek ai, iu afrua dhe i tha: «Rabi!», pastaj e puthi miqësisht. 46  Kështu e kapën dhe e arrestuan. 47  Mirëpo, një nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi skllavin e kryepriftit dhe i preu veshin.+ 48  Por Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më arrestoni me shpata dhe hunj, sikur të isha kusar?!+ 49  Ditë për ditë isha me ju në tempull dhe mësoja,+ e megjithatë ju nuk më arrestuat. Sidoqoftë, kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet.»+ 50  Atëherë të gjithë e braktisën dhe ia mbathën.+ 51  Megjithatë një djalë i ri, që kishte hedhur në trup veç një rrobë linoje cilësore, nisi ta ndiqte nga afër. Ata u përpoqën ta kapnin, 52  por ai e la pas rrobën dhe ia mbathi gjysmë i zhveshur.* 53  Tani, Jezuin e çuan te kryeprifti,+ dhe atje u mblodhën tërë krerët e priftërinjve, pleqtë e skribët.+ 54  Kurse Pjetri e ndoqi atë nga larg deri në oborrin e kryepriftit dhe u ul bashkë me shërbëtorët e shtëpisë e po ngrohej afër një zjarri bubulak.+ 55  Ndërkohë, krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri po kërkonin dëshmitarë kundër Jezuit, që ta ekzekutonin, por nuk po gjenin asnjë.+ 56  Në të vërtetë, shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij,+ por dëshmitë e tyre nuk përputheshin. 57  U ngritën edhe disa të tjerë dhe nisën të jepnin këtë dëshmi të rreme kundër tij: 58  «E kemi dëgjuar të thotë: ‘Unë do ta rrëzoj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut dhe për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, por jo nga duart e njeriut.’»+ 59  Megjithatë as në këtë pikë, dëshmitë e tyre nuk përputheshin. 60  Kështu kryeprifti u ngrit në këmbë përpara tyre dhe e pyeti Jezuin: «S’po jep asnjë përgjigje? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?»+ 61  Por ai nuk bënte zë dhe nuk përgjigjej fare.+ Kryeprifti nisi ta pyeste përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?» 62  Atëherë Jezui u përgjigj: «Unë jam. Ju do ta shihni Birin e njeriut+ të ulur në të djathtën+ e të Fuqishmit* dhe duke ardhur në retë e qiellit.»+ 63  Menjëherë kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: «Ç’na duhen më dëshmitarët?!+ 64  Ju e dëgjuat blasfeminë.* Ç’mendoni?»* Të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.+ 65  Disa filluan ta pështynin,+ ia mbuluan fytyrën, i gjuanin me grushte dhe i thoshin: «Profetizo!» Pastaj nëpunësit e gjyqit, pasi i ranë me shuplaka në fytyrë, e larguan që atje.+ 66  Tani, ndërkohë që Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një nga shërbëtoret e kryepriftit.+ 67  Kur vuri re Pjetrin që po ngrohej, ajo ia nguli sytë dhe i tha: «Edhe ti ishe me nazareasin, me këtë Jezuin.» 68  Por ai e mohoi dhe tha: «As atë nuk e njoh, as ty s’po të marr vesh ç’po thua.» Pastaj shkoi te porta e oborrit.* 69  Shërbëtorja e pa atje dhe përsëri filloi t’u thoshte atyre që ishin aty pranë: «Ky është një nga ata.» 70  Ai e mohoi sërish. Pas pak, ata që ishin aty pranë, nisën t’i thoshin edhe një herë Pjetrit: «E sigurt që edhe ti je një nga ata, sepse je galileas.» 71  Por ai filloi të mallkonte veten e të betohej: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin flitni.» 72  Dhe menjëherë një gjel këndoi për herë të dytë.+ Pjetrit i erdhën ndër mend fjalët e Jezuit: «Para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë.»+ Ai s’u përmbajt dot dhe shpërtheu në lot.

Shënime në fund të faqes

Ose «ishte Pashka». Shih Fjalorthin.
Ose «ta kapnin».
Ose «ndërsa ishte shtruar në tryezë».
Fjalë për fjalë «e theu».
Ose «ata i folën ashpër gruas; ata e qortuan atë grua».
Ose «në tas».
Fjalë për fjalë «e bekoi».
Ose «himne; psalme».
Ose «situatë».
Një fjalë hebraike ose aramaike që do të thotë «o Atë!»
Ose «Le të hiqet nga unë».
Fjalë për fjalë «fryma». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «mishi». I referohet trupit të papërsosur dhe gjendjes mëkatare të njeriut.
Ose «i veshur lehtë; vetëm me rrobat e brendshme».
Fjalë për fjalë «në të djathtën e pushtetit».
Ose «Cili është vendimi juaj?»
Ose «në hajat; treme».