Sipas Markut 1:1-45

  • Predikimi i Gjon Pagëzorit (1-8)

  • Pagëzimi i Jezuit (9-11)

  • Satanai tundon Jezuin (12, 13)

  • Jezui nis predikimin në Galile (14, 15)

  • Thërret dishepujt e parë (16-20)

  • Dëbon një frymë të ndyrë (21-28)

  • Jezui shëron shumë veta në Kapernaum (29-34)

  • Lutet në një vend të veçuar (35-39)

  • Shëron një të lebrosur (40-45)

1  Fillimi i lajmit të mirë për Jezu Krishtin, birin e Perëndisë,  sikurse është shkruar në librin e profetit Isaia: «(Ja, unë po dërgoj përpara teje lajmëtarin tim, i cili do të të përgatitë udhën!)+  Dëgjohet zëri i dikujt që thërret në shkretëtirë: ‘Përgatitni udhën për Jehovain!* Drejtojini rrugët për të!’»+  Gjon Pagëzori ishte në shkretëtirë dhe predikonte pagëzimin si simbol të pendimit për faljen e mëkateve.+  Gjithë territori i Judesë dhe tërë banorët e Jerusalemit shkonin tek ai. Ai i pagëzonte* njerëzit në lumin Jordan, dhe ata i rrëfenin hapur mëkatet.+  Gjoni vishte një rrobë me lesh deveje, mbante në mes një brez lëkure+ dhe ushqehej me karkaleca e me mjaltë bletësh të egra.+  Ai predikonte: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të ulem e t’i zgjidh lidhëset e sandaleve.+  Unë ju pagëzova me ujë, kurse ai do t’ju pagëzojë me frymë të shenjtë.»+  Ato ditë, Jezui erdhi nga Nazareti i Galilesë, dhe Gjoni e pagëzoi në Jordan.+ 10  Sapo doli nga uji, ai* pa qiejt të hapeshin dhe frymën e Perëndisë të zbriste mbi të porsi një pëllumb.+ 11  Nga qiejt u dëgjua një zë: «Ti je Biri im, Biri im i dashur; unë të kam miratuar.»+ 12  Menjëherë fryma e Perëndisë e nxiti të shkonte në shkretëtirë. 13  Ai qëndroi 40 ditë në shkretëtirë, ku e tundoi Satanai.+ Atje kishte kafshë të egra, por engjëjt kujdeseshin për të.*+ 14  Tani, pasi Gjoni u arrestua, Jezui shkoi në Galile+ dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë:+ 15  «Koha e caktuar është përmbushur dhe Mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni+ dhe kini besim te lajmi i mirë.» 16  Kur po ecte përgjatë detit të Galilesë, pa Simonin me të vëllanë, Andrean,+ që po hidhnin rrjetat në det,+ sepse ishin peshkatarë.+ 17  Atëherë Jezui u tha: «Ejani pas meje, dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.»+ 18  Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.+ 19  Pak më tutje pa Jakovin, birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllanë e tij, duke arnuar rrjetat në varkën e tyre,+ 20  dhe i thirri menjëherë. Kështu, ata e lanë te varka të atin, Zebedeun, bashkë me punëtorët dhe shkuan pas tij. 21  Pastaj ikën në Kapernaum. Sapo filloi Sabati, Jezui hyri në sinagogë dhe nisi të mësonte.+ 22  Njerëzit mahniteshin me mënyrën si mësonte, sepse ai mësonte si njeri me autoritet e jo si skribët.+ 23  Në atë moment, në sinagogën e tyre gjendej një burrë i pushtuar nga një frymë e ndyrë,* i cili bërtiti: 24  «Ç’punë ke me ne, o Jezu nazareas?+ Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di shumë mirë kush je ti: i Shenjti i Perëndisë.»+ 25  Por Jezui e qortoi frymën e ndyrë: «Hesht dhe dil nga ai!» 26  Atëherë fryma e ndyrë, pasi e përpëliti burrin dhe ulëriti sa t’i hante zëri, doli nga ai. 27  Njerëzit ishin kaq të befasuar, saqë nisën të flisnin me njëri-tjetrin: «Ç’të jetë vallë?! Një mësim i ri?! Ai ka autoritet madje të urdhërojë edhe frymërat e ndyra, e ato i binden.» 28  Kështu lajmi për të u përhap menjëherë në mbarë rajonin e Galilesë. 29  Pas kësaj ikën nga sinagoga dhe shkuan në shtëpinë e Simonit e të Andreas bashkë me Jakovin dhe Gjonin.+ 30  Mirëpo vjehrra e Simonit+ dergjej në shtrat me ethe, dhe ata i treguan menjëherë për të. 31  Ai iu afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Atë e lanë ethet dhe nisi t’u shërbente. 32  Kur u ngrys, pas perëndimit të diellit, njerëzit filluan të çonin tek ai gjithë të sëmurët dhe ata që ishin të pushtuar nga demonët.+ 33  Tërë qyteti ishte mbledhur para derës, 34  prandaj ai shëroi shumë njerëz që vuanin nga sëmundje të ndryshme+ dhe dëboi shumë demonë. Por nuk i linte demonët të flitnin, ngaqë e dinin se ai ishte Krishti.* 35  Herët në mëngjes, pa zbardhur ende, ai u çua, doli përjashta dhe shkoi në një vend të veçuar, e atje nisi të lutej.+ 36  Mirëpo Simoni dhe ata që ishin me të, e ndoqën nga pas. 37  Kur e gjetën, i thanë: «Po të kërkojnë të gjithë.» 38  Por ai ua ktheu: «Le të shkojmë diku tjetër, në qytezat këtej afër, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur.»+ 39  Atëherë i ra përqark mbarë Galilesë duke predikuar në sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.+ 40  Atje vajti edhe një i lebrosur, që i ra në gjunjë dhe iu përgjërua: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.»+ 41  I shtyrë nga keqardhja, ai zgjati dorën, e preku dhe i tha: «Po, dua! Pastrohu.»+ 42  Menjëherë lebra iu zhduk, dhe ai u pastrua. 43  Mirëpo para se ai të ikte, Jezui e urdhëroi prerazi: 44  «Shiko se mos i tregon njeriu! Por shko, paraqitu te prifti dhe jep për pastrimin tënd ato që udhëzoi Moisiu,+ si dëshmi që je shëruar.»*+ 45  Megjithatë pasi iku, ai filloi të hapte fjalën për këtë gjithandej, aq sa Jezui nuk mund të hynte më në ndonjë qytet pa rënë në sy,* por qëndronte jashtë në vende të veçuara. Prapëseprapë tek ai shkonin njerëz nga çdo anë.+

Shënime në fund të faqes

Duket se i referohet Jezuit.
Ose «i shërbenin».
Shih Fjalorthin, «Demonët».
Një mundësi tjetër «e dinin se kush ishte».
Fjalë për fjalë «si dëshmi për ta». Ka të ngjarë t’u referohet priftërinjve.
Ose «haptazi».