Levitiku 9:1-24

  • Aroni paraqet blatimet për emërimin priftëror (1-24)

9  Ditën e tetë+ Moisiu thirri Aronin, djemtë e tij dhe pleqtë e Izraelit,  dhe i tha Aronit: «Sill një viç si blatim për mëkatin+ dhe një dash si blatim të djegur, të dy të shëndetshëm, dhe paraqitja Jehovait.  Kurse izraelitëve thuaju: ‘Sillni një cjap si blatim për mëkatin, një viç dhe një qengj, të dy njëvjeçarë* e të shëndetshëm, si blatim të djegur,  një dem e një dash si flijime në bashkësi,+ që t’i flijoni para Jehovait, dhe një blatim në drithë+ të përzier me vaj, sepse sot do t’ju shfaqet Jehovai.’»+  Kështu ata sollën para tendës së takimit gjërat që kishte urdhëruar Moisiu. Pastaj tërë asambleja u afrua e qëndroi para Jehovait,  dhe Moisiu u tha: «Këtë e ka urdhëruar Jehovai, me qëllim që t’ju shfaqet lavdia e Jehovait.»+  Më pas i tha Aronit: «Afrohu tek altari dhe paraqit blatimin tënd për mëkatin+ dhe blatimin tënd të djegur, e bëj shlyerjen për veten+ dhe për shtëpinë tënde. Pastaj paraqit blatimin e popullit+ dhe bëj shlyerjen për të,+ siç ka urdhëruar Jehovai.»  Aroni iu afrua menjëherë altarit dhe theri viçin e blatimit për mëkatin, të cilin e paraqiti për veten.+  Pastaj djemtë e Aronit ia dhanë gjakun e blatimit,+ dhe ai ngjeu gishtin në të. Vuri gjak te brirët e altarit, kurse pjesën tjetër të gjakut e derdhi rrëzë altarit.+ 10  Dhjamin, veshkat dhe cipën e dhjamtë të mëlçisë* që mori nga blatimi për mëkatin, i vuri të digjeshin e të nxirrnin tym mbi altar, siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun.+ 11  Mishin dhe lëkurën i dogji në zjarr jashtë kampit.+ 12  Pastaj Aroni theri blatimin e djegur dhe djemtë e vet i dhanë gjakun e blatimit, me të cilin ai spërkati altarin në të gjitha anët.+ 13  Ata i dhanë edhe blatimin e djegur të ndarë në copa, bashkë me kokën, dhe ai i vuri të digjeshin e të nxirrnin tym mbi altar. 14  Më tej lau zorrët e kërcinjtë dhe i vuri të digjeshin e të nxirrnin tym mbi altar sipër blatimit të djegur. 15  Pastaj paraqiti blatimin e popullit; mori cjapin e blatimit për mëkatin, që ishte për popullin, e theri dhe e paraqiti si blatim për mëkatin, njësoj si bëri me blatimin e parë. 16  Solli edhe blatimin e djegur dhe e paraqiti sipas rregullave të caktuara.+ 17  Pastaj, përveç blatimit të djegur të mëngjesit,+ paraqiti edhe blatimin në drithë+ duke marrë një grusht prej tij dhe duke e vënë mbi altar që të digjej e të nxirrte tym. 18  Më pas Aroni theri demin dhe dashin e flijimit në bashkësi, i cili do të paraqitej për popullin, dhe djemtë e vet i dhanë gjakun e blatimit, me të cilin ai spërkati altarin rreth e përqark, në të gjitha anët.+ 19  Ata morën pjesët e dhjamura të demit,+ bishtin e dhjamur të dashit, dhjamin që vishte organet e brendshme, veshkat dhe cipën e dhjamtë të mëlçisë,+ 20  dhe i vunë të gjitha pjesët e dhjamura mbi gjokset e kafshëve, e pas kësaj Aroni i vuri pjesët e dhjamura të digjeshin e të nxirrnin tym mbi altar.+ 21  Kurse gjokset dhe këmbën e djathtë të kafshëve, Aroni i tundi nga njëra anë në tjetrën si blatim të tundur para Jehovait, siç e kishte urdhëruar Moisiu.+ 22  Pastaj Aroni shtriu duart drejt popullit, e bekoi+ dhe zbriti nga vendi ku paraqiti blatimin për mëkatin, blatimin e djegur dhe flijimet në bashkësi. 23  Në fund Moisiu dhe Aroni hynë në tendën e takimit dhe pasi dolën, bekuan popullin.+ Atëherë lavdia e Jehovait iu shfaq tërë popullit,+ 24  dhe nga prania e Jehovait doli një zjarr+ që përpiu blatimin e djegur bashkë me pjesët e dhjamura mbi altar. Kur e pa këtë, tërë populli brohoriti dhe u përkul me fytyrë përtokë.+

Shënime në fund të faqes

Ose «motakë».
Ose «rizën e mëlçisë».