Levitiku 27:1-34

  • Shpengimi i gjërave të zotuara (1-27)

  • Gjëra që ndahen veç pa asnjë kusht për Jehovain (28, 29)

  • Shpengimi i së dhjetës (30-34)

27  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Thuaju izraelitëve: ‘Nëse dikush merr një zotim të veçantë+ për t’i dhënë Jehovait vlerën e caktuar për një person,*  vlera për një mashkull nga 20 deri në 60 vjeç do të jetë 50 sikla* argjendi sipas siklës së vendit të shenjtë.*  Kurse për një femër, vlera e caktuar do të jetë 30 sikla.  Për moshën 5 deri në 20 vjeç, vlera e caktuar për mashkullin do të jetë 20 sikla dhe për femrën 10 sikla.  Për moshën nga 1 muaj deri në 5 vjeç, vlera e caktuar për mashkullin do të jetë 5 sikla argjendi dhe për femrën 3 sikla argjendi.  Për moshën 60 vjeç e lart, vlera e caktuar për mashkullin do të jetë 15 sikla dhe për femrën 10 sikla.  Por nëse është shumë i varfër për të dhënë vlerën e caktuar,+ personi do t’i paraqitet priftit, i cili do të caktojë një vlerë; prifti do ta caktojë vlerën duke mbajtur parasysh mundësitë e atij që zotohet.+  Nëse zotimi përfshin një kafshë të përshtatshme si blatim për Jehovain, gjithçka që mund t’i jepet Jehovait do të jetë e shenjtë. 10  Nuk mund ta zëvendësojë ose ta këmbejë të mirën me një të keqe ose të keqen me një të mirë. Por edhe sikur ta këmbejë me një kafshë tjetër, qoftë ajo, qoftë kafsha me të cilën e këmben, do të jenë të shenjta. 11  Nëse është një kafshë e papastër+ që nuk mund t’i paraqitet Jehovait si blatim, ai do ta çojë kafshën para priftit. 12  Prifti do të caktojë një vlerë për të, sido që të jetë kafsha, e mirë a e keqe; vlera e caktuar do të jetë sa ta vendosë prifti. 13  Sikur të dojë ta riblejë, duhet t’i shtojë vlerës së caktuar një të pestën.+ 14  Tani, nëse dikush e shenjtëron* shtëpinë e tij dhe e ofron si një gjë të shenjtë për Jehovain, prifti do të caktojë vlerën e saj, sido që të jetë shtëpia, e mirë a e keqe; ajo do të kushtojë aq sa t’ia caktojë vlerën prifti.+ 15  Por nëse ai që e shenjtëron shtëpinë e tij, dëshiron ta riblejë, duhet t’i shtojë vlerës së caktuar një të pestën, dhe shtëpia do të bëhet e tija. 16  Nëse dikush e shenjtëron për Jehovain një pjesë të arës që ka në pronësi, vlera do të caktohet në bazë të sasisë së farës që duhet për ta mbjellë arën: një homer* farë elbi do të kushtojë 50 sikla argjendi. 17  Nëse ai e shenjtëron në vitin e Jubileut,+ vlera e caktuar për arën nuk ndryshon. 18  Nëse e shenjtëron pas Jubileut, prifti do të llogaritë çmimin e arës në bazë të viteve që mbeten deri në Jubileun tjetër dhe do të bëjë një zbritje nga vlera e caktuar.+ 19  Por nëse ai që e shenjtëron arën, e riblen, duhet t’i shtojë vlerës së caktuar një të pestën, dhe ajo do të bëhet prapë e tija. 20  Mirëpo, nëse ai nuk e riblen arën dhe ajo i shitet dikujt tjetër, ajo arë nuk mund të riblihet më. 21  Në Jubile, ara do t’i kushtohet Jehovait* e do të jetë e shenjtë; ajo do të bëhet pronë e priftërinjve.+ 22  Nëse dikush shenjtëron për Jehovain një arë që e ka blerë e që nuk është pjesë e trashëgimisë së tij,+ 23  prifti do ta llogaritë vlerën e saj sipas viteve deri në Jubile, dhe po atë ditë ai do t’i japë priftit vlerën e caktuar.+ Është një gjë e shenjtë për Jehovain. 24  Vitin e Jubileut ara do t’i kthehet atij që iu ble, atij që i takon si pronë.+ 25  Çdo vlerë duhet matur me siklën e vendit të shenjtë, e cila është 20 gera.* 26  Mirëpo askush nuk duhet të shenjtërojë pjellën e parë të kafshëve, sepse tashmë ajo është e Jehovait;+ qoftë nga bagëtia e trashë ose e imët, ajo i takon Jehovait.+ 27  Megjithatë, nëse është pjella e parë e një kafshe të papastër dhe ai dëshiron që ta shpengojë* sipas vlerës së caktuar, ai duhet t’i shtojë vlerës edhe një të pestën.+ Por nëse kafsha nuk riblihet, do të shitet sipas vlerës së caktuar. 28  Megjithatë nuk mund të shitet a të riblihet asgjë që dikush e ndan veç pa asnjë kusht* si të shenjtë për Jehovain, qoftë njeri, kafshë ose arë që ka në pronësi; çdo gjë e ndarë veç* është një gjë shumë e shenjtë për Jehovain.+ 29  Për më tepër, nuk mund të shpengohet asnjë njeri i dënuar me vdekje dhe i ndarë veç për shfarosje;*+ ai duhet të vritet pa diskutim.+ 30  E dhjeta* e tokës,+ qoftë nga prodhimi i saj, qoftë nga frytet e pemëve, i takon Jehovait. Është një gjë e shenjtë për Jehovain. 31  Sikur dikush të dojë të riblejë të dhjetën, duhet të shtojë edhe një të pestën. 32  Kurse e dhjeta e bagëtisë së imët dhe të trashë, domethënë një në çdo 10 kokë* që kalon nën kërrabën e bariut, do të jetë e shenjtë për Jehovain. 33  Nuk duhet ta shohë nëse është e mirë a e keqe, e as duhet ta këmbejë. Por edhe sikur ta këmbejë me një tjetër, qoftë ajo, qoftë kafsha me të cilën e këmben, do të jenë të shenjta.+ Nuk mund të riblihen.’» 34  Këto janë urdhërimet që i dha Jehovai Moisiut në malin Sinai për izraelitët.+

Shënime në fund të faqes

Ose «shpirt».
Një sikël ishte 11,4 g. Shih Shtojcën B14.
Ose «sipas siklës së shenjtë».
Ose «e ndan veç».
Një homer ishte 220 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «do të ndahet veç për Jehovain».
Një gerë ishte 0,57 g. Shih Shtojcën B14.
Shih Fjalorthin, «Shpërblesa; Shpengimi».
Ose «e kushton (e jep) pa asnjë kusht».
Ose «e kushtuar».
Ose «asnjë njeri i kushtuar (i caktuar) për shfarosje». Shih Fjalorthin.
Ose «kafshë».